E premte, 19.04.2024, 07:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Aleksandër Moisiu, magjia e artit skenik

E premte, 11.07.2008, 06:57 PM


Aleksandër Moisiu
Aleksandër Moisiu
Libri/ Aleksandër Moisiu po kthehet në legjendë kur në kohë është kaq afër nesh. Legjendat duan kohë të trajtohen si të tillë

Aleksandër Moisiu, magjia e artit skenik

Nga Albert Zholi

Para disa ditësh në një nga ambientet e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve u promovua libri “Aleksandër Moisiu”, me autor Sali Hidrin. Në këtë promovim merrnin pjesë shkrimtarë artistë, kritikë arti, gazetarë si dhe dashamirës së artit. Në këtë promovim e morën fjalën shumë pjesmarrës, të cilët folën për vlerat artistike të veprës. Pas promovimit mora disa opinone nga aktorët më të shquar shqiptarë mbi figurën e aktorit me përmasa botërore Aleksandër Moisiu.

Mirush Kabashi

Aleksandër Moisiu, për të cilin ne kemi marrë informacion më shumë nga studiues të huaj për sa i takon vlerave të tij artistike, mbetet një aktor i jashtëzakonshëm përsa i takon forcës së tij të jashtëzakonshme transformuese  nga  një rol në rolin  tjetër, forcës së tij të madhe shpirtërore dhe energjive të tij mëse mitike. Kjo dhe për faktin se ai mundi të  udhëtojë nga një shtet në një shtet tjetër me ato mjete komunikacioni që kanë qenë, për të dhënë shfaqje që kanë mahnitur Evropën.

Mirush Kabashi
Ai njeh krenari madhështi prej njerëzimit, në aspektin e vlerave të tij të jashtëzakonshme aktoreske. Edhe vepra, të cilën diskutojmë sot përcjell  disa  nga vlerat që ka ai në aspektin historik dhe në marrëdhëniet mes Triestes  dhe Durrësin. Pjesa e dytë që merret me letrat  modeste që Moisiu shkruante, shpjegojnë qartë se ato letra, mënyra e të shkruarit në mënyrë të ndjerë, tregojnë qartë se jeta dhe karakteri i Moisiut janë shumë interesante. Edhe pse u bë njeri i madh, Moisiu ka pasur marrëdhënie mjaft të mira  familjare me  vëllain, motrën dhe të afërmit e tjerë të familjes. Edhe pse është kaq i madh ai përsëri do që t’i kënaqë  të  gjithë dhe me të gjithë të ketë marrëdhënie të mira. Kritika botërore  e ka  evidentuar  shumë mirë këtë të veçantë të karakterit të tij, që del mbi shqetësimet e tij si njeri. Ai pati edhe një dhunti  jo të  vogël familjare për të ruajtur ekuilibrat, për të bërë thirrje të gjithëve dhe për të ruajtur detyrimet, për të shmangur ato xhelozi të vogla familjare, midis motrave dhe bashkëshortes së tij. Është një gjë që pa diskutim ka plotësuar dhe plotëson personalitetin e tij, shpjegimi pse Moisiu pati atë rezultat, atë krijmtari dhe atë begati, atë vlerë dhe atë mjeshtëri të jashtëzakonshme në krijmtarinë. Ajo e të qënit punëtor, kërkues, vizionar, i palodhur, i ndjeshëm, njerëzor. Në këtë aspekt mendoj se në të vërtetë Saliu duhet përgëzuar për  këtë studim me  këtë vlerë të  madhe për Moisiun.

Margarita Xhepa
Margarita Xhepa (Artiste e Popullit)

Dua ta filloj diskutimin tim shumë modest me një falenderim shumë të thellë  për zotin Hidri, sepse shikoj një libër të bukur artistik dhe një dëshirë, ku një shkrimtar  durrësak shkruan për një Aleksandër  të Madh. Libri fillon  me një elegancë ku i gjithë aktiviteti i tij i madh që ka dhënë nëpër botë dhe që ka krijuar personalitetin e tij në artin e madh në shumë shtete të botës është dhënë me disa dedikime.Tashmë dihet se kanë shkruajtur shumë për Aleksandër Moisiun dhe nëpër gazeta të ndryshme, por eleganca  këtu në artin e  tij  të madh  fillon me postulatat  që kanë thënë personalitete të mëdha artistike për këtë aktor të  madh. Më e bukura për mendimin tim është se Moisiu del në këtë libër një artist i madh, por edhe njeri i madh. Kur këto gërshetohen gjithmonë bashkë, atëherë del gjithmonë një art i madh. Ne artistët nga vetja, jonë, nga shpirti ynë, i ngjisim diçka tjetër personazhit. Këtë e pasqyron edhe personazhi në skenë. Në këtë libër Aleksandër Moisiu i madh na jepet me një edukatë dhe me një fisnikëri, për t’u admiruar. Këtë e shoh me korrespondencat që ka ai  jo vetëm me familjen,  por edhe të tjerët. Ndihet edukata, kultura që ka marrë. Mendoj se  ky  është një libër  sidomos  për artistët e rinj që duhet ta lexojnë pasi kanë shumë se çfarë të marrin. Po shkëpus vetëm një moment, ku Aleksandri thotë se: “Duhet të punojmë, të punojmë dhe të korrigjojmë në rast se kemi gabime”. Pra kemi të bëjmë me një shpirt të madh si njeri dhe si artist. Kjo vlen shumë për të gjithë, sepse ky lloj mesazhi na frymëzon të marrim gjëra të reja, na pasuron shumë si karakter.

 

Lazër Filipi
Lazër Filipi (Artist i Popullit)

Edhe një gazetar gjerman ka botuar një libër para pak vitesh për Aleksandrin. Edhe një shkrimtar nga Trieste ka bërë një dramë kushtuar Moisiut. Pra Moisiu është një figurë e madhe, që i kanë kushtuar shumë libra dhe ky libër i Saliut nuk ka për të qenë i fundit, por do të vazhdojë. Në ndryshim nga librat e tjerë, libri që ka botuar Saliu ka një veçori dhe është kapur në një aspekt tepër të veçantë, në  aspektin familjar, vetjak etj.. Në sa më shumë kënde të  ndryshme të shihet  një figurë, aq më shumë  shikohet dhe hidhet dritë mbi të, personalitetin, karakterin, imazhin, figurën e tij. Por ne duam të vazhdojmë të shkruajmë libra të tjerë për Moisiun. Saliu ka bërë një punë shumë të mirë dhe shumë shkencore, pa rezerva dhe e ka parë Moisiun  në këtë këndvështrim. Por ne harrojmë që për Moisiun ka shkruar edhe një figurë e madhe botërore siç është Franc Kafka. Është një nder i madh për kombin tone, që një  figurë kaq e madhe të shkruajë për Aleksandër Moisiun. Ai ka lënë mbresa të mëdha pa përmendur pastaj edhe autorë të tjerë të mëdhenj që ne i njohim, por edhe që nuk i njohim. Ka ardhur  koha që të mblidhen dhe të bëhet një antologji për Aleksandër Moisiun. Ashtu siç mendoj unë se duhet të mbledhim të gjithë krijmtarinë e Moisiut dhe ta botojmë. Moisiu ka dhe anën tjetër, atë të të shkruarit vetë, ka drama dhe disa pjesë të shkurtëra ose artikujt të ndryshëm. Moisiu ka shkruar edhe një dramë për Lindjen e  Fëmijës. Në Gjermani u bë një zhurmë e madhe në atë kohë dhe për këtë flet gruaja e një shkrimtari rus që e ka pas njohur Moisiun. Ka edhe shumë filma që ka interpretuar Moisiu  dhe  ne  nuk i njohim. Jeta e tij është e mbushur me ngjarje. Ne po heqim paksa nga pluhuri i harresës të dalë një pjesë e vogël e veprës së tij të madhe. Ne njohim  vetëm  filmin që është shfaqur në Shqipëri.

Prof. Gjergj Vlashi

Libri i Sali Hidrit nuk do të jetë libri i fundit i shkruar për Aleksandër Moisiun. Unë bashkohem me mendimin që ky libër do të jetë fillesa e librave që do të shkruhen për Aleksandër Moisiun, për vetë faktin që në këtë libër për  herë të parë figura e Aleksandër Moisiut dhe Epoka në të cilën u lind dhe u formua ky personalitet i fuqishëm i teatrit botëror, trajtohen me origjinalitet duke sjellë gjëra të reja që lexuesi jonë po i lexon për herë të parë. Vlera e këtij libri është sepse ai është trajtuar në tre drejtime: - Ku janë   marrëdhëniet midis Triestes dhe Durrësit. Periudha e formimit, adoleshenca e aktorit, ndikimi që pati bota  shqiptare dhe qyteti i Triestes në formimin e personalitetit të këtij artisti të madh. Pjesa e dytë e këtij libri është drama e Aleksandër Moisiut. Një dramë e jashtëzakonshme jo vetëm shpirtërore,  por  edhe  drama e një epoke, e cila po pushtohej gjithmonë e më tepër nga forcat naziste. Këtë dramë Moisiu e ndjeu shumë siç e ndiejnë të gjithë intelektualët e mëdhenj gjermanë dhe bashkëkohës që kuptonin që nazizmi ishte një murtajë që i vinte njerëzimit për të mbytur zërin e lirisë, demokracisë dhe të mendimit njerëzor. Ai iku nga Gjermania sepse filloi të ndiqej nga nazistët si çifutët. Ai u mundua të merrte nënshtetësinë shqiptare, për t’i shpëtuar ndjekjes. Dhe ndodhi vdekja e tij e parakohshme që nuk duhej të  kishte ndodhur. Në një ditë marsi i sëmurë nga mushkëritë, vdes parakohe një nga artistat e mëdhenj të skenës botërore. Vdekja ishte e kërcënuar nga koha dhe nga drama shpirtërore që ai jetonte. Kjo nuk ishte vetëm drama e një biri të Shqipërisë, por këtë dramë  e  ndiejnë  edhe shumë të tjerë. Ai ishte një artist i madh. Një vlerë tjetër e librit janë letrat që na jepen për  herë të parë, ku zbulohen marrëdhëniet e Aleksandrit me njerëzit e familjes, dashuria  e tijë e madhe për njerëzit. Ne shohim kudo një njeri të madh, një artist të madh dhe një bir të denjë të këtij kombi të lashtë. Përsa i përket librit Saliu ka meritën që na sjell gjëra të reja qoftë në tregimin e periudhës të marrëdhënieve të Durrësit me Triesten, qoftë edhe në jetën intime të Aleksandër Moisiut, na ndriçohen hapësira të panjohura, na zbulohen anë të panjohura të  botës. Hap shtegun për një trajtim më të thellë dhe më të gjërë të figurës së Aleksandër Moisiut. Koha patjetër do të sjellë gjëra të reja sepse një pjesë e madhe e dorëshkrimeve të Aleksandër Moisiut ka  qenë e bllokuar. Janë 20 kuti të hekurta, që  për  herë të parë  para disa vjetësh ato çlirohen, ku  ishin  futur  letra të panjohura dhe dorëshkrime të tjera të njerëzve të tjerë për  Aleksandër  Moisiun  dhe  vepra të  autorëve të tjerë që ishin kundër nazizmit, që përçonin një frymë të re në  kulturën gjermane dhe botërore.

Sali  Hidri (autor i librit)

Kam një kënaqësi të jashtëzakonshme sepse libri ka rënë në dorën e të gjithë lexuesve, që duan të lexojnë dhe dinë të lexojnë. Jam krenar që në moshën time rinore jam rritur me magjinë e artit  skenik  dhe do të them vetëm një  pasazh:

Duke qenë se për 27 vjet kam qenë Drejtor i Muzeut të Durrësit dhe kam qenë edhe në shtëpinë e Aleksandër Moisiut, pak nga pak fitova atë bindjen  se të shkruash për Aleksandër Moisiun nuk është aventurë. Pata fatin të prezantohem nga Ambasada Italiane si mik i Ambasadës Italiane në Trieste, ku bëra edhe kontaktin e parë me muzeun e Aleksandrit. Atje u mrekullova me materialin. Unë mbas  10 vjet pune e dorëzoj librin për lexuesin, duke qenë gjithmonë  pranë  vetes time  sepse kam arritur të bëj  diçka modeste për një figurë të madhe. Një libër është një pikë uji në oqeanin e madh të veprës së tij. Ky është një evenimet i rëndësishëm i jetës  sime si krijues.

Tinka Kurti
Tinka Kurti (Artiste e Popullit)

Për librin unë e uroj autorin shumë. Nuk e kam lexuar. Është një anomali e jona  që  sillet libri në tavolinë  atë ditë  që  promovohet. Unë kam dëgjuar dhe lexuar shumë për Aleksandër Moisiun. Sa herë dëgjoj diçka të re emocionohem me figurën e tij. Është shumë e rëndësishme të gërmohet në këtë figurë, pasi është një sukses i padiskutueshëm të arrish një vlerësim të tillë jashtë vendit tënd. Unë kam edhe dy fotografi të çuditshme të tij në shtëpinë time. Por është dhe një paradoks. Ne jemi vetë aktorë dhe e dimë se çfarë do të thotë të njohësh jetën e një figure të tillë. Por, neve artistëve nuk na çojnë të shohim varrin e Aleksandër Moisiut. Aty shkojnë  ministra  e kryeministra  që  nuk  e kanë  idenë  se kush ka qenë Aleksandër Moisiu. Që nuk lexojnë për të. Që nuk investojnë për të. Që nuk vijnë në promovime librash për të. Aleksandër Moisiu po kthehet në legjendë kur në kohë është kaq afër nesh. Legjendat duan kohë të trajtohen si të tillë, ndoshta shekuj, por nga madhështia në skenë ai që tani po trajtohet si i tillë. Ne i kemi tanët figura të tilla dhe i lemë në harresë. Bota nuk i ka dhe mundohet t’i bëjë të vetët. Krenohemi me të gjithë Aleksandrat që ka Shqipëria.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora