Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adem Zaplluzha: Nëpër mure lexojmë

| E enjte, 15.01.2015, 06:44 PM |


Adem Zaplluzha

 

NËPËR MURE LEXOJMË

 

Nëpër dyer gjysmë të ronitura

Koten drynat e dylltë

Pragjet e vetmuara si fëmijë dënesin

Një dhembje e pashërueshme

Paska hyrë në qytetin tim

 

Nëpër mure lexojmë

Disa paralajmërime të kobshme

Shtëpia në shitje

Asnjë blerës potencial

Me kokë ndër sqetull po ikin njerëzit

 

As kolera e As lia e zezë

Nuk i ka zbrazur kështu qytetet

S’i ka boshatisur kaq dhimbshëm

Nëpër stacionet e autobusëve

Vetëm qentë i presin të zotët e tyre

 

Nuk di më se si ta emërojë këtë vdekje

Të bardhë ose të zezë

Por gjithsesi

Është një vdekje e trishtueshme

Nëpër udhët e panjohura të dynjasë

Prishtinë, 13 janar 2015