E premte, 29.03.2024, 09:12 AM (GMT)

Kulturë

Vlash Prendi: Shime Deshpali, poeti arbëresh i Zarës

E merkure, 14.01.2015, 06:15 PM


Shime Deshpali, si ruajti gjuhën dhe traditat  poeti arbëresh i Zarës

Nga Vlash Prendi

Rreth mesit të shek. XVIII, pikërisht në vitin 1721 nga fshatrat rreth liqenit të Shkodrës, sidomos Ljarje dhe Shestan u shpërngulën rreth 32 familje shqiptare me rreth 27 frymë dhe u vendosën në fshatin Zarë të Dalmacisë. Lëvizja e tyre e padëshiruar, ishte e lidhur me shkaqe historike ku më të mundshmet mund të jenë luftrat e shpeshta, sëmundjet e ndryshme, kërkesa e qeverisë osmane për nizamë, kushtet e papërballueshme ekonomike, kërkesa e qeverisë osmane për tu asimiluar në fenë myslimane, por edhe pazarllëqet që bënin qeveritarët turq me ata venedikas ose sllavë për interesa të ngushta dhe meskine.

Familjet shqiptare u vendosën në Zarë, qytet kroat që ndodhet në Dalmaci me një histori të lashtë 3 mijë vjeçare që në literaturën historike njihet si qendër e fisit ilir të Liburnëve. Rreth shek. III pas Krishtit u pushtua nga romakët dhe u njoh me emrin e lashtë Jadera, ndërsa në shek.

VI gjithë krahina bie nën sundimin bizantin. Aty nga shek. IX nga Azia qendrore në këta rajone vijnë fiset kroate, të cilat u përshtatët shpejt me kushtet natyrore dhe ngritën edhe qytetin e bukur të Zarës, të cilin në vitin 1202 e dogjën dhe e shkatërruan venedikasit. Në shek. XV, qyteti u administrua nga venedikasit dhe më vonë nga austro-hungarezët etj, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore vihet nën administrim të qeverisë kroate.

Kolonitë shqiptare në brigjet Dalmate përbëjnë një rast të veçantë të ruajtjes së identitetit arbëror. Tek këta koloni pasqyrohen elemente të veçanta dhe tepër të rralla të identitetit shqiptar. Kolonia e parë që daton në vitin 1721, ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e familjeve shqiptare që vërshuan në vitet e mëpasme drejt Kroacisë duke i strehuar dhe duke i ndihmuar bashkëkombasit e tyre për të mbijetuar nga përndjekjet e pushtuesve turq ose nga shantazhet e fqinjëve shovinistë sllavë, duke mos harruar asnjëherë origjinën e tyre shqiptare dhe duke mos shkëputur lidhjet me tokën e tyre mëmë. Kjo për faktin se pas shpërnguljes së parë, kemi edhe tri shpërngulje të tjera massive në vitet 1726, 1727, 1733, ku të gjitha familjet e shpërngulura ishin shqiptarë, ndesa në vitin 1726, u larguan nga trojet tona 147 shqiptarë.

Duhet theksuar se kolonitë shqiptare të Zarës në Dalmaci i kanë rezistuar rebeshëve të kohës, nuk janë asimiluar nga fiset slave, por kanë ruajtur gjuhën, doket, zakonet, emrat, mënyrën e jetesës. Ata e pohojnë kurdoherë prejardhjen e tyre arbërore dhe në përgjithësi flasin shqip, sidomos Brenda familjes duke synuar të ruajnë dhe transmetojnë brez pas brezi gjuhën e tokës amë.

Veç gjuhës, arbneshi i Zarës ka ruajtur edhe emrat e mbiemrat shqiptarë. Kështu, në zarë takojmë emra të tillë si Gjon, Gjergj, Mark, Pjetër, Teutë, ndërsa për mbiemrat ata kanë ruajtur tradicionalisht mbiemrat e vendilindjes së tyre si Kamsi, Gjergji, Deshpali, Petani, Çoba, Nikpali, Luka, Gjini, Gjoni, Vuka, Nika etj, por kanë ruajtur edhe shumë toponime me origjinë shqipe. Kështu, në Zarë takon emra vendesh si: Fusha e varreve, Fusha e Arbneshit, Gropa Shkamip, Kisha, Kullat etj, duke ruajtur kështu emërtime të pastra shqipe. Arbneshët e Zarës janë njerëz me kulture, traditë dhe shije.

Shkolla shqipe në Arbneshët e Zarës u hap në vitin 1901 dhe qëndroi e hapur për 17 vjet deri më 1918. Interesant është fakti se mësuesit e parë të saj kanë qenë prelatët e nderuar të fesë katolike si atë Shtjefën Gjeçovi, atë Pashka Bardhi, prof. Anton Paluca, prof. Pal Gjergji. Në fund të shek. XIX edhe arbëreshët e Zarës dhanë një kontribut të shquar në lëvizjen për çlirim kombëtar. Idetë e tyre patriotike intelektualët arbneshë i publikuan përmes gazetës së tyre “Zani i Shqyptarit” që u botua në disa numra në Zarë.

Katundi Arbnesh i Zarës në Dalmaci ishte një vend i bukur, plot jetë dhe dritë, ndërtuar nga duar mjeshtrash me origjinë shqiptare. Të tillë ishin edhe arbneshët e Zarës, të cilët S. Buzoliqi i përshkruan “…janë njerëz me faqe të kuqe që pëlcasin nga shëndeti. Shikimin e kan të rreptë dhe plot zjarr, shtatin e mesëm port ë bukur. Për nga karakteri janë hijerëndë sad he të njerëzishëm. Fjalën e kanë në majë të gjuhës shpërthejnë si orteku, por edhe qetësohen shpejt, zërin e kanë melodic dhe këndojnë shumë bukur…”.

Ndërsa intelektuali i njohur dhe poeti i shquar J. Rela thekson: “…Në fillim shtëpitë i kishin përdhese, më vonë ndërtuan kulla të rrethuara me mure të lartë dhe me kopshte me lule përreth. Këta janë pa mëdyshje, rrjedhim i zakoneve nga viset e tyre të vjetra. Duke qenë një fis me tradita kulturore dhe atdhetare, nga arbneshët e Zarës dolën edhe figura të shquara që përfaqësuan denjësit kulturën, artin dhe letërsinë arbneshe.

Të tillë mund të përmendim Shime Deshpalin, Aleksandër Stipçeviç, Josip rela, Zef Duka, Pal Gjergji etj. Kanë qenë të paktë ata studiues apo biografë që jan marrë me këta figura të shquara, prandaj mbetën gati të panjohura nga sfera të ndryshme të kulturës në vendin tonë. Ata meritojnë një vend nderi në letërsinë tonë, krahas figurave të shquara të letërsisë arbëreshe si Zef Serembe, Jeronim De Rada, Gavril dara, Jul Veribaba, Varea Ujka, Saladore Kuazimodo etj. Një nga më të shquarit poet, shkrimtar, muzikant dhe këngëtar ishte edhe Shime Deshpali, mësuesi patriot i Zarës që lindi dhe vdiq shqiptar. Sot në Kroaci jetojnë rreth 19 mijë shqiptarë që pushteti kroat ka synuar ti asimilojë, por ata kanë mbajtur gjithmonë traditën dhe karakterin e tyre shqiptar.

PËR TOKËN E SHQIPEVE

Shime Deshpali, poeti i shquar i arbëreshëve të Zarës në Dalmaci qe një nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës dhe të letërsisë shqipe. Ai lindi në vitin 1897 në Zarë, në një familje patriotike të ardhur nga Shestani në vitin 1721. Familja e tij u vendos në Arbnesh të Zarës dhe u mjor kryesisht me bujqësi dhe blegtori për të siguruar bukën e gojës larg atdheut të të parëve. Gjendja e vështirë ekonomike, varfëria dhe mundimi, jeta e vështirë do të linte gjurmë të thella tek djaloshi i vogël.

Rreth vitit 1903, nis mësimet në shkollën fillore të fshatit me mësues Atë Pashka Bardhin përmes të cilit u pais me kulturë të gjërë dhe me dashuri të pakufishme për dheun e të parëve. Pasi përfundoi shkollën fillore, vijoi mësimet në shkollën normale në zarë ku u përgatit dhe mori njohuri në fushën e edukimit. Studimet e larta i vijoi në Zagreb në fushën e muzikës, pasioni për të cilën i kishte lindur që në moshë të re.

Për shumë vite me radhë punoi si mësues i lëndës së muzikës në Arbnesh të Zarës, ku veç edukimit muzikor dhe dirigjimit i praktikonte nxënësit edhe në fushën e këngës, sidomos atë patriotike. Gjatë kësaj periudhe hartoi shumë këngë kryesisht për atdheun etij, për figurat e shquara, për fshatin e tij Arbnesh, madje krijoi edhe një opera me titull “Vana” me motive patriotike. Kjo krijimtari e bëri Shime Deshpalin një intelektual dhe krijues të njohur në koloninë arbreshe të zarës dhe një mësues patriot të nderuar.

Shpesh kur bisedonte me prindërit e tij rreth oxhakut në netët e gjata të dimrit, tema qëndrore ishte ajo e dashurisë për atdheun. Gjyshi i tij i tregonte histori dhe ngjarje për vende dhe trima nga vendlindja duke i edukuar Shime Deshpalit ndjenjën e patriotizmit dhe dashurinë për atdheun.

Kjo temë do të sundonte edhe krijimtrainë e tij të mëvonshme. Këtë e verteton edhe fakti që së bashku me shkrimtarin e shquar Josip Rela, është ndër të parët qe merret me veprimtari artistike dhe në vitin 1921 patë vënë në skenë dhë shfaqur pjesën dramatike “Lundërza e Jozhës, qe përben tekstin e parë serioz të arbreshëvë të Zarës si dhe pati formuar shoqërinë kulturore dhe artistike “Arbëneshi” në Zarë, ku hartoi një program për edukimin patriotik të të rinjve me qëllim që, siç e pati thënë edhe ai vetë: “…këtë e kam ba me qëllim që të ndihet Arbneshi, Ti kallxoj botës shpirtin e katundit tem, virtytet e vllazëne të mij, të merret vesh se na jena arbën…”.

E në kuadër të kësaj shoqërie, Shime Deshpali si një atdhetar i vërtetë pati organizuar mjaft aktivitete kultuore dhe artistike, takime, vizita, koncerte në funksion të ruajtjes së gjuhës, historisë, traditave, zakoneve, veshjeve dhe cilësive të tjera morale të arbneshëve. Ka nisur të botojë krijimet e para në revistën “Jeta e re“ qe në vitin 1953, pastaj botoi edhe në revistat “Lenës” dhe “Romanea”.

Krijimtaria letrare e Shime Deshpalit vijon me librin me tregime “Tregime arbnore”, botuar në vitin 1966 nga “Jeta e re” në Kosovë. Në këta tregime autori synon lartësimin e virtyteve morale dhe patriotike të arbneshëve. Tregimet e këtij vëllimi janë pasqyrë e jetës dhe veprimtarisë të arbneshëve, e karakterit burrëror dhe mjediseve fshatare ku gjallen puna dhe jeta. Përshkruan mjedise, tradita, zakone, tipa dhe portrete të arbneshëve duke synuar ti afrojë sa më shumë me shqiptarët e sotëm.

Kudo ndjehet vuajtja, mundimi, jeta e vështirë që shqiptarit të gjorë nuk iu nda as në mërgim. Në një tregim të titulluar “Fyerje”, shkëputur nga “Tregimet arbneshe”, botuar në Prishtinë në vitin 1966, ai shkruan: “…Moni zbriti prej kulmit e duke dalë përpara Vancit zbathur e pa këmishë, nxori pesë solda prej kulete që mbante në tirqet gjithë arna.

-Mbaji, – i tha së shoqes duke i dhënë soldat. –Kjo është gjithë pasuria ime. Në këtë kohë të vështirë s’ka kuptim ruajtja. Bli diçka për fëmijët. Thotë se i ndalon të dridhurat kafja e zezë. –Ashtu më tha e shoqaja e Kolës, -tha Vanci…”. E më tej, përmes një tregimi të thjeshtë, me ndjenjë dhe të shpalosur më çiltërsi njerëzore ngre zërin kundër varfërisë, kundër dhunës dhe kundër padrejtësive shoqëroreqë bëhen ndaj shqiptarit. Ai tashmë është në moshë të pjekur rreth 70 vjeç, prandaj më mirë se kushdo e analizon dhe gjykon gjendjen e vështirë të arbneshit të zarës duke thënë … -Eh, -tha Vanci, -do tia dalim mbanë edhe ne varfërisë sonë? –Ja dalim! Ja dalim mbanë, Vanci? –tha Moni hidhur.

–Do t’ja shtrydh kokën gjarprit, që mbështolli edhe stërgjyshin tim në varfëri… Nga dita në ditë po ripem në punë të huaj, e me mundim dhe djersën tipe po nxjerrin të tjerët dobi, e ne gjithmonë arna, arna e të urët!. . . ”. Shihet qartazi se autori di të përshkruajë atmosferën me ngjyrimet karakteristike negative por plot aktivitet dhe vlerësim të vendlindjes, ditët plot vuajtje, plot punë e halle, përpjekjet e bashkëfshatarëve për të dalë nga gjendja e mjeruar e tyre, duke synuar shpesh të japë edhe zgjidhje.

“Hero ii përbahskët i tregimeve të Shimes, -thutë diku studiuesi Nasho Jorgaqi, -është arbëneshi i ndershëm, punëtor e krenar, më nje botë pasur shpirtëore, me temperament të gjallë e i vrullshëm, njeri i drejtë dhe guximtar…”. Vepra ka vlera jo vetëm përshkruese, por edhe kompozicionale dhe artistke.

Krijimtaria letrare e Shime Deshpalit kulmon me librin me poezi “Agimet dhe parambarmjet e Arbneshit” – poezi, “Rilindja”, Prishtinë 1968 dhe vëllimin “E vërteta”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë 1972, ”Këngë shqiptare”-korale. Në poezinë e tij mbizotëron fryma atdhetare, malli për të parët, për gjuhën, për traditat më të vjetra të kombit tonë. Ashtu si mjaft të tjerë arbreshë, edhe Shime Deshpali kërkon të derdhë emocionet dhe mallin në vargje të thjeshta poetike, por plot ndjenjë dhe emocion.

Objekt i poezisë së tij është katundi Arbnesh, plot jetë dhe gjallëri, pjesë e shkëputur nga trungu arbëror: “…O katund/me arbnesh të ndershëm, /guximtar, /krenar, /shikim, flakë, /O katundi jem, /sa të due, / me t’tregue, /fjal s’kam…”. E vështron katundin e tij plot krenari, sepse ka ruajtur traditat e të parëve, burrërinë, besën dhe vlerat njerëzore të trimave arbëror dhe me sytë e mendjes poeti sheh atdheun e tij të dashur Shqipërinë, ku lindën dhe u rritën stërgjyshërit e tij, ata njerëz trima dhe bujarë, punëtorë dhe mikpritës.

Ai i sheh në beteja duke luftuar, nëpër ara duke punuar, nëpër kuvende duke biseduar, por dëgjon edhe fallin nëpër gryka dhe lugina tek gjëmon duke dhënë kushtrimin për luftë, prandaj shprehet: “…Ma shumë se dyqind e katërdhjet vjet janë, /se rrembi jonë/u këput prej trungut, /të paradheut, /porn e s’kemi harrue, /as nuk i harrojmë, /Kështu paradheut dhe juve, /Po ju thomi…”, u drejtohet qi vëllezërve të tij të një gjaku, atyre njerëzve me karakter të hekurt, krenarë, të guximshëm dhe patriotë.

Në krijimtarinë poetike të Shime Deshpalit mbizotërojnë notat romantike, çiltërsia e ndjenjave dhe thjeshtësia e mendimeve. Në këtë poezi pulson gjaku arbëror. Ai këndon dhe kënga e tij jehon e dëgjohet në tërë krahinën “…se kombiarbëresh, /e ka një histori botnore, /me nder të posaçëm një vend…”, pra vepra e Deshpalit është një thirrje krenare, plot dhimbje dhe shpresë për të mos humbur, për ti qëndruar kohës plot dallgë e stuhi, për të mbijetuar me nder e lavdi.

Poezia e tij të ngjan me një kronikë artistike që vjen gjithnjë në rritje kun ë të është Arbneshi, Zara, Arbëria, Shqipëria e mbi të gjitha njeriu-arbnesh, i cili kujton të parët, burrat e mençur e patriotë, gjyshin dhe nanën, ata që i edukuan dashurinë për atdhe. I këndon me pasion bukurive të fshatit, ndryshimeve të tij, punës plot vrull të fëmijëve, të rinjve e deri tek të moshuarit për të ndryshuar diçka në fshatin e tyre, në jetën e tyre të varfër. Por malli e digjte për gjithçka, për atdheun dhe për njerzit, prandaj dote shkruante:”…

Mbas se jemi takue, /të parën herë, /të kam marrë me të jaseminit, /të amblën erë. Të dytën here, /si hije m’je duke, /si hija m’je zhdukë. Prap i vetëm kam mbetë, /”A takohemi edhe një here?/Vetveten degjoj tu pvetë…”. E kjo poezi është e mbrojtun me dashuri, me dashuri njerëzore që nuk shuhet kurrë, kjo dashuri përshkon poezitë e tij duke u dhënë atyre ndjenjë, emocion, jetë.

Arbneshit i duhet luftë, mundë, sakrificë për të përballuar jetën, për të mbijetuar Brenda kontureve të trungut arbëror. Këtë e kërkon poeti përmes poezisë, përmes artit kur thotë: Mos më thuaj se je Arbnesh, /në mos bolla me nderje, /nuk të rrezaton, /në mos syni guximisht, /nuk të vekton, /në mos zemra parzmat, /me muburrje nuk t’i gjanon, /Këta virtyte në mos i ke, /ti s’di se kush je, /as çfarë trimash të lavdueshëm, /

stërgjyshët i ke, /Mos më thuaj se je arbënesh, /nëse gjuhën e jonë, /pasdore e lëshon, /me me të huaj pispillohe, /dhe krenohe, /se për tingëllim t’ambël, /të gjuhës jonë, /vesh s’ke, /Dhe jo vetëm arbnesh, /por as njeri nuk je!. . . ”.

Këtë thirrje artistike autori e bën përmes poezisë “Mos më thuaj” shkruar në vitet e fundit të jetës, e cila shërben sistematikisht filozofik që grish bashkëkombasit e vet për të qëndruar, për të mos u asimiluar, për të mbetur krenar si shqiptarë. E kërkon në emër të trungut arbëror për të cilin poeti Shime Deshpali mburret me krenari të ligjshme, sepse për këtë qellim do të punonin edhe pasardhësit e tij. Këtë na e thotë në një intervistë studiuesi i njohur Aleksandër Stipçeviq, i cili thekson ”…Mos ta zgjas shumë, nga arbreshët e Zarës janë shquar shumë emra, qe nga shkenca, artet, politika e deri në estradën muzikore. Familja Dashpali, pra fëmijët e poetit dhe muzikologut Shime Deshpali, Valteri, Pali, Maja sot praktikisht dominojnë në skenën muzikore të Zagrebit dhe të Kroacisë…”

Simbolet e dashura të Shime Deshpalit, por edhe të krijimtarisë tij janë atdheu dhe flamuri. Madje për këtë të fundit Nasho Jorgaqi na tregon një ngjarje që poeti ja ka treguar vetë dhe që do të ketë ndodhur aty nga viti 1901, në Arbnesh të Zares: “…Kam qenë jo më shumë se katër vjeç, kur gjyshi më ka marrë për dore, më ka çue rrazë lisi të naltë të katundit dhe m’ka qitë prej prazmit nji flamur kuq e zi: Hyp n’majë t’lisit, -m’urdhnoj dhe m’dha flamurin n’dorë.

Atë ditë frynte erë dhe degët e lisit lëkundeshin. Po unë s’kam dasht me ditë. Jam ngjitë n’majë tu kacavjerrë deri dera sa kam nigjue zanin nga poshtë: -Ndalu! Lidhe flamurin në majë t’majës…Kisha me vedi shpirtin e arbneshit. E thom tash këtë se atherna nuk e kuptojsha… M’pa mir kur e lidha dhe m’pyeti: -Shikon si valvitet? Nga valvitet nga juga a nga veriu? …Nga deti a nga toka? –Nga Deti, -i them menjëherë. “Të lumtë, -ndigjova zanin e tij, -po shikoje mirë dhe gëzohu”…Kah valvitet flamuri, -më thotë, -asht Arbnia, paradheu i jonë. Kte mos e harro kurrë…”.

Gjithë motet e tij të jetës prej 84 vjetësh e kaloi në fshatin Arbnesh të Zarës, mes vëllezërve të tij të një gjaku, të një gjuhe duke folur shqip dhe duke menduar për atdheun e të parëve, sepse dikur pati thanë: “…Unë jam mjellma e arbneshëve këtu, që po këndoj. Atëherë si mund të iki prej këtu? Këtu i kemi të tana gjanat të vyeshme që kemi sjellë nga Arbnia, shpirtin fisnik, gjuhën, shpijat plaka, oborret me lule…”.

E me këtë ndjesi të ëmbël, një ditë të ftohtë janari të vitit 1981, mbylli sytë përgjithmonë në fshatin e tij të lindjes në Arbnesh të Zarës i paharrueshmi poeti dhe krijuesi i mirënjohur arbresh Shime Deshpali. Mendoj se kjo figurë e shquar e letersisë së arbreshëvë të Zarës në Kroaci, duhet të trajtohet në tekstet tona shkollore krahas poetëvë të tjerë arbreshë të Italisë qe studiohen sot, sepse ai la një vepër me vlera atdhetare, ai la një emër teper të njohur, ai la një zë të bukur dhe kumbues që vazhdon të gjëmojë ëndë edhe sot brigjeve të detit Dalmat.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora