Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Arti dhe Zoti

| E diele, 25.01.2015, 05:11 PM |


Arti dhe Zoti

Nga Dr. Ilir Muharremi

Qëllimi kryesor është hedhja e dritës mbi mendjen, por as mendja nuk shkon përtej mendjes, ajo lundron brenda absolutizimit. Këtu do të flas për diç më të madhe. Ajo çfarë  na intereson të dimë origjinën e saj, është vdekja. Më paradoksalja është arsyeja e cila e shfuqizon këtë enigmë. Si mund ta shfuqizon kur ende askush nuk e ka kuptuar, ndoshta e ka ndjerë, por nuk arriti ta ilustroj. Supozimet bëhen të vërteta kur hidhet prova mbi ta. Por, nuk ka provë më të thellë se ndijimi. Në këtë rrafsh mendja nuk arrin të plasojë në realen. Andaj, njeriu mbetet i pakuptueshëm për veten. Nëse pretendojmë të zbulojmë thelbin e çdo  objekti të njohjes dhe vdekjen, i japim thellësi përvojës. Për mendjen kjo është e pakuptueshme. Arsyeja sipas Kamysë është te mendja absurde. Por, këtu nuk përfundon gjithçka vetëm se absurdi tenton të gjejë arsyen. Kjo arsye është kontradiktore.

Shkrimtarët përshkruajnë realen me ndihmën e fantazisë, i afrohen Zotit madje ndjehen të barabartë kur arrijnë vetminë e tyre. Secilit në jetë i ka ndodhur kjo, bile njëherë. Qëllimi është të ndjehet i vlefshëm, njeriu mendon që është i vlefshëm, kjo jeton në thellësinë e tij individuale. Shkrimtari asgjë nuk mund të përshkruaj më shumë. Piktori ngritë subjektin, fotografon me shpirt peizazhin, ndjenë mall për risinë në këtë peizazh, shprehë forcën e lirisë përmes ngjyrës, shpesh përshkruan historinë e cila është mjegulluar me kohën në të cilën ndodhet, e kaluara krijon tërheqje fëmijërore. Edhe piktori nuk abstenon nga realja, edhe pse procedon në fiksion. Kam takuar shumë njerëz që mrekullohen nga kryeveprat realiste të krijuara me zemër të përgjakshme natyrale. Përse ndodh kjo? Afërsia me të vërtetën ndodhet brenda të njeriu, por prapë njeriu nuk pikturon shpirtin e tij. Piktorët vetëm se përsëritin imazhe të vjetra, ose i dorëzohen aksidentales që prapë shoqërohet me realen. Shpirti ikën nga kjo. Por, aksidentalja jeton në moment të shkurtër, vetëm për mos t’i ngjarë të zakonshmes sepse e zakonshmja përbuzë shpirtin. Shpesh nga aksidentalja kanë rrjedh kryeveprat, këtë e pohon edhe Picasso. Aksidentalja fshehë misterin e shpirtit i cili tejkalon realitetin. Në këtë të vërtetë artisti përpiqet të rikrijojë realitetin e tij. “Ne gjithmonë marrim pamjen e të vërtetave tona” thotë Kamy. Të vërtetat tona lindin dhe vdesin këtu, a mos kërkon Kamy t’ja kthejmë shpinën amshimit? Po, por ky njeri mbetet vetëm imitues i pamasë nën maskën e absolutizimi, sepse është fjala për këtë botë. “Krijimi është imitim i lartë”. Çfarë krijon vërtetë artisti? Ai përshkruan, por kur arrin kufijtë paradoksale, pushon në heshtje dhe zgjon kureshtje për hapësira të virgjëra. Pastaj, i pushton duke i ribërë për veten e tij. Zemra tregon ndjesinë e cila lind nga thellësitë e vetvetes dhe nga larmia e hapësirave. Shpjegimi është pa zgjidhje, ndjenja jeton tokë me këtë univers të përjetshëm, andaj veprat e artistëve duhet t’i kuptojmë. Në momentin kur lind vepra, përvoja vdesë, por shumimi mbetet. Përsëritja monotone e saj dirigjohet nga bota: imazhi, trupi, ngjyrat...

Kur flitet për artin, i bënë konkurrencë Zotit sesa gjendjes civile. Tibaudet-ja pohonte: “Komedia njerëzore është imitim i Zotit”, atëherë arti çfarëdo qoftë qëllimi është i konkurrencës së dënueshme të Zotit. E dënueshme e them ngaqë vetëm Zoti dëshiron të jetë Zot. Vetë Zoti ikën nga arti, por arti vrapon pas imazheve të mëdha që çojnë peshë. Atëherë, thënia e Nietzsche-s “Ne kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta”, na shpie në origjinat e imitimit të vërtetës mbi artin. Arti nuk tjetërsohet nga e vërteta, është e vërteta e përgjithshme nga ajo individuale e cila kërkimin foshnjarak e gjen te vetja. “Arti dhe vetëm arti” vazhdon Nietzsche-ja. Është e vërtetë dhe arti është vetëm art asgjë tjetër. Artisti kërkon krijimin në papajtueshmërinë, dhe arti lind nga shoqëritë e papajtuara.  “E bukura do të jetohet jo me të imagjinohet” thotë Kamy. Arti në plotshmëri ecën me kohën dhe këtu edhe lindin revolucionet.

Në shekujt 11 dhe 12, ndërsa Evropa dilte nga Mesjeta, u ngritën mjaftë kisha dhe katedrale të reja. Këto kisha u zbukuruan me statuja  njerëzish dhe kafshësh e djajsh të përbindshëm, që kishin për qëllim t’u ngjallnin frikën ndaj Zotit, atyre që shkonin në kishë. Një nga tematikat më të rrahura në  gdhendjet e tyre, ishte gjykimi i fundit- dita kur, sipas besimit të njerëzve, shpirti i tyre do të ngjitej në parajsë, ose në ferr. Arti këtu nuk mund të jetohet, vetëm të imagjinohet dhe fuqia enigmatike ngritë dyshime dhe debate, por nuk do duhet të kulmonte në revolucion. Kjo na bind më shumë në shënimet e Van Gogh-ut ku shkruan: “Gjithnjë e më shumë besoj se nuk duhet gjykuar Zotin e madh në këtë botë”. Sipas Kamysë, çdo artist përpiqet që ta ribëjë këtë studim dhe t’i jap stilin që i mungon. Në fakt, artisti nuk e gjykon, por madhështia e Zotit zë vend heshturazi në prapavijën dhe jetën e tij. Ai jeton me këtë enigmë që përpiqet ta kapë. Lufta me Zotin, ngritë te artisti piedestalin më të thellë, nuk është gjendje frike, por luftë absurde e cila në thellësi të mendjes ekziston. Ekziston mendimi, por njohja mbetet imagjinare. Njeriu në jetë mund të heqë dorë nga Zoti, por nga jeta e tij, kjo është e papranueshme. Jeta është e madhërishme dhe ndjellë frikë te njeriu. Sëpari te njeriu u instalua jeta, pastaj mendimi për Zotin. Për këtë të dytën, artistët krijuan mbi të dhënat historike, ju referuan filozofisë, antikitetit dhe ideologjive kishtare. Nietzsche-ja refuzonte çdo gjë morale dhe hyjnore duke i cilësuar si shpifje të kësaj bote, por refuzimi paralajmëron dorëheqjen e tij nga mos konkretizimi i hyjnores. A kishte të drejtë? Ajo çfarë tentonte ta kërkonte, do ta shpie në kufizim të vdekshmërisë. Nietzsche-ja e dinte këtë. Por, madhështia e artit qëndron te jeta e artistit dhe te konkurrenca me Zotin. Me vetë refuzimin e Zotit, ky filozof ndjenë diç për të dhe në heshtje ai vdesë për këtë kuptim. Ndoshta kjo edhe ndriçon përjetësinë e njeriut me botën. Në fakt, njeriu rivalizohet me përjetësinë e botës të cilën në fund e humb. Nëse kërkojmë nga artistët fytyrën e Zotit, do ta gjemë figurën e  njeriut. Kjo nuk mjafton për saktësinë e kësaj mase. Atëherë, njeriu i mbetet ta mbivlerësoj jetën të cilën nuk mund ta refuzoj. Artisti duhet t’i bëjë ballë pasqyrës në të cilën kërkon vetveten, e që asnjëherë nuk do ta gjej. Nuk ka pasqyre që reflekton shpirtin. E nëse njeriu ndjehet i huaj për veten dhe botën, ndjenë ftohtësinë dhe komoditetin në këtë univers. “Unë do të jem gjithmonë i huaj për vetveten”, shpreh hendekun Kamy që nuk do të mbushet kurrë. E si mund të thotë se e njeh zemrën brenda vetes, kur ai mund vetëm ta ndjejë, me kaq mjafton pohimi i ekzistimit. Pasi që ai prek botën, pranon ekzistimin e saj. Por çfarë mbetet me pjesën tjetër? Një spekulim i përjetësisë që artistët nuk do ta gjejnë kurrë të vërtetën. Nuk duhet ta kërkojnë e as ta përshkruajnë në vepra. Nëse përpiqemi si artist ta rrokim Zotin, për të cilin shumica janë të sigurt që ekziston, të përpiqen ta përkufizojnë, ta përmbledhin, në thelbin e vet, do ta shohin rrëshqitjen e ujit nëpër trup. Artistët mund vetëm të vizatojnë pamjet që i kanë dhënë të tjerët, origjinën, vrullin dhe madhështinë e tij, por gjithnjë tek zemra do të mbetet një enigmë e huaj e që jeton thellësisht si madhështi në imagjinatë. Nëse artistët përpiqen ta rroknin unin e tyre, ata mund të përshkruajnë një nga një pamjet që ai merr dhe prapë janë të huaj për vetveten. Aromat, ditët, netët, detet, të gjitha nuk mund të mohohen, por mund të më sigurojnë për panjohurin e së vërtetës dhe arsyes. Atëherë, artistit i mbetet t’i dorëzohet pavetëdijshmes e cila që u tha më lartë pushtohet nga larmit.