E enjte, 25.04.2024, 08:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Marius Chelaru: Kalosh Çeliku në gjuhën rumune

E hene, 26.01.2015, 08:33 PM


Kalosh Çeliku në gjuhën rumune

(I fshehur pas hënës, Amanda Edit, Bukuresht 2014)

Kur bashkëjeton me poezinë, verën e kuqe dhe miken

Kalosh Çeliku ka zërin e sinqeritetit të tij krijues dhe mënyrën e tij për të ndërtuar botën në „varg”. Njëri nga poetët më të talentuar me amprenta (gjurma) personale. Një botë që duket të jetë e përbërë nga disa hapësira që ndërpriten mes tyre, kurse ai vend, qoftë „një vend i sigurtë në Parajsë”, qoftë një botë pararendëse, në kohën kur mamaja bënte petulla aq të mira, sa që vinin krejt miqtë nga fshati për t’i shijuar, ndërsa babai u thoshte se janë aq të mira sa që i ngrejnë „edhe të vdekurit nga varri”.

Kurse ai vend i tij, të cilin e „pikturon” me fjalë, është një „hapësirë” e poezisë, e verës, e „miqësisë”, ndonjëherë edhe e „vdekjes” (ditën vdesim, natën zgjohemi në delirium, siç bashkëjetojmë me Zonjën Vdekje, në të njëjtën dhomë, me ditë, muaj e vite, dhe kurrë nuk mërzitemi mes librave). Apo, e një vdekjeje tjetër të ashtëquajtur „Vetmi” (e varrosa vetëveten mes mureve, me armën time që kris, për ta vrarë sot Vetminë). Apo: nëntë vjet e zhyta Vetminë në verë, tërë natën duke shkruar poezi. Dhe, me siguri, dashuria që duket si një rrugë mbi telin ndërmjet të jesh apo të mos jesh, ndërmjet urrejtjes dhe... (dhoma e ngushtë për varr, nuk më mjafton as mua, as Ty. E varrosa unin tim mes gjinjëve Tu). Apo: asnjëherë s’do të dihet se ç’kam në shpirt, dhe se nën cilin varr kam dashuruar sot, apo: „në shpirt një çik dashuri/ më përmallon Dashuria, etj.).

Tejmatanë kësaj hapësire personale, vjen edhe „pasqyra” përmes së cilës e kundron botën përrreth, me „problemet” e llojllojshme (qofshin ato të gjeneruara nga kulturofagët që i „rikompensojnë skribomanët e Oborrit”, duke mos ua njohur vlerën, qofshin ata që kanë vështirësi për të shkruar e botuar një libër. Sipas autorit, është vështirë të shkruash sot një libër, por edhe më vështirë për ta nxjerrë në dritë, kur nuk ke para as për bukë! Apo, relacioni shkrimtar-lexues, në konditat kur çdo gjë duket se blihet e shitet. Vështirë është sot të jesh lexuesi i shkrimtarëve që shkruajnë për ditën e Nesërme, kur recensionet „shiten për njëqind marka, apo dy tollumba.” (Prostitucion me letërsinë).

Apo pagjumësitë që ndërlidhen me aktin e krijimit. I koncentruar mbi varg, poetin e kaplon insomnia. Natën e hap dritaren kah Dielli, në kohën kur bren me dhëmbët e tij vendlindjen, njerëzit, shtëpitë... gjithëçka. Vetëm vetëveten, mendon autori, nuk mund ta arrijë, ngase shkruan: „Nuk kam kohë të plakem, ngase nuk më lejojnë vera dhe Dashuria”. Dhe, këtu, të përkujtojmë Angelus Silezius që thoshte se shpirti ka dy sy. Përmes njërit shikon kohën, kurse tjetri ka vajtur drejt përjetësisë. Mund të flasim te poezia e tij edhe për disa aspekte që ndërlidhen me historinë/ jetën e komunitetit lokal, qoftë ajo e komunës shqiptare të Shkupit, kur paraqiten emërtime vendesh, personash me rezonanca të ndryshme, apo poetë të famshëm: Tyrbe, Baba Tomori, Bit Pazari, Zef Serembe, Lasgush Poradeci etj.

Diskursi i utilizuar nga autori është një i përditshëm, por jo simplist. Me këtë gamë shprehjesh të qarta, Kalosh Çeliku arrin të krijojë imazhe, përfytyrime dhe figura stilistike që joshin vëmendjen, herë pas here duke e latuar edhe paradoksin: „Vendlindjen nuk e njoha. Ishte plakur/ E kishte lëshuar mjekrën. Dhe, flokët…“; „Hëna rri varur mbi një lis”; „Poeti ka pagjumësi/ Natën e hap driteren kah Dielli”: „U zgjova nga varri im prej librave”, etj. Nganjëherë (sidomos kur shkruan për vdekje, vetmi e dehje), shfrytëzon një fjalor të ëmbël të „shkretërimit” që ndërlidhet me ekzistencën e një turbullimi të „çrregulluar”. Herë tjera duket si vetë jeta e tij. Ditët dhe jeta janë të metamorfozuara si një kantilenë, melosi i së cilës vjen nga shpirti dhe kthehet në horizont.

Duket se autori shfrytëzon me kujdes, si një meshtar i gjuhës (siç shihet nga seleksioni respektiv), fjalë të zgjedhura me të cilat i pikturon frazat. Ndonjëherë, frazimi duket si një „kontrast” përmes të cilit u jep mesazhe dhe forcë pëyrfytyrimit të krijuar: „Është e vërtetë se kaherë nuk jemi parë/ Ti u mbylle mes mureve/ Unë i dashuruar në verën”; apo: „Mbrëmë fjeta me Vjeshtën/ Dimri nuk ma hapi derën/ Nesër me cilën do të flej/ Si do ta përqafoj Pranverën?”).

Duket se nuk duket një univers spektakular vargu i konstruktuar nga Kalosh Çeliku, por nuk mund të themi se nuk është një varg që të josh, të cilin e karakterizon substanca me një mesazh të thjeshtë. Pse? Ngase arrin të (ri)konstruktojë nga fjalët „hapësirën” e tij poetike, ashtu siç e sheh përmes pasqyrës së mendimeve, sentimenteve dhe pikëshikimeve të tij. Një varg që reflekton besim në sytë e lexuesit. Autori shkupjan është ai që shkruan se shpirti im është i dehur, ngase unë jam vera. Ai ka lexuesit e tij të panumërt në Maqedoni, dhe, me siguri, tani falë hulumtimeve të Baki Ymerit dhe përkthimeve të para të Adriana Tabakut, do t’i joshë edhe lexuesit e Rumanisë. 

Jash, 11 janar 2015

Marius Chelaru

BIOBIBLIOGRAFI

Kalosh Çeliku u lind më 13 shkurt l951 në fshatin Cërvicë të Kërçovës (Maqedoni). Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme normale në Shkup, ndërsa studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës (Kosovë). Shkruan poezi e prozë për fëmijë e të rritur dhe gjer më sot ka botuar rreth dyzetë libra: Zogu erdhi me një këngë - vjersha (l982), Lepuri me pushkë - tregime (l983), Shtëpiza e xixëllonjave - tregime (1984), Ferexhja e zezë - dramë (1985), Arusha pa bisht - tregime (l986), Dielli zbret malev? - novelë (l986), Varrimi i sorrave - roman (1988), Vite me borë - roman (l990), Trumbetat e Tellallit - satira (l992), Imzot, lehin qentë - drama (1993), Trimi shihet në vepër - poemë (l994), Çohuni trima shaloni lapsin – rrëfenja (1994), Sorraku i Qytetit - pjesë teatrore (1994), Kali i Trojës nëpër Bit - Pazar - satira (1994), Loja e syve - poezi (1995), Babi ka dy nuse - roman, (1995), Vjellja e zorrëve - poezi (1996), Qyteti i qyqeve - roman (1997), E përcolla Natën - poezi (1998), Mbrëmë fjeta me Vjeshtën - poezi (1999), Kopeja me zgjebe ndjek Autorin - drama (2000), Shtëpia publike – roman (2000), Si u ndava me Gruan time“ – satira (2001), Gratë e mia besnike – roman (2001), Lamtumirë bërllok - nëntë drama (2002, 2007), Me tre varre - roman (2002), Vdekja më deshi më pak se Ti - poezi (2003), Edhe Ajo nuk ishte xheloze - poezi (2004), Repriza e vëllazërim - bashkimit - dramë (2005), Atdheu ky burrë pa Grua - poezi (2006), Kulturofagu - antiroman (2006), Burrat i përzë me burra e Mua me gra - poezi (2007), Engjëlli im është Grua - poezi (2007), Dimri, s’vjen me lule - 5 poema (2007), Ujku e di një lojë - poezi (2007), Kur bërtet “vojvoda“ e pjell Kurvë Partia - satira (2008), Dac Poeti i shkruan poezi Mamit - poemë humoristike (2008), Ehu - poezi (2008), Gruaja besnike – roman (2009), Djemnusha – roman (2010), Atdheu burr? pa Grua - poezi (p?rzgjedhje, 2010), GruaVerë, Asdreni, Shkup, 2012 etj.

Që nga viti 1992 ai drejton Shtëpinë Gazetare - Botuese ASDRENI, në Shkup dhe është kryeredaktor i të vetmes revistë për humor dhe satirë ZEKTHI, që del kur t’i teket në IRJ të Maqedonisë. Dhe, që nga ky vit (2009) mbarëkombëtarë, është fitues i disa çmimeve të konkurseve letrare në poezi, tregime dhe pjesë teatrore. Njëherit, edhe i çmimeve letrare: PERENDESHË E BUKURISË, në Netët e Poezisë Korçare (2003), në Korçë, Çmimin AS për letërsi (2007), në Kërçovë, “SYRI I KALTËR“ (2007), në Sarandë, “SEREMBE“ (2008), në Laç, “FLAKADANI I KARADAKUT“ (2009), në Viti, Çmim special për vëllimin poetik: EHU nga Simpoziumi Ndërkombtar “MUZA POETIKE”, “PEGASI” (2009), në Gjirokastër, “JEHONA E KARADAKUT” (2010), n? Kumanov?, “SKAMPINI” n? Festivalin Ballkanik t? pozis? (2010), n? Elabasan, etj. Krijimtaria e tij letrare është përkthyer në disa gjuhë: maqedone, gjermane, turke, bullgare, rumune, greke etj. Që nga viti 1992 – 1997, ishte nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar dhe kryetar 1997 – 2001. Momentalisht është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në IRJ të Maqedonisë. Themelues i disa manifestimeve kulturore tradicionale ndërkombëtare: Ditët e Naimit, në Tetovë, Takime nën Rrap, në Shkup (poezi erotike) dhe i Ditëve të humorit dhe satirës: XHA DERALLA, në Kërçovë. Poashtu është edhe themelues dhe kryeredaktor i revistës letrare STILI 97, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar në IRJ të Maqedonisë. Çeliku deri më vitin 1995 punoi si mësues i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Drenicë të Kosovës dhe Malësinë e Shkupit. Vitet e fundit punon dhe jeton në Shkup, tashmë në profesionin e lirë të shkrimtarit.

KATËR FRAGMENTE POETIKE

 

Unë jetoj me poezinë. Verën e kuqe

Dhe, Miken. Që për mua s’janë haram.

 

***

Shtrati im është parku. Një karrige

Rruga. Dhe, pse jo edhe një livadh.

Ferrë me dy-tre duar bar nën kokë

Dimrit kur fryn. Dëborën e kam zjarr.

 

***

Mos u tremb! Me vete i kam poezitë

Natën të mbuloj këmbë e kokë.

Fli rehat. E bukur je në shtratin tim…

 

***

Atë që e bëri Babai

Me pasuri dhe pushkë

Unë e vazhdova me penë…

 

Kalosh Çeliku



(Vota: 607 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora