Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Shefik Shkodra: Në mes të paqes dhe rubikonit

| E hene, 19.01.2015, 09:00 PM |


Në mes të paqes dhe rubikonit*

Nga Shefik Shkodra

Lëvdata  zyrtare pa mbështetje me bazë – paradokse shoqërore

Vetë-lëvdatat janë thirrje e qytetarëve për rebelim. Askush fajin s’e pranon. Secili  njeri nëpër institucione flet me pietet  të lartë për punën që (s)është bërë në këtë vend. Për këto institucione sikur nuk vlen vetëkritika e as kritika reale nga të tjerët, sikur çdo gjë e kësaj makine shoqërore shkon si në “akull”, lëmuar e pa ndonjë ingranazh që mund të copëtoj edhe atë lëndë të paktë. Gati çdo gjë është thënë para më tepër se shtatë tetë vjeçe. Janë mediet e shkruara dhe ato elektronike, por askush prej askujt nuk dëgjon një fjali të tjetrit. Sa po vjen në karrigen e institucionit punon për interes të vetin. Paraqitet një personalitet mediokër e i pa sinqertë. Herë-herë injorantë. Mendoj që mediet e kanë luajtur rolin e vet, veç tjerash, të një kritiku e gjykuesi, të një propozuesi e ndihmëtari. Qytetarët nuk mund të jenë të gjithë deputet për njëherë. Prandaj, nëpër mes medieve të shkruara apo elektronike, shfaqin mendimet e tyre. Do të duhej të merren ato që bëjnë mirë dhe ato që janë të qëlluara...

Pse bëhemi kaq të pa sinqertë para opinionit publik që, për pesëmbëdhjetë vjet nuk e pranojmë mos  funksionimin e sektorit të shëndetësisë si duhet; se nuk ka mbrojtje e siguri të qytetarëve; se ligji nuk zbatohet e as që dihet ndonjë rast që është kryer për lëvdatë nga gjyqet e këtij vendi. Nuk ka gjenerim të vendeve të punës; nga premtimet e zyrtarëve përgjegjës nuk është mbajtur asnjë prej tyre. Kështu, vetëm sa janë mashtruar, për të mos thënë, janë tradhtuar qytetarët kaq vite. Qeveritë lokale paraqiten si kauboj të filmave për ngjarjet e perëndimit të egër – anarki. Dhe anarkinë e kanë zhvilluar dhe u ka hy në gjak njerëzve. Nepotizmin e kanë rritur, sepse e kanë devizë disa parti në kurrizin e masës së gjerë. Korrupsionin (thuhet me tenderë e kanë nisë si shtyllën më brutale në shitjen e pronave shoqërore), shtypi dhe mediet tjera po i shënojnë ngjarjet dhe çdo ditë po del nga një grup maskarenjsh si nga vagonë treni, të cilët në emër të postit zyrtar kanë mundur t’i bëjnë çfarë kanë dashur kësaj shoqërie, pa ndonjë vesvese. Krejt diçka “normale”, nëse akëcili  konstatohet se ka vjedh duke shfrytëzuar  në mënyrë utilitare zyrën, aty ku është dashur të punoj për popull e vet. Nuk është dëgjuar deri më tash se, ky, ai ka kthyer mjetet e kësaj shoqërie dhe është dënuar me burg (?)Për këtë nuk na ka faj askush!...

Nuk u bë asgjë për rininë e tashme dhe ata që po vijnë

Rinia jonë ikë prej këtij tmerri, ikë në rrugë të padëshiruar dhe pa cak...ikë më me shpejtësi prej institucioneve të veta sesa dikur prej atyre të armikut më të egër. Nuk ka llogari, as masë e pasqyrë tjetër më reale për këto institucione se ikja e njerëzve nga vendi i tyre. Qe nga fillimi, të gjitha partitë dhe veprimtarët është dashur të bëjnë plane: ekonomike, politike, strategjike dhe kulturore, sidomos prej 2008, atëherë kur është inauguruar Republika e Kosovës, shtet i pavarur. Rinia dhe gratë nuk janë vetëm dekor shoqëror. Ata luajnë rol në shoqëri. Ata, ato janë  dora e djathtë e gjithë vendit. Pa rini nuk ka regjenerim të banorëve. Për ta kujdeset prindi që t’i rriti e shkolloj,  në mungesë të kujdestarit familjar, shoqëria duhet të ketë mbikëqyrje të saktë. Për çfarë mendojmë se jemi çliruar?! Sigurisht, që vetëm të bëjmë viza dhe të ikim “kah të na shohin sytë”, jo! Aq më pak, që të kapërcejmë kufijtë e huaj pa leje e me drojë se do të na vret dikush. Shikojeni arsimin, vatrat më të dashura të rinisë tonë, që nga ai parauniversitar e deri te ai universitar!

Se ky shekull ishte i shqiptarëve s’ka dilemë. Po se shqiptarët nuk e kanë të qartë, sa do të jenë vetë të këtij shekulli. Sa do të jenë në gjendje të marrin vesh, të racionalizojnë kohën, mjetet materiale, e të shfrytëzojnë kapitalin njerëzor për një çështje që nuk është e interesit parcial e grupor. Vërtet, kemi hyrë në këtë shekull jo krejt si “pula qorre”, por të pa përgatitur në përballimin e shumë barrierave dhe pengesave të ndryshme. Ne i themi vetës dhe botës se jemi shumë popull i vjetër. Jemi me cilësi shumë të mira, do të thotë, që dallojmë prej shumë të tjerëve me bujari e zemërgjerësi, me oratori e refleks mendimi, e para së gjithash me atdhedashuri, pra me një traditë shumë të begatshme shekullore, por të pa funksionalizuar ende, që ka mundur të përdorët jo veç në mese të këtij populli, por, të shpërndahet edhe te të tjerët. E, në praktikë nuk po e tregojmë asnjërën prej këtyre cilësive. Jo krejt nga naiviteti, sa nga egoizmi dhe një tendencë për monopolizim material e shpirtëror. Shihe ti çfarë kushti e thotë Ministri i PB: ‘ata që ikin nga vendi do të dënohen me (?) para!’ Nuk janë këto punë kështu ti si mendon!

(Mos)përpjekjet e deritashme

E di si thonë këta miqtë tanë në fillim të vitit: “Mendoj se këtë vit do të ketë shumë ‘sfida’. E nënvizova këtë sfidë, sepse është njëra prej shprehjeve më bajate, pas asaj popullores tonë ‘kusho’, është duke u përdorur te ne me një intensitet të pakufi, e jashtë çdo norme jo veç gjuhësore. Dhe, një dy – sfida...pastaj vazhdon edhe me ndonjë tjetër xhevahir dhe përfundon: “Duhet të punojmë të gjithë së bashku...”etj. Shihe ti çfarë thotë përfaqësuesi nga Evropa. Kjo është një përsëritje e dobët për çdo vit. Por kaq u duhet të thuhet. Veprimet nuk janë të qëlluara sa i përket mirëvajtjes së shoqërisë shqiptare në çdo pikëpamje. Autoritetet e vendit ia lënë fajin atyre të jashtme se, nuk kanë lejuar deri më tash që të prosperoj në shtigjet e duhura populli shqiptar i Kosovës. Autoritetet e jashtme kanë bllokuar edhe zhvillimin ekonomik. Ata i kanë bllokuar edhe gjyqet (që do të thotë, nuk kanë mundësuar të respektohet ligji), duke u munduar të eksperimentojnë me disa reforma që nuk kanë ekzistuar askund deri më tash. Kanë kërkuar reforma në arsim, në shëndetësi, në administratë, në gjyqësi e çdo kund në jetën e përditshme. Njeriu do të mendonte se, Kosovën do ta bënin një vend si një oazë e “ishull të parajsës” – ndoshta si teori utopike, apo një provë në një trup të pa dhimbshëm. Apo, ndoshta një pështjellim shumë të pa rëndësishëm dhe pa vlerë. Këtë të fundit e them sepse, nuk është treguar asnjë segment i suksesshëm për kohën që janë bërë këto përpjekje. Duke i përjetuar gjithë këto prova për këtë periudhë prej kur jemi ndarë nga Serbia, mendja më thotë, sikur nuk është punuar në korniza të një mbështetje planifikuese ekzakte, ligjore dhe vullnetare për organizimin dhe themelimin e një shteti të ri evropian. Nga një herë sikur është e qëllimshme e në kundërshtim me vullnetin e sovranit. Madje edhe në kundërshtim me qeveritë sponsorizuese të atyre vendeve me përfaqësuesit e vet në Kosovë?!  Ndoshta, dikush ndreq natë e ditë, e dikush prish e rrëno çdo gjë që është për këtë vend dhe të mirën e tij. Euro-perëndimorët, gjithnjë kanë për qëllim ruajtjen e minoritetit serb, duke pas sakrifikuar të gjitha të tjerat. Këtu kërcen lloj-lloj kuadri edhe nga Serbia. Mohon, ofendon e kërcënon sërish këtë popull. Edhe nëse qeveritarët tanë mendojnë në një farë kamuflazhe kundrejt serbëve, megjithatë s’është kjo politike!...

Thënie trishtuese – nëmë popullore (!)

Shumë artikuj janë shkruar në këto vitet e fundit, kryesisht për gjendjen ekonomike, sociale, të sigurisë, për korrupsionin, kriminalitetin, etj. mendoj pjesa më e madhe për qëllime të mira. Veç atyre animeve politike partiake. Veç atyre llaskuçëve që ua “lëpijnë këpucët” padronëve për nevoja të veta ditore.  Një prej atyre artikujve që më bëri përshtypje ishte pak me patos, por nuk ka mundësi më ndryshe të shprehet njeriu në këtë kohë, ndër të tjera thotë një fjali nëme: “Hajrin mos ia pafshi për jetë e mot!” (R. Badallaj – Zhuriani, Si u tradhtua populli nga liderët e partive politike?”, K. Sot, 9 janar i këtij viti). Është vështirë ta pohosh të vërtetën, megjithatë, kur të afrohet për çdo çast dhe nuk mund t’i ikësh rasteve të liga, atëherë nuk ke arsye për glorifikime në ajër. Çdo gjë merr kahen rrugës së vet. Një herë lutesh për ta parë një yll tëndin në sfondin e horizontit dhe në pronësinë e përbashkët. Dhe atëherë e ke ndie entuziazmin më të madh për atë ditë të re, asaj që i ke kënduar dhe nuk i ke bërë “bisht”, duke mos pas bërë as gjumë si duhet asnjëherë. Nga dhimbja e pashërueshme për ata që dhanë jetën për një liri të plotë e të dinjitetshme, e si mund ta prapësosh e ta përdhosësh krejt atë tryezë...Mundi shpaguhet vetëm për liri e paqe, në ndërtim të vendit e në zgjerim të ekonomisë për brezat e ardhshme. Këtë energji të derdhur ka mundësi ta trashëgojë brezi i ardhshëm. Çfarë duhet bërë, si duhet të sillemi dhe për kë do të shkrihemi? Po ata që shkuan për liri? Shkuan e u harruan?! “Erdhi liria dhe na bëri njerëz të mjerë! Kur sheh se ç’po ndodh, njeriut i mbetet përshtypja, se punohet di të e natë për t’u vazhduar me këtë gjendje.” (Koha ditore, nr. 6249, f. 19, 16 nëntor 2014, Prishtinë). Kjo dhe thënie të tilla ishin publikuar kaherë dhe u është tërheq vërejtja të gjitha institucioneve, por (po shtoj, kjo gjendje dukej sikur përligjej nga vetë njerëzit tanë përgjegjës), duke u paraqitur veç një farë amullie. Shkurt, një anarki e pa dëgjuar dhe e pa parë. Asnjë resor qeverie nuk ka shkuar si duhet. Ajo shihej praktikisht, por nuk zbulohej. Kjo anarki nis nga punësimi në vendet e institucioneve publike të shpallura, në arsim, në shëndetësi, në administratë e kudo tjetër. Konkursi ka qenë çështje krejtësisht formale. Në këtë vazhdë është vërejtur edhe me tenderët dhe investimet...Opinioni i gjerë nuk ka pa diçka të re në zhvillimin ekonomik, në punësim e prodhimtari vendore. Derisa tash po shihen “hajnat” me radhë si dalin nga kupetë e krimit kudo nëpër këto institucione. Mirë. Ku donë këta njerëz ta çojnë këtë kapital, a thua?! Çfarë u shërben kjo vjedhje? Dhe, “as para Zotit e as para popullit, duart e përlyera nuk pastrohen as me para e as me pushtet, e as me të dyja së bashku. Disa nga pushtetarët tanë, me mish e me shpirt përpiqen të na bindin se me profesion janë hajna, e që sall gjatë kohës së lirë janë politikanë.” (aty,k. ditore). “Shqiptarë, mos u trembeni! Kjo ngjashmëri është kudo edhe nëpër vendet tjera...” janë këto disa fjalë, përafërsisht kështu nga një evropian. E tregon tmerrin që po shfaqet nëpër trojet shqiptare, por edhe përpiqet që ta ngushëlloj masën e gjerë.

Bashkimi kombëtar – të intensifikohet rrjedha – pengesat

Duhet pranuar botërisht se, ne nuk mund të na mbaj gjallë e rehat vetëm iluzioni e shpresa. Nuk e dimë se çfarë do të jetë fati edhe i pjesëve të tjera evropiane. As mund të mbështetemi aq lirë në diçka jashtë dorës tonë. E mira e së mirës thotë që, në Ballkan shqiptarët duhet të ndihen me një balancë. Para më tepër se njëqind vjet rilindësit shqiptarët ishin përpjekur që, krahas bashkimit kulturor: gjuhës së përbashkët e alfabetit të bënin edhe bashkimin gjeografik kombëtar:  “Shumë herë folëm këtu për nevojën e bashkimit ndërmjet të shqiptarëve, - e sa atdhetarë të vërtetë ka dheu ynë që morën pendën e u përpoqën të përhapin fjalën e mirë, të gjithë kanë folur ashtu me një zë.  Po të merremi mirë vesh.  Bashkimi po bëhet pak nga pak e do të mbarohet një ditë ndërmjet të gjithë atyre që i kundërshtohen njëri-tjetrit me besime, duke kujtuar se bëjnë mirë. Edhe ata që, të verbuar nga padija a nga pëlqimi i mendjes së vet, i lidhen kundërshtimit në mënyrë të mushkave, edhe ata është shpresë që të kuptojnë një ditë e të hyjnë në mendime paqe e bashkimi.” [F. K., Alb. G,1902, 40]. Kemi shkruar më herët për këtë çështje dhe nuk është e tepërt të shkruhet sërish. Të sqarohen gjërat edhe më mirë. Të diktohen premisat e një të ardhme kombëtare. Të mos lihet asgjë në stihi e në thash e thëna. Kjo rrjedhë në krahasim të para dhjetëra viteve është shumë e mirë. Se si të bëhet edhe më mirë, këtu duhet të përtypen gjërat jo vetëm ato të politikës, që nuk janë të gatshëm realisht as andej e as këndej. Kur me arsye të një shmangie nga rreziku i përgjithshëm, mos pajtimi i miqve të jashtëm me një kthesë të tillë, e kur edhe në mos konvencionin e vetë atyre që ndodhën në krye të shtetit, për shkaqe fare utilitariste elitare në ditët e sotme. Mirëpo, është diskurs më i favorshëm për shqiptarët. Por që duhet edhe institucionet tjera publike si, Akademitë, Shoqatat e artistëve, (atij dramatik, artit pamor, krijimtarisë letrare etj.) që të angazhohen edhe më tepër në qarkullimin e kësaj rruge, andej e këndej. Nuk përjashtohen lëvizjet e herë pas hershme, por sikur dalin nga margjina. Si gjysmë zyrtare, grupe e individë pa ndonjë renome. Sepse, ende as kultura në përgjithësi, e as letërsia, shoqatat jo qeveritare, etj. nuk janë aq të pajtimit për këtë, sidomos i atyre që e mendojnë veten në prioritet dhe në “kulme”, sikur do t’i humbshin kënaqësitë e tyre materiale e shpirtërore. Madje edhe një farë inferioriteti me do farë fërkime ironike në kulturë...sikur bëhen vlerësime, vetëm këta emra nga...pranohen në këtë lëmë.

Po mos të humbim kohë të kërkojmë bashkim me një anë tjetër: ana e atyre që tallen me mjerimin e popullit shqiptar, e që kanë vetëm një besë: fitimin, e një dashuri: argjendin. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm.  Sa humbasim ne kohën duke kërkuar bashkim, ata – me të çpifura, me dhelpëri, me trathtime, duke gjetur herë një shkak herë një tjetër – prishin a gërmojnë për të prishur. Këta, duhet t’i goditim...”etj.  [F. K., Alb. G,1902, 40]. Edhe sot, nuk e harrojmë këtë çështje me shumë prioritet në asnjë moment, porse ka mjaft punë që duhet të zhvillohen më shpejt për vendin.

Për fatin tonë të keq, janë ata politikanë që nuk e dëshirojnë këtë çështje me zemër, qoftë të Tiranës, qoftë këta të Prishtinës. Sepse, interesi i ngushtë është punë e tyre. Në hovin e kriminalitetit e të korrupsionit më të madh që po mbretëron te ne, madje edhe të një pasigurie qoftë ekonomike sociale, qoftë të një pasigurie juridike e shtetërore, andej e këndej, është faktor pengese, jo vendimtare, por mjaft e ndjeshme. Dhe për fatin e mirë të fqinjëve tanë, të cilët e dinë ndoshta më mirë se ne dikush këtu brenda, në Kosovë e Shqipëri, rrjedhën e raportet e grupeve të interesit (me shërbimet e tyre që veprojnë shumë lirë e pa ndonjë pengesë në informacione për qeveritë e tyre), nuk tremben e as reagojnë lidhur me këtë çështje, kur dikush këtu e atje e potencon dhe e lëshon publikisht mendimin për bashkimin kombëtar. E pse të trembën, kur e dinë mirëfilli se nuk ka gatishmëri nga asnjëra palë për këtë çështje. Ndryshe edhe opinionistët, veprimtarët, analistët e çfarëdo prognozuesish politik nuk do të duhej që t’i japin zjarrit dimensione të gjera këtij segmenti. Është thënë dhe është de facto se shqiptarët janë të bashkuar, ndoshta jo ashtu qysh do të duhej, por: pa kufij, me iniciativa familjare e shoqërore, tregtare e ekonomike, herë-herë kulturore e shkencore (ndonëse shumë minimale e nga grupe me pak influencë) do të bëjnë atë që nuk ishte me shekuj.

____________________________

*)  Ky artikull i është dërguar njërës prej gazetave të përditshme që prej 14 janarit të këtij viti dhe nuk është lëshuar në botim. Si duket, këto gazetat  tona janë bërë me shumë për “mësysh”. Është e çuditshme se, njërit prej atyre panlaverëve servil ditë për ditë ia lëshon hapësirën. Po çka thotë ai për opinionin publik, lexuesi le ta sheh dhe le të gjykoj vetë. Autori.