Kulturë
Rina Çela Grasset: Jo harrimit !
E hene, 19.01.2015, 07:34 PM
JO HARRIMIT!?
Nga Rina Çela Grasset
Me kalimin e kohës harrimi mbulon fillimisht datat, pastaj emrat, pastaj kronologjinë... Duke kaluar gojë më gojë historitë ndryshojnë konturet, ngjarjet treten në muzgun e kujtesës, bisedat fillojnë me "A të kujtohet ?" ose "Thonë se një herë e një kohë..." Dhe vjen një ditë kur kujtesa shuhet me njeriun si flaka kur nuk ka më oksigjen. Ç'mbetet prej saj ? Një legjendë që mbulohet nga hiri i kohës...
Patrick Modiano, nobelisti francez i letërsisë, me të drejtë shkruan: "Është detyra e shkrimtarit, para faqes së bardhë të harresës, të sjellë fjalët e fshira përgjysëm, si ajzbergët e humbur që shkasin tutje sipërfaqes së oqeaneve."
Me durim, vullnet e këmbëngulje Abaz Pllana i ka vënë vetes për detyrë të mbledhë këto copa kujtese të shpërndara për t'i transformuar në një vepër që t'i rezistojë kohës e harrimit. Këtë gjë ai e filloi në librin e tij të parë "Shpresa për gjyshin" ku nxjerr nga thellësitë e kujtesës copëza të jetës së gjyshit të cilit i ka trashëguar emrin. Emrin, besën dhe atdhetarinë! Atë gjysh që humbi diku burgjeve të Serbisë për faj të patriotizmit së tij, Abaz-nipi ia ktheu përjetësisë, duke i dedikuar një libër jetës së tij të këputur përgjysmë.
Kohët e luftës me armë në dorë mbaruan me shpalljen e pavarësisë në Kosovë. Por organizimi shqiptar në Lion pati të gjitha arsyet për të ekzistuar. I orientuar ndaj një "lufte" tjetër, diplomatike këtë herë, ai synoi të ndryshojë opinionin për shqiptarët dhe të shërbejë si vektor i transmetimit të vlerave më të mira të kulturës shqiptare pranë shoqërisë franceze.
Njëzet vite të organizimit shqiptar në Lion e në Francë sot nuk mund të harrohen. Falë librit të Abaz Pllanës ky libër i bën të përjetojë gjithkujt kohën e shkuar, atë kohë na që shërben si far për të ardhmen. Për ne, për fëmijët tanë, për ata që do të marrin pishtarin e këtij organizimi e që do të na zevendësojnë një ditë.
Një proverb thotë: "Boja, edhe e zbehtë, vlen më shumë se një kujtesë e fortë." Falë bojës së fortë me të cilën është shtypur ky libër, lufta, përpjekjet, sakrificat, puna e palodhur e bashkatdhetarëve shqiptarë në Lion e Francë nuk do të bien kurrë në harrim. Faleminderit Abaz !