Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ismail Kadare fiton çmimin e Jerusalemit

| E merkure, 14.01.2015, 07:08 PM |


Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, 78 vjeç, është fituesi i çmimit ndërkombëtar prestigjioz “Jerusalem Prize 2015”.

Lajmin e bëri të ditur gazeta e njohur izraelite “Haaretz”.

Kadare, fitues i çmimit “Prince of Austurias for Literarure” në vitin 2005, u vlerësua nga juria për veprat e tij universale.

Çmimin shkrimtari më të famshëm shqiptar, anëtar i Akademisë së Shkencave Politike dhe Morale në Francë, do t’ia kryebashkiaku i kryeqytetit, Nir Barkat, teksa në ceremoni do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin.

Ceremonia e dorëzimit do të zhvillohet ditën e hapjes së Panairit të Librit në Jerusalem, më 8 shkurt.

Sipas gazetës izraelite, këtë çmim e kanë fituar disa nga shkrimtarët më të mirë të botës, përfshirë Bertrand Russell (fitues i parë), laureati i çmimit Nobel Mario Vargas Llosa, Milan Kundera, Simone de Beauvoir, Susan Sontag, Arthur Miller, Haruki Murakami dhe Ian McEwan

Kadaraja, vepra e të cilit janë përkthyer në një numër të madh gjuhësh e vendesh, vlerësohet për stilin e tij tepër jetësor dhe lirinë e të shkruarit.

Disa nga librat me te njohur te tij janë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Viti i mbrapshtë”, “I ngrirë në akull”, “Pasardhësi”, “Prilli i thyer”, “Piramida”, “Dasma” etj.

“Kadare është një tregimtar ironik dhe tepër interesant që rrëfen shkëlqyeshëm me nënkuptime të tërthorta rreth fajit kolektiv, veçanërisht në mos ndëshkimin e këtij faji. Edhe pse në formën e të shkruarit personazhet janë kryesisht lokalë, kuptimi dhe rëndësia janë padyshim universale”, – thuhet në motivacion

Panairi, një nga më të rëndësishmit në botë, do të zgjasë pesë ditë.

Ai do të mbahet për herë të parë një kompleks gjigant në Jerusalem, ku përfshihen një numër i madh botuesish, ndërkohë që institucionet në zonën pranë panairit do të jenë të hapura për publikun.

Panairi i parë u mbajt në Jerusalem në vitin 1963 dhe ka vazhduar të mbahet çdo dy vjet si një ngjarje unike ndërkombëtare që tërheq qindra botues nga shumë vende.

Izraelisot.com, 13 janar 2015