Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ibrahim Kadriu: Bukureshti dhe shqiptarët

| E enjte, 15.01.2015, 09:50 PM |


Bukureshti dhe shqiptarët

(Fragment nga libri Buzëqeshje miqsh, libri i tretë, Shtëpia Botuese Libri Shkollor, Prishtinë 2014)

Shkruan Ibrahim Kadriu

Bukureshti e ka xhelozuar Parisin, gjithmonë ka ekzistuar një lloj vullneti i rumunëve që me  pamjen e këtij qyteti të madh t’i ofrohen Parisit, edhe pse  do t’i mungonte Kulla e Ajfelit, ose lumi Sena, apo tregu i përhershëm i librit bri Senës apo në Rrugën e Universitetit të Sorbonës. Me këtë vullnet të mirë, pavarësisht çmimit të lartë, Çaushesku, pa ëndërruar ndonjëherë se do të pushkatohet, e bëri lumin artificial që t’i përngjante Senës, e bëri bulevardin  që t’i ngjasonte Avenue des Champs-Élysées , mandej e bëri edhe objektin e Parlamentit, si vepër të rrallë me dëshirë që të futet, disi, në atë regjistrin e mrekullive të botës, por ai vajti, siç u tha, si i pushkatuar, ndërkaq objekti mbeti aty. I përmenda këto mrekulli  të këtij qyteti  në mënyrë që, edhe në Lindje të Evropës, të ndodhej një Paris, por me emrin ndryshe – Bukuresht, i konsideruar si Parisi i Vogël në kohën e rilindësve tanë, apo si Lulja më e ëmbël e Shqipërisë në botë.  Sidoqoftë, dhe me këtë emër, por me objekte të traditës urbanistike e mban famën për qytet  të bukur në të cilin i gjen këndet e qyteteve të Evropës në Perëndim, sado që për pesëdhjetë vjet rresht  - u shtrydh me hiret e komunizmit dhe, për ato vjet, vuante për sharmin e dikurshëm dhe për atë që qytetet tjera e përjetonin si lulëzim. Fama e Bukureshtit  gjatë gjithë asaj kohe mbeti  me arkitekturën e dikurshme, edhe të stilit gotik, por edhe të stileve të tjera që i gjen në qytetet më atraktive të Evropës, njësoj edhe rrugët, njësoj edhe sheshet, madje edhe parqet e mëdha, liqenjtë dhe fontanat.

Derisa të bie hise shëtitja nëpër bulevardet e mrekullueshme, dhe e ke parasysh se shqiptarët që nga kohët më të hershme, kanë gjetur strehim në atë pjesë të botës, madje duke kaluar edhe Detin e Zi, duke arritur edhe në Ukrainë, edhe në Krime siç shpjegojnë, bie fjala, se në qytetin bregdetar Hurzuf që në një kohë, tetëdhjetë për qind  të qytetit e përbënin shqiptarët, por tash janë shkrirë, me dhunë kanë humbur identitetin, sipas urdhërit “sovjetik” që bënë konvertimin dhe pastaj ua humbën edhe gjuhën... Atje, thuhet, shqiptarët arritën në periudha të ndryshme, masovikisht që nga viti 1595 e tutje. Dhe, po, derisa shëtit, i ke parasysh dyndjet e ndryshme, shpërndarjen e shqiptarëve në atë pjesë të botës. Mandej të kujtohen edhe figura të ndryshme që lanë gjurmë e që, pikërisht në atë mes – bën stazhin e autoritetit të tyre, siç ishte Elena Gjika, e lindur në Bukuresht dhe e ngritur si krijuese, shkencëtare dhe si adhuruese e rrënjëve që i kishte, e rrënjëve shqiptare duke u bërë e njohur në Evropë me emrin e dytë Dora d’Istria. Në këtë kontekst, të “shfletojmë” kujtesën për këtë figurë aq emblematike, dhe të tregojmë se ajo  u lind me 22 janar 1828, si bijë e Mihal Gjikës, vëllait të Princit të të Vllahisë Grigor Gjika, dhe mori mësimet në, më parë në Dresden, pastaj në VjenëVenecia dhe Berlin. Dhe me atë dije të huazuar në qendrat më eminente të kohës, krijoi vepra siç ishin:  La vie dans l'Eglise monastique Orientale - "Jeta monastike në Kishën Lindore" (Bruksel 1855; Bot. II-Paris 1858),pastaj  La Suisse allemande - "Zvicra gjermane" (Gjenevë 1856, 4 Vëllime, gjermanisht; Bot. II, Zürich 1860, 3 Vëllime);  Les femmes en Orient - "Gratë në Orient" (Zürich 1859, 2 Vëllime),  Des femmes, par une femme - "Rreth grave, nga një grua" (Bot. II, Bruksel 1869, 2 vëllime), Ekskursions en Rouméllie et en Moree - "Ekskursione në Rumeli dhe More" (Zürich 1863, 2 Vëllime), mandej botoi tregimin Au bord des lacs helvétiques - "Lundrim në liqenet zvicerane" (Gjenevë 1861), romanet Fylétia e Arbenoré prej Kanekate laoshima (Livorno 1867), Gli Albanesi in Rumenia, një histori e princëve Gjika, nga familja e saj, në shekujt e 17-të deri 19-të (Bot. II, Firenze 1873), dhe La poésie des Ottomans (Bot. II, Paris 1877), si dhe shkrime të shumta mbi historinë e letërsisë, poezisë, çështje politike, Në atë kohë u radhit në mes të 10 femrave më të ngritura intelektualisht të kohës. Përkrahu nxehtësisht Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim de Rada, Dhimitër KamardaZef JubaniZef SerembeThimi Mitko etj. Ajo rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në një varg studimesh: Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore (La nationalité albanaise d'après les chants populaires, 1866), Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore (Les ecrivains albanais de l'Italie Méridionale, 1867), Shqiptarët në Rumani (Gli albanesi in Rumenia, 1873), etj., ajo vuri në dukje nëpërmjet këngëve popullore historike luftën shumëshekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman. Vdiq në Firence më 17 nëntor 1888.

Këto shënime janë përcjellëse gjatë shëtitjeve nëpër rrugët e Bukureshtit, gjithnjë duke pasur parasysh se në ato rrugë shëtiste edhe e madhja Elenë, siç shëtisnin edhe shumë shqiptarë të tjerë që, me vepra e aktivitete patriotike, I kishin bërë emrat e tyre që të mos harrohen kurrë. Si mund të harrohet, fjala vjen, të dhënat se në këtë qytet më 1884, pikërisht më 27 dhjetor, dhe pikërisht në sallën “Pomul Verde” u mblodhën treqind shqiptarë dhe formuan Shoqërinë e pavarur të shkronjave shqip “Drita”, që ishte vatër për botimin të librave të pare “E këndimit çunavet” dhe që, e njëjta Dritë, pastaj përjetoi riorganizimin me angazhimin e të madhit Nikolla Naço, kur nxirret edhe gazeta e parë kombëtare (1888) me emrin “Shqiptari” e cila botonte programin orientues të Shqërisë “Drita” ku merrej obligimi për aplikimin e gjuhës shqipe në shkolla dhe në kisha, për themelimin e degëve kulturore dhe hapjen e shkollave shqipe, për zhvillimin e gjuhës, historisë dhe letërsisë kombëtare, për shtypjen dhe botimin e teksteve shkollore, të revistave dhe gazetave në gjuhën shqipe... Ato aktivitete ngjallën iniciativën për hapjen e shkollës së pare normale shqipe në Bukuresht (më 10 maj 1892).

Bukureshti i mbante emrat e njohur të rilindësve tanë: Asdreni, Mihail Grameno,Naum Veqilharxhin, Petru Vullkanin, Vasil Ujkun (rum. Vasil Lupu), Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Aleko Vançi, Pandeli Evangjeli e shumë të tjerë, gjithashtu e kishte edhe rolin e qendrës ku shqiptarët tuboheshin dhe mbanin takime, bile edhe kongres. Ishte Kongresi shqiptar i mbajtur më 13 tetor të vitit 1898, ku morën pjesë, pos tjerësh edhe: Don Gjin Aladro Kastrioti, Faik Konica, Murat Toptani, Dervish Hima, dr. Ibrahim Temo e shumë emra të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare.

Në Bukureshtin e sotëm, duke i kujtuar emrat e mësipërm, por edhe shumë të tjerëve që gjetën strehë edhe në Brailë, Konstancë, si Asdreni e të tjerët, i gjejmë të pa prekur objektet që rrëfejnë historinë, jo vetëm ato objekte të historisë rumune, ku ndeshesh me figurën e madhe në skulpturë të mbretit Carol I që pranoi aq shumë shqiptarë të cilët u futën në viset rumune me emblemën e refugjatëve, por edhe objektin e kishës Shën Koli (apo Mbë Një Ditë ), e cila mban pllakën e mermertë në mur ku shkruan me fjalë shqipe dhe rumune se në këtë Kishë u mbajt mesha e parë shqipe më 1911 me Fan Nolin në ballë. Por është edhe hoteli Continental, ai i njëjti hotel me arkitekturë të dalluar në eksterier, por edhe në enterier, ku, në vitin 1912, krerët më eminentë të shqiptarizmës kur dëshironin të definonin statusin shtetëror të shqiptarëve, u mblodhën më 5 Nëntor dhe bënë planet se si duhej shpallur pavarësia e Shqipërisë. Brenda hotelit, në holl, në murin përballë qëndron pllaka (e shkruar në rumanisht dhe shqip). Derisa i shënojmë këto mbresa, (siç thonë) ju garantojmë se pas ca muajsh në hyrje të hotelit do ngritet edhe një bust i Plakut të Vlorës (Ismail Qemali) falë diplomacisë shqiptare dhe dashamirësisë së autoriteteve rumune. Është hoteli ku kishte qenë Ismail Qemali me shokë, ku ishte provuar edhe himni që edhe sot cilëson shtetin shqiptar, mbase edhe flamuri i qëndisur shqiptar qysh në kohën e Nikolla Naços (1884 e këndej).

Se shqiptarët Bukureshtin e kishin qendrën e tyre, qendër që u shërbente më shumë se për një kafshatë buke, edhe për arsim, kulturë: edhe për organizime që ta mbanin frymën patriotike gjallë dhe me ndikim edhe në qendrat tjera ku ishin shqiptarët të mërguar. Ata ishin shumë. Në një kohë ai numër arrinte edhe në tridhjetë mijë, thonë të sotmit që bëjnë hulumtime në pluhurin e arkivave. Kjo nuk do të thotë se edhe sot ka shumë shqiptarë në Bukuresht. Përkundrazi, na thonë diplomatët e ambasadës shqiptare, janë nja katërqind shqiptarë pa i llogaritur ata që, me dekada, u asimiluan. Por janë gjurmët, atë që të ngjallin krenarinë dhe të japin vullnet ‘u thuash rumunëve, për shembull – shkrimtarëve rumunë në kontaktin e përbashkët në Unionin e tyre, se ne e kemi shikimin andej, kemi nostalgji për të kaluarën kur, në këtë qytet shqiptarët sollën shtypshkronjën ku shtypeshin librat dhe gazetat shqipe, se u botua abetarja, se u botuan vëllimet poetike të Naimit, Lasgushit, Asdrenit e sa e sa shkrimtarëve të tjerë të Rilindjes Kombëtare. Shkrimtarëve rumunë iu tha se edhe njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë rumune, Viktor Eftimiu, ishte me prejardhje shqiptare, nga Boboshtica e Korçës. Duke pasur parasysh të dhënat biografike për këtë shkrimtar të madh, e do rasti për t’iu kthyer të dhënave biografike të tij, se ishte lindur më 1889 dhe se, ishte shpërngulur nga Boboshtica  duke u vendosur përgjithmonë (më 1907) në Bukuresht. Në moshën 17-vjeçare, moshë kjo e cila ia siguronte kujtesën që të mos e harronte kurrë vendlindjen, pavarësisht se u bë autoritet i madh i letrave, botoi rreth 125 vepra nga të gjitha gjinitë. Janë të njohur vargjet e Jan Barbu që i kushtohen Eftimiut: “Yni je Viktor Hygoi/ Është fjalë pa zarar/ Por dikush i juaj shtoi/ Se ti je Viktor shqiptar”. Ai qysh në moshën më të re u bë i njohur. Autoriteti si krijues i madh i dha mundësinë të emërohet drejtor i përgjithshëm i teatrove te Rumanisë, bile dhe i caktuan një llozhë të veçantë e të perherëshme në Tetrin Nacional të Bukureshti. Autoriteti i tij qe shtrirë në gjithë Evropën. Për këtëflet edhe shembulli konkret, jo veç për nderim që i bën identitetit të vet shqiptar, por edhe autoritetit që e kishte në Evropë:  Siç bëjnë me dije biografët e tij - kur Aleksandër Moisiu në atë kohë me nënshtetësi gjermane, i dërguar në front në luftën e parë botërore, u kap rob nga francezët, ishte Viktor Eftimiu ndërhyri për lirimin e tij. Gruaja e Moisiut duke e ditur popullaritetin e madh të Eftimiut, i shkroi atij letër për të ndërhyrë e liruar burrin e saj, njëherësh dhe patriotin e tij nga Shqipëria. Bile, pas lirimit, Moisiu shkoi në Bukuresht (më 1922), për ta falënderuar dhe aty dha pjesën "Kufoma e gjallë", për nder të tij...

Duke pasur parasysh të dhënat biografike të shkrimtarit të madh, dhe fill pas takimit të përbashkët me shkrimtarët rumunë, u gjet arsyeja të kalohet në qytetin e vjetër, në atë lagje të qetë, pa zhurmë automjetesh, për t’u gjendur pikërisht në rrugën që e mban emrin Viktor Eftimiu. Rruga i përshtatej, sepse në fund të saj, pikërisht aty ku nis një park, është objekti banesor, ndërkaq në katin e dytë apartamenti ku jetonte Viktor Eftimiu vetëm; një apartament me shtatë dhoma, nga dritaret e së cilës shikimi tretet në ambientin e parkut me drujt e gjelbërim, por edhe me skulpturën, përmendoren me portretin e shkrimtarit Viktor Eftimiu, për të cilën shpjegojnë se u ngrit sa ishte gjallë shkrimtari, që është rast i rrallë ose i vetëm t’i ngrihet përmendorja për së gjalli një shkrimtari. Kjo domethënë se shkrimtari Viktor Eftimiu, sa herë dilte t’i s’lodhte sytë me shikim drejt parkut, e shihte vetveten në bronz, por i shihte edhe zogjtë tek i rrinin maje koke, që  pa fije turpi – edhe e ndotnin. Prandaj, siç shpjeguan, Viktor Eftimiu e paguante një grua e cila, për çdo ditë, do ta pastronte bustin.

Kjo që u tha sipër paraqet faqe të shkëputura të historisë, faqe të lavdishme, të cilat inspiruan brezat e ardhshëm të mbajnë kujtesën gjallë për kombëtaren, duke i mbëltuar rrënjët me rezultate pune, rrënjët prej nga kishin arritur të parët e tyre në atë pjesë të botës. Ishte ajo një arritje gjatë shumë shekujve, më saktë – për katër shekuj. Pavarësisht në cilën kohë e formësuan biografinë e tyre, emra të njohur që u ngritën në Rumani, vazhdojnë të mbesin të nderuar dhe, shkencëtarisht e letrarisht, në regjistrin e atyre që i bëjnë nder kombit. Një figurë e sotme, që e ka peshën e rilindësve, fjala vjen, është në moshë të shtyre, ka kaluar të tetëdhjetat. Është Xhelko Maksuti,(nënën rumune kurse babanë shqiptar nga Kërçova) tashmë i shtrirë në shtrat i shoqëruar me sklerozë...Dëshira për t’u takuar, me ç’rast do të ishte e mundur të mësohej më tepër për babanë e tij, kërçovarin (se Xhelko u lind në Rumuni në Plojesht dhe i arriti të gjitha shkallët e shkollimeve, deri në doktor shkence). Ai e vazhdoi punën e pararendësve të tij, themeloi (më 1990) Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumunisë dhe botoi revistën Albanezul (Shqiptari)...Por, tashmë e ka të vështirë komunikimin. Andaj merren si mbështetje bisedat e tij të mëhershme, kur tha: “...Shqiptarët kanë një prejardhje fisnike, për t’u pasur zili për lashtësinë dhe dinjitetin... Emri im Xhelku Sefedin Maksut është vështirë të identifikohet me emrat e zakonshëm rumunë, por unë jam historian rumun, zanatçi i thjeshtë si të gjithë paraardhësit e mi. Pavarësisht nga kohërat, nuk e kam mohuar prejardhjen shqiptare, siç nuk e kam mohuar as shtetësinë rumune, por kjo nuk më ka penguar të pohoj prejardhjen, respektin për stërgjyshërit e mi shqiptarë , të shkruaj për ta dhe t’i kujtoj në çdo rast...Mandej shton: thuhet se  në Parlamentin e Republikës Turke një parlamentar i qe drejtuar Qemal Ataturkut në gjuhën frenge duke e pyetur për prejardhjen e tij (Ataturku ishte djalë i një oficeri turk të martuar me një shqiptare)... “Thuhet se jeni shqiptar), dhe Ataturku iu përgjigj: “On dit (thuhet), pa shpjegime të tjera... Eminesku ishte një Eminoviç, dhe endej edhe mbi të prejardhja shqiptare, por ka qenë poet kombëtar i gjithë rumunëve. Edhe për Jon Luka Karaxhelen, të fotografuar në kostum arnauti, siç na shfaqet në një pamje në Shtëpinë përkujtimore të rrethit Prahova, është thënë se është shqiptar. Armand Këlinesku, Jon Antonesku dhe shumë të tjerë, të cilët i përmend Viktor Eftimiu – edhe ai me prejardhje shqiptare, por i cili pohon se është shkrimtar rumun. Kujtojmë vetëm kalimthi vojvodët e Mesjetës rumune: një Vasil Lupu, ose anëtarët e familjes  Gjikuleshtëve, një Grigor Gjika, që dha jetën për Bukovinën, por ata, siç dihet, kanë qenë “zotë të mëdhenj rumunë”... Por, të them edhe diçka për vete: ...gjyshja ime, Selime Maksuti nga Novosela, pas vrasjes së burrit të saj nga serbët (1913, duke pasur një djalë (Sefedinin) nga frika që mos ta vrasin edhe atë, e pat dërguar në Rumuni, te kushëriri i saj në Plojesht. Kështu ngjau që babai im Sefedin Maksuti, të vijë në Rumani.. Në vitin 1930 u martua me rumunen Floarea Miloiu, ndërsa më 8 mars të po atij viti, u linda unë.”

Derisa Xhelko vazhdon të jetë i shtrirë në shtrat, Baki Ymeri, duke qenë i ndihmuar nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Rumani “Dora d’Istria” e nxori librin monografik “Xhelku Maksuti dhe vepra e tij”.

***

Përgjithësisht Rilindja kombëtare në Rumuni, konkretisht në Bukuresht, por edhe në Konstancë, i kishte veprimtarët e çështjes kombëtare të cilët sakrifikuan krejt çfarë kishin për të mirën kombëtare. Atje ishte një diasporë me vlera, që lëne gjurmët që sot ruhen në formën e dokumenteve të kohës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, si vlera të zbuluara, sistemuara dhe të ruajtura nga Baki Ymeri (poet dhe patriot), që është një sasi voluminoze prej 6.000 faqeve.  Ky është një fond arkivor i Shoqërisë “Drita”, ku gjenden të dhëna për aktivitetin e kryetarit të saj N. Naço, i cili vdiq më 1913. Vlerat e Baki Ymerit prej aktivistit të veçantë për çështje kombëtare kurrë nuk vdesin, e sidomos tash kur, siç u tha, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë kanë arritur përmes Bubullimës (siç i thonë Baki Ymerit) së Bukureshtit. Baki Ymeri është  me origjinë nga Shipkovica, dhe dokumentacioni në BK “Pjetër Bogdani” është regjistruar si “Koleksion personal i Baki Ymerit”.

Po mirë, cili na qenka ky njeri?

Gjatë këtyre ditëve të marsit 2014, Baki Ymeri  hap derën e konakut në Bukuresht, derën e një banese e cila, në të vërtetë, paraqet një depo librash; një enterier i cili, përveç librave e dokumenteve të ndryshme në formën e gazetave të vjetra, të fotografive me vlerë dhe të letrave të shumta, ka një tavolinë, një shtrat që mezi vërehet prej librave dhe një banje që s’hetohet dhe një kënd kuzhine, që mund të njihet si kuzhinë vetëm kur e sheh një shporet, ca enë dhe një xhezve të Asdrenit e dhjetra filxhanë kafeshë.

Ai nuk është i harruar, por i destinuar të krijojë një ambient identik me ambientin e të parëve tanë. Tash e gjatë dekadave të mëparshme, që nga viti 1971 e këndej, sikur të kishte amanetin e rilindësve që të vazhdojë aty ku e kane lënë aktivitetin ata. Baki Ymeri, pra, është një rilindës i kësaj kohe, meqë angazhohet me vrullin e të parëve, duke pasur për pasuri vetëm frymën dhe librin, derisa në biografi ofrohen shënimet se është lindur në Shipkovicë të Tetovës nga babai shqiptar Ajvaz Voka dhe nëna rumune Aurelia, por që e thërritnin Ajshe. Janë gjëra që dihen këto, elemente biografike të regjistruara në memorjen e shtypit dhe të Internetit. I kreu studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe  në Prishtinë, gjatë viteve 1969-1973. Duke qenë i ndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, iu desht të arratiset në Rumani, për t’i vazhduar studimet  e specializimit në Vjenë dhe Bukuresht. Gjatë aktiviteteve të tija në shërbim të lirisë dhe të paqes në Kosovë e në rajon ai akuzohet, ndiqet, arrestohet (dhjetor 1975) dhe dënohet nga Gjykata komuniste e Qarkut të Shkupit, me gjashtë vjet burg të rëndë (qershor 1976). Akuza e procesit të montuar politik ishte: "bashkëpunim për veprimtari armiqësore kundër bashkësisë socialiste jugosllave".

Që nga viti 1971 përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas. Paralelisht me mbrojtjen e provimeve të doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, afirmon dhe mbron me guxim publicistik, çështjen e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, në shtypin rumun dhe atë shqiptar. Merr pjesë aktive në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Është veprimtar i dalluar i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, iniciator për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Shqiptare, redaktor dhe sekretar i redaksisë së revistës Shqiptari në Bukuresht, të gjitha aktivitetet duke i kryer vullnetarisht, pa kurrfarë të ardhurash. Është autor i tetë librave origjinalë e të përkthyer (poezi dhe monografi mbi diasporën shqiptare), njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i mbi dy mijë artikujve të botuar, zbulues i dokumenteve origjinale të shoqërisë “Drita”, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, laureat mirënjohjesh të ndryshme, i nominalizuar nga Instituti Biografik Amerikan : “Njeriu i Vitit 2001”.

Sipas dr. Luan Topçiut, Baki Ymeri është njeriu që shkriu jetën për historinë e shqiptarëve të Rumanisë dhe, mbi të gjitha, për poezinë, këtë dhuratë hyjnore, që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë të frytshme. Duke qenë njohës i mirë i krijimeve letrare, qofshin ato nga krijues shqiptarë, apo edhe nga krijues rumunë, vazhdimisht është angazhuar që, përmes përkthimeve, të arrihet njohja e ndërsjellë rumune-shqiptare. Ai solli në gjuhën shqipe Nikita Staneskun, Angjel Dubmbrëveanun, Marin Soreskun, Karolina Iliken, e shumë të tjerë, sikur edhe autorët shqiptarë në gjuhën rumune: Halil Haxhosaj, Sali Bashota, Ibrahim Kadriu, Basri Çapriqi, Albina Idrizi, Mujë Buçpapaj, e shumë të tjerë.

Baki Ymeri vazhdimisht hulumton vlera letrare e shkencore jo vetëm nga autorë shqiptarë, por sidomos nga autorë rumunë dhe ofron shënime për faqe të panjohura mbi realitetin shqiptar të kohëve të ndryshme. E pyes për ndonjë shembull konkret, thotë:

- Ka shumë autorë që janë marrë me çështjen shqiptare në shumë aspekte, qoftë historike apo gjuhësore. Po e përmend me këtë rast një vepër që ishte e panjohur për opinionin shqiptar. Fjala është për  librin “Spre Albania” (Drejt Shqipërisë),të C.C. Constante, Bukuresht, 1905. Është një nga veprat e shumta Bukureshtare, që mbron interesat e kombit shqiptar. Autori i librit, në kuadër të parathënies, thotë  për librin, përkatësisht për përmbajtjen: “...flas për Shqipërinë e Veriut, që përfshin krejt vilajetin e Kosovës dhe një pjesë të vilajetit të Manastirit, dhe i cili dallohet për tepër nga Shqipëria e Jugut, e formuar nga dy vilajete tjera: Janina dhe Shkodra, të shtrira përgjatë brigjeve të Adriatikut”. Edhe pse e shkruar para një shekulli, në një gjuhë të huaj, kjo vepër paraqet interes të veçantë për studiuesit e albanologjisë. Pothuajse në çdo faqe të saj, defilon dashuria ndaj Shqipërisë dhe shpirtit shqiptar. Ky libër ka 211 faqe.

-Gjithmonë është thënë se mes rumanishtes dhe shqipes ekzistojnë afërsi të cilat mund të dëshmohen me shembuj konkretë.

-Po, ka shumë fjalë që e kanë të njëjtin kuptim, po ashtu ka edhe shumë toponime. Rreth 100 fjalë të përbashkëta dhe rreth 150 fjalë të përafërta, të studiuara nga akademiku Grigore Brâncu? (shq. Brënkush), të cilat, së bashku me derivatet e tyre bëhen shumë më shumë. Kjo është ajo që na afron, substrati linguistik dhe elemente të panumërta, të përbashkëta, të historisë, etnologjisë dhe onomastikës. Rumanishtja ka fjalë që tingëllojnë më shqip se sa gjuha shqipe: kuzhinës rumanisht i thonë bukëtërie (buc?t?rie), ndërsa bukëpjekësit bukëtar (buc?tar). Dhe vijnë një varg (mbi)emrash të përbashkët që i gjen të dy popujt (Dani, Deda, Dika, Duka, Daka, Blakaj, Ballaban, Banush, Bashota, Bala, Lala, Kraja, Tolaj, Cacaj, Mikle, Gjoka, Goga, Marku, Turku, Bujku, Haxhiu etj.). Mandej janë do emërtime në veri të Danubit si Arbënash (fshat në rrethin e Buzëut), Arnaut, Fëntëna Arnëutului, Arnaut Bostan Dere, Boletin Vale, Rogova etj.

-Ju jetoni dhe krijoni në Bukuresht, ndërkaq nga të dhënat mësojmë se Bukurshti ka vlerë të madhe për shqiptarët, për frymën e tyre patriotike  që ka ardhur në shprehje pikërisht në këtë qytet të mrekullueshem. Çfarë mund të thoni për këtë?

- Bukureshti sipas Lasgushit mban emrin më bujar të të folurit shqip. Në Bukuresht u themeluan shoqëritë e para shqiptare dhe u botuan rreth 30 gazeta dhe revista shqiptare (1887-1938). Këtu u themelua shtypshkronja e parë shqiptare (1886), u shtypën librat e para të Naimit, Samiut, Jani Vretos, Aleko Vançit, Asdrenit, Lasgushit, Kutelit e dhjetëra rilindësve të tjerë. Në Bukuresht u krijua Hymni shqiptar (1907). Këtu u mbajt liturgjia e parë shqipe (1911), u qëndis Flamuri Kombëtar dhe u mbajt mbledhja historike, ku u vendos që Shqipëria të shpallet e lirë dhe e pavarur (1912).

- Siç dihet në Bukuresht kanë jetuar shumë rilindës, të tillë që nuk kanë ndenjur gjatë por që veprimtaria e tyre lidhet me Bukureshtin, por edhe të tillë që kanë mbetur në Bukuresht, janë bërë banorë të shtetit të Rumanisë. A ka pasardhës të tyre?

- Po, ka të tillë, pasardhës të rilindësve. Në Bukuresht, sot e kësaj dite jeton Sofika Milkani e cila i piqte petë Asdrenit, sa herë që Bylbili i Drenovës shkonte në vizitë në shtëpinë e babait të saj që e kishte mik: Teodor Milkani. Në tavanin e shtëpisë së saj, sot e kësaj dite gjendet saçi me të cilin i piqte petë korçare poetit drenovar. Në Bukuresht jeton sot e kësaj dite Thanas Kristo Rëmbeci (Tanase Cristescu), një korçar i prekur nga flatrat e mençurisë, i cili u lind këtu dhe e flet shqipen si në Shqipëri. Xha Nasi ka kaluar moshën 80 vjeçare dhe është i biri i patriotit korçar, Dhimitër Kristo Rëmbeci, që ishte mik i ngushtë i Nikolla Naços, Visar Dodanit, Aleko Vançit, Thanas Kantilit, Asdrenit, Mitrush Kutelit. Në Bukuresht jeton sot e kësaj dite dr. Xhelku Maksuti, historian rumun me prejardhje kërçovare, themelues i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe i serisë së re të revistës Albanezul/Shqiptari me një traditë 127 vjeçare të botimit me ndërprerje (1888-1903-1993-2015). Dhe janë dhjetëra bij e bija rilindësish, të cilët shuhen një nga një, pa e parë Shqipërinë, të zhuritur nga malli ndaj Shqipërisë.

Bakiu, megjithëkëtë, do të tregojë edhe shumëçka për ambientin bukureshtar, për figurat që e bënë që ne shqiptarët, këtë ambient, ta konsiderojmë si një pjesë të historisë sonë e cila u pasurua me angazhimin e shumë figurave të cilët përbëjnë klasiken tonë. Duke u mbështetur në përvojën e tyre, edhe Bakiu vazhdon me të tijën, i strehuar në atë ambient librash dhe dokumente të ndryshme arkivore, vlera të mbetura nga sirtarët e rilindësve tanë që u sakrifikuan për t’u lënë brezave diçka të vlefshme. Edhe Baiku e ka sakrifikuar jetën, dhe vazhdon ta sakrifikojë me mundësi minimale për jetë, duke prekur të gjitha gjinitë, sidomos poezinë dhe publicistikën. Por kur vjen fjala për afirmimin e Kosovës në botë, ky njeri nuk kursen asgjë.