Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Marjan Sebaj – Sopi: Ditë të vështira…

| E enjte, 29.01.2015, 09:05 PM |


Ditë të vështira por edhe shpresëdhënëse…

(Në kujtim të Nënës sime, në 11 vjetorin e kalimit në amshim)

Nga Marjan Sebaj – Sopi

Kalonin vitet, ndërsa unë gjithnjë e më tepër forcohesha në fe, shpresë dhe dashuri. Punoja e veproja në të gjitha limitë, pa pushuar, kisha aq vullnet për punë, saqë edhe gjumi mendoja se ishte i tepërt. Por, ajo që më mundonte dhe shqetësonte shpirtin tim ishte gjendja gjithnjë e më e rëndë politike në Kosovë. Më mundonte shumë dhe më dhimbsej edhe nëna ime, e cila, tani e disa vite e kishte humbur të pamurit. Lotët e saja, tanimë ia kishin zënë syve të saj dritën e ditës. Edhe vëllezërit tanimë ishin larguar e strehuar në perëndim, ku jetonin e punonin, kurse me prindër, babën tim e nënën e verbër qëndronte vetëm vëllai i vogël. Mirëpo, edhe në këtë gjendje, atë e gëzonte fati që më kishte mua pranë. Unë, e vizitoja për çdo ditë, ku bisedonim e çmalleshim. Ajo, ishte mësuar ta dëgjonte zërin tim, e në mungesë të të pamurit, gjithnjë më thërriste, që së paku, të më prekte fytyrën time por të cilën tani e disa vite nuk e kishte parë, ajo më thoshte: biri im, më duket se ta kam harruar fytyrën, pamjen, por eja që ta preku së paku mjekrën që e bartë. O sa të ëmbël e të ngrohta, ishin ato duar që më rritën, sa qetësi e përkëdhelje, pushim, gjeja në prekjen e darëve të saja. Pranë gjithave që përjetoi si nënë e birit të aksidentuar, si nënë e katër fëmijëve që i humbi, si një nënë që tanimë nga lotët e saj, nga lindja, humbi edhe të pamurit. Ajo, prapë jetën e këtë gjendje e pranonte dhe pranoi si vullnet të Zotit, të cilit i lutej për çdo ditë.  Rruzaren e lutjet nuk i hiqte nga dora e goja. Kjo  fatkeqësi, që i ndodhi nënën sime, më mundonte shumë. Vuaja bashkë me të, sepse vërtet ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, por e gëzonte fakti siç thoshte gjithnjë, t’ju “shoh” juve mirë, të dëgjoj për ju që jeni mirë. Për këtë, thoshte faleminderit Zotit, tani jeni mirë të gjithë. Iu gëzonte jetës pranë të gjithave, iu gëzonte fatit se unë biri i saj, tanimë gjendem pranë don Lushit, tezakut të saj, me të cilin ishin rritur së bashku, pasi kjo kishte mbetur qysh si foshnjë bonjake dhe të shumtën e kohës e kishte kaluar te tezja e saj, pra, nëna e këtij meshtari e atdhedashësi shembullor. Don Lushi, nënën time nuk e kishte njohur ndryshe, pos si motër të veten, dhe si të tillë e njihte, pranonte, dhe motër e thërriste. Shpesh, e vizitonte me dëshirë e dashuri, siç i vizitonte edhe të gjithë të sëmurët tjerë në famulli, ku të gjithë me dashuri e pranonin, e ky nga dashuria ata i quante “engjëjt e mi”!

Nënës, në këtë gjendje iu gjendeshin shumë baba im dhe vëllai i vogël, por, edhe gjithë familja dhe fqinjët, të cilët e vizitonin pandërprerë, sa ishte u mundur, nuk e lënin të vetmuar as për një çast. Ajo, kishte dëshirë të dalë, t’i vizitonte fqinjët, të bisedonte e ta  kalonte kohën me ta, dhe sa të afërm ishin ata kuptohet nga ajo, se me ta parë nënë time, e cila mbante një shkop për t’u orientuar, menjëherë me të parë atë se doli nga shtëpia vraponte i madh e i vogël, për ta marrë për dorë apo krahu dhe përcjellur deri në vendin e dëshiruar nga ajo.

Brengoseshim të gjithë për shëndetin e saj, brengoseshim për situatën gjithnjë e më të vështirë në Kosovë, situatë e gjendje para lufte. Në disa pjesë të Kosovës, edhe luftohej mes bijve e bijave tona çlirimtare dhe liridashëse dhe vrastarëve të ardhur nga Serbia, luftohej për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, për ta mbrojtur nderin, moralin, jetën, luftohej në shumë pjesë të Kosovës tonë të dashur, derdhej shumë gjak i pafaj. Thuajse, në rrethana të këtilla, të gjithë ishim të “humbur”, të pikëlluar dhe trishtuar, sepse, na arrinin për çdo ditë, orë, minutë, lajme nga më të rëndat, për bastisje, braktisje të shtëpive, rrahje, vrasje të individëve, të burrave, grave e fëmijëve, vrasje e të tërë familjeve, lajme të tmerrshme për çdo ditë por në anën tjetër edhe lajme shirëseje, lajme vetëbesimi, lajme se do ja dalim e do të çlirohemi, lajme se do t’na ndihmojë edhe bashkësia ndërkombëtare, lajme se u flijuam, po flijohemi, por, do të ngadhënjejmë, meqë jemi të drejtë, jemi dhe mbrojmë shtëpitë, trojet tona, të cilat për të satën here po përgjakën, po lahen me gjak të pafaj.

Vërtetë, ishte bërë vështirë e rrezik të jetohej në Kosovën tonë. Gjithkund përndjekje e vrasje, gjithkund e gjithkah ushtarë e paramilitarë, hajna e banditë, kriminel të ndryshëm që bënin kërdi në popullin e pafaj dhe të pambrojtur. Pra, gjendja e filluar dikur në Kosovë, pakënaqësitë dhe parashikimet e shumëve se gjithçka filloi në këto troje për liri dhe demokraci, do të përfundoj këtu. Parashikimet dhe situate aktuale, flisnin për një gjenocid të mundshëm në këtë popull liridashës.

Ngadhënjimi përfundimtar

Ditët e luftës në Kosovë ishin ditë të rënda. Përjetuam tmerrin e kohës. Shumë familje braktisën shtëpitë e tyre, shumë familje humbën pa më të dashuritë e tyre, shumë familje u shukën të tërat. Kosova e luftës dhe pas luftës, ishte një shkrumb, një “oaze e mjerimit”, por, edhe vend shprese, vend i bekuar dhe i shenjtë, vend i martirizimit i larë me gjak të pafaj, vend i shumë dëshmorëve të kombit, i njerëzve që flijuan veten e tyre për të mirën tonë, të mirën e ardhmërisë dhe prosperiteti. Pranë të gjithave, ku ishte rrënuar e shkatërruar gjithçka, prapë qëndronte shpresa dhe besimi, vullneti për jetë, për jetë të re!

Unë, pas një muaj e gjysmë qëndrimi gjatë kohës së luftës në Kosovë, u tërhoqa shkaku i një varre (plage) për në Shkup-Maqedoni, me babën e nënën time (vëllai ishte tërheq po atë ditë pak para fillimit të bombardimeve të aleancës veri atlantike-Natos kundër caqeve ushtarake serbe) dhe pikërisht këtu edhe u ndamë. Ata, shkuan për në Zvicër tek motra e më pas për Gjermani, ku do ishin të gjithë së bashku, pra me vëllezërit tjerë, e unë vendosa të shkoja në Kroaci, me shpresë se pas ndonjë intervenimi kirurgjik, do kthehem menjëherë në Kosovën time të dashur, pranë njerëzve ti mijë. Por, e gjitha nuk shkoi siç mendova e planifikova unë, por siç deshi vetë Zoti. Kuptohet, se e gjitha ishte vullnesa e tij dhe këtë e pranoja si të tillë. Pas disa intervenimeve kirurgjike (gjithsej tre) në Zagreb të Kroacisë e kurimit të stërzgjatur në këtë shtet, në ndërkohë përfundoi edhe Lufta në Kosovë, luftë kjo që zgjati gati tre muaj apo lirisht mund të themi për një shekull radhazi. Gëzimi ishte i madh, gëzim të madh më dhanë edhe lajmet që nëna tanimë pas një operimi të rënd (tumor në kokë) kishte shpëtuar dhe ngadalë merrte veten. Gëzim e pikëllim në shumë anë, gëzim sepse se së fundi u çliruam, e realizuam ëndrrën e shumë e shumë gjeneratave, por, të pikëlluar sepse humbëm shumë popull (rreth 15. 000 persona të vrarë  dhe 5000 të zhdukur), shumë të rinj e të reja e fëmijë në moshë të njomë. Humbëm shumë, por, falë gjakut të derdhur të tyre, fituam edhe më shumë, fituam lirinë e pritur me qindra vite e shekuj, fituam shpresën për një jetë më të mirë, të lirë e në paqe, u flijuam, por ngadhënjyem. Me ne, ishte Zoti, me ne ishin miqtë e shumtë tanë ndërkombëtarë, ne ishim të bashkuar dhe vëllazëruar mes veti…, dhe tani gjithnjë mu kujtonin fjalët e Mësuesit tonë i cili na mëson; “Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin!....Sepse, ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.” (Mt 6, 19, 21)

Dalëngadalë filluam t’i kthehemi Kosovës tonë të dashur, t’i kthehemi punës, prosperitetit e jetës. U kthyem në vendlindjen tonë, vendin e lavdisë dhe krenarisë e ku më nuk e gjetëm armikun tonë të përbetuar shumëshekullor, ai ishte dëbuar turpshëm njëherë e përgjithmonë…

‘’…Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.”(Mt, 26, 41-42)

Pas një viti qëndrimi në Kroaci, pas disa intervenimeve kirurgjike e kurimi, atë që e pritja me padurim erdhi, erdhi dita ta shoh Kosovën e lirë. Erdhën edhe prindërit e mijë, nanë e babë nga Gjermania, pasi që nëna ime nuk dëshironte assesi të qëndronte atje.

Tani më dukej se vendi im, vendlindja ime, Kosova e populli im kishin edhe më tepër nevojë për mua, për përvojën time jetësore. Isha i pa përtesë dhe plotë vrull për jetë, plotë shpresë e besim në shërimin e plagëve të pasluftës ngadhënjyese. Punoja natë e ditë, isha me njerëz i pandarë. Ky popull liridashës e paqedashës, ky popull “biblik” edhe më tepër kuptonte të vuajturin, sepse vetëm para një viti, kishte kaluar “Rrugën e Kalvarit”, por nuk u dorëzua. Përkundrazi, ai ngadhënjeu meqë e vërteta dhe e drejta gjithmonë ngadhënjejnë.

Dhe kur një ditë të bukur kisha një vizitë mjekësore në Prishtinë, në të kthyer nga spitali, ja papritmas sapo dola nga oborri i spitalit, si nga qielli edhe një sprovë për mua e për nënën e babë timin, për vëllezër e motër, për familjar, miqtë e dashamirët e mijë. Pësova fatkeqësi të rëndë komunikacioni me disa fraktura të rënda në këmbë, një lëndim në veshkë e disa lëndime tjera më të lehta.

Në gjendje të rëndë shëndetësore qëndrova në Klinikën Universitare për dhjetë ditë, nën mbikëqyrje të mrekullueshme dhe shumë të ndërgjegjshme të personelit mjekësor. Unë i kuptoja kushtet e rënda në përgjithësi në mjekësinë kosovare. Kuptohet se mbi fatkeqësinë time morën lajmin të gjithë. Ndërsa, këtë nuk dinte nëna, të cilës i thoshin se është ndalur për disa kontrollime mjekësore, e këtë e kuptoi vetëm pasi shkova personalisht në shtëpi e i tregova vetë se çka ka ndodhur. Edhe një plagë e rëndë për zemrën e saj.

Pas qëndrimit tim në spital, u ktheva në gjendje edhe më të rëndë shëndetësore në gjirin familjar. Për këtë fatkeqësi mendoj se dëgjoi e tërë Kosova dhe me dhembje pranoi këtë lajm të pësimit tim. Mirëpo, tani duke parë se gjendja ime gjithnjë shkon duke u rënduar, vëllezërit e mijë, kushtimisht dëshiruan që sa më shpejt të tërhiqem për mjekim në Gjermani. Thënë të vërtetën, edhe unë nuk shihja rrugëdalje tjetër për shpëtim të jetës sime me mendim se duhet të shërohem, i bindur se populli ende kishte nevojë për mua. Kaluan një muaj ku isha nën sedative të forta, shkaku i dhembjeve gjithnjë e më të mëdha. Dhe meqë nuk shihja as unë e as familja, as të afërmit, rrugëdalje tjetër, vendosa të iku për Gjermani, me shpresë se së shpejti do kthehesha pas ndonjë intervenimi kirurgjik të cilin e dija se më pret e që ishte evident. Ndoshta, tani familja, miqtë e dashamirët, duke parë gjendjen time dhe se kah shkon e tëra, për herë të parë, ishin të lumtur të dalja jashtë për shërim. Ndodhi ashtu, dhe një ditë shkurti të vitit 2003, në gjendje të rëndë shëndetësore, thuajse i tëri në gjips e me dhembje të mëdha, fluturova për në shtetin demokratik, Gjermani, shtet e shtëpi e dytë për shumë bashkatdhetarë tanë, shtet, në të cilën shumë anëtarë tanë, shumë familje tona gjetën kafshatën e gojës, gjetën mbështetjen e përkrahjen, gjetën strehimin, bujari e dashuri, gjetën shpresën dhe besimin për jetë më të mirë për vete dhe anëtarë të tjerë në vendlindje.  Pikërisht kur mendoja si t’ia dal kësaj radhe, ja prapë rrugëdalja, ja prapë shpresa e pritja për shërim, për kurim dhe përmirësim të shëndetit që tanimë më kishte lodhur pamasë fizikisht, vërtet shpirti ishte i fortë por trupi ishte i ligshtë, dhe duke parë të gjithë kujdesin e familjes, miqve dhe dashamirëve, duke parë kujdesin e mjekëve dhe motrave medicinale të shtetit gjerman, të institucioneve të këtij vendi. Janë të vërteta, fjalët nga Shkrimi Shenjtë: “Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku?” (Mt 6. 25-26). Dhe vërtet nga e gjithë kjo për të satën herë u dëshmua se nuk jam i vetëm, se dikush më përcjell dhe ka plane me mua, kjo u dëshmua tani e gjatë gjithë rrugës sime jetësore deri më sot.

Kalova një vit nëpër spitale të ndryshme. Gjatë asaj kohe, pata pesë operime të rënda, sepse tani zbuloheshin problemet e mbledhura shëndetësore vit pas viti në trupin tim. Ishin momente të vështira, larg vendlindjes, larg prindërve të cilët i lashë në Kosovë me shpresë se tani do të përmirësohet njëherë e përgjithmonë shëndeti im. Kaluan ditë, javë e muaj në shërim e kurim, nën mbikëqyrje të këtyre njerëzve zemërgjerë e human. Më mbante besimi, shpresa dhe dashuria e të gjithëve për rreth meje dhe e atyre që gjendeshin shpirtërisht e fizikisht si gjithmonë pranë e me mua.

Dhe atëherë kur pritja shërimin tim, ku dita-ditës merrja veten, një ditë saktësisht me datën 6  shkurt 2004, herët në mëngjes, më cingëroi telefoni. Ishin orët e hershme të mëngjesit kur hapa telefonin, dëgjova zërin e dridhur dhe të pikëlluar të vëllait tim të madh. Më shkoi mendja menjëherë që paska ndodhur diçka, meqë e dija se askush nuk më shqetëson në orët e hershme. Po e them se këtë natë as gjumë nuk kisha mund të bëjë, isha i shqetësuar tej mase. Pikërisht në orët e hershme të mëngjesit, kotesha, por nuk bëja gjumë. Por, nuk e dija pse dhe çka ka ndodhur! Dalëngadalë më tregoi vëllai lajmin e hidhur dhe shumë të pikëlluar, më tha: vëlla, duhet të bëhemi të fortë, tani ka ndërruar jetë nëna, mbaju sepse kështu deshi Zoti dhe e mori pranë vete! Oh more Zot, nuk munda të çelja më gojën e të thosha asnjë fjalë. Mu duk se e tërë godina, në të cilën gjendesha, më ra mbi mua!

Ndërroi jetë, ajo e cila që nga lindja derdhi lot, e cila pësoi shumë në jetë, ajo e cila duket se jetën nuk e kishte aleat të mirë. Ndërroi jetë, një zemër e madhe dhe bujare, një zemër për të satën herë e shporuar në jetën e saj, por që askurrë nuk u dorëzua para asnjë kryqi të rëndë që përjetoi, si me vdekjen e tre fëmijëve qysh foshnje, madje nuk u dorëzua edhe pse zemër thyer me fatkeqësinë time, e as me vdekjen e birit të saj Augustinit. Nuk u dorëzua, as kur humbi të pamurit e syve të saj, atyre syve që të shumtën e jetës derdhën aq shumë lot sa të “mbushët një liqe”. Nuk u dorëzua. deri sa tani nuk e thirri Ati krijues, atij që iu mbështet të tërë jetën, atë të cilin e deshi më shumë se të gjithë ne. Ajo u kthye tek Ai. Kthehet për t’u takuar me bijtë dhe bijat e saj në parajsë, kthehet aty ku sheh dritën e lumnisë së pasosur, dritën e amshimit. Kthehet aty, ku nuk do të ketë vajë as lot, por gëzim e lumturi, dritë të përjetshme. Deri në çastet e fundit të jetës pranë saj qëndroi besnik “Benjamini” i saj, biri i dëshirit, Leonardi, i cili, nëse ka qenë i vogël dhe jo i vetëdijshëm kur humbi vëllain e tij më të madh Augustinin. Ai, atëherë u takua me pikëllim dhe humbjen tjetër të madhe, të nënës së tij. Qanë, e shikon e përkëdhelë, e lut që të mos ndahet nga ai, nga ne, por asgjë nuk i ndihmoi. Ajo, vetëm e kishte shikuar, pa çelë gojë e pa fol asnjë fjalë të vetme, por sikur kishte dëshiruar e tentuar t’i thotë në heshtje: bir, mos u mërzitni, mos qani e vajtoni se nëna e juaj ngadhënjeu, fitoi lumturinë e pasusur, dritën e amshuar, u bashkova me atë për të cilin jetova, Jezusin!

Shkoi nëna ime e dashur, me mall e mallëngjim për të gjithë ne, shkoi pa më parë mua të shëruar e në këmbët e mia, e që tërë jetën shpresonte e besonte se një ditë do të më sheh të ngritur në këmbë.

Shkoi, pa më thënë lamtumirë, shkoi pa ma dhënë mundësinë që ta përqafoj e puthë, pa ma dhënë mundësinë t’ia them fjalët e fundit faleminderit e më falë, faleminderit që më mësove se çka është jeta dhe se si duhet pranuar, nderuar dhe çmuar atë; pa i thënë, më falë për dhembjet e vuajtjet që t’i shkaktova gjatë jetës; pa i thënë, më falë për netët e pagjumë që i kalove me vite të tëra pranë meje e dhimbjeve të mija, duke më përkëdhelur pikërisht ato pjesë ku më së shumti ndieja dhimbje.

Shkoi pa fjalë e pa qenë e vetëdijshme se sa pikëllim solli në zemrën time, në zemrën e bashkëshortit të saj, në zemrën e bijve e bijës së saj, në zemrën e mbesave e nipërve të shumtë që i deshi dhe e donin pamasë.

Shkoi, duke na lënë të gjithëve në pikëllim dhe kujtime të paharrueshme për të! Por, shkoi e pajtua me Zotin, e lumtur që të gjithë i la mirë, që e përjetoi dhe shijoi Kosovën e lirë.

Unë, nuk pata mundësi (shkaku i shëndetit, kushteve dhe rrethanave në të cilat isha), të shkoj e t’i them për herë të fundit lamtumirë e tani shihe dritën e lumnisë së përjetshme. Ajo ngadhënjeu sepse me vullnet, besim, shpresë e dashuri ndaj Zotit i barti të gjitha kryqet e jetës. Ngadhënjeu mbi errësirën, e cila e kisha kapluar (me humbjen e të pamurit), më tepër se nëntë vite. Ngadhënjeu, ndaj të gjitha dhembjeve që kishte në trup e shpirt. Ngadhënjeu, sepse besoi e besimi i saj shpresoj të jetë shpërblyer me jetë të pasosur. Edhe tani kur jetoj në Gjermani, me vite të tëra, kur përjetoj dhe jetoj ditët e mërgimtarit si shumë bashkëkombës tanë,  më duket se ajo gjithnjë më përcjell, është prezentë në jetën time, ajo lutet për mua, më jep forcë e kuraje për jetë, më jep qetësinë e shpirtit dhe trupit, më jep guxim e vullnet të mos trembëm e të mos lëkundëm në jetë, por të eci i lumtur dhe hareshëm shtigjeve të jetës. Dhe kështu, të jam i lumtur dhe i qetë, i hareshëm, i pajtuar njëherë e përgjithmonë me Zotin që më dha jetën, me vetveten, me popullin tim.

Ngadhënjeu ajo mbi errësirën që ia kishte kapluar të pamurit. Ngadhënjeu Kosova mbi errësirën e të keqen, ngadhënjeva unë mbi sëmundjen. Pësova e pësuam, vuajtëm, bartëm dhembje të mëdha trupore e shpirtërore, u flijuam por ngadhënjyem.

“Kjo është rruga jonë, rruga ime, rruga e popullit tim, rrugë e pësimit, vuajtjes, dhembjes, por edhe rrugë e shpresës, dashurisë. Rrugë e flijimit dhe ngadhënjimit!”

Prandaj, edhe tani, pas dy dekada e gjysmë në “djepin tim të dytë” në karrocën time që jam, përkundër të gjithave që kalova, u binda nga përvoja ime jetësore dhe them:

-Jeta ka kuptim,

-Atje ku ti nuk dëshiron, dëshiron Zoti, sepse Ai është

-Rruga  jonë, e kur nganjëherë na duket se jeta është

-Lojë, luaje atë, mos u dorëzo sepse ti

-Ekziston, prandaj mendo mbi jetën,

-Zgjohu, e qëndro zgjuar sepse

-Nuk ka gjë të pamundshme për Hyjin, vetëm Atij

-Besoj, dhe thuaj

-Të faleminderit dhe më falë, sepse, edhe kur mund të mendosh se

-Vështirë mund të shpëtosh, është Ai që

-Plagët shëron, e shpirtin forcon, e kur shpeshherë mendojmë e pyesim;

-Quo vadis Domine, Ai të thotë, ec pas meje e gjithmonë do të ngadhënjesh!

Pra, meqë është kështu, unë tani me gëzim them: “Jam përsëri në këmbë”!

Lus Zotin, për popullin tim, të cilit i jam përjetësisht mirënjohës, që diti të bartë bashkë me mua dhe njëri-tjetrin vuajtjet, e që askurrë nuk u dorëzua para vështirësive, para sfidave të jetës. Lus Zotin, t’i ruajë e t’i shpërblejë me dhuratat e hiret e tij të mirësisë e dashurisë, të gjithë ata njerëz që takova gjatë jetës sime, gjatë rrugëtimit tim deri më sot. Dhe në shenjë falënderimi, ndaj të gjithëve galdoj e brohorisë: “…po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët, e ua zbulove të vegjëlve” (Mt 11, 25)

Fragment i nxjerrë nga libri; Jeta ka kuptim!

Marjan Sebaj – Sopi; Jeta ka kuptim! „Drita“ – Prishtinë 2012, fq. 160 – 170)