E premte, 29.03.2024, 11:23 AM (GMT)

Editorial

Idriz Zeqiraj: Luftëtarët e djeshëm, varfanjakët e sotëm

E premte, 23.01.2015, 08:04 PM


LUFTËTARËT E DJESHËM, VARFANJAKËT E SOTËM TË ANASHKALUAR

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Turniri sportiv humanitar, i organizuar në prag të pushimeve verore, përmbylli veprimtaritë e gjysmës së parë të vitit. Ky aktivitet sportiv, tashmë, i kthyer në traditë për Shoqatën "Sali Çekaj", është i veçantë në Mërgatën tonë. Të vetëdijshëm për qëllimin fisnik të organizatorëve për manifestimin sportiv - garues, pjesëmarrësit janë fort vullnetshëm për të kontribuar, që nga pagesa për regjistrimin për turnirin sportiv e deri tek ushqimi dhe pijet freskuese. Nga organizimi i këtij turniri sportiv humanitar janë tubuar 3.577 euro, të cilat u janë dhuruar familjeve skamnore në Kosovë dhe në trevat tjera shqiptare.

Të harruar nga pushteti mafioz

Në përfundim të aktivitetit, kryetari i Shoqatës, Osman Ferizi, në emër të Kryesisë, falendron pjesëmarrësit, duke e bërë transparencën e duhur për shumën e parave të tubuara përgjatë aksionit humanitar si dhe destinimin, përcaktimin përse do të përdorën paratë në fjalë.

Anëtarët e dy Shoqatave, të pagëzuara me emrin e komandantit dhe të komisarit Sali Çekaj, përkatësisht në Gjermani dhe Zvicër, të drejtuara nga bashkëluftëtarët e heroit Sali Çekaj: Osman Ferizi dhe Saim Tahiraj, të cilët kanë edhe shokë të tjerë të luftës si dhe anëtarësi me përkushtim shumëvjeçarë, për ta ndihmuar popullin e Kosovës në kohë pushtimi dhe terrori, luftën për çlirim, tani, në liri, janë orientuar për të ndihmuar invalidët, luftëtarët e djeshëm, varfanjakët e sotëm, të anashkaluar, të harruar nga pushteti mafioz e kriminal,  i cili, me cinizëm e përtallje, thirret në "luftën e bërë", më sakt, luftën e pabërë!

Si vrojtues nga afër, me prani në dorëzimin e çilsave të shtëpisë, këtyre invalidëve dhe luftëtarëve, njohja me modestinë e tyre, që, gjithësesi, të imponon respekt, ata, më shumë se sa skamja personale, i shqetëson padrejtësia kolektive. Këta njerëz të mirë, atdhetarë të devotshëm, që njëmendësisht e vunë jetën e tyre në roje e shërbim të Atdheut, kurrë nuk protestuan për mbrojtjen e kriminelëve, kur, me të drejtë, prangoseshin për krimet e tyre makabre; kurrë nuk kërkuan rroga e privilegje; kurrë nuk kërkuan favore për vete dhe fëmijtë e tyre, edhepse do t`u gëzoheshin shkollimit të fëmijëve të tyre. Madje, ka syrësh, fëmijtë e të cilëve shkëlqejnë në mësime, por nuk kanë mundësi materiale për shkollimin e tyre.

Është folur dhe shkruar edhe më parë për veprimtaritë e shumanshme të dy Shoqatave simotra, me emrin e përbashkët "Sali Çekaj", përkatësisht, në Gjermani dhe Zvicër. Dhe, gjithëherë në supërlativë e faktueshëm. Andaj, për t`i ikur tautologjisë, përsëritjes, ne do të pasqyrojmë vetëm veprimtarinë e kohëve të fundit, madje, vetëm për njërën syrësh: Shoqatën "Sali Çekaj" në Pfaffenhofen të Bavarisë, Gjermani.

Kur Shoqata ka përmbyllur një aksion, ajo fillon me aksionin e radhës, pjesë e planifikimit në programin e saj. Për ta nisur ndërtimin e një objekti, shtëpi banimi, Shoqata konsultohet, paraprakisht, me eprorët ushtarakë të luftës, të cilët propozojnë njeriun, ish-luftëtarin meritor në nevojë. Diç të tillë kanë të drejtë ta bëjnë edhe anëtarët e Kryesisë ose, thjesht, të anëtarësisë. Por, verifikimi i propozimeve, madje nga kushdo qoftë, është detyrë e Kryesisë.

Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj" ka një përfaqësim të harmonishëm të shtrirjes gjeografike të Kosovës e më gjerë: nga Kosova Lindore, Kaçaniku, Llapi, Vushtria, Drenica, Klina, Gjakova, Deçani, Prizreni, Peja, Lezha (Shqipëri) e tjerë.

Ushtari i Kosharës, Nimon Arifaj, favorit i Shoqatës

Favoriti i radhës i Shoqatës zëmirë "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen të Bavarisë ishte Nimon Arifaj, ish-ushtar i Kosharës. Sugjerimin për ta bërë me shtëpi ushtarin në fjalë e dha ish-Komanda e tij. Kryesia, në konsultim me anëtarësinë, aprovoi sugjerimin e eprorëve të Kosharës dhe aksioni filloi.

Ndonëse aksionet e Shoqatës janë në vijmësi, anëtarësia e Shoqatës, mërgimtarët bashkëkombas vendorë, nuk mund t`i përballojnë të vetëm. Andaj, kryetari Osman Ferizi, me bashkëpunëtorë, ka zgjëruar rrethin e vullnetarëve solidarë përtej Pfaffenhofenit, si në: Mynih, Starberg, Rosenheim, Wiesbaden, Mannheim, Landshut, Ludwigshafen, Koblenz, Stuttgard dhe qendra tjera, ku punojnë e jetojnë miq e dashamirë të veprimtarëve të Shoqatës. Në një kohë rekorde u tubuan 24.500 euro, duke përshpejtuar dorëzimin e çilsave të shtëpisë ish-ushtarakut të Kosharës, Nimon Arifaj.

Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj" vlerëson lart kontributin vullnetar të mërgimtarëve. Ajo mendon dhe vepron për koston, çmimin më të lirë të mundshëm për realizimin e një aksioni, pa e dëmtuar fare cilësinë e objektit. Për kryerjen e disa punimeve anësore, qoftë sigurimin e lëndës drusore; të gurëve dhe të rërës; bërjen e projektit, angazhon bashkëvendorët, të cilët ndihmojnë vullnetarisht, pa shpërblim.

Gjithashtu, Kryesia e Shoqatës, nën përkujdesjen direkte të kryetarit Osman Ferizi, kontrakton firma vendore, të cilat, duke vlerësuar nismën solidare humanitare të mërgimtarëve, për ta bërë skamnorin me konak, shtëpi, punojnë pa asnjë përfitim, vetëm sa për të mbuluar shpenzimet e domosdoshme, siç janë pagesa e punëtorëve dhe të tjera.

Përfundimin e një aksioni në Raishe të Deçanit, e pason nisma për ndërtimin e një shtëpie tjetër, tashmë, në fshatin Semaj të Kaçanikut, gjithashtu për një ish-luftëtar të Kosharës, Jeton Xhemajl Hasanit. Sugjerimi, kërkesa për këtë aksion është bërë nga ish-luftëtari dhe asamblisti i Kuvendit komunal të Deçanit, Bekë Osmanaj.

Shoqata "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen të Bavarisë, veprimtarinë e saj humanitare e dëshmon edhe në degëzime tjera. Me 400 euro është ndihmuar Klubi Futbollistik "FC Kosova", në Mynih; ndërsa me 300 euro është ndihmuar ushtari i UÇK-së Ali Mehmet Hoxha, nga fshati Budakovë i Suharekës. Më 2.500 euro do të ndihmohet  një ushtar tjetër i UÇK-së, Ismet Kyçyku, në lagjën "Arbana" të Prizrenit. Këtë ndihmë e ka sugjeruar dhe motivuar anëtari i Kryesisë të Shoqatës, Azem Daka.

Harmonia ndërfetare - traditë e shqiptarëve

Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen të Bavarisë, e përbërë nga Osman Ferizi - kryetar, Gazmend Dashi - nënkryetar, Zymer Zeneli - arkatar, Mustafë Shala, Azem Daka, Ardian Ndreka, Rafet Mehmeti, Shemsi Haziri, Ymer Graiçevci, Shaban Muli, Selman Syla, Maxhun Smajli- anëtarë, është unike, e njëmendjeje në marrjen e vendimeve për veprimtaritë e Shoqatës. Dikur, Shoqata shfrytëzonte bujarisht lokalet e Kishës Protestante, ndërsa tani ka siguruar një lokal me hapësirë të bollshme me qera mujore.

Shoqata bashkëpunon me të gjitha institucionet fetare, qofshin ato shqiptare, gjermane dhe të popujve tjerë, me rezidencë në Pfaffenhofen dhe qytetet tjera në Republikën e Bavarisë. Në veprimtaritë, manifestimet e ndryshme të Shoqatës, janë pjesëmarrës klerikët e konfesioneve, besimeve të ndryshme. Ata ftohen në tribunë dhe japin mesazhe paqeje, harmonie dhe dashurie ndërnjerëzore, pavarësisht ndryshimeve  në formën e besimit, gjuhës, racës, gjendjes ekonomike të popujve. Shoqata ka organizuar takime - debat lidhur me polarizimet, ekstremizmin fetar në shoqërinë e përbotshme njerëzore, si profilakësi, parandalesë për mjedisin shoqëror vendor.

Shoqata shqiptaro - gjermane "Sali Çekaj", në Pfaffenhfen të Bavarisë, në kuadrin e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me administratën komunale dhe institucionet fetare vendore e më gjerë, dy vjet më parë parashtroi kërkesën, bindshëm të motivuar, për vendosjen e bustit të Nënës Tereze, të kësaj Nëne të përbotshme e hyjnore, në Kompleksin e Kishës Katolike në Pfaffenhofen të Bavarisë. Kjo kërkesë, sa fisnike e njerëzore, aq edhe atdhetare, e Shoqatës është pranuar dhe aprovuar më 17 qërshor 2014. Ndihmesë të pashoqe për këtë ka dhënë edhe Prifti Faulhaber, tashmë, i ndjerë. Ndjesë pastë! Shoqata e kujton me respekt e admiratë dhe lutet për prehjen e Tij në paqen hyjnore! Shoqata ka hartuar planin për realizimin e këtij projekti dhe aksioni të shënuar.

Shkolla shqipa - kërkesë legjitime

Në një takim me ministrin e Diasporës në Mynih, autori i këtij shkrimi shprehu shqetësimin për nivelin e përtokshëm të Shkollës shqipe në Mërgatë. Madje, duke shprehur keqardhje të skajshme për krahasimin, bëri pyetjen shokuese: " A e dinë Ministri me bashkëpunëtorë se Mësimi në Gjuhën Shqipe në Mërgatë, ka qenë shumë më mirë i organizuar dje, nga ish-Jugosllavia, se sa sot nga shteti i Kosovës së lirë"! Thonë se e vërteta vret shumë dhe ministri në fjalë u hodh "si zorra në prush", reagoi ashpër e pamatshëm, se "nuk e dua Jugosllavinë me ma lye edhe me ar", por pa mundur për ta demantuar një të vërtetë absolute.

Përkeqësimi i Shkollës Shqipe në Mërgatë ka filluar në vitet `90-a, duke u stërkequr pas çlirimit të Kosovës, edhepse duhej të ndodhte e kundërta. "Tani e keni shtetin e Kosovës dhe kjo është përgjegjësi e administratës shtetërore", - thonë organet lokale e qendrore në shtetet ku punojnë e jetojnë shumë mijërat e mërgimtarëve shqiptarë. Kjo është edhe pengesa bazë për klubet e shoqatat shqiptare në Mërgim, të cilat nuk arrijnë ta bëjnë organizimin e pavarur, pa ndërhyrjen e organeve kompetente të Kosovës.

Mërgimtarët e Pfaffenhofen-it, të organizuar në Shoqatën e tyre zëmadhe "Sali Çekaj", me kohë kanë kërkuar hapjen e Shkollës shqipe, me mësim plotësues në gjuhën amëtare, sepse numri i nxënësve shkollarë është rritur, shumëzuar. Por, heshtja nga Atdheu ka vazhduar, duke mos e marrë në konsideratë kërkesën në fjalë ose, më sakt, duke premtuar dhe mosrealizuar.

Ndërkohë, Shoqata ka vepruar njëanshëm, duke angazhuar fëmijtë, nxënësit shkollarë në folklorin burimor kombëtar: këngë, valle dhe recitime. Mësimin, ushtrimin e fëmijëve e bëjnë dy anëtarët e kryesisë të Shoqatës: Shemsi Haziri dhe Gazmend Dashi. Grupi artistik i fëmijëve shqiptarë merr pjesë në organizimet kulturore të qytetit, në shkolla, në manifestimet kishtare e tjera. Përfaqësimin dinjitoz e bën në emër të kulturës kombëtare shqiptare.

Festat kombëtare e shtetërore - relaksim për mërgimtarët

Kosova e lirë, qoftë edhe pjesërisht, ka shpenguar, në një masë, shpirtin e mërgimtarit, për të festuar hareshëm, për të gëzuar edhe në mërgimin e largët. Festat kombëtare e shtetërore janë një relaksim dhe organizimi i tyre publik është i mezi-pritshëm nga të gjitha moshat. Më se shumti u gëzohen këtyre festave fëmijtë dhe bota femërore shqiptare, e cila, edhepse jeton në civilizimin, qytetërimin kulmor botëror, përsëri pjesën më të madhe të kohës gratë e kalojnë në shtëpi.

Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen, i njeh këto dëshira të mërgimtarëve, andaj edhe organizon festimin publik, në sallë, me pesëmarrjen e fëmijëve në programin artistik dhe të këngëtarëve të muzikës popullore. Pjesë e programit, me shoqërimin koral të disa këngëve të bujëshme dhe në vallëzimin masiv bëhet edhe publiku. Dhe, kjo hare zgjatët në kohë, në shumë orë. Por, gratë e vyeshme mërgimtare janë të gatshme të gatuajnë dhe të sjellin ushqimet e lloj-llojshme të kuzhinës tradicionale shqiptare, të cilat gjithëherë pëlqehen nga mysafirët vendorë - gjermanë, të pranishëm në festat tona.

Ngritja e Flamurit në Vlorë- kryefestë kombëtare

Festa e Flamurit kombëtar, e pavarësisë të Shqipërisë, mbylli serinë e manifestimeve për vitin e shkuar. Interpretimin e Hymnit Kombëtar e bënë vajzat: Rinora Hoxha dhe Kolesa Hysenaj. Moderatorja rinore, Fjolla Haziri, e lindur dhe e rritur në këtë mjedis, nga prindër të mrekullueshëm dhe veprimtarë të palodhur, realizoi suksesshëm moderimin e kësaj mbremjeje festive. Anëtari i Kryesisë, Shaban Muli, në hapje të manifestimit, përshëndeti mysafirët dhe mërgimtarët e pranishëm në sallën festive, të dekoruar dhe të zbukuruar për ngjarjen më të shënuar historike.

Fjalën e rastit për Pavarësinë e Shqipërisë dhe Flamurin Kombëtar, për datën e shënuar kombëtare e historike, e mbajti anëtari i Kryesisë të Shoqatës, poeti nga Kishna Reka e Drenicës, Selman Syla. Ai përvijoi shkaqet, rrethanat dhe aktorët e realizimit të pavarësisë dhe të ngritjes të Flamurit të Skënderbeut nga plaku urtak vlonjat Ismail Qemal Vlora.

Mërgata shqiptare i ka heronjtë e vetë, i ka veprimtarët veteranë, të cilët, të ngulitur në trojet e huaja, në vitet `70-a, si djem të rinj, kanë mbetur gjithnjë aktiv edhe sot në moshën tej 70 vjeçare. Ata, zakonisht,  nuk mungojnë as në raste gëzimesh, festash, por as në hidhërime në mjediset ku vepron Shoqata. Kësaj radhe munguan me arsye veprimtarët veteranë: bacë Nikollë Skeli, i cili kishte mort në familje dhe bacë Mehmet Koka, i cili u ndodh në Atdhe. Por, ata u bënë të pranishëm me telegramet që i dërguan asaj mbremjeje festive Shoqatës "Sali Çekaj", me urimet më të mira për të pranishmit, duke shprehur pengun e madh që mungonin, për herë të parë, në kremtimin e kryefestës, siç është ngritja e Flamurit Kombëtar, tej një shekulli më parë, në Vlorën tonë historike.

Programi festiv vazhdoi me recitimin e Era Kolgecit "Vlora nuse". Pastaj, vargje të përzgjedhura nga "Gjuha jonë" e Naimit dhe "Lahuta e Malsisë" të Fishtës, interpretuar nga Vlera Kolgeci, Rinora Muli dhe Adriatik Daka. Grupi i fëmijëve mbylli pjesën e parë të programit me "Vallja e Pavarësis" dhe "Vallja e Burrave", me regji dhe skenim nga Gazmend Dashi e Shemsi Haziri.

Në pjesën e dytë të programit protagonistë janë këngëtari Shefqet Rexhepi dhe Mirëjeta Selimi, nën shoqërimin muzikor të sinistit Afrim. Ndërsa vallëzimi ka autorësi të përbashkët - publikun, me dominim të dukshëm të botës femërore.

Shoqata "Sali Çekaj" bashkëpunon me Shoqatat simotra

Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj", me kryetar Osman Ferizin, u kushton rëndësi të veçantë bashkëpunimit me shoqatat simotra të Mërgatës dhe në veçanti të atyre që veprojnë në hapësirat e Bavarisë. Njëra nga këto është edhe Shoqata "Rrufeja" e Mosburgut. Në mbremjen festive të Flamurit, kjo Shoqatë prezantoi praninë e saj me kryetarin  Shaip Buleshkaj, nënkryetarin Naim Haxhijaj, anëtarin e kryesisë Arif Arifaj dhe Luan Haxhijaj, të cilët shoqëroheshin edhe nga familjet e tyre.

Spontanisht e natyrshëm vallëzimi u kthye në një spektakël artistik burimor. E reja shtat-selvi, Majlinda Haxhijaj, nga Shoqata "Rrufeja", e veshur me fustanin-flamur, të dizanjuar në Kosovë, tërhoqi vëmendjen e publikut numerikë. Majlinda, e shoqëruar nga e motra Arlinda, kushërira Eglantina Haxhijaj dhe simotra tjera, vajza e nuse, si dhe djem e burra masivë, i dhanë sharm dhe hijeshi mbremjes festive.

Shoqata ka një bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimtarive me aktivin simpatik të LDK-së të Starnbergut. "Edhepse e shtunë, punova deri në orën 20.oo, sepse gjermanët duan respektim të orarit të punës. Një orë bëra për të dalë nga qyteti i Mynihut dhe për të ardhur në Pfaffenhofen. Kryesia dhe anëtarësia e Shoqatës "Sali Çekaj" janë të organizuar mirë dhe po bëjnë punë të mbara për Kosovën. Prandaj, në respekt të kësaj Shoqate erdha për të festuar së bashku, edhepse tri orë me vonesë", - thotë Afrim Mulaj, njëri nga donatorët në të gjitha aksionet që ka ndërmarrë Shoqata e zëshme "Sali Çekaj" në Pfaffenhofen  dhe aktivi i LDK-së në Starnberg të Bavarisë.

Figurë të shkëlqyer, në mbremjen festive, bëri një grup djemësh nga Ingolstadt-i. Përgjatë gjithë mbremjes ishin gazmorë dhe aktiv në kërcim, vallëzim dhe shoqërim të këngëtarëve. Nga porosia e këngëve luftarake dhe të trimërisë, mësuam se ishin nga Drenica. Edhe atëherë kur këngëtari përshëndeti për fund të kremtimit, djemtë e Drenicës shtruan "sofrën", për të vazhduar me këngë dhe valle. Këngëtarët dhe publiku u "dorëzuan", për të vazhduar ahengun, muzikën.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora