E enjte, 28.03.2024, 12:39 PM (GMT)

Kulturë

Meri Lalaj: Sa mund të bëjmë për vendlindjen?

E enjte, 29.01.2015, 07:59 PM


Sa mund të bëjmë për vendlindjen?

(Mbi librin: Pogradeci në shtypin e viteve. Bibliografi nga Kristaq Nanushi)

Nga Meri Lalaj

Sa e duam vendlindjen dhe sa shumë punë të mira mund bëjmë për të? Këtë na e rrëfen libri i Kristaq Nanushit. Një libër i madh e i rëndë me më shumë se 500 faqe, një punë mbi dhetëvjeçare, botuar nga Shtëpia Botuese “Toena” në vitin që sapo lamë pas 2014, me parathënie nga gazetari dhe shkrimtari i shquar dhe i paharruar pogradecar Niko Nikolla.

Kur flasim për një qytet, për një fshat së pari mendojmë për njerëzit e tij sepse siç thoshte Lasgushi “Atdheun e bëjnë njerëzit: ti, unë…”. Qytetit të Pogradecit i rrinë në ballë dhe i ndritin përngahera (dhe jo vetëm Pogradecit, por krejt kombit shqiptar) figura të tilla të shquara: Profesor Gjergj Pekmezi, Profesor Arkitekt Kristo Sotiri, U. M. Dr. Jani Basho, Dr Llazar Gusho, Dr. Dhimitër Pasko.

Dikur aty ku shtrihet Pogradeci ka qenë Iliri, një vatër e ndezur në luftërat e vazhdueshme për liri duke filluar me mbretërit enkeleas Bardhyl dhe Kliti dhe deri tek kapedanët Suli Starova dhe Bendo Shapërdani.

Ky është një libër që të mbush me krenari për vendlindjen tënde, teksa lexon nëpër shtypin e një periudhe më se një shekull e gjysmë më parë, për jetën e këtij qyteti dhe të kësaj krahine, të njerëzve dhe të ngjarjeve të ndryshme mund ta barazoja me një enciklopedi për nga moria e fakteve dhe e fotografive që përfshihen në të.

Faktet nga shtypi i kohës fillojnë nga viti 1887, (letra e Thimi Mitkos dërguar Jeronim De Radës) për hapjen e shkollës së parë shqipe në Pogradec. Nëpër shtypin e fundshekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimshekullit të njëzetë shohim përpjekjet e atdhetarëve për alfabetin e gjuhës shqipe, ndihmat e të mërguarve për shtypjen e librave në shqip, për çeljen e gazetave në shqip dhe “Kalendareve Kombiarë”. Përpjekjet e parreshtura të Gjokë Pjetër Shqiptarit, të cilin e vranë armiqtë e Shqiptarisë sepse sillte në Mokër libra shqip.

Çetat e kryengritësve luftojnë për pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa në Vjenë Gjergj Pekmezi jep mësime në gjuhën shqipe dhe shkruan në shtypin e kohës, me një punë të saktë prej shkencëtari gjuhësor harton gramatikat e shqipes. Ndërkohë Pogradeci sulmohet nga të huajt dhe në jug të vendit luftë e vazhdueshme për ndarjen e kufijve. Ndonëse shpallet Pavarësia e Shqipërisë vazhdojnë të digjen fshatra e të vriten burra prej serbëve. Nëpër të gjithë vitet dhe ngjarjet e rëndësishme të Shqipërisë patjetër që marrin pjesë edhe pogradecarët.

Gjokë Ndinka (Gusho) pas emigrimit në Amerikë, kthehet e zgjidhet Kryetar Bashkie i qytetit, (person që e kam njohur edhe unë, pasi jetonim pranë e pranë me shtëpi). Në vitin 1919, Shoqëria “Trupi Gjimnastik” i Pogradecit shfaq për herë të parë dramën “Besa” të Sami Frashërit. Në vitin 1920, shoqëria e studentëve shqiptarë “Albania” në Vjenë botojnë revistën “Djalëria” me kryeredaktor Jani Bashon, i cili shkruan artikuj të fuqishëm filozofikë dhe shkencorë. Në vitin 1921 dhe 1922, Fan S. Noli mban meshë në kishën e Shën Mërisë në Pogradec, ndërsa në vitin 1923, organizon mbledhje në Pogradec për në “Kuvendin Themeltar”. Në fillim të viteve 1920, Lasgush Poradeci fillon të botojë në shtypin e Kostancës dhe Vjenës poezitë e tij. Vijon të botojë pothuaj në të gjitha gazetat dhe revistat brenda dhe jashtë vendit për shumë e shumë vite me radhë.

Del me shkrime të ndryshme gazetari i shquar Nevruz Starova, (fare i panjohur deri në ditët tona, i mënjanuar nga regjimi komunist, babai i pesë muzikantëve të famshëm Darova, të cilët e pësuan njëri pas tjetrit nga diktatura). Zotin Nevruz Starova, vite më vonë kur isha vajzë e vogël e kam parë duke shëtitur i vetëm rrugëve të qytetit tim

Viti 1924 e më përtej vijojnë synimet për të përvetësuar Shën Naumin dhe së fundi për turp nënshkruhet akti i tradhtisë, Shën Naumi nuk i përket më Shqipërisë. Në vitin 1928, serbët vrasin priftin patriot Dhimitri Misha sepse fshinte gërmat sllave dhe i zëvendësonte me shkronja shqip.

Gazetari, shkrimtari, përkthyesi Koço Semini duke qenë nxënës i shkollës së Harry Fultz shkruan në Revistën “Laboremus”, që nga fundi i viteve 20-të dhe vijon veprimtarinë letrare në shumë organe të shtypit. Boton libra duke përkthyer nga gjuha angleze dhe gjuha italiane, por pas çlirimit ai dënohet dhe kryen 20 vite burg. (E kam njohur nga afër sepse kishim shtëpitë ngjitur, flisnim për libra me frikë duke u ruajtur se mos na përgjonin.)

Të pafund janë shkrimet në prozë e poezi, kritikat, përkthimet, botimet, librat mbi ekonominë, romanet nga i jashtëzakonshmi Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) në Rumani dhe në Shqipëri. Edhe ai përfundoi në burg pas çlirimit.

Në vitin 1930, në qytetin e Pogradecit pikërisht në Kabash, ndërtohet çentrali elektrik me ndihmën e pasanikëve të qytetit nën drejtimin e Xhevat Starovës, menjëherë pas kësaj fillon nga puna kinemaja e qytetit. Pogradeci bëhet kështu një nga qytetet e parë me dritë elektrike në Shqipëri. Formohet edhe Shoqëria “Dragoi” që është sportive organizon ndeshje futbolli me qytetet e tjerë, por që jep edhe shfaqje teatrore, në fillim rolet e femrave i luajnë burrat, më vonë aktivizohen edhe femra. Në qytet ka grupe mandolinatash, thuajse në çdo familje njëri nga pjesëtarët luan në një vegël muzikore.

Sipas punës hulumtuese që ka bërë autori Kristaq Nanushi, nëpër shumë faqe të kësaj bibliografie na del një intelektual tjetër Vasil Alarupi, (një emër që kurrë nuk e kam dëgjuar më parë), me shkrime letrare: tregime, novela, përkthime, përshkrime udhëtimi, artikuj kritikë, politikë, biseda në radio. Ai nuk u kthye kurrë më në Shqipëri dhe kështu nuk u fut në burg, por jetoi dhe punoi në Amerikë duke qenë kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Dhe jetoi deri në vitin 1977.

Hilmi Leka, i diplomuar ushtarak i lartë shërbeu në ushtrinë e mbretit Zog. Ngjiti shkallët e karrierës duke zënë postin e ministrit të kulturës dhe drejtor i gazetës “Tomorri”e të tjera. Ka shkruar dhe botuar shumë në gazetarinë e kohës krijimtari letrare novela, tregime, artikuj studimorë etj. (U pushkatua nga regjimi komunist në gjyqin e parë të vitit 1945, duke qenë vetëm 33 vjeç).

Dr. Jani Basho pasi kreu studimet në Vjenë u kthye për të punuar në Atdhe. Ishte mjeku personal i mbretit Zog, ndërkohë ngriti spitalin civil dhe spitalin ushtarak në Tiranë. Ndërtoi një klinikë private ku mjekonte të sëmurët, njëkohësisht klinika ishte edhe shtëpi lindjeje për nënat shtatzëna. Pas çlirimit kjo shtëpi iu konfiskua, iu dogjën të gjitha librat sepse ishin në gjuhën gjermane si edhe u dogjën 3.000 fletë dorëshkrimesh me të dhëna me vlera historike për kombin shqiptar. Këtë klinikë që shëronte plagët dhe shpirtrat e njerëzve, ku lindnin fëmijë të pafajshëm, komunistët e shndrruan në “Shtëpi përgjimesh” apo “Shtëpia me gjethe”,në të cilën spiunët rrinin ditë e net me kufje në vesh dhe përgjonin çfarë do të flisnin në shtrat një çift bashkëshortor, në dhomat e kësaj ish klinike bëheshin tortura nga më të llahtarshmet. Dhe ta mendosh se pati qenë klinikë për të shëruar jo për të sakatuar.

Në bibliografinë e Kristaq Nanushit ka shumë fakte rreth pushtimit fashist, rreth luftës italo-greke ku forcat ndërluftuese masakruan si sheshbeteje qytetin e bukur të Pogradecit. Qyteti i Pogradecit dhe tërë krahina mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare luftime të ashpra sidomos ai i Pojskës ku mbeti Heroi i Popullit Reshit Çollaku me nëntë shokë partizanë. Po kështu përfshihet edhe vrasja e Heroit të Popullit Kajo Karafili.

Libri pasurohet me Treguesit e Bibliografisë, Treguesit e Autorëve dhe Treguesin e Personave të Përmendur si edhe Literaturë e Konsultuar. Ky libër është një punë e mirëfilltë shkencore, një punë e kryer me përkushtim dhe dashuri. Mund të perifrazoj një poet austriak “…Ka njerëz që i marrin Atdheut gjakun e gjithçka / Ka njerëz që i japin Atdheut gjakun e çdo gjë.” Dhe ia vlen kaq dashuri për vendlindjen tënde, për Pogradecin, qytetin më të bukur në botë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora