E premte, 19.04.2024, 03:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Odise Gremo: Kumbari i hënës

E merkure, 21.01.2015, 06:47 PM


KUMBARI I HËNËS

 

POEZI NGA ODISE P. GREMO

 

KANUNI I LISAVE

 

Me zjarr në dorë  u lëshua stuhia,

Dallgët u ngritën të ndanin retë,

Tutje në pyllin me lisa ra zia,

E vranë sërish një lis rrufetë.

 

Po lisat urrejtje për retë nuk zbrazën,

Gjakmarrje s’kërkuan për vëllanë e tyre,

Vetëm krahët nga dhimbja përplasën

Dhe lajmin e vdekjes përhapën në pyje.

 

Kanunin e mbuluan me gjethe nën këmbë

Dhe reve s’ua prishën qetësinë,

Por vetëm një lis kur sytë hodhi në hënë,

Hënën kapërdiu si aspirinë.

 

 

GJINJTË

 

Cila pjesë e trupit të një gruaje,

Është më e bukur se gjinjtë?

Cili burrë i dashuruar

Nuk ka lënë mbi to

Gjurmët e buzëve

Dhe gishtërinjtë?...

Është i vetmi” krim”

Që policia gjenë pa mundim!

Kot kërkon Moikom Zeqo qytete të vjetra ilire.

A ka vendbanime më të lashta

Se gjinjtë e grave?

Ato kanë ekzistuar para epokës së bronxit

Bile, para punimeve në qeramikë,

Poçarët në artin e tyre,

Me siguri, janë frymëzuar nga gjinjtë!

Unë s’besoj, që zjarri i parë,

U shpik nga fërkimi i dy drurëve,

Apo copave të stërrallit,

Por nga fërkimi i dy duarve

Të një burri,

mbi gjinjtë e një gruaje,

në shpellat e një mali!

 

 

KËTO DITË

 

Frymën më zunë, më mbetën në fyt,

Si gorica të papjekura këto ditë.

Por më duhet që t’i ha pa shamatë,

Frutat që shteti më servir në pjatë.

 

 

BRUMI

 

Brumi ende s’ka ardhur, është zënë keq,

Ndoshta s’i kanë hedhur shumë maja’,

Ose, kushedi, ndonjë dreq,

Ka përmjerrë në miell dhe askush s’e pa.

 

Kur do të shkelë portën ajo ditë,

Që të bëjmë një bukë të mbarë,

Se mbetën partitë në pozitë,

Brumin e opozitës duke sharë.

 

 

KRRABA E BABAIT

 

Kur vesh e morri ç’do breg e burim,

Që babai u plak dhe fund i dha zanatit,

Kërrabën ia kërkuan shumë barinjë:

Lebër nga largë e të rinjë prej fshatit.

 

Shumë prej tyre ikën qejfmbetur.

Vetëm njërit i qeshi buza, nga Skrapari,

Atij ia fali kërrabën që mbante fshehur,

Si një shufër të gjatë prej ari.

 

 

PERËNDITË NË VJESHTË

 

I pastër sot qielli i kësaj Vjeshte,

Ndoshta e kanë larë perënditë me klor!

Edhe Zoti po t’më buzëqeshte,

Fytyrën do t’ja shihja si në televizor.

 

Po  perënditë s’kanë kohë të buzëqeshin:

Zeusi ka shkuar të mbledhë shtrëngatat,

Një perëndeshë posht vetes rruan leshin

Dhe pret dashnorin t’i sjellë mollë të tharta....

 

...Se thonë që ajo ka mbetur me barrë

Dhe mendja i shkonë për mollë e pjeshkë,

Po perënditë e tjera e kanë parë,

Tek bënte me Zeusin seks...

 

Perënditë s’gënjejnë, kjo është e vërtetë,

Se turpet në qiell e kanë burimin,

Pataj zbresin në tokë me internet

Dhe drejt njerëzve e marrin marshimin!

 

 

MENDJELEHTËSIA

 

U gëzua delja e zezë,

Se e qethën kur erdhi Vera:

Tani do dukem mes kopesë,

E bardhë si delet e tjera!



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora