Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shaban Peraj: Erdhi e shkoi si molla

| E premte, 16.01.2015, 08:35 PM |


Erdhi e shkoi si molla

Shkruan: Shaban Peraj

Në prag të vizitës së zv/kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme të Kosovës z. Hashim Thaçi këtu në Mal të Zi, politika proserbe është ndier e trazuar duke dhënë mesazhe se do të bëhet kiameti nëse një vizitë e tillë do të lejohej. Që në start vrapun kush me shumë e kush më pak të paraqiten në medie elektronike politikanët proserb të opozitës malazeze duke dëshmuar se padrejtësitë shoqërore që kanë në kokat e tyre disa të ashtuquajtur mbrojtës të së drejtave serbe, si: Danilloviq, Medojeviq, po edhe ndonje syresh, ka bërë që deri sot, sipas tyre ndonjë prijës shqiptar të jetë i urryer, në rastin konkret z. Thaçi, duke e konvertuar atë në shenjë krimineli të luftës së zhvilluar në Kosovë. U pa qartë se me deklaratat e tyre këta nuk e kanë arritur akoma një shkallë të lartë të qytetrimit e civilizimit siç pretendojnë ata t’ua shesin përkrahësve të tyre. Këta zotërinj duket se në kokat e tyre , e besa edhe të përkrahësve kanë akoma një albanofobi të tepruar , pa kuptuar apo pa dashur të kuptojnë se historia e këtyre trojeve ka filluar një faqe të re bashkëpunimi. Këta mjeranë të kohës nuk bëjnë gjë tjetër por vetëm ate që u vjen për shtati në momente të caktuara, gjithnjë me kujdes që rezultatet të arrihen për qëllime politike te elektorati i tyre. Duke përhapur këtë të keqe që thanë për z. Thaçi, u pa qartë se të njëjtëve u mungon koka për të kultivuar fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e ballkanit, po edhe më gjërë. Kjo minorancë sot në Mal të Zi nuk bënë asgjë tjetër vetëm se mundohet të shkatërrojë një ekzistencë të rehatshme dhe të denjë sikur e kanë gjithë popujt tjerë të Evropës. Këta zotërinjë tashmë është e q artë se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kompliciteti i së kaluarës ,të yshqyer edhe nga klerikët e Kishës Ortodokse serbe rebelohen çdo ditë duke shpikur nga më të këqijat e duke humbur karakterin njerëzor bëhen parazitë të shoqërisë. Meritojnë të quhen robër sepse nuk kanë kapacitete iniciativash , apo nuk duan të kenë liri morale për të vepruar , dhe në mungesë të aftësive e eksperiencës së fqinjësisë së mirë bëhen konservatorë dogmatik duke jetuar me të kaluarën.Është sëmundja e kësaj pjese të shoqërisë malazeze që në vazhdimësi dëshmojnë se janë të lodhur të kontemplojnë të djeshmen, në vend që të përgatisin të nesërmen . Këta nuk e kanë për turp të korruptojnë shpirtin e atyre që u shkojnë pas, ndaj nuk ka shpresë për ta se një ditë do të drejtojnë shtetin e Malit të Zi. Po të ndodhë kjo prej tyre, atëherë nuk do të mund të mbajnë qytetarët me grindje fjalamane , përkundrazi në këto kohë ultramoderne do të detyrohen deshën apo jo, që të bëjnë të aftë qytetarin që ai vetë të trajtojnë problemet që i interesojnë në të tashmen e në të ardhmen e këtij vendi, ndryshe... deklaratat e dhëna në prag të vizitës së kryediplomatit të Kosovës, z. Thaçi dëshmuan se i tremben qeverisë së tyre duke harruar se atëherë krijojnë tirani. Këta me mentalitetin e vjetër janë mësuar të respektojnë vetëm vetën, pa pasur kurajo të shohin edhe anën tjetër. Në vend që të demonstrojnë respekt të njëjtit hedhin fjalë e mendime kundër shqiptarëve me çka dëshmojnë se janë parazitë fatkeq që zbehen me rrënjë sipër dheut.

Opozita proserbe në Mal të Zi duket qartë se vuan nga një sërë problemesh që kanë brënda bllokut të vetë, e ajo që më së shumti ka rëndësi në këto momente është mungesa e demokracisë, pavarësisht se këta mundohen ta mbulojnë me ca lëvizje shterpë, disa buzëqeshjeve që u ka humbur shija japin shkas për të besuar se me demokraci të brishtë nuk mund të drejtojnë të tjerët për bashkëpunim mes shteteve fqinje. Rëndësi kishin mesazhet që ata përcollën te qytetarët, një pjesë e vogël e tyre e morën shumë seriozisht , bile mesazhe të tilla u erdhën në rast të festës fetare nga prijësi i Kishës Ortodoke serbe, Amfilohije me çka nxitën masën për proresta në ditën e vizitës së z. Thaçi.Të prirë nga këta politikanë dështakë proserb, disa shoqata joqeveritare, para Vilës- “Gorica”, të zemëruar dhe aspak në nivelin e duhur kulturorë, ca fatkeq sollën pankarta me mbishkrime të ndryshme me çka dëshmuan se brutaliteti i tyre barbar nuk ka ndërmend të fshihet as në fillim shekullin e 21-të. Ikën dhe u kthyen me bisht nën shalë , dhëntë Zoti të mos kthehen më në raste të tilla.

U takua z. Thaçi me udhëheqësitë më të lartë shtetëror të Malit të Zi dhe aty u bisedua për dëshirën që të realizojnë në shoqëri harmoninë e drejtë të atyre që punojnë për marrëdhënie të mira, të atyre që dëshirojnë që kombësitë e ardhshme të jenë diçka më shumë sesa ndarje politike, të ngrëna prej grykësisë armiqësore. Shekulli është i lodhur prej të cunguarve shpirtërisht të shëmtuar, prej të sëmurësh, memec a doracë, shekulli ynë nuk do më të vazhdojë duke besuar në virtytet e një të shkuare që e fundosi botën në të keqen, në gjak, në horror, në tmerre. I gjithë angazhimi që po bëjnë vendet e Ballkanit Perendimor për të bartur përvojat nga demokracitë e tyre padyshim që do të japin rezultate pozitive , dhe kjo përcjellë një imazh e begati në shoqëritë e organizuara që duan dhe respektojnë shtetin e tyre. Në jetë gjithmonë ka parime, ka rregulla, ndaj edhe në politikë ky mision duhet të përmbushet në këtë fillim shekulli me çka kuptohet si epokë e arritjes së disa objektivave për fqinjësi të mirë, për bashkëjetesë pranë njëri-tjetrit.

Deklaratat e tyre nuk ishin të rastësishme dhe pa ndonjë qëllim të caktuar, sido që të jetë ne shqiptarët në Mal të Zi jemi mësuar me të tilla deklarata dhe nuk na bëjnë edhe aq përshtypje, sot ndodhi kjo, nesër do të kemi diçka të ngjajshme , ky është mozaiku politik në Mal të Zi.