E premte, 29.03.2024, 09:59 AM (GMT)

Kulturë

Bedri Tahiri: Metafora e vargut shërues

E diele, 25.01.2015, 05:00 PM


Përurim libri

Recension

Metafora e vargut shërues

(Dafina Xh. MUSA, Pranvera e shpirtit tim, Prishtinë, 2014)

Nga Bedri TAHIRI

Të nderuar prindër dhe familjarë të poetes Dafinë Musa!

Të respektuar mësimdhënës, kolegë, mysafirë e dashamirë të fjalës së bukur artistike!

E nderuara drejtoreshë e kulturës, Shpresë Rama, që e mbështete botimin e këtij libri dhe po u hap shtigje krijuesve të komunës sonë!

Dafinë e palodhur që dhuratën e parë na e solli për vitin 2015!      Të respektuar të pranishëm!

Se Dafinë Musa ishte një penë që premton, u pa qysh në përmbledhjen e saj të parë “Më kërko nëpër kujtime”, botuar më 2013, si maturante Gjimnazit “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë. Më vjen mirë që më doli profecia që atëherë pata thënë: Nëse libri i parë është çelësi për t’i hapur portat e mbretërisë se quajtur letërsi, lirisht mund të themi se kësaj ia ka dalë suksesshëm poetja debutonte, Dafinë Musa. Dhe, ja sot, pa kaluar moti, sërish vokacioni i saj poetik shpërtheu si krater vullkani dhe, lexuesve të saj të shumtë, ua dhuroi librin më të ri, përmbledhjen e bukur, “Pranvera e shpirtit tim”.

Vetë titulli, mjaft karakteristik e metaforik, reflekton gjithë përmbajtjen e atyre frymëzimeve të zjarrta vashërie. Kësaj here, këto krijime, përplot vrulle e hove rinore, janë konceptuar në tri cikle, që karakterizohen me ngjyrime të veçanta emocionale:

I.         Sprovime e përjetime,

II.        Përkushtime dhe

III.      Familjare

Cikli i parë- përfshinë krijimet që flasin për botën shpirtërore të heroit lirik, që në fakt është vetë autorja. Këto elemente të theksuara autobiografike janë vazhdimësi e përjetimeve dhe sprovave që i hasim edhe në librin e parë. Një botë e trazuar psikofizike, e mbushur me batica e zbatica, një botë përplot sfida e sprova, rënie e ngritje, që, deri diku, edhe janë të natyrshme për moshën rinore, në përgjithësi. Nëpër ato përqasje ndjenjash të përziera gëzimi e hidhërimi, midis dallgësh e përplasje stuhish, edhe timonieri më i mirë do ta kishte të vështirë ta mbante anijen të pa përmbysur.

Ajo, herë-herë, revoltohet edhe me rrethin që nuk e kupton e me njerëzit që e përbuzin, por atë pezëm e mbanë brenda të ndryrë në shpirt:

Nëse nga syri loti s’më rrjedh

S’do të thotë se zemra s’më qan

Sidoqoftë, përkundër këtyre sprovave e sfidave, me një vullnet të fortë e të pathyeshëm, me dashuri e përkushtim, më vetëbesim, me mbështetje e kurajë, ia del mbanë, mund të keqen dhe mbijeton. Kështu, tek poezia Përderisa, poetja, arsyeshëm e bindshëm, sqaron se shpresa është ajo që e mbanë gjallë gjithë botën. Të gjitha vargjet e saj përshkohen nga një optimizëm e vullnet i paparë:

Çdo gjë duket e kot

Kur s’ke arsye për të cilën frymon

Sëmundja të rëndon

Përderisa s’ke vullnet të luftosh

Dashuria është krim,

Përderisa s’dashuron

Vdekja të duket e lehtë

Përderisa s’ke arsye për të cilën jeton.

Pra, pas gjithë atyre zhgënjimeve, thyerjeve, molisjeve, përpëlitjeve, pesimizmit, vjen një çast ngritjeje shpirtërore, optimizmi, sforcimi dhe shpresa për të fituar e mbijetuar. Sakaq, vargu i saj merr kahe tjetër. Ai bëhet shërim shpirti. Mjafton të nënvizohet vargu antologjik:

Njeriut nuk i duhet forcë që të forcohet

Por mend që të vetëdijesohet...

E veçanta e këtyre poezive është se ato frymojnë lirshëm, pa skema e rregulla të ngurta konvencionale. Ky varg i lirë, ashtu si lulet e pranverës që shpërthejnë ende pa shkrirë bora, heq dilemat e kornizave e rregullave klasike, që jo rrallë, ngufasin poezinë tonë. Këtu nuk kemi fare mistifikime. Ajo është konkrete, e drejtpërdrejtë, saqë, në poezinë Zëri i shpresës, del edhe emri i autores:

Diku thellë në brendësi

Një zë s’pushon se pëshpërituni

Eja Dafinë, bashkë do t’ia dalim

Është ky zëri shpresës që s’më le të ndalem...

Cikli i dytë- ngërthen poezitë që kanë dalë nga gjirmë e zemrës për më të dashurit e jetës së saj, për prindërit, për familjarët, gjyshen, motrën, vëllain. Dashuria për prindërit ua kalon të gjitha dashurive ekzistuese.

Mirëpo, strumbullar i të gjitha këtyre përkushtimeve është babai i saj, i cili e kuptoi më së miri dhe iu gjend gjithmonë pranë. Atij ia kushton edhe gjithë librin. Për të ai është gjithçka, është dielli që rrezon botën. Poezia Pranvera e shpirtit tim, titull metaforik, me të cilin u pagëzua edhe libri, paraqet kulmin e dashurisë sublime për të:

Je pranvera që vjen çdo vit dhe e lumturon universin tim

Je pranvera që lë shijen e mjaltës në çdo shtëpi...

Edhe në ciklin e tretë, sërish nxjerr margaritarë për familjarët e saj të dashur. Kështu, nënën e quan Mbretëreshë:

Ti mbretëreshë që ndriçon

Që çdo gjeje në botë bukurinë ia shton...

Dashuria për të nuk ka fund. Asaj ia kushton disa poezi, sepse:

Ty Nënë të falënderoj pafund

Ty që je sinonim i së mirës

Ty që i jep dritë errësirës

Ty që të keqen me butësi e shkatërron

Ta që boshllëqet i plotëson...

Vargje të bukura janë skalitur edhe për gjyshen, edhe për motrën, edhe për vëllain edhe për sherrin e vogël me emrin ETI, i cili me ëmbëlsinë tij gazmon gjithë shtëpinë.

Në të përfunduar, mund të themi se poetja  e re, Dafinë Musa, tashmë e ka krijuar profilin e vet krijues. Vargu i saj melodik dhe përmbajtjesor ka evoluar mrekullueshëm dhe po ecën mbarë, duke u përsosur artistikisht. Stili i saj i lehtë, rrëshqet si mjalti nëpër hojet, për çka edhe vargjet e saj përpihen nga lexuesit e të gjitha moshave dhe niveleve. Besoj se libri do të pritet mirë e Dafina do të na dhuroj, përherë e më shumë, libra të rinj.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora