E marte, 16.04.2024, 07:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Shqipëria bën pa secilin nga ne, por nuk bën dot pa Gjergj Kastriotin

E diele, 16.01.2022, 10:00 PM


Ismail Kadare - Zemra Shqiptare, 17.01.2012:

Për pyetjen nëse Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është heroi i gjithë shqiptarëve, mendoj se përgjigja e pothuajse krejt shqiptarëve, kudo që ata jetojnë, është, pa asnjë mëdyshje, pohuese.

Keqkuptimet lidhur me të nuk janë veçse të përkohshme dhe të rastit. Sado paradoksale të duket, keqkuptime të kësaj natyre ndodhin disa herë me figurat e pazakonshme, siç është ai , dhe me gjërat veçanërisht të shtrenjta, siç është liria.

Fazat e ndryshme të zhvillimit të njerëzimit janë shoqëruar shpesh me paqartësi dramatike. Ne kemi prirjen të harrojmë se në antikitet, atëherë kur u vunë themelet e ndritshme, siç quhen, të qytetërimit europian, ngjante normale që njerëzit të ndaheshin në dy grupime të mëdha: të lirë dhe skllevër. U deshën shekuj që njerëzit të ndaheshin nga kjo nyje fatale. Dhe ajo s’ka qenë e vetmja. Të tjera paqartësi shfaqeshin e kapërceheshin në rrugëtimin e popujve. Dhe s’kishte ndonjë arsye që kalendari shqiptar të mos njihte prova të tilla. Duhet thënë, megjithatë se,  duke mbërritur në mijëvjeçarin e tretë, në gjendjen që janë sot, shqiptarët kanë treguar se megjithë pengesat dhe paqartësitë, nuk kanë patur e as kanë arsye të kenë probleme serioze me lirinë.

Në këtë kah mund të thuhet se nuk kanë patur e as kanë arsye të kenë probleme me Kastriotin.

Ai është personazhi më i plotësuar, më i gjithkohshëm dhe më bashkues që rrallë mund t’i bjerë në pjesë fatit të një populli. Duke qenë një prijës lufte, ai është po aq një prijës paqeje. Dhe kjo vjen natyrshëm ngaqë Kastrioti përveçse prijës historik, është njëkohësisht një program, një ide, një proces shpëtimi, me vlerë që përtrihet në çdo kohë e në çdo rrethanë.

Cdo përpjekje për të cënuar ose përvehtësuar atë nga një krah politik, nga një besim fetar ose zonë gjeografike do të ishte një cënim i kombit dhe i krejt të ardhmes shqiptare.

Xhelal Zejneli - Zemra Shqiptare, 11.03.2012:

Nga lufta e drejtë 25-vjeçare e popullit shqiptar për t’u çliruar nga pushtuesit osman, të udhëhequr nga komandanti legjendar Gjergj Kastrioti, lindi dhe u ndërtua periudha më historike e këtij populli. Pa këtë periudhë, shqiptarët do të ishin pa histori dhe johistorikë. Pra, ky bir i madh i Arbërisë na bëri me histori, na dha emër. Si çdo luftë në histori, edhe lufta çlirimtare e shqiptarëve në shekullin XV, e udhëhequr nga ngadhënjimtari i betejës së Torviollit dhe të Albulenës, e kishte çmimin e vet. Princi i famshëm i fisit të Kastriotëve, për herë të parë në histori, arriti të bëjë bashkimin politik-shtetëror të popullit shqiptar. Figura e Tij sintetizon një epokë të tërë të historisë kombëtare shqiptare – luftën njëshekullore kundër pushtuesit osman (1380-1479), për mbrojtjen e tokës, të lirisë dhe të pavarësisë së vet.

Duke qenë burrë shteti i madh, Gjergj Kastrioti ishte edhe një nga figurat e shquara të historisë së shekullit XV në planin ndërkombëtar. Edhe pas pesë shekujsh, shqiptarët do ta ndjejnë rëndësinë e bashkëpunimit që zhvilloi Ai me shtetet perëndimore më të afërta – me papatin e Romës, me Republikën e Venedikut, me Mbretërinë e Napolit, me Raguzën... Mbi 20 fitoret kundër Muratit II dhe të birit Mehmetit II – pushtuesve të botëve, bënë një jehonë të madhe në mbarë kontinentin e vjetër për qëndresën epike të popullit shqiptar, për të mbrojtur veten dhe vlerat e qytetërimit perëndimor nga inkursionet aziatike. Papa Calixtus III, mburojës së vlerave të qytetërimit perëndimor – Gjergj Kastriotit, ia dha titullin Athleta Christi.

Gjatë sundimit pesëshekullor osman, kur Shqipërinë do ta përfshijë terri aziatik, qëndresa heroike e shqiptarëve e udhëhequr nga Kryezoti i Mesjetës, do të zërë vend në kujtesën e popullit. Për trimëritë e Tij në atë luftë të drejtë, brez pas brezi do të këndojnë rapsodët. Sikur aedët e lashtësisë që u këndonin luftëtarëve të Trojës.

Në mes të shekullit XIX do të duken agimet e para të pranverës shqiptare. Do të lind Rilindja Kombëtare. Pa periudhën skënderbeane, nuk do të kishim as Rilindje. Pa këto dy epoka të lavdishme të historisë së popullit shqiptar, nuk do ta kishim as Vlorën e 1912-ës të Ismail Qemalit. Me fjalë të tjera, nuk do të kishim liri, pavarësi, dinjitet dhe as shtet shqiptar. Qëndresa epike e këtij mjeshtri të artit luftarak zuri vend në kujtesën historike të çdo shqiptari. Vepra kolosale e këtij vigani paraqet ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar.

Në mbarim të shekullit XX dhe në fillim të qindvjeçarit XXI, si kurrë në histori, përsëri iu rikthyem këtij mbartësi të një emri me famë botërore. Shembja e ideologjisë totalitariste në Lindje paraqiste kthesë edhe për popujt e gadishullit. Miqve tanë perëndimorë shqiptarët u thanë: “Në shekullin XV, me luftërat antiosmane të Heroit tonë Kombëtar, shqiptarët ishin antemurales Christianitatis”.

Qëndresa heroike e shqiptarëve në mesjetë, për të mbrojtur veten dhe vlerat perëndimore, u përmend edhe në Senatin amerikan. Sakrificën sublime të shqiptarëve në shekullin XV, duke u bërë edhe digë para mësymjeve aziatike drejt Perëndimit, në kapërcyell të shekujve XX-XXI, aleatët perëndimorë e shpërblyen duke u vënë në mbrojtje të kauzës shqiptare në Ballkan. Roli dhe rëndësia e jashtëzakonshme e Heroit Kombëtar të shqiptarëve u vlerësua lart prej tyre.

Në nëntorin e vitit 2006 monumenti i Heroit të Kombit u vendos në Shkup. Gjatë rrugës, në çdo qytet të pjesës perëndimore në Maqedoni, u prit nga dhjetëra mijë shqiptarë. Me këngë, valle e lot. Shqiptarët kurrë nuk e kanë vlerësuar Gjergj Kastriotin nga këndvështrimi fetar, por kombëtar. Veprën madhështore të këtij bashkuesi të kombit  synon ta relativizojë vetëm ndonjë kuisling dhe mercenar.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është figura më integruese e kombit. Sot, si dikur në Lezhë, në prag të pranverës së vitit 1443, mu atëherë kur kishin çelur luleborat. Ai është në shpirtin e çdo shqiptari, sot, si kurrë më parë. Në ne, i gjallë jeton.

Enver Bytyçi - Zemra Shqiptare, 11.03.2012:

Është interes i yni që ta njohim vetveten. Në historinë tonë kemi pak momente, me të cilat mund të mburremi më gojën plot. Por kjo nuk do të thotë së shqiptarët nuk kanë bërë histori. Shqiptarët kanë bërë histori, së paku janë i vëtmi komb që ka rezistuar prej asimilimit në tri mijë vjet. Në historinë tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbetet deri më sot personaliteti më i madh i të gjitha kohërave. Jo se ishte i krishterë. Jo se mbrojti Europën dhë krishtërimin. Por se ishte shqiptar dhe mbrojti me vendosmëri trojet shqiptare, duke na lënë ne brezave një shëmbull, të cilin popujt e tjerë e kërkojnë me qiri ta kenë. Natyrisht ai jetoi e luftoi ne mesjetë, atëherë kur feja dhe shteti nuk ishin të ndarë. Megjithatë lufta, politika, bashkimi, diplomacia e Skënderbeut janë edhe sot model i shtetit tone kombëtar. Shumë kush e akuzon Skënderbeun së "bashkëpunoi" më fqinjët kundër një perandorie jashtëballkanike e për këtë arsye ne shqiptarët jemi bërë viktima. Po atëherë nuk kishte SHBA. Kishte Venedik, Mbretëria e Napolit e kështu me radhë. Më këto bashkëpunoi Skënderbeu. U përpoq të bashkëpunonte me Juniadin, por pa rezultat. Fqinjët serbë e tradhëtuan si gjithnjë.

Ka të tjerë që mendojnë se luftrat e Skënderbeut bënë që shqiptarët të mësyjnë detin, gjë që ndodhi edhe në fundin e diktaturës komuniste. Realiteti historik është i tillë. Por shqiptarët nuk mbetën pakicë në Ballkan nga kjo gjë. Ata mbetën pakicë nga disa vese të tjera, sidomos përcarja midis nesh. Skënderbeu dha shëmbullin dhe modelin e bashkimit tonë kombëtar, si asnjë udhëheqës tjetër i kohës në botën që na rrethonte. Ai u orientua nga Perëndimi, edhe pse nuk mund ta dinte se do të vijë një kohë, kur shqiptarët do të kishin të njëjtin orientim. Skënderbeu shërbeu e shërben si udhëheqës i bashkimit të shqiptarëvë nga pikëpamja fetare, sepse ai ishte njëkohësisht edhe "musliman", edhe i krishtërë. Prej këtij shëmbulli shqiptarët mësuan të mos i japin rëndësi fesë, por përkatësisë etnike, të të qënit shqiptarë.

Asnjë personalitet tjetër në botën shqiptare nuk mund të shërbente si shëmbull i frymëzimit dhe bashkimit të shqiptarëve, sa Skënderbeu. E tillë mbetet Nënë Tereza e shekullit te XX, por në një dimension tjetër, jo në atë dimensionin e Gjergj Kastriotit. Prandaj dhe Nënë Tereza nuk do të mund ta zëvëndësojë heroin tonë kombëtar. Këtë nuk do të mund ta bëjë as Presidenti Historik, Ibrahim Rugova, edhe pse filozofia dhe politika e tij janë modeli i të sotmes dhe të ardhmes së shqiptarëve per disa arsye, të cilat nuk është rasti t'i analizojmë.

Fqinjët tanë, serbët, nuk kanë Skënderbe, mëgjithatë ata kanë shpikur të tillë heronj, me qëllim që t'i mbajnë serbët të bashkuar. Ne e kemi një hero real, jo mitik sic janë heronjtë e Serbisë, e ka prej nesh që duan ta "zbresin" prej kalit. Domëthënë ta zhveshin për arsye të jologjikës, ta zbehin figurën e Skënderbeut si hero kombëtar i shqiptarëve. Megjithatë ai është dhe do të mbetet simbol i shqiptarëve, njësoj si edhe flamuri, himni dhe vetë identiteti ynë. Ne dhe brezat që do të vijnë do të jemi gjithnjë krenarë për këtë emblemë të kombit shqiptar, të cilin do ta kishte zili ta kishtë çdo komb në botë.

Neki Lulaj - Zemra Shqiptare, 11.03.2012:

Shqiptarët në të gjitha skajet e botës, mbi tokë e nën tokë, mbi qiellin e praruar me diell e nën diellin e praruar me yje, ne kemi një Hero legjendar e ai është i admirueshëm, i pakontestueshëm dhe i pavdekshëm,  Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Për Ju që nënës i thoni nënë dhe babait baba, për ju që atdheut i thoni atdhe, lirisë liri, ujit ujë e bukës bukë, Skënderbeu është dielli dhe ushqimi i historisë sonë që i jep gjak e trimëri, durim e dituri, dhe atë, me tërë qenien tonë, me  krahun shpatë dhe me zërin pushkë xheverdare nëpër shekuj, shqiptarët duke u mbrojtur me mburrje dhe krenari.

Skënderbeun e konsiderojmë si heroin e heronjëve të popullit tonë. Ai ishte prijësi më i lavdishëm i arbërve që luftoi me trimëri dhe mençuri kundër pushtuesve osmanë. Këtë e di çdokush, pleq e plaka, i madh e i vogël.Edhe eshtrat e të vdekurve e pohojnë këtë gjë me kenaqësi. Vetëm turqit këtë s’e dine apo s’duan ta dinë, sepse tremben jo vetëm nga shpata, por edhe nga emri i tij, edhepse eshtrat i morën për hajmali. Me një ushtri të përberë prej trimave më të zgjedhur të shqiptarizmit mesjetar, duke i pajisur me një armatim modest, Gjergj Kastrioti u bëri ballë rreth 30 betejave të pabarabarta e të lavdishme duke dalë gjithmonë fitimtar, natyrisht, me ndihmën e pakursyeshme të popullit.

Kishte apo s’kishte  dallime bindjesh  fetare në atë kohë, siç ka sot, kjo dihet fare mirë: shqiptarët në kohën e tij, pa marrë parasysh faktin se Hamzai apo ndonjë tjetër, formalisht kishin pranuar emrat e pushtuesve osmanë, luftonin si një trup i përbashkët për triumfin e antiosmanizmit në Ballkan. Lufta e popullit liridashës në krye me Gjergj Kastriotin ishte një luftë e drejtë për mbrojtjen e atdheut, të gjuhës, zakoneve, kulturës, identitetit dhe shpirtit shqiptar. Frynte murlani me stuhi, nën flamurin kuq e zi, në epokën e artë të rezistencës të Gjergj Kastriotit dhe Adem Jasharit.

I gjithë populli shqiptar, asokohe i krishterë, kurse pas  vdekjes së tij të pavdekshme, myslimanë, ortodoksë  e katolikë,  me zërin e zemrës me pendën e artë i thuri këngë lavdie , vargje, legjenda, romane, kronika, histori, që nga Marin Barleti e deri në ditët e sotme. Shqiptarët që e shfletojnë historinë e legjendave tona të pavdekshme, e dine se më 28 nëntor të vitit 1443, Skënderbeu e ngriti flamurin me shqiponjën dy krenare në Kështjellën e Krujës. Është meritë që duhet t’i shërbejë historisë, kur të gjithë popujt e botës na e kanë lakminë,  e disa edhe zilinë, armiqtë tanë shekullor primitiv, serbët,  krijojnë mite e imagjinojnë skenare falsifikojnë edhe historinë me çdo kusht duke u përpjekur të shtrembërojnë ngjarjet e të na e përvetësojnë Skënderbeun (me epitete Skenderbegoviq e te tjera të ngjajshme) për ta bërë heroin më të lavdishëm të Serbisë antishqiptare, por më kot e kanë.

Kurse ne dëgjojmë do shallamana me tespiqinjë e me shallvare deri mbi thembra, që perpiqen të hedhin pluhur mbi këtë legjendë të pavdekshme të  shqiptarisë. Kthimi i Gjergjit në vendlindje dhe refuzimi i islamit si fe ishte një e drejtë e natyrshme, sepse feja e imponuar me dhunë, me gjak e me dajak, na ndau aq shekuj nga civilizimi europian, dhe si “shpërblim” kanë ngritur male pakënaqësie ata që janë skenaristë të ketyre pakënaqësive. Hoxhallarët injorantë me xhematin e tyre, le të urdhërojnë e te shkojnë në Stamboll, në „Parajsën“ e premtuar në kohën e Grashaninit e Çubrilloviqit! Ata janë kryearmiqtë tanë, kurse Skendërbeu është Hero Kombtar i të gjithë shqiptarëve, dhe ne duhet që fuqimisht të krenohemi me të, pa marrë parasysh bindjet apo logjikën shpirtërore të fetarisë. Ne nuk duhet të shiqojmë as kisha as xhamia, sepse legjenda  Skënderbe  është e tërë shqiptaria. Ata qe e urrejnë Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriotin, e urrejnë vetveten dhe historinë tone të bekuar.

Emri i Heroit tonë, kjo legjendë e gjallë për popullin  shqiptar i skalitur nëpër breza ne mendjet e gjithë shqiptarve qe mbi pesë shekuj nuk do të harrohet kurrë, ai ishte sinonim i çlirimit dhe bashkimit për pavarësinë e vendit. E deshëm ne, apo s’e deshëm disa injorantë, Skënderbeu ishte pengesa kryesore e vërshimit të gjakatarëve me shalla e ferexhe osmanlinjë në Europë. Popujt e Europës e të mbarë botës, e çmojnë pa masë Skënderbeun dhe kanë shkruar shumë libra për Heroin kombëtar  të popullit tonë. Për trimin legjendar nuk mjaftojnë këta pakë rreshta. Le ta lexojnë Betejën e Albulenës, apo Betejën e Varikondit, ata që nuk e kanë lexuar, për t’u bindur se si pas kësaj përleshjeje, kur Skënderbeu viziton një familje myslimane, si i përgjigjet Kryetrimit babai i një trimi te vrarë: “Ati Ynë! Po t’i kisha edhe pesedhjetë djem, do t’i rreshtoja me nderë në ushtrinë tënde, se Ju jeni shpëtimtari i shqyptarisë, andaj rri shlirë në të pamën e tim biri! Ju na nderoni me pjesëmarrjen Tuaj!“

Fotaq Andrea - Zemra Shqiptare, 12.02.2012:

Identiteti i kombit shqiptar është i lidhur ngushtë me figurën emblematike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Në tërë kohërat, Shqiptarët e vërtetë kanë për flamur lavdie, krenarie dhe shqiptarie emrin e tij, i përbërë nga dy emra me fe të ndryshme, ashtu si vetë shqiponja e tij ka dy krerë të pandashme nga njëra tjetra: Gjergj Kastrioti – emër i krishterë dhe Skënderbeu – Iskander bej (Aleksandër), emër mysliman siç e pagëzuan vetë Osmanët. Vetë emri i tij pra bashkon dy fetë kryesore në Shqipëri, ashtu sikurse vetë titulli që mban në vulë: Mbret i Albanias dhe Epirit. Dhe me Albania kuptohet krejt Ilirikumi i Arbrit përfshirë dhe Epirin që Grekët kërkojnë si e si ta përvetësojnë.

Përllogariten qindra vepra të shkruara nga autorë të huaj e shqiptarë në tërë kohërat, dhjetëra portrete të tij nga piktorët të shquar të botës, dhe kohët e fundit, krahas një portreti të “Skënderbeut” nga Rembrandi, kemi zbuluar një portret të tij nga Gjorgjione si dhe një “anonim- Skënderbeu” ndoshta i Ticianit që jemi duke e studiuar. Pra piktorët më të mëdhenj të botës, nga Belini, Giorgione, Ticiani, J. Breu, te Rembrandi, Stimmer, Klupffel, Wouter e deri kohët e fundit te portreti i prof. italian Alfredo Santarelli, kanë lartuar përjetësisht figurën e ndritur të Skënderbeut shqiptar me origjinë nga Mati, nga thellësitë e maleve shqiptare, streha të shqiptarizmës. Figura e tij trajtohet jo vetëm në studime madhore të huaja të penave më të ndritura të botës, por ai është personazh madhështor në dhjetëra vepra letrare e artistike, deri edhe në opera, e poema të famshme (Rebel, Vivaldi, Longfellou).

Veçse Skënderbeu, ndryshe nga sa mendohet, nuk ishte një figurë vetëm luftarake. Ashtu si Volteri, Lamartini i madh që ka bërë “Historinë e Turqisë” në 10 vëllime,  e që Turqit e kanë ngritur në piedestal, ka shkruar faqet më të ndritura për Skënderbeun tonë, për luftërat e drejta të Shqiptarëve për pavarësi kundër osmanëve. Figurën e tij ai e trajton si figurën e një Humanisti të madh, si një intelektual i klasit të parë, si njeri i penës e i librit, me një kancelari nga më të parat e Evropës, krahasuar me atë të Karlit të Madh të Francës, me një diplomaci nga më të zhvilluarat, pra si figurë të lartë intelektuale. Deri më sot janë zbuluar fizikisht tre kodikë që mbajnë emblemat e tij kastriotase, Libri i Uratave, Libri i Petrarkës dhe Libri i Skënderbeut.

Në ka pasë, në ka e në do ketë komb shqiptar, ai është i lidhur historikisht e përjetësisht si mishi me thoin me figurën e Skënderbeut, Heroit tonë kombëtar, është i mishëruar njëherë e përgjithmonë në vetëdijën tonë shqiptare, si dy krerët dhe dy flatrat e shqiponjës sonë, Gegëri e Toskëri, me dy dialektet e tyre kryesore të gjuhës shqipe, që bëjnë një e vetëm një.

Po ju dërgoj me këtë rast një portret të Skënderbeut botuar kohët e fundit në organet turke. Kush ka mendtë le të kuptojë, kush di le të lexojë. Në vetë Turqinë e sotme, veprojnë ashpërsisht dy forca të kundërta, mentaliteti osman i prapambetur shekullor, forcë regresive e ashpër islamiste e ekstremiste, dhe mentaliteti i përparuar evropian i Ataturkut me origjinë shqiptare, që luftoi për një Turqi moderne.

Pra duhet bërë dallimi, dhe duke huazuar nga fjalori pa dorashka i humanistit të shekullit XVI Fransua Rable, një nga shtatë baballarët e gjenive të botës, po e përfundoj me revoltë kundër atyre që cenojnë Heroin tonë kombëtar, nderin e lavdinë tonë, me fjalët: të gjithë ata që mohojnë Skënderbenë tonë janë të tredhur, të pjerdhur, antishqiptarë, pemë pa kokrra, gomarë pa koqe.

Lis Bukuroca - Zemra Shqiptare, 12.02.2012

Çka të shkruhet për Skënderbeun? Ai nuk ishte si Leka i Madh, që marshonte në tre kontinent për të zaptuar toka të reja, e as nuk ishte si Julius Gaius Caesar, që po shtrinte dhe zmadhonte Perandorinë Romake.

Gjergj Kastrioti është shëmbëlltyra par exellence e popujve të vegjël.  Jeta dhe vepra e tij dëshmon se popujt e vegjël, sado të vegjël të jenë, të bashkuar mund t’ i arrijnë qëllimet e tyre, rrjedhimisht t’ i bëjnë ballë edhe superfuqive, edhe atë me sukses. Ai nuk ishte pushtues, por liberator dhe bënte luftë të drejtë. Ai nuk u fali krenari vetëm atyre që jetonin në kohën e tij, por edhe neve sot dhe të tjerëve nesër.

Skënderbeun nuk e bëri të madh vetëm malli për liri dhe lufta kundër tjetërsimit, por e bëri të madh gjenialiteti tij në udhëheqjen ushtarake. Edhe atë, në një pjesë të Europës, ku popujt binin njëri pas tjetrit.  Ai është tribun. Ai mbronte lirinë e popullit të vet: gjuhën, kulturën dhe zakonet e vendit. Ai është personalitet, që rrallë herë përsëriten në historinë e njerëzimit. Ai mundet pa ne, por ne nuk mundemi pa Gjergj Kastriotin.

Ai është shtylla e kombit shqiptar, boshti kurrizor i tij, krenaria dhe forca motivuese para çdo rreziku. Sot shqiptarët nuk njohin emrat e ministrave në Qeveritë e tyre, por edhe fëmijët, në çdo familje, dinë diçka për veprën e madhe të Skënderbeut. Prania e tij në shpirtin shqiptar nuk mund të shlyhet, ashtu si nuk mund të shlyhet qielli mbi kokat tona. Lekës së Madh dhe Qesarit, nuk u ndërtohen përmendore nëpër botë, Skënderbeut, po: Ata ishin pushtues, Skënderbeu ishte Çlirimtar dhe mbronte popullin e vet dhe kulturën europiane, ku sot dëshirojmë me aq mall e dashuri të integrohemi.

Skënderbeu do të mbetet gjithmonë si njësi matëse dhe krahasuese për patriotizmin e drejt, për rezistencën burrërore: për integritetin e vendit, për dinjitetin e kombit dhe për sovranitetin e shtetit. Ai inkorporon vlerat sublime dhe absolute të dashurisë ndaj kombit dhe atdheut.

Jahja Drançolli - Zemra Shqiptare, 17.01.2012

Studiues të huaj, kryesisht nga Ballkani, janë përpjekur që territorin e Arbërisë Mesjetare ta paraqesnin në një hapsirë të ngushtë që është shtrirë kryesisht në regjionin e Matit, si dhe në Malësinë e Madhe  të sotme. Ky ngushtim i territoreve të moçme shqiptare në emër të "objektivitetit" shekencor është bërë me pretekts të provohet se Arbëria asnjëherë gjatë historisë nuk ka pasur potencial territorial por edhe njerëzor që të krijonte shtetin e vetë. Shkrimet e tilla nga kapërcyelli i shekullit XIX kanë marrë edhe vulën e institucioneve shtetërore, si, bie fjala, ato të Serbisë, dhe greqisë. Në këtë kontekst vlenë të përmendet sidomos Akademia Mbretërore Serbe (Srpska Kraljevska Akademija), si dhe Shkolla Antropologjike Serbe më në krye të Jovan Civijiçit, i cili kishte marrë për detyrë, që shkrimet antishqiptare në gjuhë angleze dhe frënge t'i plasonte në Europën Perëndomore. Së këtejmi, në Francë dhe në Britani janë mbajtur dhjetëra manifestime antishqiptare, duke i paraqitur shqiptarët si të paqytetëruar, të pa fe, rrënues të monumenteve të kultit ortodoks, etj. Kuadri i manifestimeve të tilla është shoqëruar edhe me botime, të cilat janë shpërndarë në sheshe më të njohura të Londrës dhe Parisit. E gjithë kjo kërkonte edhe përdorimin e "argumenteve" historike nga kohët më të lashta e deri në kohën e Luftës së parë Botërore, duke vazhduar kështë edhe deri në ditët e sotme. Për të qenë më bindës për historinë e "pasur" të tyre të moçme, janë bërë përpjekje edhe për përvetësimin  e personaliteteve më të njohura të historisë europiane, si, Janosh Hunjadin, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, Marin Barlecin, etj.

E bëra këtë hyrje pak më të gjatë për të treguar se personaliteti madhor i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili është shquar si simbol i lirisë dhe i simbolikës shqiptare nëpër shekuj, është shquar dhe shquhet edhe për figurën më sublime të bashkimit të popullit shqiptar, që në Kuvendin e Lezhës më 1444. Këto të bëma madhore të realizuara nga Fatosi ynë kanë shpie deri te Lidhja e Prizrenit, kryengritjet e Madha Shqiptare,  dhe së fundi Shpallja e Pavarësisë më Falamurin e Gjergj Kastriotit në vitin 1912. Sot, kur në çdo festë shqiptare valon flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dhe kur jemi duke u përgaditur për shënimin jubilar të 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, pyetja se a është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu Hero i të gjithë shqiptarëve? do të ishte ekuivalente me pyetjen se, a është Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë fitore për të gjithë shqiptarët?

Është e njohur sipas burimeve historike më të sigurta se, origjina e familjës Kastrioti doli nga Hasi, regjion ky që përfshin edhe pjesët e Shqipërisë Politike të sotme dhe pjesët e Kosovës së sotme. Vetë, origjina e kësaj familjeje nga Hasi, regjion ky që ka përfshirë edhe Prizrenin ka një domëthënie historike. Për këtë arsye sajuesit dhe falsifikuesit e historisë shqiptare kanë bërë përpjekje që Gjergj Kastriotin ta shkulin nga kjo trevë, që do ta kisha quajtur për zemër të Shqipërisë Natyrore, dhe ta vendosin diku në periferi të Shqipërisë së sotme politike me qëlim, që duke e injoruar origjinën shqiptare të tij, të  përvetësohet sa më lehtë mu nga ata që e injoronjë historinë tonë kombëtare.

Përmendorët e ngritura kushtuar Heroit tonë jo vetëm në të gjitha qendrat tona, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, por edhe në Europë e Amerikë janë dëshmi se, Gjergj Kastrioti-Skënderbe nuk ishte një princ lokal, ai është Hero jo vetëm i gjithë shqiptarëve për edhe Hero i gjithë Europës.

Ndue Ukaj - Zemra Shqiptare, 17.01.2012

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, pa asnjë mëdyshje, është hero i kombit shqiptar. Kjo çështje s ’do të duhej as të vihej në diskutim. Kjo për faktin se Gjergji është më shumë se heronjtë e zakonshëm. Ai është, do të thosha, një mbihero, sepse ai gjalloj në kujtesën shqiptare dhe historinë shqiptare tamam si një mbihero, me përmasat e plota të heronjve të mëdhenj dhe të jashtëzakonshëm, atyre që janë Njësha me plot kuptimin e fjalës. Ai është heroi që ka mbet hallka organike e vetmja, e cila i ka lidh gjitha segmentet e kombit shqiptar, edhe atëherë kur ato ishin të shkëputura padrejtësisht.

Kujtesa shqiptare, historia shqiptare, kultura shqiptare, pa heroin tonë të lavdishëm, do të ishte krejtësisht e pakuptimtë, pa domethënie, ndërkaq kombi shqiptar, do të rrezikonte zhbërjen. Ndryshe, pa Gjergjin e madh dhe motin e madh, kombi shqiptar do të ishte një skelet i frikshëm për çdo kënd. Heroi ynë, që nga momenti i kthimit, si triumfues nga oborri i sulltanit, e gjer me sot, rron në kujtesën tonë kombëtare si hero, me plot kuptimin e fjalës. Ai kështu u bë paradigma e gjitha zhvillimeve kombëtare. Pa të nuk do të kishim as Rilindje Kombëtare, as pavarësi dhe as kulturë shqiptare. Për ta pasuruar koloritin e tij prej heroi, ne duhet të jemi krenar për faktin se Gjergji ynë nuk është vetëm hero i ynë, por edhe heroi i një pjesës së madhe të civilizimit perëndimor, ku shqiptarët bëjnë pjesë dhe gjallojnë.

Sami Repishti - Zemra Shqiptare, 07.01.2012:

Ritrajtimi i nji natyre të këtillë i  historisë shqiptare këto vitet e fundit, sidomos, ashtë për mendimin tim, nji orientim i gabuem që sjellë vetëm konfuzion, dhe nji konfuzion të panevojshëm aq sa edhe të pa arsyeshëm. Ky konfuzion shkaktohet nga orientimi politik qeveritar i Republikës së Turqisë, dhe "neo-otomanizmi" i saj, që përfaqsohet nga Ministri i jashtëm Davudoglu. Kam lexue fjalimin e tij në Universitetin e Sarajevo-s dy vjet ma parë, ku tregon, pa asnji turp, që qëllimi i Turqisë ashtë rikrijimi i hapesinës kulturore turke në të gjithë zonat e Ballkanit ku ka sundue Turqia për shekuj me rradhë, sikur popujt e Ballkanit janë pa histori dhe pa kulturë.

Unë jam nga ata që besojnë se ekziston nji "identitet shqiptar' i mbështetun nga nji histori tremijëvjecare. Skënderbeu ashtë nji nga hallkat kryesore - në mos kryesorja - e këtij identiteti: mbrojtja e lirisë dhe e tokës që banohet nga shqiptarët kanë qenë dy shtyllat e këtij identiteti, dhe për mendimin tim, janë edhe sot - natyrisht në konformitet me ndryshimet e kohës që jetojmë.

Me perlye figurën e Skënderbeut ashtë njilloj si me perlye karakterin e cdo shqiptari, dhe me mohue identitetin tonë tremijë vjecar iliro-shqiptar. Nuk ka dyshim se sulme të këtilla do të vijojnë edhe për shumë kohë, por ata do të mbeten pronë e turpshme e atyne që zbatojne urdhënat e marruna nga qarqe të ndryshme që nuk deshirojnë zhvillimin e përparimin e shqiptarëve. Prandej duhen kundërshtue me vendosmëni.

Frashër Demaj - Zemra Shqiptare, 07.01.2012:

Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, hero kombëtar i shqiptarëve ishte dhe mbetet figura më e ndritur e historisë tonë kombëtare.  Personaliteti i tij dhe lufta që zhvilluan shqiptarët nën komandën e tij kanë zënë një vend shumë të rëndësishëm për shekuj me radhë në historinë shqiptare dhe atë evropiane. Ai është simbol i krijimit të nacionit shqiptar, emri i të cilit ka ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e vetëdijes së shqiptarëve në kohën e formimit të shteteve kombe (shek-XIX-XX). Është personaliteti më emblematik dhe më i pa diskutueshëm, figura e të cilit i ka mobilizuar gjenerata të tëra në luftën për liri e pavarësi kombëtare.

Epoka e Skenderbeut, figura dhe vepra e tij janë trajtuar në mijëra vepra historiografike, letrare, artistike etj., nga shumë autorë në shumë gjuhë  botës. Në mesin e shumë studiuesve ishte edhe Irena Senkijeviq e cila në një studim, ndër të tjera konstaton: ”Gjergj Kastrioti nuk ka qenë vetëm hero legjendar, në historinë e popullit të vet por edhe figurë politike me dimensione evropiane. Edhe studiuesi  e albanologu i njohur gjerman Karl Treimer, ndër të tjera shkruan: “Skenderbeu është një hero kombëtar, në të vërtetë ndërkombëtar, është mbrojtës i suksesshëm i Evropës, është një gjeni strategjik, politik e organizativ”.

Filozofi freng Volter, duke vlerësuar aftësitë ushtarake të heroit shqiptar ka shkruar: “sikur perandorët bizantin të kishin qenë Skenderbej, Perandoria e Lindjes (Bizanti) do të kishte shpëtuar”.

Figura e Skenderbeut është edhe simbol i kultivimit të tolerancës dhe religjioneve shqiptare ndër shekuj. Tek ky personalitet të gjitha religjionet kryesore të shqiptarëve mblidhen në një.

Fahri Xharra - Zemra Shqiptare, 07.01.2012:

Gjergj Kastrioti, Hero i të gjithë shqiptarëve pa përjashtim.

Retë e zeza valojnë mbi qiellin tonë, kjo nuk është hera e parë. Ato re janë të përcjellura me vetëtima e bumbullima, s'është hera e parë. Kemi kaluar ne si komb, kohëra edhe më të turbullta. I kemi bërë ballë tradhëtive nga më të ndryshmet. Tradhëtitë nga vetë individët e vendit tonë, të tokave shqiptare, janë të njohura. Njëra nga poshtërsitë më perfide është mohimi i vetvetes, mohimi i të kaluarës sonë, mohimi i të mëdhenjëve tanë.

Nga qarqet më antishqiptare, nga kuzhinat e tyre po përgatitën meny të ndryshme me anën e të cilave po mundohen të na krijojnë historinë tonë pa heronj.

Si duket, programet vijnë të gatshme, bile edhe në gjuhën shqipe, se si të mohohet e tërë e kaluara e jonë.

Olsijazexhitë, nexhmedinspahitë, fatoslubonjat, rexhepqosët, fatlumsadikët nuk po kanë të ndalur në mohimin e çdoçkaje shqiptare. E duan popullin tonë pa histori, pa heronj, pa ardhmëri.

Retë e zeza, vijnë e do të shkojnë përkundër zhurmës shurdhuese që e kanë, përkundër dritës friguese qe e lëshojnë. S`do të ketë mohim të së kaluarës sonë.

Skënderbeu, kalorësi i Europës dhe i Shqiptarisë do të jetë krye kreje mbi të gjithë shqiptarët pa dallim feje apo bindje politike.

Krenaria shqiptare në të njejtën kohë edhe krenarija Europiane, përkundër asaj që i pengon  aziatët, flamuri i tij do të valojë edhe në shekujt e ardhshem të ardhmerisë sonë.

Nëse Skënderbeu i ka tmerruar mehmetfatihët ne kohën e tyre, po i tmerron edhe sot fatihët e rinj, që duan t'i shtrinjë rrënjët e tyre të thara edhe një herë në këtë tokë të përgjakur.

Skënderbeu mbetet Gjergj Kastriot si për muslimanin shqiptar, si për katolikun shqiptar ashtu edhe për ortodoksin shqiptar.

Pra mallkue qoft aj bir shqiptari, që dhuratën historike të perëndisë, Skënderbeun, që nuk e ka në gji, dhe si hajmali mbrojtëse t`a përcjellë gjithë jetën.

Iu themi të gjithëve, larg duart nga historia e jonë, largë duart nga Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.

Gjon Keka - Zemra Shqiptare, 07.01.2012:

Figura mbikohore e Gjergj Kastriotit duhet shikuar në tri aspekte; e para në atë të një figure të civilizimit të përbashkët të familjes europiane, e dyta të ruajtjes dhe shpalosjes së identitetit të plotë të shpirtit kombëtar, kulturor e europian dhe se fundi të mbrojtjes së vlerave rrënjësore të shpirtit, identitetit dhe kulturës së përgjithshme si të kombit shqiptar europian ashtu edhe të përbashkësisë së plotë të familjes europiane.

Gjergj Kastrioti është simbol i civilizimit europian të kombit shqiptar, ai nuk ka kufij të panjohur gjeografik as vend që nuk ka dijeni për këtë hero dhe figurë stoike të kombit shqiptar europian, madje ka shtete dhe kombe europiane e botërore që jo vetëm kanë respekt të thellë shpirtëror, por edhe e duan si pjesë të civilizimit të tyre europian. Në këtë kontekst mendoj se Gjergj Kastrioti së pari është bir i madh i kombit shqiptar europian, së dyti është një ndër bijtë më të vlerësuar të historisë së Europës së bashkuar dhe së treti është një figurë e mbarë botës së civilizuar dhe posaçërisht e vlerave universale të familjes europiane.

Megjithkëtë duhet thënë se kjo figurë mbikohore e kombit shqiptar europian ka disa vite që po injorohet madje edhe përbuzet nga një lloj fare e mbetjes sulltaniste apo edhe ndonjë pjesë që ka veshur petkun e ideologjisë sulltaniste, kjo pjesë apo thënë ndryshe kjo pjellë injorantësh dhe demonësh janë vegëla të politikës dhe strategjisë demoniake turke për të fshirë nga faqja e dheut, nga koha, gjurmët dhe të vërtetën e kombit shqiptar europian si dhe figurat mbikohore të kombit shqiptar të cilët rujatën identitetin, kulturën dhe shpirtin e vërtetë europian të kombit shqiptar. Kështu që për këtë pjesë të injorancës apo ideologësh sulltanist - e që gjoja sa për sy e faqe e quajn veten shqiptar, Gjergj Kastrioti nuk është hero i tyre as bir i madh dhe i fuqishëm i civilizimit të kombit shqiptar europian, por një simbol dhe figurë e huaj apo edhe përjashtuese - në kuptimin jashtë trupit të kombit gjë që është një demonizëm dhe mohim i skajshëm i të vërtetës, historisë dhe identitetit europian të kombit shqiptar europian.

Nga e gjithë kjo mund të themi se Gjergj Kastrioti është hero i të gjithë shqiptarëve që kanë shpirtin, identitetin, kulturën europiane dhe që kanë vizionin e qartë drejt rikthimit të kombit në familjen e lashtë europiane të tyre. Poashtu Gjergj Kastrioti është dhe do të jetë bir i madh i kombit shqiptar europian, shkëmb i palëkundur, adresa dhe referenca e kombit shqiptar europian etj. etj. Duke u nisur nga kjo mund të konkludojmë se kombi shqiptar po qëndron akoma në një vend të ngushtë që nga koha e pushtimit barbarë të perandorisë otomane dhe asaj serbe dhe ajo nuk mundet të lëvizë djathtas e as majtas pa u ringjallur dhe zhveshur petkun e huaj ideologjik sulltanist. Gjerësa të qëndrojë në këtë vend të ngushtë ai nuk do të arrijë kurrë të lëvizë djathtas apo majtas, por në momentin që ky komb të marrë vendim të brendshëm të tij duke u ringjallur dhe hyrë në jetën e re pa rrobat e tij ideologjike ai jo vetëm që do të lëvizë djathtas që do të thotë do të lëvizë drejtë rrugës së tij të natyrshme, të rikthimit në vetvete identitetin e tij origjinal kombëtar, shpirtëror e kulturor dhe në familjen e lashtë europiane, por edhe do të ketë gjithmonë në hapat e tij llambën që i bënë dritë të ardhmes së tij të sigurtë. Prandaj me fjalë të tjera Kombet gjithnjë kanë nevojë për dritë në rrugën e tyre drejt të ardhmes dhe këtë mund ta kenë gjithmonë në jetën e tyre vetëm atëherë kur kane qenë dhe janë besnikë ndaj rrenjëve dhe identitetit te tyre si dhe kur kanë një lidership vizionar dhe të vërtetë.

Kozeta Zylo - Zemra Shqiptare, 31.12.2011:

Gjergj Kastriot Skanderbeg është Heroi Kombëtar, për rrjedhojë është Heroi i të gjithë shqiptarëve.  Të gjithë ata-ato pa perjashtime, që sulmojnë Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skanderbeg janë xhuxhmaxhuxhët e tij dhe të Kombit shqiptar.

Heroi Kombëtar u bëri ballë hordhive turke, barbarëve të kulturës dhe të historisë sonë që ndryshuan me dhunë dhe me gjak historinë tonë të lashtë Dardane.

Nuk kanë lindur as dje, as sot, dhe s’kanë për të lindur kurrë ata burra që do të mundin Heroin tonë Kombëtar.  Ai qëndroi me shpatë në dorë për 25 vjet rresht, dhe i syrgjynosi barbarët turq larg trojeve shqiptare.  Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skanderbeg është i vetmi Hero Kombëtar pasi, shpirti dhe vepra e tij u shkrinë për Atdhe.

Ai ishte mbrojtësi i qytetërimit dhe kulturës europiane.

Genocidi turk që shkatërroi Shqipërine për 500 vjet rresht duhet dënuar me ligj, dhe për këtë institucionet më të larta të drejtësisë shqiptare duhet t’i dërgojnë në Hagë krimet e perandorisë turke karshi popullit shqiptar.

Lavdi Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skanderbeg!

Visar Zhiti - Zemra Shqiptare, 31.12.2011:

Nuk e di me ç’arsye mund të mendohet ndryshe dhe pse? Do të më dëshpëronte dyshimi, por ai mposhtet nga e vërteta e madhe dhe e pathyeshme. Nuk e vendosim dot veç ne, të gjallët e tanishëm, se populli janë dhe brezat e shumtë që kanë ikur dhe brezat e pafundmë që do të vijnë dhe as e zhbëjmë dot që Gjergj Kastrioti Skënderbeu është dhe mbetet Heroi Kombëtar i të gjithë shqiptarëve, e kanë vendosur shekujt, historia e atdheut, fati ynë kolektiv, gjaku, luftrat dhe paqja, ideali dhe strategjia e kombit, etj. Vegimet skënderbejane paraprijnë vazhdimisht.

Shqipëria bën pa secilin nga ne, por nuk bën dot pa Skënderbeun. Ai bëri vetveten tek të gjithë ne dhe ne e bëmë atë siç na duhej, siç deshëm. Është identitet, ideal, qëllim, frymëzim. Është tragjedia e popullit dhe triumf i tij, përvoja e madhe e bashkimit, e betejave për liri, kundër çdo pushtuesi dhe mik i çdo populli, kryekomandanti i detyrave supreme.

Nga çdo shqiptar ai mori dëshirën dhe forcën dhe çdo shqiptari i dha misionin dhe vlerën e këtij misioni. U them myslimanëve të mij se në Atë është dhe emri mysliman “Skënderbej”, ashtu si dhe për të krishterët e mij është dhe emri “Gjergj ynë”. Ai bashkon fetë për ne. Na bashkon përjetësisht ashtu siç i bashkoi shqiptarët për të qenë të lirë, pa pushtues, për të ribërë vetveten, kombin dhe për t’u njohur nga bota mbarë. Me të, prej Tij. Emri i Tij rikrijoi identitetin dhe përgjegjësitë kombëtare, ndërgjegjen kolektive, kujtesën historike, Gjergj Kastrioti Skënderbeu përveç luftëtarit dhe prijësit tonë të gjithkohëshëm, krahas kryeqytetarit shqiptar bëri dhe qytetarin europian.

Emri i Tij është në ninananat tona dhe në elegjitë, në epos dhe në legjenda, në romane, jo vetëm historikë, por edhe në ato modernë, edhe kur e çmitizojnë, e bëjnë më njeri, më të rrokshëm. Zhvarrosja e tij sikur donte të kundërshtonte vdekjen. Prandaj Ai është dhe në emra malesh, rrugësh e sheshesh, madje dhe nëpër botë, me shtatore si një nga strategët më të mëdhenj të çdo kohe “si mbrojtës i paepur i qytetërimit europian”. Në qoftë se ka ndonjë midis nesh që dyshon në këto, le të pyesë një italian çfardo, francez, gjerman, zvicerian, etj, grek a serb, që hërë pas here e duan ta kenë dhe të vetin. Le të pyesë dhe përtej Europës, në Amerikë. Një kongresmen në SHBA ka thënë: “Pa Skënderbeun edhe Amerika do të ishte ndryshe”. Ky është një koncept tashmë që nënkupton Shqipërinë.

Ilia S. Karanxha - Zemra Shqiptare, 31.12.2011:

Kur Marin Beçikemi u ul të shkruante Historinë e Skëndërbeut  nuk kishte qëllim të parë  t'i thurte lavde trimërisë e mënçurisë së luftëtarit tonë të cilat kuptohet nuk i mungonin por të ngrinte monumentin e identitetit të  kombit shqiptar nëpërmjet figurës të Skëndërbeut.  Ai nga pozita e një profesori universitar kishte njohur shumë mirë të gjitha intrigat që thureshin nga të fuqishmit e kohës që secili për llogari të vet synononte të bënte të vetat ato troje. Pra një komb shqiptar nuk i duhej akujt. Heronjtë, simbolet,  historija pra me një fjalë identiteti i atij populli nuk i pëqente askujt. Shqiptarët duhej të ishin filoturq që të shndroheshin një ditë në turq të vërtetë, filovenecianë që të shndroheshin një ditë  venecianë të vërtetë, filogrekë që të bëheshin një ditë grekë të vërtetë, filo-sërbë që të bëheshin një ditë sërbë apo sllavë të vërtetë. Kjo histori shkombtarizuerse nuk lindi sot por vazhdon prej shekujsh.

Në fakt në këtë përleshje të gjatë mëse pesë shekullore mes forcave kombëtare dha anti kombëtare shqiptarët kanë humbur shumë beteja por në fund fituan luftën.  Fitoi fryma liridashëse e tij, fryma e të qënit të lirë dhe të pavarur, fryma për të pasur një komb e një identitet të ndryshëm nga të tjerët. Pra fituan simbolet e identitetit të tij  kombëtar: Gjergj Kastrioti, Zonja e  Shkodrës, flamuri kuq e zi me shqiponjën dy kererëshe. U bë një pjesë e Shqipërisë dhe e Kosovës. Tani ç'do shmangje nga këto simbole nuk është asgjë e re veçse historia e atij kombi që na rikthen në shekujt e kaluar. Në shekujt e cifilitjeve për shkombtarizimin e tij. Sot ish-armikun më të madh të shqiptarve sulltan Mehmetin  e pranuam jo si hero por si shenjtor. Nesër  e ka radhën Sllobodan Milosheviçi të vemë e ta nderojmë edhe atë si një shenjtor në ndonjë faltore në Prishtinë apo në Prizren. Kosova mburrja dhe krenarija e Shqipërisë  që dje i vuri gjoksin tankseve serbe,  sot po pranon kokë ulur inxheksionet letale të Turqisë e Arabisë. Kombi shqiptar me këta njërëz dhe të tjerë  axhaminj si këta  do të rrokulliset në greminë apo do të rikthehet të jetojë?

Sigurisht do të rikthehet të jetojë se Gjergj Kastriotin - Skëndërbeun, Shqipërinë e shqiptarët askush nuk mund t'i eleminojë nga historia e Evropës.

Nuhi Ismajli - Zemra Shqiptare, 31.12.2011:

Gjergj Kastrioti është pa dyshim heroi më i madh i të gjithë shqiptarëve. Ai ashtu është konsideruar që nga koha e tij e gjer më sot. Kështu e kanë çmuar të gjithë shqiptarët, pavarërësisht nga përkatësia fetare. Gjergj Kastriotin e kanë quajtur hero më të madh të shqiptarëve, shqiptarët e besimit katolik. Kështu e kanë quajtur edhe shqiptarët e besimit ortodoks. Po kështu e kanë quajtu edhe shqiptarët e besimit mysliman. Marrim parasysh veprat e shkruara nga shqiptarët e këtyre besimeve fetare. Sami Frashëri, i cili njohu mirë kulturën orientale dhe i kontribuoi shumë asaj dhe jetoi gjatë në qendrën e P. O., Gjergj Kastriotin e vlerësoi shqiptarin më të denjë, i cili, më shumë se çdokush tjetër luftoi për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Në veprën e tij: "Shqipëria...", ai shkruan: "...themi prapë me hidhërim zemre që: Shqiptarët kanë punuar gjithëmonë për botën e jo kurrë për vete. Vetëm një Skënderbe ka punuar, në kohërat të shkuara, për Shqipërinë e vetëm ai është me të vërtetë mburrje për Shqipërinë".

Ka shumë që deklarohen si shqiptarë, të cilët nuk e duan dhe e mohojnë Gjergj Kastriotin dhe famën e tij, si kryehero shqiptar. Të tillët deklarohen si shqiptarë, por nuk janë shqiptarë. Ata janë me origjinë joshqiptare ose aq shumë të tjetërsuar nga ideologji antishqiptare, sa ta mohojnë edhe kryeheroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin, i cili, më shumë se çdokush tjertër luftoi për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Vepra kombëtare shqiptare e Gjergj Kastriotit, është bërë edhe shembulli i luftës çlirimtare, në botë, vlerë së cilës iu kushtuan veprat e llojeve të ndryshme nga krijuesit e ndryshëm botërorë.

Lavdrim Lita - Zemra Shqiptare, 31.12.2011:

Gjergj Kastrioti është mishërimi i një damari fisnik që kanë njerëzit e quajtur Shqiptarë. Nganjëherë kam frikë të shkruaj për Gjergj Kastriotin. Nuk dua të shkruaj me pathos patriotik apo/dhe nacionalist, nuk më pëlqen. Gjergji hyn në pantheonin e ndritur sepse mbrojti familjen, pronën, nderin, besimin, njerëzit e lirë pranë tij, sic duhet të beje cdo burrë kur beson se këto vlera janë të rendësishme.

Mund te them se Gjergji eshte sublimi i asaj trashëgimie luftarake, krenare, të papaposhtur që kanë deftye paraardhesit e tij. Besoj se Skënderbeu nuk është vetem i gjithë Shqiptarëve, por i gjithë qyteterimit europian, që bazohet tek liria dhe siguria.  Ai ka hyrë në historinë e strategeve të mëdhenj, përkrah Lekës së Madh, Cezarit, Anibalit, Pirros, Konstandinit, e shumë të tjerëve , prandaj gjithcka bëhet me e veshtirë kur gjykohen njerëz të idealeve të mëdha.



(Vota: 56 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora