E marte, 19.03.2024, 02:40 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: 17 Janar i harruar!

E enjte, 22.01.2015, 07:30 PM


17 Janar i harruar!

Nga Elvi Sidheri

17 janari, nuk është një datë dosido, as nga ato të harrueshmet që rëndom na ikin tinzash pa u vënë re, ashtu si shumë data të tjera me rëndësi historike kapitale, neve shqiptarëve, një populli të njohur për kujtesën e tij shpesh të shkurtër dhe tejet selektive.

Në këtë rast “Tabula Rasa” që simbolizon kujtesën tonë të fshirë historike, pati të bëjë fort, me 547 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që kaloi si të ish një ditë ndër të shumtat në Shqipërinë e 2015-ës, midis pakënaqësish të mirëkuptueshme për çmime nafte skandaloze, shqyrtime të imtësishme poçash që llamburisin “paturpësisht” pa lejen e ish ÇEZ-it, dhe një morie problemesh të ngjashme, të shqiptarëve të ngratë.

Nuk është faji i popullit fundja!

Populli ka të tjera prioritete më jetike, sesa kujtimi dhe nderimi i simboleve të veta kombëtare, ndërsa tjetërkush në sferat më të larta të akademikshme, të letrarshme, të historikshme e kështu me rradhë, do të ish dashur ta gjente kohën, për t’i përkushtuar pakëz vëmendje, fanarit ndriçues më të shquar të trashëgimisë së pandërprerë, të shpirtit të lirë të shqiptarëve ndër shekuj.

Sido që të jetë, 17 janari vate dhe shkoi, e nuk u mor vesh qartë nëse për Skënderbeun e lau kush gojën për ta përkujtuar qoftë edhe shkarazi së paku, apo në mos e vuri ndokush një tufë apo buqetë lulesh sa për “qokë” në mauzoleun e tij modest në Lezhë pranë lumit Drin.

Unë nuk jam ndër ithtarët e përkujtimit masiv, ose më keq, të kremtimit ciklik të ngjarjeve të hidhura për një vend apo popullin e tij, ashtu siç ndodh vazhdimisht me fqinjët tanë serbë për shembull, të cilët festojnë përdëllyeshëm me lot në sy, hundë të qurravitura dhe çjerrje histerike, humbjen në Betejën e Fushë Kosovës.

Betejë që për të tjera, sipas të gjitha fakteve historike, nuk qe luftuar vetëm prej etnitetit serb kundër hordhive të egra osmane, që porsa patën nisur hovin e tyre drejt Europës (në orvatjen jetëgjatë, për t’u dhënë ujë kuajve të kalorësve turq, mu në mes të sheshit Shën Pjetër në Vatikan), por në të cilën patën marrë pjesë në mënyrë dhe kontribut të barabartë, edhe shumë fisnikë arbërorë, vllehë etj.

Fushë Kosova pra, ish vetëm njëra ndër etapat e shumta që përshkuan luftën e gjatë të popujve të Ballkanit dhe më gjerë, kundër pushtuesve turq-osmanë, paskëtej pati ardhur rradha e katër rrethimeve të Krujës, e rrethimit dhe mbrojtjes heroike të Shkodrës, luftërat e hungarezëve, rumunëve, e deri austriakëve përballë të njëjtit armik mizor oriental.

Beteja finale e Vjenës në vitin 1683, i pati vënë fré mësymjes shumëshekullore turke drejt brendësisë së kontinentit Europian, duke e shpëtuar kështu Perëndimin e qytetëruar, nga fati i zi, që pati pllakosur popujt e Ballkanit, ku shtypjen më të ashpër, tentativat më çnjerëzore për asimilim të përdhunshëm etnik, fetar dhe kulturor, dhe zhbërjen gati totale të qenësisë së tyre kombëtare e territoriale, e pësuan përgjatë pesë shekujve të errët të sundimit osman, pikërisht shqiptarët.

Gjithësesi, po thoja më lart, se nuk jam fare i idesë (“À mon avis”, siç do thoshin francezët), se duhet të kremtojmë ditët e zeza të historisë sonë.

Dhe padyshim që vdekja e heroit tonë kombëtar më 17 janar të vitit të largët 1468, një ditë e këtillë ish!

Një ditë kur paraardhësve tanë arbërorë, iu fik drita, pishtari i shëndritshëm që ua tregonte udhën përmes mugëtirës së thellë orientalo-osmane, që kish nisur të gllabëronte përgjakshëm pandalur, trojet etnike ku banonte prej mijëvjeçarësh populli i Arbrit.

Jo më kot, qindra e mijëra arbëreshë më pastaj u patën detyruar që të lenë tokat e tyre, dhe të kapërcejnë detërat Adriatik e Jon, në përpjekjen për të jetuar të lirë, për t’i ruajtur gjuhën dhe doket e tyre të lashta iliro-arbërore, larg thundrës turqizuese të pushtuesve osmanë.

Nuk është aspak ndonjë rastësi ndërkohë, që gjuha arbëreshe, e mbijetuar me një vendosmëri stoike në dhé të huaj, sadoqë e rrethuar porsi të ish një pikë uji mes një oqeani të stërmadh, nga prania mazhoritare dominuese e gjuhës italiane, paraqet akoma sot e kësaj dite, vijimësinë e kulluar dhe të dëlirë, të arbërishtes së pastër arkaike, që i pat shpëtuar para 500 vjetëve, ndikimeve shkatërruese gjuhësore, të osmanishtes dhe turqishtes, mbi gjuhën shqipe të folur në mëmëdhé.

Kjo gjuhë shqipe që pikërisht në mëmëdhé, në Kosovë, apo edhe Maqedoni, tashmë përçudnohet dita-ditës, nga një sulm i pandërprerë injorance, një dërrmim i sintaksës së saj thelbësore, nga një varfërim i skajshëm i pasurisë së saj frazeologjike, nga një bjerrje e frikshme përdorimit të fjalëve të saj burimore, ashtu si edhe nga një tentativë e hapur për “Ri-Turqizimin Masiv Prapanik”, të fjalorit “modern”, të shqipes së 2015-ës, plot 102 vjet pasiqë etërit e Pavarësisë së Shqipërisë, mezi ia patën dalë që këtë vend dhe kulturën e tij, t’ia hiqnin nga kthetrat grabitqare, Perandorisë së cofur Osmane.

Ç’do të mendonte vallë vetë Gjergj Kastrioti, po të gjendej përballë kësaj batërdie të përditshme, të cilës i themi Shqipëri, apo botë shqiptare në përgjithësi, duke marrë parasysh edhe kontekstin e viseve shqiptare më gjerësisht, kjo gjë mbetet mister...!

Gjergji padyshim që nuk do të dëshironte mauzole madhështorë, muze apo kushedi se çfarë, në shenjë nderimi e përkujtimi për veprën dhe luftën e tij të pashembullt, pa të cilën shqiptarë dhe Shqipëri (& Kosovë), sot vështirë se do të kishte në faqe të tokës.

Heroi ynë, nuk do të donte ndoshta as ovacione, lavde, këngë, epose, lirika, opera, arje, apo dekorata me emrin e tij, që nguliten gjokseve të gjindjes shpesh të panjohur, për merita edhe më të paditura, por ai patjetër do të kish mendoj dëshirë, që populli i vet të mos përhumbej nëpër labirintet e një së tashmeje gri, të vagullt, të pajetë, të pashpresë, dritëshkurtër dhe apatike.

Një apati, një atrofizim i trurit të shqiptarit bashkëkohor, që nuk mund të përfshijë apo të prekë kurrësesi, kujtesën dhe praninë e patjetërsueshme në themelin, thelbin dhe palcën e shqiptarësisë së sotme, së shkuar dhe asaj të së ardhmes së afërt e të largët, të figurës së Gjergj Kastriotit.

Këtij njeriu që nevojitet ta kujtojmë përjetë, si në 17 janar kur dha shpirt trupi i tij tokësor, për t’u ngjitur emri i tij në qiellin e pavdeksisë së përjetshme, në 28 nëntorin e parë (1443) të ngritjes së flamurit me shqipen dykrenare në Krujën e çliruar nga dërrma osmane, ashtu edhe në 2 marsin ( e 1444-ës) e Besëlidhjes së Kuvendit të Lezhës.

Atij që ish bashkimi i parë historik i krerëve arbërorë në mbrojtje të atdheut, e që u pasua me epopenë më të lavdishme që shpata dhe zemra e shqiptarit, kanë shkruar ndonjë herë në faqet e historisë europiane dhe botërore, me atë 25 vjeçar ngadhënjimesh të njëpasnjëshme mbi murtajën e zezë osmane, që gjeti përherë veç  hundëthyerjen poshtë mureve të kështjellës së Krujës.

Kështu pra, më e udhës do të kish qenë, që këto ditë të qemë marrë cazë më tepër me Skënderbeun, sesa me lajmet për “Diskretitimin” e emrit të shokut Enver (ky farë përbindëshi gjakatar, është sidoqoftë po aq i vetëdiskretituar përgjithmonë, në të njëjtin nivel me Xhengis Khanin, Pol Potin, Adolf mustaqemiun, Lenin mjekërcjapin, apo edhe Atilën e Hunëve, si një “kamzhik i vërtetë i Zotit”, që pati qenë njëlloj si kolegu i tij barbar, për shqiptarët gjatë 45 vjetëve të kobshëm).

Për ta mbyllur denjësisht këtë shkrim, më kujtohet si edhe shumëkujt tjetër, teksa na fanepset hija madhështore e Gjergj Kastriotit, fjalimi i tij legjendar (dhe jashtëzakonisht diplomatik), i mbajtur në Krujë, më 28 nëntor të vitit 1443.

-“Lirinë nuk ua solla unë, por atë e gjeta këtu mes jush”! – citohet të jetë shprehur kryetrimi i Arbërisë atë ditë, duke nënkuptuar se arbërit e tij, të lirë kishin lindur dhe patën qenë ngahera, në shpirt e zemër të paktën, pavarësisht pranisë së tij çlirimtare mes tyre.

Arbërit, qytetarët dhe banorët e Krujës e të krejt Arbërisë mesjetare, në ato vite të zjarrta ku etja për liri, farkëtohej me hekurin e nxehtë dhe tehun e mprehtë të shpatave të pamposhtura arbërore, bashkë me luftën vetmohuese të një populli të vogël e të lashtë, që përballej pa asnjë drojë me fuqinë ushtarake më të madhe e të pamëshirëshme të kohës, gjithësesi e kishin kuptuar qartë, thelbin e atyre fjalëve që Gjergji u pat thënë profetikisht.

Ato 25 vjet, ishin vitet e Lirisë për popullin e Arbrit dhe gjakun e Skënderbeut, ndërkohë, sa të lirë kemi qenë dhe jemi ne shqiptarët përgjatë këtyre 547 viteve të mëpasshëm, akoma nuk është plotësisht e sqaruar krejt!



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora