E premte, 29.03.2024, 10:20 AM (GMT)

Kulturë

Kapexhiu, në pritje që Nano t'i blejë karikaturat

E premte, 11.07.2008, 07:21 PM


Në çdo karikaturë, shpaloset një e papritur gazmore e personazhit që është bërë objekt nga artisti. Aktorët e politikës janë zbukuruar dhe thumbuar

E ndërsa të gjithë, mezi prisnin të binte zilja e pushimit të madh, për të dalë jashtë, atij nuk i durohej që të bënte diçka tjetër... Menjëherë pastronte me fshirëse dërrasën e zezë, rrëmbente shkumësin dhe fillonte të vizatonte portretet e nënave apo baballarëve të shokëve dhe shoqeve të klasës. Frymëzimin e merrte nga takimet që zhvilloheshin një herë në javë me prindërit... Vizatimet ishin miqësore, përshkruheshin nga humori, por nganjëherë nuk ishin dhe aq të këndshme për mentalitetin dhe sedrën e bashkëmoshatarëve. Më e sikletshme ishte dita kur prindërit e tyre, "takoheshin" me Bujarin, se sa me mësuesen kujdestare. Gjithsesi edhe kjo "qokë" duhej bërë... Ndërkohë, ju shtua oreksi në talentin e tij. Çdo javë në gazetën e murit, afishoheshin karikatura të nxënësve që kishin bërë mungesa, ishin mbetës apo kishin shfaqje të huaja. Mbaroi gjimnazin "Petro Nini Luarasi", sikur të kishte mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Me të filluar Akademinë e Arteve, nën ndjesinë e kënaqësisë të të qënurit student, troket në dyert e revistës "Hosteni", i vetmi organ satiro-humoristik i kohës. Pati fat që i madhi Zef Bumçi, ishte në ditë të mirë. Por edhe karikatura që i çoi Bujari i krijoi një befasi të këndshme. I pëlqeu shumë dhe menjëherë e pyeti: -Nga e ke kopjuar? Shkathësia dhe rrjedhshmëria e përgjigjes së studentit, sikur i shtoi më shumë dyshimin. I vuri para një copë letër, i dha laps e gomë dhe i tha t'i pikturonte diçka tjetër... Pasi kaluan disa minuta, mjeshtri i shquar i karikaturës shqiptare, kishte pikasur një talent të së ardhmes, me emrin Bujar Kapexhiu. Ndërsa ai ishte përhumbur në vizatim, Bumçi i rrëmben lapsin nga dora duke i thënë, se mirëpriste bashkëpunimin e tij me "Hostenin".

Nga ajo ditë, nisi ai udhëtim i gjatë, gjurmët e të cilit i gjen në dhjetra faqe të kësaj reviste, me shumë peshë në shtypin e kohës. Kaluan vite dhe pasioni i këtij të riu u ndie edhe në fusha të tjera të artit dhe kulturës kombëtare. Diku libretist, diku konferencier. Më pas regjisor spektaklesh artistike, por edhe duke interpretuar role interesante nëpër filma artistikë. Por dashurisë së parë-karikaturës, nuk ju nda asnjëherë. I ka fort për zemër, madje i quan të çmuara disa punime të realizuara para viteve 90. Janë karikatura moderniste që kanë tendenca kubiste, rrymë dekadente perëndimore. Ishin vizatime me linja të drejta, ku figura njerëzore merrte forma gjeometrike. Ishin të papranueshme për artin figurativ të kohës, por fitonin të drejtën e botimit ngaqë ishin karikatura dhe përputheshin me "dufet", me ashpërsinë që kishte ideologjia socialiste, në luftë ndaj shfaqjeve të huaja. Dhjetë vjet punoi me këtë stil, duke krijuar një galeri të pasur tipash e karakteresh. E ndërsa zgjatet në nostalgjinë e atij stili, çuditemi pse nuk e nxjerr mallin tani që kemi kohë që e kemi çuar veten në Perëndim...

-E kam harruar,- ta kthen në çast duke qeshur, me sinqeritet. Pasi u dënova nga regjimi i kohës, u shkëputa nga ajo mënyrë vizatimi dhe tani e kam shumë të vështirë të punoj.

-Po tani me çfarë stili punoni? Këtë radhë, e qeshura e tij është më e zgjatur, ndërsa thotë se vizatoj ashtu siç e kërkonte realizmi socialist, bëj thjesht portrete.

Në entuziazmin e moshës dhe pasionin për artin, më tepër se sa për veten, merakosej për të bërë diçka që nuk e kishte bërë kush më parë... Shanset i ishin krijuar, mjafton të punonte dhe guxonte. Për fat, të dyja këto veti i kishte me tepricë. Ishin në prag të Takimit Kombëtar të Estradave. Gjithçka në këtë konkurrim varej nga fantazia dhe risia që do sillte regjisori i saj, Bujar Kapexhiu. "T'i shkulim nga rrënjët" titullohej shfaqja. Netë të tëra kaloi pa gjumë deri sa realizoi atë premierë të paparë në skenat tona. Edhe këtë radhë te karikatura u mbështet. Në mes të skenës së shfaqjes vendosi një portret të stërmadh që simbolizonte burokratin. Kjo figurë mbështetej në një podium që kishte formën e një take-tuke cigaresh. Të gjithë zyrtarët-aktorë, dilnin nga goja e këtij burokrati. Kalonin nëpër gravatën e tij që kishte formën e shkallës dhe përfundonin në take tuke. E sikur të mos i mjaftonte kjo, në sytë e atij burokrati kishte vendosur dy lëmsha peri, fija e të cilëve të çonte në një cep të skenës ku një grua punonte triko. Shto pastaj edhe përmbajtjen revolucionare që kishte teksti i skeçit, dhe ky burokrat që për kohën ishte armiku kryesor i klasës punëtore, dërrmohej keqas duke pësuar fatin e bishtave të cigareve... Brilant në këtë ide regjisori i ri, u nderua me çmim, paçka se më vonë përmbajta u kritikua dhe shfaqja nuk u dha më për qytetarët. Dikush nga ata lart, e kishte ndaluar pasi nënkuptohej se në jetën e përditshme, politikanët ishin aktorët e vërtetë. Gjithsesi, artisti i ri u ëmbëlsua dhe u entusiazmua nga ai çmim. Tashmë një sfidë tjetër akoma edhe më e madhe e priste. Në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizion ju besua libreti të cilin pati shansin e artë që ta shpaloste edhe vetë si konferencier në krah të Edi Luarasit... Sa herë ju rikthye atij të shkreti tekst për ta bërë sa më të magjishëm, sa herë interpretoi vetëm për vetëm para pasqyrës për të qënë sa më tërheqës. Dhe i tillë u shpalos në atë festival! Nuk kishin të reshtur urimet dhe përqafimet e miqve, shokëve dhe artdashësve rrugëve të Tiranës. Por pak ditë, shumë pak me këto emocione, pasi shumë shpejt emri i tij po lakohej bashkë me ata që kishin devijuar nga ideologjia e Partisë. "Ustallarët" filluan të shfletojnë koleksionet e revistës "Hosteni" dhe të librave me ilustrimet e tij. Në shumicën e tyre kishin hasur simptoma shumë të qarta "infektimi" të këtij të riu. Gjithsesi i duhej dhënë edhe një herë dora, për të mos e humbur këtë talent. Besohej se duke u brumosur me frymën e klasës punëtore, ai përsëri do bëhej i vlefshëm për shoqërinë.. U çua të punonte tre vjet në Kombinatin e Ndërtimit "Josif Pashko". Më mirë se këtu, nuk kishte për ta shijuar asgjëkundi, fabulën e take-tukes për të cilin mori edhe çmim...

***

Ai që shkon për herë të parë në lokalin e Bujar Kapexhiut, në rrugën e Durrësit, për një çast shtanget se mos gabimisht është futur në një galeri artesh. Në të dy katet e këtij lokali të këndshëm janë vendosur dhjetra karikatura me ngjyra...

Me dhjetra janë lokalet në kryeqytet. Njëri më i bukur se tjetri. Por karikatura këtij ambjenti shlodhës dhe relaksues i ka dhënë statusin e të veçantit. Në çdonjërën prej tyre këndshëm shpaloset një e papritur gazmore e personazhit që është bërë objekt nga artisti. Shumica e tyre janë të njohur për sytë e gjithkujt... Aktorët e politikës shqiptare janë zbukuruar dhe thumbuar më finesë. Vënd të dukshëm zënë edhe artistët që janë miq të piktorit. Jo pak portrete janë "të panjohur" për ne, por çuditërisht kanë zënë vend të dukshëm në këtë ekspozitë kaq të natyrshme dhe origjinale. Mësojmë se këta janë klientët që frekuentojnë gati çdo ditë lokalin. Ekonomia e tregut edhe këtu ka rregullat e veta që nuk pyet për famë dhe lavdi... Nuk më hyjnë shumë në punë karikaturat e vipave, - ndërhyn piktori, - ndaj kam filluar dhe po i zëvëndësoj me portretet e klientëve të thjeshtë.

...Diku është një shoku i vet, i mbytur në dokumenta tapish ngaqë nuk po gëzon dot pronat e gjyshit. Dikush ka në krah një eskavator dhe në sfond siluetat e një pallati shumëkatësh... Dhe ndodh diçka e çuditshme. Ka shumë kërshëri dhe interesim për syrin e vizitorit. I mësuar që në kësi rastesh, aty do jetë një njeri publik vret mëndjen dhe përqëndrohet gjatë deri sa ta gjejë se kush fshihet pas atij punimi. Shpeshherë "të lodhur" dhe të pafat që kanë humbur edhe bastin me njëri- tjetrin shumë klientë e pyesin Bujarin se kush është në të vërtetë personazhi... Mbase një ditë do befasohen nga surpriza e radhës, kur të shohin veten e tyre në ato korniza... Është i ngopur me ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, me çmime e diploma. Një jetë të tërë duke vizatuar gati të njëjtat fytyra vetëm se në pozicione dhe këndvështrime të ndryshme. Dhe se mos ua pa hajrin atyre qindra karikaturave që bëri... Berisha ka qënë në disa prej ekspozitave të tij. Ndërsa me Nanon edhe pse mban rekordin për numrin e ilustrimeve që i ka bërë, nuk është takuar asnjëherë. Por kohët e fundit ka ndjerë "mall"... Ka përzgjedhur nga arkivi të gjitha karikaturat që ka bërë për Nanon për t'i botuar në një album. Dëshiron ta bëj me ngjyra dhe me letër speciale. Del mbi 500 faqe. Ka kosto të lartë ky botim i veçantë. Por nuk e ka ndërmend të tërhiqet. Është duke kërkuar numrin e telefonit të vetë personazhit. Ka besim të plotë që do t'ja sponsorizojë! Këtë praktikë do ta vazhdojë edhe me të tjerët që nuk kanë më pak se Nano, karikatura dhe mundësi financiare. Siç duket, i ka vënë vetes detyrë të vërtetojë thënien se qiraxhiu me fajdexhiun takohen një ditë.

Tashmë, gati me të njëjtin pasion dhe dashuri që të flet për karikaturën shprehet edhe për kapitalizmin. Janë disa raste që e kanë bindur vërtet për epërsitë dhe të mirat e këtij sistemi. Para pak kohësh i erdhi një përfaqësi nga ambasada gjermane dhe ju lutën për t'i bërë një karikaturë ambasadorit të tyre. Deshën t'ja dhuronin shefit si kujtim nga Shqipëria me rastin e transferimit të tij. Në përmasa të mëdha diplomati i huaj u lumturua për këtë krijim të jashtëzakonshëm artistik. Në ato përmasa ishte edhe kënaqësia që ndjeu piktori nga shpërblimi i kësaj pune. Ditë gëzimi ishte për piktorin edhe martesa e një punonjësi të OSBE-së. Çifti i ri i dashuruar me njëri-tjetrin prej kohësh kishte rënë në dashuri edhe me karikaturat e Bujarit. Ata i kërkuan të fiksonte talentin e tij në ftesat e ceremonisë së martesës. Më të bukur se sa ishin, i nxorri Bujari dhëndrin dhe nusen që u stamposën në qindra kopje ftesash. Diçka e veçantë për çiftin, por ditë e shënuar edhe për piktorin...

Gjithsesi, klientela është mbreti i së përditshmes. Një ditë gjeti të ulur përbri karikaturës së vet një mysafir të paftuar, por të dëshiruar... Pinte kafen gjithë shije, ish -Presidenti Moisiu. Natyrisht që një kafe falas i takon këtij njeriu që firmosi dekretin e titullit "Mjeshtër i Madh", emocion që Bujari e ka hedhur aq bukur edhe në karikaturë. Të mirëpritur do ishin edhe të tjerë politikanë. Qoftë edhe për reklamë. Por kjo s'ka ndodhur...

Gjithsesi artisti ka shpirt të madh. Bujari flet me respekt për ta dhe i mirëpret në lokalin dhe në karikaturat e tij. Por një gjë nuk e harron kurrë; që vendi i nderit u takon gjithmonë njerëzve të thjeshtë...

o o o

Shpreh keqardhje Kapexhiu, për vendin e pakët që i lihet karikaturës në faqet e shtypit. Në njëkohë që shtypi botëror e ka një element të fuqishëm de të përditshëm, këta tanët e lënë pas dore... Nuk e kuptoj, se si mund të ketë më pak vlerë një shkrim i përsëritur disa herë për të njëjtën temë, me sharje dhe fyerje se një ilustrim humoristik. Vërtet një karikaturë mund të jetë edhe "e rrezikshme" për një politikan por më e pafalshmë është që një gazete t'i mungojë ajo.

Tregojnë se De Goli, ish presidenti francez, shprehu shqetësim dhe habi kur një ditë nuk pa në faqet e gazetave asnjë karikaturë...

Sepse dihet forca e mesazhit që përcjell te lexuesi një punim i tillë artistik. Më se një herë ka ndjerë komplimente edhe Bujari. Nuk ka për ta harruar atë ditë që kishte botuar një ilustrim te gazeta RD. Kishte vizatuar kryeministrin e sapozgjedhur Nano, duke ushqyer popullin me një lugë të madhe por të shpuar....Edhe pse ata të Redaksisë e kishin prerë gjysmën, ngaqë nuk kishin vënd ajo e kishte dhënë efektin në mënyrë të jashtëzakonshme. Ngado që kalonte e përshëndesnin dhe uronin. Të freskët në kujtesë, e ka edhe atë moment kur një grua, i puthi dorën për atë mrekulli që kishte bërë.

Por jo se është dhe aq e lehtë të punosh me karikaturën. Është nazelie dhe me huqe po nuk dite ta trajtosh. E mira është të mos jetë fyese e denigruese por kritike dhe dashamirëse që të ta ndjejnë të dyja palët.

Duhet të qeshë edhe personazhi që është bërë objekt, paçka se do i djegë jo pak...

Bujari më të mirë se veten bën kolegët e vet. Fjala vjen ndjen boshllëkun e punimeve të idhullit të tij Bardhyl Fico. I vjen keq që ka braktisur karikaturën prej vitesh.

Një vizatues të shkëlqyer dhe me krejt të papritura e përcakton Agim Sulën.

I përkryer profesionalisht dhe me shumë fantazi është për të Medi Belortaja.

E vërteta është se kanë ngelur shumë pak që punojnë në këtë fushë.

Dhe kur duhej të ishin të çmuar e të mbaheshin me kimet, ndodh e kundërta.

-Nuk vinë ata të gazetës te ne por shkojmë ne dhe u lutemi atyre. Dhe përsëri sikur ke trokitur në vesh të shurdhët...

Gjynah! Për ata më shumë se sa për ne!

- thotë i dëshpëruar Bujari.

MJESHTRI I BEJTES TIRANASE në ilustrimet e Bujar Kapexhiut

Ka qënë shumë i njohur Sefer Daja në Tiranë. Famën ja dha fantazia dhe mjeshtria e tij për të krijuar në çast bejte. Mungesa e familjes, bëri që miq dhe shokë të ishin bashkëqytetarët e vet. I zhytur në varfëri dhe vetmi, gjithë jetën, gati e kaloi te vendi i punës që ishin banjot publike te monumenti "Partizani" dhe më pas për arsye "qarkullimi", e transferojne te ato të rrugës së Elbasanit... Mes kontakteve të shumta që kishte me njerëzit, jo pak edhe e ngacmonin, pa menduar se bejtja e tij, e merrte hakun njëqind fish.

-Kur dilja nga shkolla e ngacmoja edhe unë - kujton Bujar Kapexhiu. Disa herë edhe duke e bezdisur...

Një ditë, Haxhi M. Deliu, autor i disa librave humoristikë, i thotë se do botoj një libër me bejtet e Seferit. Nuk u mendua dy herë piktori dhe i premtoi, se do i përgatisi të gjitha ilustrimet falas. Mbase, deshte të qetësonte shpirtin, nga meraku i teprimit të ndonjë shakaje me Seferin. Dhe nga ky bashkëpunim, doli një botim i denjë, për atë njeri të thjeshtë dhe aq të njohur në ato vite.

...me policin

Një ditë që Seferi kishte pushimin javor kishtë dalë për të blerë diçka në pazar. Po vinte rrotull Pazarit të Ri, s'e aty diku kishte dhe banesën e tij. Tek po lëvizte me atë ecjen e tij karakteristike, një dhimbje e tmerrshme barku dhe një debulesë ia mbërtheu të gjithë trupin. Nuk kishte fuqi të qëndronte në këmbë dhe mezi po i hidhte hapat. Në atë gjendje që ishte, Seferi, e pa të udhës që të ulet diku, sa për të marrë veten. U fut në lulishten ku është busti i Avni Rustemit dhe u ul tek shkallët poshtë bustit. Por edhe i ulur nuk po gjente rehat. Vendosi të rrinte në një pozicion gjysmë shtrirë dhe me sytë mbyllur deri sa t'i kalonte shqetësimi. Ndiente një dridhje të brendshme dhe një rrënqethje të lehtë në trup, prandaj nuk po lëvizte fare...Në këtë çast dëgjoi disa hapa të rëndë që u afruan dhe qëndruan pranë tij. Një zë i trashë i buçiti mu pranë fytyrës: -Poti, ç'dreqin bën këtu more apoepaske tharë siç duket ndonjë poç me raki?

Seferi hapi sytë por nuk u ngrit. Një polic me uniformë blu në të zezë, i qëndronte përmbi kokë, për të marrë vesh se ç'kishte që ishte shtrirë.

- Jom i sëmur -u përgjigj Seferi pa luajtur nga vendi- po më dhëmb barku!

- Çohu, çohu - tha polci - e ka ndaluar qeveria të shtrihesh rrugëve ku të duash ti, hajt këput qafën e shko shtrihu sa të duash në shtëpi! Seferi që në atë kohë e kishte marrë pak veten, u ringrit me ngadalë dhe iu drejtua policit me fjalët therëse të bejtes. Polici nuk e kuptoi se ç'po i thoshte Seferi, por vazhdonte ulërimat dhe shqelmat drejt tij.

...te peshorja

Dikur, afër banjave ku punonte Seferi kishte zënë vend një hallexhi tjetër. Ai peshon te njerëzit me kandar për të nxjerrë edhe ai ndonjë lek. Seferi ishte bërë mik me të, mbasi ishin afër dhe shpesh kur nuk kishte shumë punë, dilte dhe rrinte me kandarexhiun, bëjshin muhabete të ndryshme. Një ditë tek po rrishin duke bërë muhabet bashkë, vjen aty për tu peshuar një njeri që kishte një kokë të çuditëshme, në fillim të shtypur pastaj i zgjerohesh. Seferi po shikonte me çudi këtë farë soj robi, por ai sapo e pikasi se Seferi po e shikonte me vëmendje i thotë:

- E pse po më shikon me kaq vëmendje o Sefero?...Apo ke frikë se mos thyej kandarin me gjithë këtë peshë që kam?...

- Jo mor jahu - iu përgjigj Seferi - është kandar i fortë ky, ka mbajtë burra më të shëndoshë se ty...

- Ashtu?...Po ti Sefero sa kile pesho?...

- Nuk matet burri me kilet që ka në trup por matet me...

- E po ne nga anët tona i matim nga kilet.

- E pri ka je zotnia jote që i matke burrat kështu?

- Unë jam nga Bregu i Detit, nga vendi që ka bërë luftën dhe që ka nxjerrë luftëtarë të trima. Ke gjë për të më thënë?

- Ej prej detit qeka zotnia jote, prandaj qeke kaq i squtë?...

Dhe në çast ia thuri bejten.

...me agjitatorin

Një agjitator kundër zakoneve prapanike, që merrte rrogën në Komitetin Qendror, vetëm për këtë punë, erdhi një ditë në mëngjes për të kryer nevojat personale te banjat e Seferit. Mbrëmja e asaj dite ishte Natë e Mirë, por në atë kohë ishin të ndaluara jo vetëm festat fetare si Bajram, Pashkë, Natë e Mirë apo Ramazan, por edhe vetë feja. Nuk mund të përmendje asnjë festë fetare, mbasi quheshe i prapambetur, por mund edhe të dënoheshe po të merreshe me to. Agjitatori tek po kryente nevojat personale, iu kthye Seferit që ishte ulur në minderin e tij dhe po mendohej:

- Agjëron more? Agjëron apo jo?

Seferi, që nuk e priste këtë pyetje, u çudit!

- Çere? Çere thu mre jahu, se nuk po të marr vesht?

- Të pyeta a agjëron, se sonte është Nata e Mirë?

- Hik mre jahu anej ene tina, se s'kemi ça me vu në sofër, ti po na thu a agjëron. Le po janë lonë tashti këto zakone.

- Ah...ç'jeni ju pleqt e Tiranës, kështu thoni ju, por mbas shpinës, në shtëpi nuk e leni pa e bërë një çikë hallvë, për t'i kujtuar këto zakone prapanike.

- Jo mor jahu, ta thash që s'kemi ça me vu në sofër, jo mo të bojmë hallva e ç'thua tina. Janë lonë këto gjona tashti.

- Jo, se Partia na thotë se zakonet prapanike bëhen pengesë për jetën tonë.

E pse atëherë duhet t'i ndjekim ne?

Seferi nuk po mundej më ta duronte propagandën e tij monotone e të mërzitshme, por ai vazhdonte me të tijën. Jo si duhet t'i luftojmë zakonet prapanike, jo si do t'i përgjigjemi thirrjeve të Partisë në këto raste etj.

Seferi e la agjitatorin të llomotiste sa deshi ai vetë dhe, në një moment ja ktheu me vargjet e tij.

Agjitatori u turpërua nga përgjigjia që mori e që e dëgjuan dhe të tjerët, prandaj doli pa përshëndetur fare e ngjiti shkallët me nxitim.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora