E premte, 29.03.2024, 01:22 PM (GMT)

Mendime

Xheladin Zeneli: Malit të Zi nuk i intereson zhvillimi

E merkure, 14.01.2015, 07:45 PM


MALIT TË ZI NUK I INTERESON ZHVILLIMI I ULQINIT

Nga Xheladin Zeneli

Një ndër qytetet më të bukura bregdetare, me popullsi shumicë shqiptare, që sot gjindet nën administrimin e pushtetit të Malit të Zi, pra Ulqini, edhe përkundër bukurisë dhe resurseve të pasura natyrore që posedon ky qytet,megjithate, sot rradhitet në një ndër komunat më të pazhvilluara dhe qyteti më i pazhvilluar bregdetar në këtë shtet. Ashtu si edhe vitet e mëparshme, edhe viti 2014 që sapo kaloi, nuk solli ndonjë ngjarje apo lajm të rëndësishëm cili do do të ndikonte dukshëm në përmirësimin e jetës dhe standardit ekonomik të banorëve të kësaj komune.Në të vërtetë viti i ri 2015 filloi me një të dhënë shqetësuese për të punësuarit e Ulqinit, publikuar nga Monstat-i ( Enti i Statistikës së Malit të Zi) i cili raportoi pagat mesatare e të punësuarëve në komunat e Malit të Zi për vitin e kaluar,ku të punësuarit e komunës së Ulqinit, kishin pagat më të ulta në krahasim me komunat e tjera.

Deri më tani janë përpiluar disa master plane për Ulqinin ku parashikohen ndërtime të hoteleve edhe me pesë yje, në përbërjen e të cilëve do të ishin në funksion me mijëra shtretër me akomodime luksose të standardeve përendimore. Por në realitet jo vetëm që asgjë nuk është realizuar nga këto plane, por ka ndodhur e kundërta, pra ka ardhur deri te degradimi drastik i ekonomisë, me theks të veçantë të industrisë hotelerike të komunës së Ulqinit.

Më kujtuhet kur gjatë viteve “80 -ta, të shekullit të kaluar  flitej për egzistimin e një master plani të atëhershëm për Ulqinin , ku në mes tjerash parashikohej ndërtimi i një aeroporti lokal në fushën e Shtojit i cili kryesisht do të sherbente si lidhje ajrore për turistët që vizitojnë Ulqinin gjatë sezonit të verës. Tingëllon si ide e mirë por që fatkeqësisht edhe pas rreth tre dekadave, mbeti vetëm ide. A mos vallë dikush vertetë besoi se Mali i Zi do të ndërtonte një aeroport në një vendbanim me shumicë shqiptare, projekt ky i cili do të kishte ndikuar dukshëm në kunkurencën e një aeroporti tjetër i cili gjindet në një qytet tjetër bregdetar por me popullsi sllave, pra bëhet fjalë për aeroportin   e qytetit të Tivatit !? Ky është vetëm një shembull i cili tregon se si pushteti malazez ushqen popullin me ëndërra të cilat nuk do të realizoheshin asnjëherë por që do t’i shërbenin atyre si farsë para opinionit se kinëse ky pushtet po mundohet për të ardhmen e këtij qyteti të lashtë .

Por krimi më i madh ndaj qytetit të Ulqinit është bërë me rrënimin e hoteleve të tij gjatë një periudhe disa vjeçare , me preteksin se në vendin e tyre do të ndërtohen hotele të reja nga investitorët privat. Hoteli ” Galeb” një ndër hotelet më të njohura dhe një ndër simbolet e hotelerisë së Ulqinit u ble nga një kompani private për të katërtën herë ( pasi që tre tenderët e mëparshëm dështuan),me 5 shtator 2006 dhe sipas marrëveshjes punimet e para investuese do të duhej të fillonin në janar të vitit 2007. Por edhe pas shtatë viteve asgjë nuk lëvizë në këtë pikëpamje dhe në vendin ku dikur egzistonte hoteli në fjalë, gjithënjë vazhdon të shihet vetëm zbrazti. Rasti i hotelit Lido, në Plazhë të Madhe është i paprecedent.Investuesi nga Rusia,pasi që nënshkroi marrëveshtjen dhe u zotua për ndërtimin e hotelit të ri, rrënon të vjetrin, tërhiqet nga kontrata, largohet dhe shkon e ndërton një hotel të ri në qytetin Budva (!?).Një fenomen i ngjajshëm ndodh edhe me hotelet e tjerë që presin të ndërtohen apo të rinovohen: shpallet tenderi, paraqitet investuesi, zvarriteten punimet, anulohet marrëveshtja,terhiqet investuesi, paraqitet investuesi i ri dhe kështu me radhë. Këto ndodhin vetëm në Ulqin sepse në vendet e tjera bregdetare në Mal të Zi, zgjidhet çështja pronësore, jepet tenderi për privatizim dhe menjëherë fillojnë ndërtimet. Mjafton ti hedhni një shikim Tivarit, Kotorrit,Herceg Novit, e posaçërisht Budvës e cila po lulëzon me ndërtimin e hoteleve të ri dhe luksuse. Atëherë, përse tenderat, blerësit dhe investuesit e papërgjegjës dhe zvarritjet me pretekse të ndryshme,janë dukuri dhe paraqesin problem vetëm për hotelerinë dhe ekonominë e Ulqinit !? Lidhur me këtë askush deri më sot nuk ka dhënë një përgjigje bindëse apo të logjikshme.

Kur kësaj që u tha më lart i shtohet edhe fakti që komuna e Ulqinit tash më shumë se dy dekada vazhdon të dëmtohet ekonomikisht me Ligjin e ashtuquajtur i të Mirave Detare,përmes të cilit uzurpohet rreth 13% e territorit të kësaj komune nga ana e Podgoricës, me ç’rast nuk i lejohet qeverisë lokale që të administrojë me pjesën më të mirë të vijës së vet bregdetare . Gjithashtu, bregdeti i Ulqinit përbën 17.4 % e bregdetit të përgjithëshëm të Malit të Zi, por pjesa e territorit të kësaj komune që i takon territorit të të Mirave Detare është 57.32% , çka e pozicionon këtë komunë në garë të pabarabartë drejt përparimit ekonomik,me komunat e tjera në Mal të Zi.

Kështu që tani përfitohet një pasqyrë edhe më e qartë se e gjithë kjo çfarë po ndodh me Ulqinin,nuk është koincidencë,por një politikë e paramenduar që dirigjohet nga lart, pra nga Podgorica. Është qeveria qendrore,respektivisht ministria e turizmit si palë vendim-marrëse, e cila është përgjegjëse për zvarritjen apo dështimin e vazhdueshëm të kontratave me investuesit privat për ndërtimin e hoteleve të Ulqinit. Kurse parlamenti i Malit të Zi është përgjegjës për aprovimin e ligjeve të ndryshme që diskriminojnë këtë komunë dhe e vendosin ate në pozitë të pabarabartë me komunat e tjera në Mal të Zi.Përmendem këtu vetëm turizmin si një ndër pjesët më të rëndësishme të ekonomisë së këtij qyteti,por dëme të konsiderueshme kanë pësuar edhe fushat e tjera të ekonomisë së këtij mjedisi siç janë, prodhimtaria bujqësore,blektoria,prodhimi i kripës etj.

Tani shtrohet pyetja se,përse Malit të Zi nuk i intereson zhvillimi dhe përparimi ekonomik i Ulqinit ? A e shikon pushteti malazez zhvillimin potencial të Ulqinit si kërcnim ndaj qyteteve të tjera bregdetare në Mal të Zi si p.sh. Budva,Kotorri, Herceg Novi etj.? A ka mundësi që perparimi dhe zhvillimi ekonomik i Ulqinit do t’a shëndrronte këtë qytet në një fuqi ekonomike dhe financiare dhe si i tillë mund të bëhet edhe fuqi politike? Dhe një fuqi eventuale politike e një komune me shumicë shqiptare do të ishte kundër interesave dhe qëllimeve të Malit të ZI !?

Me keqardhje mund të konstatojmë se mos zhvillimi ekonomik nuk është karakteristikë vetëm e Komunës së Ulqinit por është dukuri egzistuese dhe shumë prezente edhe në trevat e tjera shqiptare, si në Malësi, Plavë – Guci, Krajë e Rozhajë. Dihen shumë mirë se cilat janë pasojat e mos zhvillimit të një qyteti, venbanimi apo komune, në këtë rast të qytetit të Ulqinit dhe vendbanimeve të tjera shqiptare,pasoja këto që ndikojnë në rritjen e nivelit të papunësisë së banorëve,në pa perspektivën e të rinjëve për të ardhmen të cilët pastaj kërkojnë zgjidhje drejt rrugës së emigrimit apo shpërnguljes në botën e jashtme. Pushteti malazez, në raport me trevat e banuara me poppullsi shqiptare autoktone,gjithënjë vazhdon politikën e vet sipas parimit të njohur i cili thotë se mënyra më e mirë e sundimit të një populli( në këtë rast, të shqiptarëve) është që t’i varfërosh ata sa më shumë duke mos investuar në vendbanimet e tyre apo duke shkatërruar ate çka kanë dhe në këtë mënyrë duke realizuar qëllimin e tyre final në shpopullimin e trevave me popullsi shqiptare dhe kolonizimin e tyre me banorë të kombësisë sllave.

Paradoksi më i madh është se ata të cilët janë zgjedhur të përfaqësojnë intereset e shqiptarëve, nuk po e kryejnë detyrën e tyre si duhet dhe merren shumë me vetëvehten.Shembulli më i fundit i kësaj është ai i dy kualicioneve shqiptare në parlamentin e Malit të Zi, përfaqësuesit e të cilëve,tash disa muaj po konsumojnë kohë dhe energji të panevojshëme duke u marrur me debate dhe argumente të ndërsjellta lidhur me mandatin e deputetëve , me ç'rast vëmendja tërhiqet nga çështjet e mirëfillta dhe jetike të shqiptarëve në Mal të Zi të cilat kërkojnë këmbëngulje,fokus dhe angazhim të vazhdueshëm në zgjidhjen e tyre.

Njikohësisht, shpresojmë që me rastin e vizitës së zv.kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, Malit të Zi,të paralajmëruar me 15 Janar 2015, që temë e bisedimeve të tij me udhëheqësit malazez,të jetë edhe çështja e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe statusi i tyre i pabarabartë në këtë republikë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora