Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Protestat e vonuara!

| E merkure, 28.01.2015, 08:14 PM |


Protestat e vonuara!

Shkruan: Florim Zeqa

Nga qarqe të caktuara ndërkombëtare ka kohë që është pritur shpërthimi i  bombës sociale në vendin tonë, si rezultat i akumulimit të pakënaqësive të shumta sociale, ekonomike dhe politike.

Andaj asgjë nuk është për t'u habitur me shpërthimin e pakënaqësisë qytetare, por për t'u habitur është reagimi i disa prej "intelektualëve" me ngjyrime partiake që po përpiqen të kundërshtojnë pakënaqësinë qytetare duke u dhënë karakterin ideologjik të tyre.

Nuk e besoj të ketë njeri normal në këtë vend që nuk e ka të ditur shkakun e vërtetë të këtyre protestave dhe qëllimin e mirë të qytetarëve.

Në secilin vend të botës, kur pakënaqësia në popull arrin kulminacionin, mjafton një "shkëndijë" e vogël për shpërthimin e "zjarrit". Kështu ndodhi edhe tek ne me këto protestat e fundit.

Sikurse që nuk ka njeri të përkryer, nuk mund të ketë as udhëheqës shtetëror të përkryer, sikurse që në asnjë vend të botës nuk ka qeveri që ka mbështetje apsolute, qe e pelqejnë të gjithë qytetarët e vendit.

Mirëpo tek ne, ka kohë që qeveritarët (pushtetarët) e kanë humbur besimin tek shumica e qytetarëve të vendit, qoftë përmes manipulimit të zgjedhjeve, vjedhjes së votës së lirë si dhe kontrabandimit të vullnetit qytetar nga një subjekt tek tjetri e deri tek skandalet e panumërta qeveritare !

Zgjedhjet e 8 qershorit 2014, ishin shpresa e fundit e qytetarëve të këtij vendi për ndryshime pozitive. Me shpresë për ndryshime i kaluan edhe pesë muajt e gjatë të bllokadës politike, atëherë kur i gjithë spektri opozitar u unifikuan për largimin e qeverisjes së keqe shtatvjeqare.

Nga momenti kur subjekti më i madhë opozitar në bllokun paszgjedhor prishi marrëveshjën për largimin e së keqës nga qeverisja e vendit, nga aty u humbën shpresat e qytetarëve për ndryshime pozitive dhe për jetë dinjitoze në vendin e tyre.

Nga ai moment fillon edhe ekzodi më i madhë (i shqiptarëve) i pasluftës në Kosovë. Qindra dhe mijëra të rinjë shqiptar, familje të tëra me shpirtë të thyer dhe zemra të plagosura ua kthyen shpinën shtëpive të tyre, u larguan dhe po largohen nga vendlindjet e tyre.

Po ndodhë kështu ngase klasa politike, apo më mirë të themi subjekti politik tek i cili shumica e qytetarëve të këtij vendi i kishin ushqyer shpresat për vite të tëra për ndryshim pozitiv, ua ktheu shpinën, duke u bashkuar me të keqën për interesa të një grupi të vogël karrieristësh, matrapazësh politik,...duke dëshmuar shëmbullin më të keq para qytetarëve të varfër të këtij vendi, njikohësisht duke ngritur edhe dilema të shumta rrethë autorësisë së shumë veprave korruptive dhe kriminale,...nuk dihet kush mbeti ëngjull e kush djallë në këtë vend.

Sikur m'u duk pak e habitshme akuaza e pushtetarëve ndaj protestuesve; "rrënim i rendit kushtetues në vend" ! Ata (pushtetarët bashk me opozitarët) për pesë muaj rresht cenuan rendin kushtetues me bllokada politike duke vështirësuar jetën institucionale të vendit për interesa personale dhe klanore !

Si ka mundësi, sa herë që shqiptarët protestojnë për të drejtat e veta, të thuhet se "tentuan ta rrënojnë rendin kushtetues të vendit" ! Vallë pse e njëjta gjë nuk ndodhë edhe për qytetarët serb (të veriut), të cilët për "habi" çfardo që bëjnë ata  "nuk e rrënojnë" rendin kushtetues ?!

Të paktën deri më sot nuk më ka rënë të dëgjojë nga qeveritarët tonë të akuzojnë serbët e veriut për rrënim të rendit kushtetues, kur me protesta (dogjën pikat kufitare në veri të vendit) dhe barrikada (ndanë qytetin e Mitrovicës në dysh), jo vetëm që rrënuan rendin kushtetues, cenuan sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë !

Jam kundër të gjitha akteve vandale, por qeveria dhe institucionet e tjera të vendit me të njëjta standarde duhet të trajtojnë te gjithë qytetarët dhe territorin e vendit, nese e llogaritin si te vetin edhe veriun,...nëse jo, atëherë duhet t'i bëhet e qartë popullit për çka është fjala, për mashtrim apo tradhëti !

Protestat masive të ditëve të fundit janë pak të vonuara. Protesta e parë e qytetarëve të këtij vendi e karakterit politik duhej të ndodhte ditën e rishpalljës së  pavarësisë me 17 shkurt 2008-të, kundër simboleve antikombëtare, kundër përmbajtjës së pavarësisë ("shtetit multietnik"), pastaj kundër dialogut të Qeverisë Thaçi 2 me Serbinë në Bruksel, kundër vendosjes së barrikadave serbe mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë, kundër marrveshjes së Brukselit për krijimin e asociacionit të komunave serbe,...mbase vetëm kështu do të mbrohej rendi kushtetues, e jo duke shtypur vullnetin e shumicës qytetare (shqiptarëve) të vendit.