E enjte, 18.04.2024, 12:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Kaltërina Meka: Poezi me vlera të veçanta

E diele, 25.01.2015, 05:46 PM


Botime të reja

Poezi me vlera të veçanta

(Nexhat Halimi “Katana e purpurt”, botoi “FAD”, Prishtinë, 2014)

Nga Kaltërina Meka

Libri më i ri për fëmijë i Nexhat Halimit “Katana e purpurt” (botuar nga Shtëpia Botuese “Fad” në Prishtinë) ngërthen në vete ritmin e jetës e të dritës në udhëtimin e gjatë e të përgjakshëm në truallin e lashtë arbëror, për ta prekur etjen e ëndrrën, për ta mbajtur gjallë dhe të pandarë shpirtin, që në këtë rast është dhe përherë mbetet – atdheu dhe liria. Dhembja, plaga, gjaku ecin bashkë me kohën, bashkë me gjërat që nuk vdesin kurrë dhe gjithherë –për secilin brez, mbesin kuptim dhe synim, mbesin ëndërr për t`ia kthyer trungut degët e këputura. Kjo, sa duket e pamundshme, prapë dhe gjithherë është fjalë dhe betim, është kuptim i jetës.

Libri është realizuar me një kompozim të veçantë, me ngjyra, tone dhe rrjedha origjinale; është tërësisht i lidhur me perin e gjakut, që ik e vjen e ik e vjen nëpër  ajrin, ujin e dheun e shpirtit, nëpër qiellin e shqipes e sfondin e flamurit. Në këtë udhëtim, lexuesi ik nga një akt te akti tjetër historik, nga një plagë te plaga tjetër, nga etja te etja tjetër për liri, gjithnjë duke vdekur e duke u zgjuar prapë nga hiri në  zjarr, në data të reja  e ngjarje, gjithnjë me frymën e trupit e shpirtit, gjithnjë me të prekshmen e ëndrrën e atyre që s` janë më e në  të njëjtën kohë rrezatojnë dritë për brezat. Secila poezi i ngjet një faqeje të veçantë të këputur nga historia. E ka qiellin e atdheut dhe pikën e gjakut të lirisë. Në këtë rrjedhë,  të realizuara me formë, kuptim dhe muzikë brenda vetes, poezitë për flamurin,  atdheun e lirinë, ndoshta nuk i kanë munguar letërsisë te ne, veçse ato vijnë të një ritmi tjetër, të një ngjyre dhe përjetimi tjetër, nga çdo kënd të analizohen, të veçanta. Të këtilla, jo që plotësojnë një hapësirë të lënë zbrazët me kohë, por e pasurojnë shkrimin letrar për fëmijë këtu dhe jo vetëm shkrimin për fëmijë...

Libri hapet  me hartën e gjakut, i cili – edhe në pjesët e këputura nga trungu, ende rrjedh me vetëtima nëpër tërësinë e vet, më pastaj fluturon shqiponja dhe në orët e rënda bashkë me të flijuarit për tokën e qiellin, për kroin  e  atdheut e të dritës, që të hyjë në zemër dhe në flamur.  Në këtë mënyrë, flamuri të  bëhet pjesë e frymës e secili luftëtar, që paepur  ec me  vjet e  vjet udhës ta prek dritën. Ec e nuk ndalet sfondit të përflakur, tokës së lashtë,  me shqiponjën dykrenore lart, gjithherë të jetë i vetvetes, në rrjedhë me  pikën e gjakut dhe ndjenjën e flijimit për ujin, tokën e qiellin e atdheut, në përgjërim, për ta kthyer të humburën... të këputurën, me dhunë, nga trungu.  Këtë  ndjenjë dashurie e dhembshurie të thellë dhe malli të pashuar autori me përkushtim e ka skalitur në vargje, të cilat rrezatojnë kuptim të ri në secilin lexim. Në këtë mënyrë, kënga për gjyshin, për kodrën, për katanën e purpurt e qiellin mbi liqenin, lumin dhe rrapin mbi shtëpinë me kopshtin plot lule dhe pemë, ku cicërojnë zogj përherë, shndërrohet në dashuri, në buron kënaqësie që mund të përjetohet vetëm nën flamurin, i  cili valëvitet për liri dhe paqe, në mbarë atdheun... Ky flamur, në orët e liga të tokës arbërore,  i shpalosur nga Kryetrimi Skënderbe, i cili vjen në vraç bashkë me dritën për t`u bërë vetë drita dhe liria, në të njëjtën kohë, është i vetmi kuptim që ia vlen për ta flijuar kokën.

Ja sesi realizohet kjo:

Ti vjen në vraç

Shkrepat ndrisin nën borë e flakëAtdheu në çdo cep pikë dhe pikë gjakTi kthehesh te zemra vetëtimëTa zgjosh me shpatë Arbërinë!E shqipet qiellit ikin-vijnë vërdallë,Zemra pëlcet në etjet-strall!Ti vjen në vraç te shpirti yt përsëriShpatën ngreh vetëtimë në Arbëri, Ose vdekje – zgjohen malet, ose liri,E toka e uji e qielli rrjedhin gjak në ty!Ti je ëndrra, Skënderbej, je liriaJe besimi, gjithnjë zemra, je Iliria!

Shfletimi i librit i ngjet ecjes nëpër histori, me ngjarje, ornamente e eksponate, me data e çaste, që e bëjnë të pavdekshëm atdheun në secilën orë, në çdo zemër dhe gjithnjë... Lexuesi, në këtë mënyrë, duke ndier ngrohtësi në shpirt, turp dhe frymë, arrin te Simfonia e lules, një kurorë tingëllimash, që i kushtohet  parakalimit të luftëtarëve të UÇK-së nëpër shesh, nën dritën e atyre, që mungojnë, që ranë për të qenë gjithherë në zemrën e secilit dhe në përmendore të kombit. Gjatë parakalimit mes dritës së buzëqeshjes dhe dritës së lotit, zënë të zgjohen edhe plagë, edhe brenga, edhe ëndrra, për gjymtyrët e atdheut  të mbetura ende nën peshën e zinxhirit të robërisë.  Për ndonjë çast, megjithatë, ndonjëri harron çdo gjë, e i afron lulen e gjakut luftëtarit, akt, të cilin nuk ka ëndërruar ta përjetojë kurrë!

“Katana e purpurt” është libër i cili çel  në secilin lexim kuptim të ri, krijon kënaqësi të re. Ja pse, sapo ta përfundosh së lexuari,  ke dëshirë ta lexosh prapë dhe prapë. Një gjë të tillë lexuesi e gjen vetëm te krijimet e rralla, me vlera të veçanta, çfarë padyshim është dhe ky libër.



(Vota: 33 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora