E premte, 19.04.2024, 01:24 AM (GMT+1)

Editorial

Martin Ndrecaj: Unë, zgjedhësi i ri

E enjte, 29.01.2015, 09:03 PM


UNË, ZGJEDHËSI I RI, NË EMËR TË ZOTIT, NË DITËN E VOTIMIT…

Koha po kalon dhe brezat po ndërrohen në Kosovë. E bashkë me ta edhe botëkuptimet e njerëzve, sjelljet, pikëpamjet, kultura. Dhe unë, votuesi i ri, që nuk jam një, por që përfaqësoj një brez, atë më të zgjuarin, më të ngriturin e më të kulturuarin, nuk do të pranoj të na trajtojnë si kope.  Nëse nuk besoni do ta shihni!

NGA MARTIN NDRECAJ, NEW YORK

Në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, kur do të mbahen, do të jetë hera e parë në jetën time që do të votoj. Kjo për shkak të dy faktorëve: kushti i moshës dhe largësia fizike me vendlindjen. I pari u u plotësua dy vjet para zgjedhjeve të qershorit 2014, por nuk u realizua pikërisht për shkak t faktorit të dytë, largësisë.

Mirëpo, ndonëse nuk e hodha votën në kutitë e votimit, një tjetër votë u hodh në kutinë e personalitetit tim, votova për angazhimin tim me të gjitha potencialet morale, intelektuale e patriotike në procesin e pambarueshëm e të shenjtë të zhvillimit të demokracisë në vendin tim. Angazhimi im nenkupton me e dhanë votën një ditë dhe duke kërkuar llogari për të katër vjet.   Unë, zgjedhësi i ri, në emër të Zotit, në ditën e votimit…

Po, cfarë kap në skenën politike të vendlindjes sime syri i votuesit të ri që po vjen?

Me një fjalë të vetme do të cilësohej kaos, ndërsa në një shpjegim pak ma të gjatë do të jepej një tabllo si kjo:

Megjithë fitoren e PDK-së në zgjedhjet e kaluara, një fitore minimalisht ma e madhe se e subjekteve tjera, nevoja për ta larguar këtë parti nga qeverisja e vendit kishte më shumë arsye se e drejta qe i japin votat e një shumice zgjedhësish , por që në fakt përbëjnë pakicën e zgjedhësve të gjithmbarshëm. Kritikat e shumta nga shoqëria civile në adresë të PDK-së për shmangie të interesave kombëtare në dialogun me Serbinë, për krim të organizuar, për nepotizëm, për qeverisje të keqe për shitje të aseteve në mënyrë jotransparente, për korrupsion të lartë, për shkatërrim të sistemit arsimor e të shëndetësisë, do të duhej ta kishin vetëdijesuar partinë fituese të zgjedhjeve për të ndryshuar rrënjësisht stilin e qeverisjes, për të nxjerrë para drejtësisë së partisë personat që kanë më shumë përgjegjësi për këtë dhe për të sjellë në parti njerëz tjerë të papërfolur për gjëra të tilla, me një fjalë nevojën për një filterim para zgjedhjeve.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe, edhe më keq, garnitura udhëheqëse e partisë u fortifikua në grup për të mbrojtur privilegjin e të qenit në pushtet.

Opozita u bashkua përpara synimit deklarativ për ta penguar mbetjen e kësaj qeverie edhe më tutje dhe formoi një bllok.  Mirëpo, opozitarët, pasi  që nuk i kishin fituar zgjedhjet, në vend që të pastronin partitë e tyre nga të korruptuarit, për t`ia bërë të besueshme popullit se pushtetin po e kerkojnë njerëz më duar të pastra, u fortifikuan  në grup përpara synimit të tyre për pushtet. Njejtë si politikanët e pozitës!

Pesë muaj propagandat partiake tymosen ambientin kosovar dhe mendjet e qytetarëve në atë mase sa dukej se armikun më të madh e kishim brenda. Blloku opozitar ditën proklamonte se nuk do të lejojë më vazhdimin e qeverisë Thaqi dhe se për këtë janë të vendosur, besnikë dhe të pathyeshëm, kurse natën tinza njëri-tjetrit shkonin në selinë e PDK-së, duke u futur përmes vrimave në murin që e kishin ngritur vetë për të bërë vend në qeverinë e tij. Dhe kjo ndodhi. Njerëzit me moral të tillë politik, që kthehen e lepijnë atë që kishin pështyrë disa muaj, do t`i kemi tash në pushtet, të bashkuar me “armiqtë” e tyre, për ta nxjerrë Kosovën nga kriza(!). Unë si votues që në zgjedhjet e ardhshme do ta hedh votën për herë të parë, nuk po e kontestoj koalicionin PDK –LDK, por politikanët me moral të paqëndrueshëm, si Isa Mustafa me shokë. Si do të më përgjigjej Isa Mustafa mua, votuesit të ardhshëm, në pyetjet: Si mund të bashkëpunosh me një njeri që deri dje e ke përshkruar si një armik të Kosovës? Si i trajton ti votuesit  e tu, elektoratin që ka mbajtur në këmbë LDK-në, këtë ngrehinë të fortë morale e patriotike deri pas luftës, kur vendos për të bashkëqeverisur me njeriun për të cilin nuk ke lënë shprehje negative pa përdorur?! Ai nuk mund ta thotë, por nënzëshëm e dëgjoj tek shprehet se “elektorati nuk është gjë tjetër pos një kope që shkon andej kah ia cingëroj zilen unë”, ndërsa për publikun ai do të përgjigjet në frymën e moralit të tij njerëzor e politik: fol e mos thuj asgjë. Mirëpo, koha po kalon dhe brezat po ndërrohen në Kosovë. E bashkë me ta edhe botëkuptimet, sjelljet, pikëpamjet, kultura. Dhe unë, votuesi i ri, që nuk jam një, por që përfaqësoj një brez, atë më të zgjuarin, më të ngriturin e më të kulturuarin, nuk do të pranoj të na trajtojnë si kope.  Nëse nuk besoni do ta shihni!

Unë votuesi i ri, në ditën e votimit, në emër të Zotit do ta bëj Kosovën një shtet funksional!



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora