Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kabil Bushati: Nëpër labirintet e familjes Çeka

| E premte, 23.01.2015, 07:39 PM |


Nepër labirintet historike të familjes Çeka

Nga Kabil Bushati

Qyteti i Shkodrës seç ka një magji befasuese nga qytetet e tjera të Shqiperisë. ai përcjell nga mesjeta dhjetra familje aristokrate të cilat kanë bërë emër në historinë e kësaj treve dhe më gjerë. Ato vijojnë të rrezatojnë shkelqimin e tyre të dikurshëm dhe të mbartin në vetvehte vlera të çmuara. Sa më shumë ti gërmosh aq më tepër ndriçojnë, një veçori e mrekullisë shkodrane. Një nga keto familje të këtij qyteti është familja Çeka të cilët kanë qenë pronar të mëdhej tokash, më pas janë marrë me tregti me jashtë, janë marrë me rreshperi dhe me politikë për kombin e vet. Ajo bie në sy në lagjen “Ndoc Mazi”, në një kryqëzim të zhurmëshëm, më avllija të larta rrethuar me shermashek e lule vile. Një vlerë të veçantë ka kjo banesa mbi 250-vjeçare ku aktualisht vazhdojnë të jetojnë Ëngjëlli dhe vëllai i tij Mikeli me familjet e tyre. Një banesë karakteristike shkodrane, me stil oriental, e cila që nga viti 1963 gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së parë. E ndodhur përballë konviktit të shkollës së gjuhëve të huaja, shtëpia e madhe dykatëshe e Çekajve duket si në ndonjë muze etnografik apo kështjellë e vjetër mesjetare, të cilat i ndesh rrallë. Muret e larta rrethuese nuk lejojnë që ajo të vërehet nga jashtë, por hapësirat e bollshme, gdhendjet me dru janë dëshmi e vlerave të saj kulturore. Origjinalitetin e saj, aktualisht vazhdon ta ruajë një nga dhomat e katit të dytë, të cilën Ëngjëll Çeka e ruan me shumë kujdes e përkushtim dhe e ka kthyer në një minimuze të familjes së tij.

Kjo sagë e ka zanafillën me Mikel Çekën, apo siç njihet ndryshe me mbiemërin Suma, i cili ishte djali i Pjetrit që rridhte nga familja e njohur tregtare nga qyteti i Shkodrës e cila rradhitet ndër familjet më të vjetra shkodrane, të cilat figurojnë të shënuara që në vitin 1736 në regjistrin e pagëzimeve që ka mbajtur familja Kamësi. Po kështu vëllai i Mikelit, Filipi i cili u lind në Shkodër në vitin 1826, qytar i përmëdur dëndur në histrinë e qytetit, ka qenë personi numër dy, në regjistrin e veçantë për të huajtë të cilët Konsullata franceze e kishte marrë nën mbrojtje, në bazë të dispozitave të marrëveshjes të përmbajtura në traktatet e lidhura ndërmjet Francës dhe Portës së Lartë të Stambollit dhe në fund të atij dokumenti të firmosur nga Konsulli francez në Shkodër, shkruhet: "Me besën e fjalës së dhënë, ne i japim atij këtë dhuratë për t'i shërbyer aty ku ja jep e drejta".

Sapo fillon te njihesh me të parët e kësaj familje,ajo nuk është një histori e zakonshmë, ajo të intrigon me degëzimet e saj. Po cila është origjina e familjes Çeka dhe cilët janë të parët e saj? Kush ishin Pjetri me Sokolin dhe pse u shpërngulën ata nga fshati i tyre duke zbritur në qytetin e Shkodrës ku ndërtuan shtëpitë e tyre? Si u trashëguan në gjatësitë e shekujve Çekajt e Shkodrës dhe si u bënë ata ndër familjet më të pasura të atij qyteti? Cili ishte aktiviteti i Filip Çekës dhe kontributi i tij në përfaqësinë e Shkodrës e cila mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit, të cilin Konsullata Franceze e Shkodrës e mori në mbrojtje duke e caktur si personin e dytë në regjistrin e veçantë që ajo kishte për të huajt në bazë të marrëveshjes me Portën e Lartë? Cili ishte Mikel Çeka dhe përse u dekorua ai nga Presidenti i Francës? Lidhur me këtë të kaluar të familjes Çeka si dhe origjinën e saj do flasim më poshtë duke u futë në labirintet e saj sat ë vjetra dhe aq të çuditshme.

Lidhur me origjinën e hershme të familjes Çeka, apo siç njihen ndryshe si shumë familje shkodrane,edhe me mbiemrin tjetër Suma, janë bërë disa hulumtime të shumta nga studiues të ndryshëm, janë hedhur shume hipoteza, por ajo që i ofrohet më tepër së vërtetës dhe konsiderohet nga më të saktit, është ai që ka bërë studiuesi i njohur shkodran Emil Shiroka në vitin 1984, i cili, përveç dëshmive të ndryshme gojore dhe hipotezave të ndryshme që janë trashëguar ndër disa breza si të vetë asaj familje, ashtu dhe atyre të tjera shkodrane, është mbështetur gjithashtu mbi dokumente të ndryshme arkivore dhe u është referuar studimeve të tjera që janë bërë më përpara rreth kësaj familjeje. Ky njihet si varianti i parë i origjinës së kësaj familje. Sipas studimit të Emil Shirokës, thuhet se origjina e hershme e familjes Çekaj, është nga lagjja "Bojej" e fshatit malorSumë, që sot bën pjesë nën juridiksionin e Komunës  së Postribës në Malësinë e Mbishkodrës. Studimi i tij është më afër së vërtetës dhe ta mbush mëndjen nga të gjitha drejtimet.

Kur pushtuesi turk shkeli për herë të pare tokën shqiptare dhe e pushtoi Shkodrën (bashkë me kalanë e saj), e cila asokohe shtrihej afër lumit Bunë dhe liqenit të Shkodrës, pjesa më e madhe e popullsisë së këtij qyteti, me burra, gra, fëmijë dhe pleq emigruan për në Itali, duke u larguar nga liqeni në Bunë dhe në detin Adriatik. Kurse disa familje të tjera u ngjitën lart në bjeshkë të Malësisë së Shkodrës. Në atë kohë thuhet se ndër të vetmit që qëndroi në qytet dhe nuk u largua që andej, ishte një pasanik i madh shkodran, të cilin Venediku e thërriste me emrin Çekaj, që ka kuptimin e fjalës "qarë". Një nga interpretimet e ndryshme që i bëhet kësaj fjale, ndoshta dhe ajo më e sakta, është se ai njeri kishte fituar shumë dhe ishte bërë i pasur, duke "luajtur me qarin". Ky njeri për të mos e humbur gjithë atë pasuri të madhe që kishte vënë prej kohësh, thuhet se bëri një kompromis me turqit, duke ndërruar besimin dhe nga katolik u kthye në mysliman. U quajt Haxhi Çeka. Dhe emir I Haxhi Çekës lakohet në historinë e Shkodrës.

Dhe labirintet vazhdojnë enigmatikë. Rreth origjinës së herëshme dhe trashëgimisë së trungut të kësaj familjeje, ka dhe varaint të dytë I cili te mrekullon. Sipas disa burimeve dhe disa hipoteza të tjera, ku në njërën prej tyre thuhet se në fshatin Sumë, në atë kohë jetonin dy vëllezër, të cilët quheshin Sokol (Kolë) dhe Pjetër Suma. Punonin pa përtuar, jetonin në qetësinë e fshatit dhe ishin në paqë me gjithkend. Veziri i Shkodrës kishte të dhënë se këta vëllezër rridhnin prej një familjeje bajraktarësh dhe u dërgoi fjalë që të shkonin për ta takuar në Shkodër, në sarajet e tij. Fjalës së vezirit, që ishte dhe sundimtari i Shkodrës, iu përgjigj vetëm një nga vëllezërit, Sokoli, kurse Pjetri nuk erdhi fare në Shkodër. Guximi I Pjetrit për të kundershtuar Vezirin kishte domethenie të madhe për atë kohë. Veziri i premtoi Sokolit se do t‘i jepte toka,ara e kullota dhe pasuri të tjera vetëm me konditë që ai të bëhej mysliman dhe pasi Sokoli e pranoi atë gjë, veziri e mbajti pranë vetes. Pas disa kohësh, veziri i tha Sokolit që të shkonte në fshatin Sumë dhe t‘i mbushte mendjen edhe vëllait, Pjetrit, dhe të gjithë fshatit që të zbrisnin në Shkodër dhe të ndërronin fenë, njëlloj siç kishte bërë dhe ai. Veziri nuk e kishte harruar Pjetrin dhe kundershtimin e tij. Por kur Sokoli shkoi dhe ia transmetoi Pjetrit mesazhin që kishte marrë nga veziri, Pjetri u indinjua shumë dhe për t‘i shpëtuar ndonjë hakmarrjeje të mundshme të vezirit, u largua nga fshati dhe për dhjetë vjet me radhë qëndroi i fshehur ndër miqtë e tij dhe nëpër male, duke bërë një jetë të egër dhe sjellë si komit. Duke u mërzitur nga jeta e keqe që bëri për afro dhjetë vjet nëpër male, ku disa herë iu rrezikua edhe jeta dhe I kishte ardhë shpirti me dalë, Pjetri vendosi dhe zbriti në Shkodër e shkoi drejt e në shtëpinë e Haxhi Çekës, për të cilin kishte dijeni se nga katolik ishte kthyer në mysliman. Pjetër Suma i tha Haxhiut se kishte shkuar aty për t‘i rënë në dorë dhe për t‘i kërkuar besë ta mbronte nga i vëllai i tij, Sokoli, i cili donte që t‘i ndërronte besimin. Haxhi Çekaj e mori në besë Pjetrin dhe e mbajti në shtëpinë e tij, duke i thënë se nuk e detyronte njeri për të ndërruar fenë. Pjetri ishte në besë të Haxhi Çekës dhe nuk guxonte njeri që ta prekte. Kështu, Pjetër Suma qëndroi për afro tre vjet në shtëpinë e Haxhi Çekës dhe mbas tre vjetëve Haxhiu i dha dhe të hollat për të ndërtuar shtëpinë e tij. Pjetri e ndërtoi shtëpinë e tij ngjitur me atë të Haxhiut, por kur e morën vesh turqit dhe shkuan për t‘ia shembur, Haxhi Çekaj u doli përpara dhe u tha se ajo ishte shtëpia e tij. Turqit ikën duke thënë se ajo është shtëpia e Çekës dhe që nga ajo kohë Pjetër Sumës i mbeti mbiemri Çekaj dhe në të gjithë Shkodrën ai filloi të thirrej Pjetër Çekaj. Kurse jashtë qytetit e nëpër fshatra dhe jashtë Shqipërisë, ku ai shkonte për tregti, njihej dhe thërritej Pjetër Suma.

Prandaj, që nga ajo kohë, edhe sot ajo familje njihet me dy mbiemrat, Suma dhe Çekaj. Po kështu, sipas këtij versioni, thuhet se edhe familja e njohur shkodrane Sokoli, që është e besimit mysliman dhe e ka origjinën nga fshati Sumë, është po nga trungu i familjes Çekaj dhe ajo rrjedh prej Sokolit, vëllait të Pjetër Sumës, i cili edhe ai u kthye në mysliman e mori mbiemrin Çekaj.  Pjetër Çekaj u martua dhe i lindën pesë djem: Preçi, Hila, Ejlli, Kola dhe Simoni. Dy djemve të mëdhenj, Preçit dhe Hilës, Pjetri u dha zanatin e rrobaqepësit, kurse djalin e tretë, Ejllin, e dërgoi në Romë, ku pasi u shkollua për xhakua (prift) erdhi e shërbeu në Shkodër dhe më vonë në fshatin Shirq, ku edhe vdiq e u varros në kishën e Shënapremtes.  Djali i dytë, Hila, nuk ishte i kënaqur nga puna e rrobaqepësit dhe më pas u mor me tregti lëkurësh, ku pasi mblodhi një sasi shumë të madhe shkoi dhe i shiti në Venedik.  Me paratë që fitoi nga shitja e lëkurëve, Hila bleu shumë mall, të cilin erdhi dhe e shiti në Shkodër në gjashtë dyqanet që i bleu së bashku me vëllezërit e tij.  Nga lekët që fitonte prej shitjes së lëkurëve në Itali, Hila blinte mall manifakture dhe vinte e shiste në Shkodër. Pasi u fuqizua shumë ekonomikisht, përveç Shkodrës, Hila filloi t‘i shiste mallrat që sillte nga Italia dhe në Gjakovë, Prizren, Shkup, Tetovë etj., ku hapi agjencitë e veta, që njiheshin me firmën "Suma" (Çekaj) dhe punësoi njerëz të besuar nga Shkodra.  Llogaritë e firmës, vëllezërit Çekaj (Suma) ia lanë Simonit, që ishte më i vogli i vëllezërve, por më i zoti prej tyre, ndonëse kishte fare pak shkollë. Pasi fituan shumë nga kjo lloj tregtie, vëllezërit Çekaj u martuan sipas radhës dhe blenë dyqane, vreshta e toka, të cilat shtriheshin në Bushat, Vrakë, Çelepie, Lezhë e deri në Zejmen, ku ata kishin 200 dynym. Hila ndërtoi një shtëpi të madhe me gjashtë dhoma në qytetin e Shkodrës, në atë vend ku sot njihet me emrin Arra e Madhe.

Dhe fillon të shpaloset me tërë madhështinë e saj pema gjenealogjike e familjes Suma, apo siç njihet ndryshe Çekaj. Pas Pjetrit dhe Sokolit, fisi në fjalë mori këtë rrjedhë: Preçi pati dy djem, Pjetrin dhe Zefin. Pjetri pati tre djem, Ndocin, Filipin dhe Mikelin. Ndoci pati dy djem, Pjetrin dhe Lecin. Leci pati dy djem, Toninin dhe Pjetrin. Zefi pati për djalë Ejllin që la nëntë fëmijë, një djalë dhe tetë vajza. Djali që quhej Gaspër, la tre djem, Ejllin, Zefin dhe Luigjin, të cilët nuk u martuan dhe ajo degë e familjes u shua fare. Tetë vajzat e Ejllit, ishin: Çilja, Angjia, Kusha, Dranja, Cina, Tonja, Lezja dhe Gjystja. Dy vajzat e mëdha, Çilja me Angjien, në vitet 1834 dhe 1837 u martuan me dy djemtë e Pjetër Shirokës, Shanin dhe Gaspërin. Kurse dy vajzat e tjera, Kushja dhe Dranja, po në vitet 1834 dhe 1837, u martuan me dy djemtë e Kol Shirokës, Ndrekën dhe Zefin. Vajza tjetër, Cina u martua me Pashko Muzhanin, Lezja me Loro Saraçin, Tonja me Filip Çurçinë, kurse Gjystja, më e vogla nga vajzat u dorëzua murgeshë. Kola la një djalë, Filipin i cili pati vetëm vajza dhe ajo degë u shua. Simoni, më i vogli, la katër djem, Matinë, Lazrin, Franon dhe Gaspërin. Matia vdiq, Lazëri shkoi në Francë e Franoja në Spanjë dhe nuk u kthyen më. Ndoci la vetëm vajza dhe u shua si degë, kurse Gaspëri pati djalë Kolën, i cili kishte djalë Zefin dhe Zefi pati dy djem, Nikolinin dhe Gaspërin.

Estabilishmenti  250-vjeçarë i Çekajve , është ndërtuar më shumë se dyqind vjet më parë, ku shekujt përplaseshin njëri me tjetrin, ndodhet diku në lagjen e dikurshme  "Arra e Madhe"  të qytetit të Shkodrës në rrugën "Vaso Pasha". Aty në atë shtëpi të rrethuar me mure të larta, banojnë së bashku me familjet e tyre, dy vëllezërit Engjëll dhe Mikel Çekaj, të cilët janë dhe pinjollët e fundit të Çekejve, që njihen si ndër më të vjetrit e qytetit të Shkodrës. E ndodhur përballë me konviktin e shkollës së Gjuhëve të Huaja, shtëpia e madhe dykatëshe e Çekajve, nga pamja e jashtme nuk të ngjall ndonjë kureshtje të madhe. Por gjithçka ndryshon kur futesh brenda dhe vetja të duket sikur je në ndonjë muze etnografik, apo kështjellë të vjetër mesjetare, të cilat shumë rrallë i ndesh në qytetet tona..Që nga ajo kohë e largët, ajo shtëpi tipike shkodrane ka humbur shumë nga origjinaliteti dhe formën e saj të parë vazhdon ta ruajë ende vetëm njëra nga dhomat, ku çdo gjë është e paprekur që nga shekulli i kaluar. Aty mbizotëron tavani i varur me gdhendje dhe oxhaku i madh i stolisur me ornamente e deri te sënduku i pajës, apo siç njihet ndryshe nga shkodranët e vjetër si "Arka e Venedikut", ngaqë familjet e pasura aristokrate të asaj kohe e blinin pajën e nuses në Itali. I gjithë ansambli arkitekturor që mbizotëron aty, që nga ndërtimi dhe zbukurimet me gdhendje në dru, e deri te mobiliet e reliket e vjetra të ruajtura me shumë kujdes prej më shumë se dy shekujsh, e detyruan Institutin e Monumenteve të Kulturës, që në vitin 1966 atë shtëpi ta shpallnin Monument Kulture. Ndonëse me profesion ekonomist, por me një pasion prej historiani për t‘u admiruar, 64-vjeçari Engjëll Çekaj prej vitesh ka hulumtuar ndër arkiva, biblioteka dhe në shtypin e kohës, duke nxjerrë dhe skeduar pothuajse të gjitha ato çka janë shkruar dhe thënë rreth trungut të familjes së tij, të cilat së bashku me dokumentet e tjera dhe reliket e rralla që disponon ajo familje, përbëjnë një pjesë të gjallë të historisë jo vetëm të Çekajve, por dhe të atij qyteti me tradita të lashta.

Dokumentet e Francës, reliket e rralla në shtëpinë e vjetër dhe karakteristike shkodrane të Çekajve, ajo çfarë të bie më tepër në sy, përveç fotografive të vjetra të varura në muret e asaj dhome të madhe, janë dy dokumente të vjetra të shkruara në frëngjisht. Një prej atyre dy dokumenteve mban datën 6 shkurt të vitit 1854 dhe është Patenta e Mbrojtjes, me të cilën konsullata franceze e Shkodrës ka pajisur vëllain e gjyshit të Engjëllit, Filip Çekën. Në atë dokument të titulluar "Patentë Mbrojtje", shkruhet: "Ne, Konsullata Franceze në Shkodër, vërtetojmë se zoti Filippo Suma, shtetas otoman, lindur dhe banues në Shkodër, është i regjistruar me numër 2 në regjistrin e veçantë për të huajt e mbrojtur nga kjo konsullatë, në bazë të dispozitave të marrëveshjeve të përmbajtura në traktatet e lidhura ndërmjet Francës dhe Portës së Lartë Otomane. Me besën e fjalës së dhënë, ne i japim atij këtë dhuratë për t‘i shërbyer aty ku ja jep e drejta", Shkodër më 8 shkurt 1854.  Nga konsulli De Diagruan. Këtë dokument, Konsullata Franceze e Shkodrës ia ka akorduar Filip Sumës për shërbimet që ai i kishte bërë asaj në atë kohë, kur nuk ishte më shumë se 30 vjeç. Kurse dokumenti tjetër, i cili i përket vitit 1895, është një medalje ari, e cila i është dhënë gjyshit të Engjëllit, Mikel Çekës (Suma), ku shkruhet: "Ministria e Punëve të Jashtme. Presidenti i Republikës Franceze, mbi propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Dekreton: Një Medalje Nderi prej Ari që i është lëshuar z. Summa, përkthyes ndihmës i konsullit të Francës në Shkodër të Shqipërisë, për shërbimet e bëra për interesat franceze, nga 1856-a, më 1895-ën". Shefi i shërbimit të protokollit Sh. Croziej. Lëshuar në Paris, më 23 prill 1895. Feliks More, Y. Hanoto.

Kush ishte Filip Çekaj? Po kush ishte Filip Çekaj dhe përse ai u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës? Lidhur me këtë, Engjëlli dëshmon: "Filipi u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1826 dhe ai ishte djali i Pjetër Çekës, familja e të cilit radhitet ndër më të vjetrat shkodrane që figurojnë të shënuara që në vitin 1736 në regjistrat e pagëzimit, që janë mbajtur nga familja Kamsi.  Nga tri dokumente pagëzimi të kishës që ruan familja e që i përkasin viteve 1830, 1871 dhe 1898, pjesëtarët e kësaj familjeje njihen dhe me mbiemrin Suma dhe kanë lidhje fisnore me fisin Sokoli të Shkodrës. Kjo gjë vërtetohet edhe nga të dhënat e ditarit të Mustafa Boriçit, që është ruajtur nga qershori i vitit 1844, ku ai, midis të tjerash, ka shkruar: “Fitova davanë me tregtarin Ndoc Çekaj”. Duke qenë se asokohe ishte në modë që familjet aristokrate t‘i dërgonin fëmijët e tyre për të mësuar në shkolla private, e më pas në ato fetare, edhe Filipi mendohet të jetë arsimuar në këto shkolla. Mirëpo deri më sot familja jonë nuk disponon asnjë lloj dokumenti shkollor të Filipit dhe këtë gjë e bazon në logjikën e familjeve të asaj kohe që i dërgonin fëmijët në ato shkolla për të mësuar gjuhët e huaja, gjë e cila u imponohej për nevoja të tregtisë. Që Filipi ka mësuar në ato shkolla, vërtetohet dhe me faktin se ai ka mësuar gjuhën frënge që përpara moshës 30-vjeçare, kohë në të cilën u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës. Ky fakt na lejon të supozojmë se atë mbrojtje, Filipi e ka marrë në radhë të parë si personalitet që ka qenë, se përndryshe nuk mund t‘i jepej ai privilegj". Me përfaqësinë e Lidhjes së Prizrenit.

Duke ju referuar studimeve të ndryshme historike  që janë bërë, Filip Çekaj njihet dhe si një nga organizatorët kryesorë të përfaqësisë shkodrane që mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit ose siç ruhet në memorien e popullit Lufta e Miletit, në vitin 1878.  Përkitazi  me këtë, Engjëlli dëshmon: "Nga viti 1854, kur Filip Çekaj u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës dhe deri në vitet 1878, kur ai figuron në shumë dokumente si një nga organizatorët kryesorë të Degës së Shkodrës për Lidhjen e Prizrenit, nuk ka ndonjë të dhënë se me çfarë është marrë në atë periudhë kohe. Në një studim të Stefanaq Pollos dhe Selami Pulahës, citohet një dokument që është shkruar një muaj përpara se të mbahej Lidhja e Prizrenit. Ajo është një protestë që shkodranët ia kanë dërguar ambasadorit francez në Stamboll, ku midis të tjerash thuhet: ‘Ne, katolikë e myslimanë, vëllezër prej shekujsh dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh, pëlqejmë më mirë të asgjësohemi, se sa të vdesim të poshtëruar e të skllavëruar‘. Ndonëse në atë dokument nuk jepen emrat e nënshkruesve të tij, kemi të drejtë të mendojmë se aty është dhe dora e vëllezërve Çekaj, Filipit dhe Mikelit, nisur nga fakti se ata kanë ditur frëngjishten dhe Filipi ka qenë ndër organizatorët e asaj proteste. Kjo gjë bëhet e besueshme nisur edhe nga fakti se Filipi ka pasur lidhje me qarqet e huaja diplomatike, që kanë qenë asokohe në Shkodër. Sipas dokumenteve historike, më 15 qershor, dy ditë pas hapjes së Kongresit të Berlinit, në oborrin e Medresesë të hapur nga Bushatlijte,që ndodhej pranë Pazarit të Vjetër të Shkodrës, është zhvilluar një manifestim popullor, ku është lexuar dhe një peticion që paria shkodrane ia dërgoi Kongresit të Berlinit në shenjë proteste. Duke parë firmëtarët e atij peticioni, shihet edhe emri i Filip Sumës, çka pohohet edhe nga studiuesi Xhafer Belegu në veprën e tij “Akte të Rilindjes”.

Po kështu, në një studim të akademikut  Kristo Frashëri, ku ai jep me përafërsi emrat e anëtarëve më aktivë të Komitetit Ndërkrahinor të Degës së Shkodrës, që dërgoi përfaqësinë e saj në Lidhjen e Prizrenit, radhitet edhe emri i Filip Sumës.Me datën 11 korrik u krijua Dega e Shkodrës e përbërë nga 20 anëtarë me në krye Daut Efendi Borçin. Dega e re e porsakrijuar  kaloi menjëherë nga fjalët në vepra,nga solidarizimi politik me vendimet e Lidhjes,në organizimin e shpejtë të njesive vullnetare të armatosura. Një dokument tjetër që vërteton pjesëmarrjen e Filip Sumës në përfaqësinë e Komitetit Ndërkrahinor të Degës së Shkodrës, është edhe ai i vëllezërve Çoba, ku midis të tjerash thuhet: “Na të premen, (Premten) u mblodhme e i vuni populli katër vetë, F. Çekën, N. Shirokën, Simon e Gjok Muzhani. Edhe dje kan kenë në komisjon edhe i kan prit fort mire”. Siç shihet,në bazë të këtyre dokumenteve dhe materialeve historike, emri i Filip Çekës figuron në përfaqësinë drejtuese të Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën, që nga korriku i vitit 1878 e deri në fund, pavarësisht nëse ka qenë i ngarkuar me detyra apo jo.  Mospjesëmarrja e tij në delegacionin e Shkodrës në Lidhjen e Prizrenit, ndoshta ka qenë e kushtëzuar prej statusit të tij prej “gjysmë diplomati” nga lidhjet që ai kishte me Konsullatën Franceze të Shkodrës", dëshmon Engjëll Çekaj lidhur me vëllain e gjyshit të tij, Filipin, i cili nga dokumentet arkivore, njihet dhe si pjesëmarrës me trupat vullnetare shkodrane në luftën e Plavës e Gucisë përkrah Jusuf Sokolit. Po kështu, Filip Çekaj figuron edhe si pjesëmarrës në luftën për mbrojtjen e Ulqinit nga malazezët në vitin 1879,luftë e cila I kapercen kufijte e legjendës, ku shkodranët në shenjë solidariteti dërguan dy formacione me vullnetarë.  Në njërin prej tyre ishte Filipi 60- vjeçar, i cili së bashku me Isuf Sokolin kishin nën komandë 40 vullnetarë shkodranë.  Filipi vdiq në Shkodër në vitin 1895 dhe për meritat e tij, në vitin 1978, ai është dekoruar me urdhrin "Për veprimtari patriotike". Po kështu, për nder të Filip Çekës, në shtëpinë muze, që aktualisht banon Engjëlli me të vëllain, Mikelin, në vitin 1989 u vendos një pllakë përkujtimore, që e cilëson atë si organizator të Degës së Shkodrës për Lidhjen e Prizrenit.

Për familjen shkodrane Çeka ka mbi 200 dokumente që flasin dhe shumica e tyre ndodhen në Arkivin Qendror teShtetit. Befasosh kur sheh se dy pjesëtarë të tjerë të këtij fisi kanë qenë dhe Gaspër e Ejll Çeka, të cilët ishin të njohur si orkestrantë e kompozitorë të të njohur  të këngës shkodrane, pjesëtarë të grupeve muzikore të kohës, që luanin në violinë e klarinetë.  Madje, siç tregon Ëngjëll Çeka, Ejlli është kompozitori i këngës brilante popullore "Sa shpejt ma vure këmbën", e njohur dhe e interpretuar edhe në ditët e sotme në ambjente dasmash e ahengjesh.

Filip Çekaj, nënprefekt i Monarkisë. Pas Filip Çekës dhe vëllait të tij, Mikelit, një nga pasardhësit e tjerë të trungut të familjes së njohur shkodrane, është edhe babai i Engjëll Çekës, Filip Çekaj (i riu). Lidhur me të kaluarën e tij, Engjëlli dëshmon: "Babai im, Filip Çekaj, u lind në vitin 1898 në këtë shtëpi dhe gjatë pagëzimit që iu bë në kishë, si kumbarë kanë qenë çifti francez De Guard, të cilët në atë kohë punonin në Konsullatën Franceze në Shkodër. Babai kishte edhe një motër, Gjystinën, e cila u dorëzua murgeshë dhe një vëlla, Angjelinin. Filipi u shkollua në Shkollën Tregtare të Shkodrës, të cilën e mbaroi në vitin 1920, nga ku u emërua si nëpunës finance në Bashkinë e Shkodrës. Më pas, Filipi punoi si drejtor i Financave në Krujë, Lezhë, Pukë dhe Durrës. Duke qenë se ai ishte një ndër njerëzit e besuar të Mbretit Zog, në vitin 1934 Filipi kaloi si kontingjent i Ministrisë së Brendshme dhe u emërua si nënprefekt në Delvinë, Ersekë dhe Konispol. Pasi punoi disa kohë si kryesekretar i Prefekturës së Vlorës, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Filipi u pushua nga puna. Me ardhjen e gjermanëve ai u emërua nënprefekt i Lushnjës, ku punoi vetëm një muaj dhe u largua që andej pasi e shpëtoi qytetin nga djegia e gjermanëve", e përfundon rrëfimin e tij Engjëll Çekaj për babanë Filipin. Më  pas sit ë gjithë shqiptarët monarkista, gjatë viteve të regjimit komunist deri më 1960- ën, punoi si llogaritar në Korçë, Fushë-Arës e Bushat, gjithmonë i survejuar nga Sigurimi, si ishfunksionar i lartë i Monarkisë së Zogut.

Në fakt, menjëherë sapo u çlirua Shqipëria, duke nuhatur klimën politike që po vinte dhe ndëshkimin që do të binte mbi intelektualët, duke parë tërbimin komunist të diktatorit u largua nga Shkodra dhe u vendos në Korçë tek njerëzit e gruas së tij, nënës sime. Atje kemi qëndruar familjarisht deri në vitin 1957. Babait nuk iu njoh asnjëherë si vjetërsi pune koha që kishte punuar në shtet para 1944-s. Kështu iu ngjau edhe nëpunsave të tjerë te monarkisë shqiptare. Në Korçë nuk e njihnin si në Shkodër, ndonëse dhe atje ishte i survejuar dhe kjo rezulton dhe nga një dëshmi e dhënë në hetuesi nga i arrestuari prej komunistëve, prifti korçar Papa Josif Mihali, i arrestuar nga komunistët më 31 tetor 1946, i cili pohonte se "Filip Çekën e kam njohur për të parën herë në vitin 1938 në Korçë, por me të vetëm çështje fetare kemi biseduar e asnjëherë politikë", thotë Ëngjëll Çeka.

Me ardhjen e demokracisë, Egjell Çeka u caktua drejtor i doganavet per rrethin e Shkodrës,detyrë të cilen e ushtroi me ndershmeri derisa doli në pension. Tashti bën një pleqëri aktive. Të lë mbresa fakti se me ardhjen e demokracisë së shumpritur, me marrjen e një pjese të pronave private,  familja Çeka e njohur për patriotizmin dhe atdhedashurin e saj, investoi dukshëm në fushën e arsimit, ku në njërën nga pronat e saj pak metra larg banesës karakteristike ku ata jetojnë edhe sot, ndertuan një shkollë. E ku ka gjë më të bukur se të investosh për fëmijt e qytetit tënd. Shkolla 9-vjeçare ka emrin simbolik “Miqësia”.Pronarja,bashkeshortja e Engjellit,Flora, njëheri edhe drejtoresha e kësaj shkolle i ka dhënë një prioritet të dukshëm profilit të saj muzikor. Engjelli ka dy djem, Gjorgjin dhe Ervinin, ndersa edhe Mikeli ka dy djem,Filipin dhe Eugjenin.Te gjithe djemte e familjes jane të martuar dhe kane femijë e tyre…Kjo ishte shkurtimish historia e familjes Çeka. Eh sa familje të vjetra e shumë të përmendura ka kjo rrugë si ajo Shiroka,Guga,Çoba,Suma,Shuli,Gjonej,Kraja, Kamsi etjerë. Eh Shkodër ti me mrekullon me historitë e tua.