Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hamit Taka: Gjyqi i sozisë

| E marte, 13.01.2015, 07:22 PM |


GJYQI I SOZISE

Tregim nga Hamit Taka

Kastriot Çapari rrinte fare i qetë në bankën e të akuzuarit. Kishte fiksuar vështrimin te tavolina e sekretares, duke shmangur vështrimet kureshtare të spektatorëve në sallën e gjyqit. Të pranishmit në sallë, veç një ish-profesori të tij, as i njihte as i interesonin.

Prokurori, jo aq i moshuar, sa t’i shkonte ajo hijerëndësi që i jepte vetes, lexoi akt-akuzën. Ngrehosej e vështronte nga salla sikur të ishte në një manifestim solemn.

Pastaj e mori fjalën kryetari i trupit gjykues:

-I pandehuri, Kastriot Çapari, e dëgjuat akuzën e prokurorit?

-Po , zoti gjykatës.

-I pandehuri, Kastriot Çapari, e pranoni akuzën?

-Jo, zoti gjykatës.

-Pse nuk e pranoni, i pandehuri Kastriot Çapari?

-Sepse unë nuk e kam mashtrur studenten.

-Si nuk e ke mashtruar studenten, i pandehur, kur për dy muaj rresht i je prezantuar me idenditetin e një personi tjetër?

-Zoti kryetar i trupit gjykues, çdo gjë që kam bërë, e kam bërë me vetëdije, respekt e dhembshuri njerëzore për studenten. Ishin rrethana të tilla, që më detyruan të veproja siç veprova.

Prokurorin hijerëndë nuk e mbante vendi. Ai tentoi të merrte fjalën pa leje, por kryetari i trupit gjykues e ndërpreu. Ndërkohë iu hakërrua edhe të pandehurit  të mos i dredhonte akuzës. Gjithashtu i shpjegoi se, për ta kundërshtuar akuzën, duhej të kishte prova ligjore.

-Zoti kryetar, unë mbroj idenë time se njeriu dashuron me të vërtetë vetëm një herë. Ajo dashuria e vërtetë, dashuria e madhe, mund t’i bjerë në kokë një vdekatari veç një herë në jetë. Dhe ta vrasësh dashurinë e vërtetë bën krimin më të madh. Qëllimi im nuk ishte studentja, por dashuria e saj. Dashuria për atë studentin e arteve të bukura, dy vjet më i madh se ajo, i kishte rënë në kokë si rrufeja. Dhe një zemër e goditur soje, në se ai zjarr shuhej menjëherë, mbetej aq e zbrazur, aq e rrënuar dhe e zhuritur, sa që në të s’do të mbinte dot më asnjë ndjenjë tjetër e fuqishme, madje as edhe një ëndërr. Në këto rrethana mendova: më mirë një femër e mashtruar se një kufomë e dëshpëruar.

-I pandehur, -klithi gjykatësi, -mos fol blasfemira këtu në sallë të gjyqit, në tempullin e drejtësisë. Idetë e tua janë idealiste, abstraksioniste, në kundërshtim me moralin tonë të shëndoshë.

-Më lejoni t’ju shpjegoj, zoti kryetar, -e rifilloi fjalën i pandehuri.

-Nuk na duhen shpjegimet e përçartura. Ti na thua se nuk është mashtrim ta bësh një studente të dashurojë sozinë e të dashurit të vërtetë. Ky është mashtrim i tmerrshëm. Na thuaj vetëm ç’ke për të thënë për akuzën, i pandehur.

-Dakord, zoti gjykatës. Por dashuria për sozinë mbante gjallë shpresën, siç bëjnë disa avokatë me të pandehurit e të afërmit e tyre, duke u dhënë shpresë se i akuzuari do të marrë pafajsinë. Ky është një mashtrim i dobishëm.

-Leri filozofimet, i pandehur! Vazhdo të flasësh vetëm për akuzën.

-Si urdhëron, zoti kryetar i trupit gjykues. Studentja e dashuronte furishëm atë studentin inteligjent, bukurosh e simpatik. Nuk kishte rëndësi për mua se kush ishte ai dhe kush ishte ajo. Për mua rëndësi kishte dashuria në vetvete. Dhe ajo nuk më interesonte aspak nga që më prekte, ose nga që më çuditi, ose nga që më mallëngjeu, ose nga që më bëri të mendohesha, por sepse njeriu dashuron me të vërtetë vetëm një herë në jetë. Po i vrave atë i ke vrarë jetën.

-Fol shkurt, i pandehur, ç’ke për të thënë rreth akuzës, që rëndon mbi ty, ndërhyri njëri nga anëtarët e trupit gjykues.

-Edhe një herë, zoti gjykatës, unë doja ta ruaja vajzën nga ndonjë e keqe e pariparueshme.

-I pandehur, ti do ta mbroje studenten, në qoftë se i tregoje me një herë të vërtetën. Ti e mashtrove. Duke shfrytëzuar ngjashmërinë fizike me atë vagabondin, iu paraqite studentes si personi, me të cilin ajo ishte lidhur aksidentalisht, -ulëriu kryetari i trupit gjykues.

-Studentja nuk ishte lidhur aksidentalisht me të, zoti kryetar, por e dashuronte me tërë zjarrin e shpirtit dhe ishte ndërgjegjësuar për këtë dashuri.

-I pandehur, -bërtiti kryetari i trupit gjykues, që dukej sheshit se e humbi durimin nga fjalët e të pandehurit, -si ishte e ndërgjegjësuar studentja, kur nuk dinte ende se në çfar bataku ishte zhytur personi që ajo pafajësisht e kishte dashur!

-Atë ditë që ndodhi ngjarja, unë do t’i shpjegoja të vërtetën, zoti kryetar.

-Pse nuk ia shpjegove?

-Se nuk arrita. Nuk më lanë kalimtarët, që padrejtësiht ndërhynë në punët tona.

-I pandehur, qytetarët ndërhynë denjësisht, por veproje ti padrejtësisht, dhunshëm, rrugaçërisht. Tani përgjigju shkurt pyetjes sime: E pranon akuzën se ke mashtruar studenten.

-E pranoj si term, por jo si perceptim, -u përgjigj i akuzuari.

-Mjafton si term. A jeni i penduar tashmë për dhunimin e intimitetit të një studenteje?

-Jo, zoti kryetar i trupit gjykues.

-Si nuk jeni, kur pranove me vetëdije, se ke mashtruar studenten përdy muaj rresht?

-Se qëllimi ishte i mirë, zoti kryetar.

-Domethënë, sipas teje, qëllimi justifikon mjetin.

-Në një farë mënyre po, zoti kryetar.

-Po kjo është makiaveliste, i pandehur.

-Ndonjë herë edhe makiavelizmi është i dobishëm, zoti kryetar.

-Ideologjija jonë është e papajtueshme me makiavelizmin, i pandehur.

-Edhe shteti ynë demokratik i diktaturës së proletariatit, për interesat e popullit, domethënë për qëllime të mira, përdor shpesh dhunën, që nuk përputhet me të drejtat dhe liritë e njeriut, zoti kryetar.

Kryetari Iitrupit gjykues iu sul si bishë e tërbuar të pandehurit.

-Ti, i pandehur, e ktheve bankon e të akuzuarit në tribunë të politikës antipopullore. Nga i akuzuar, po kthehej në akuzues të regjimit tonë demokratik e popullor, siç është diktatura e proletariatit.

-As më ka shkuar në mëndje kjo, zoti kryetar.

-Ty jo, por neve po. Tani mbi ty rëndon edhe akuza tjetër e përhapjes së ideve makiaveliste dhe propagandës anti-shtetërore.

-Në se mendimet e mia të sinqerta dhe humane, ju i konsideroni të tilla, është çështja juaj personale, por unë nuk kam synime të tilla. Unë vetëm mbroj veprimin tim human ndaj studentes, zoti kryetar.

-Ti mendo si të duash, -i pandehur. -Seanca sot mbyllet dhe ti do të hetohesh per akuzën e dytë.

Në sallë ra një heshtje varri. Askush nuk mund ta kuptonte se me kë ishin të pranishmit: me trupin gjykues apo me të pandehurin. Sidoqoftë guximi dhe retorika e djaloshit i habiti të gjithë.

* * * * *

GJYQI I SOZISE

-pjesa e dytë-

Seancat e gjyqit të Kastriot Çaparit, për akuzën e dytë, hedhur mbi shpatullat e njoma të tij në sallën e gjyqit nga trupi gjykues në seancën e parë, si “përhapës i ideve makiaveliste”, vazhdoi disa seanca dhe u ndoq nga qytetarët si një film serial. Pjesëmarrësit kureshtarë nuk donin të humbisnin asnjë replikë, bile kishte raste që të rinjtë linin punën apo leksionet, për t’i ndjekur të plota seancat. Vetëmbrojtjen e të paditurit studentët kishin filluar ta quanin “Apologjia e Sokratit”. Salla mbushej vazhdimisht dhe të pranishmit dëgjonin të tendosur akuzat e kundërakuzat, batutat e replikat midis trupit gjykues dhe të pandehurit, sa debatet humbisnin shpesh sensin juridik dhe kulturën qytetare. Me një qetësi, maturi dhe logjikë asgjësuese, i pandehuri rrëzonte akuzat e provat e juristëve. Anëtarët e trupit gjykues nervozoheshin e bëheshin qesharakë para të pranishmëve. Një grup studentësh të dramaturgjisë kishin duartrokitur në një seancë, kur i pandehuri hyri në sallën e gjyqit nga dera e posaçme. Kryetari i trupit gjykues u acarua aq shumë sa u kërkoi policëve t’i nxirrnin studentët jashtë nga salla e gjyqit. Por nuk mungonin edhe rastet kur ndonjë apo disa pjesëmarrës, kryesisht të moshës së vjetër, shanin  e i hakërroheshin të pandehurit me fjalët: rrugaç, mashtrues, i pandershëm, borgjez, qafëlesh dhe armik i popullit.

Në seancën e pestë trupi gjykues iu kthye akuzës së parë për “mashtrim dhe dhunim të jetës private të një studenteje”, vazhdimin e së cilës të pranishmit në sallë e prisnin me kureshtje. Përmes dallgëve të zemërimit të trupit gjykues dhe valëve të qeta të të pandehurit, i qartë e stoik në mendimet dhe deklaratat e tij, u dëgjuan e u ridëgjuan ato që ishin thënë në seancën e parë.

-A keni gjë tjetër, i pandehur, -tha kryetari i trupit gjykues, pas rreth gjysmë ore nga fillimi i seancës.

-Jo, zoti kryetar, -u përgjigj i pandehuri.

* * * * *

Pas kësaj përgjigjeje, kryetari i trupit gjykues urdhëroi të thirrej studentja, si dëshmitare kyç në gjyq. Vajza hyri në sallë shumë e qetë. Linjat perfekte të trupit dhe tiparet e bukura të fytyrës, bënin kontrast me zbetësinë e lëkurës, që më shumë i ngjante një maske. Midis bardhësisë së fytyrës rrezëllinte një buzëqeshje e lehtë, si e ngjitur me siklet. Sa mbriti te vendi i caktuar, dëshmitarja mori seriozitetin që i takonte institucionit ku ishte thirrur.

-Emrin, -thirri kryetari i trupit gjykues.

-Fatabardha, -u përgjigj vajza.

-Mbiemri, -vazhdoi kryetari i trupit gjykues.

-Bakullati, -u përgjigj vajza.

-Emri i babait, -tha kryetari i trupit gjykues.

-Demir. Më falni, Vladimir, po shkurt i flasin Demir, -u përgjigj vajza.

Disa nga pjesëmarrësit në sallë mbetën të hutuar. Të ishte e bija e atij Vladimir Bakullatit, i cili kishte një post të rëndësishëm në piramidën shtetërore?! U dukej e pabesueshme të gjëndej vajza e tij në rrethana të tilla.

Pas formaliteteve, kryetari i trupit gjykues i kërkoi dëshmitares të betohej se do të thoshte të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

-Betohem se do të themë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, -tha studentja me zë të vendosur.

-Atëherë përgjigju shkurt pyetjeve të mia, -tha i qetë e zëbutë kryetari i trupit gjykues.

-Si urdhëron, -zoti kryetar, -u përgjigj dëshmitarja.

-E njihni të pandehurin, Kastriot Çapari? -filloi kryetari i trupit gjykues.

Dëshmitares i kaloi një drithërimë në tërë gjymtyrët e saj dhe u step pak.

-Portretin, po. Emrin, jo. Sapo e dëgjova nga goja juaj.

-Domethënë i pandehuri ju ka mashtruar.

-Po, zoti kryetar i trupit gjykues.

-Kur jeni takuar për herë të parë me të pandehurin?

-Para dy muajve. Por kam bërë edhe biseda telefonike me të para se të takoshesha fizikisht.

-Çfarë bisedonit në telefon?

-Bisedoja me të si vajzë e dashuruar. Unë i bëja lajm-thirrje të dashurit tim, i pandehuri më përgjigjej në emër të tij. Unë i përgjërohesha të takoheshim si zakonisht, ai gjithmonë justifikohej se nuk vinte dot, pasi ishte i zënë me prova për një dramë që përgatiteshin ta jepnin në ca qytete të vogla dhe nëpër ndërmarrje të kryeqytetit.

-Nuk ia dalloje zërin në telefon?

-Jo, zoti kryetar i trupit gjykues.

-Siç ju kuptova, pas një muaji i pandehuri erdhi në takim. Përse e pranoi ftesën me kaq vonesë? Dhe si u prezantua me ju?

-Unë mendoja se atëherë ishte lehtësuar nga provat dhe shfaqjet. Por edhe nga ngulmimi im. Përsa i përket prezantimit edhe ta kishte ndërmend, nuk arriti ta bënte. Unë, sa e pashë, vrapova e u hodha në krahët e tij.

-Po i pandehuri si reagoi?

-U skuq si vajzë e turpëshme, buzëqeshi pak, shikoi rreth e rrotull dhe zgjati dy duat para, si për t’u mbrojtur.

-Po ti si u ndjeve? Si u solle me të?

-Qava, zoti kryetar i trupit gjykues. Unë isha e përmallur dhe e zemëruar, pasi kisha dy muaj pa e takuar njeriun tim më të dashur, ndërsa ai nuk tregonte aspak entusiazëm për takimin e shumëpritur.

Anëtarët e trupit gjykues ulën kokën, sikur donin të fshihnin fytyrat e zymta të tyre.

-Po, ju kuptova. Mund të na thoni se ç’marrëdhënie keni patur pas takimit me të pandehurin? –filloi kryetari i trupit gjykues. Studentja u përskuq pak.

-Në ç’kuptim, -zoti kryetar i trupit gjykues.

-Të çfarëdo lloji, -iu përgjigj kryetari.

-Kam patur mardhënie të sinqerta me të, duke u konsideruar djalin që dashuroja me tërë patosin e shpirtit. Por vëreja se ai rrinte i rezervuar. Thellë në sytë e tij dalloja dhimbje, merak frikë. Unë s’e kuptoja arsyen dhe ndieja dhimbshuri për të. Përpiqesha t’ia lehtësoja e t’i jepja kurajo.

-Natyrisht që kishte frikë. Kishte frikë nga ajo që fshihte, mashtrimin djallëzor, -e ndërpreu anëtari më i moshuar i trupit gjykues. Vajza heshti.

-Domethënë ju e konsideronit të dashurin tuaj, ndërhyri kryetari i trupit gjykues..

-Po, - zoti kryetar.

-Domethënë i pandehuri abuzonte me ju?

-Jo, s’mund ta them atë, -zoti kryetar i trupit gjykues.

-Si është e mundur, kur ju e konsideronit të dashurin tuaj?!

-Nuk e di, - zoti kryetar i trupit gjykues, -I pandehuri ishte shumë korrekt me mua. Bënte ç’është e mundur të shmangëte çdo kontakt fizik dhe të mos prekte sadopak ndjesitë e mia. Ai, ndonëse aktronte bukur në rolin e të dashurit tim, kishte ndroje të theksuar dhe dukej se më fshihte diçka shumë serioze, sa fillova të dyshoja.

-Fillove të dyshoje, se nuk ishte personi që ti dashuroje?

-Jo. Fillova të dyshoja në dashurinë e tij, mos ishte lidhur me ndonjë tjetër, derisa më rrinte aq korrekt, ftohtë mund të thoja.

-Pohon se nuk t’u prezantua me idenditetin e vërtetë, por ishte shumë korrekt në marrëdhëniet me ty. A mund të kesh gjykuar më pas, kur mësove për idenditetin e rremë, për ç’arsye e bënte këtë i pandehuri?

-Këtë nuk e kam mësuar ende dhe nuk më intereson ta mësoj.

-Dyshove mos kishte rënë në dashuri me ty?

-Jo. Këtë e ka treguar me sjelljen dhe veprimet e tij të ndershme e fisnike. Bile krijova bindjen se ai nuk ndiente asgjë për mua. Ose, më saktë, ndiente dhembshuri dhe respekt. Ditë pas dite konstatoja një brerje ndërgjegjeje tek i pandehuri, që vazhdoja ta njihja si i dashuri im.

-Si është e mundur, dëshmitare, të mos dallosh një të panjohur nga njeriu, për të cilin kishe një dashuri të admirueshme, siç deklaroni këtu, -ndërhyri një nga anëtarët e trupit gjykues. Vajza u kthye paksa nga i pandehuri.

-Ngjajnë shumë, -zoti gjykatës. -Ende nuk jam në gjëndje të gjëj dallime. Aq më tepër atëherë, kur isha verbuar nga dashuria, malli dhe dhimbja e ndarjes dymujore. Në atë prezantim unë isha si ai i dehuri, që ende s’i ka dalë pija dhe s’mundja të dalloja nuanca të holla ndryshimesh.

-Deklarata juaj është kontradiktore, dëshmitare. Në njërën anë ai ju mashtronte, duke shfrytëzuar ngjashmërinë fizike me të dashurin tuaj, në anën tjetër, ishte tepër korrekt. A nuk ju duket jo logjike dëshmia juaj?

-Unë them ato që ndieja e shikoja. Pse-në mund t’ia kërkoni të pandehurit. Ende edhe për mua është mister, zoti gjykatës, -u përgjigj studentja.

-Ç’mund të thoni ju për këtë detaj, i pandehur, -iu drejtua gjykatësi Kastriot Çaparit.

-Jua kam thënë, zoti gjykatës. Për dashurinë e vërtetë dhe të pastër mes dy studentëve.

-Si t’ju besojmë ne se e bëje për dashurinë e tyre, kur ti nuk ishe i sinqertë me studenten?

-Në thelb të ndërgjegjes sime dhe në funksion të qëllimit, isha shumë i sinqertë, -zoti gjykatës.

-Leri gjepurat me thelbin e ndërgjegjen tuaj, i pandehur. Ti mashtroje dhe doje të abuzoje me studenten, duke shfrytëzuar ngjashmërinë fizike me personin që ajo donte. Je i pa ndershëm, deri sa gënjen edhe para trupit gjykues.

Në këtë çast vajzës ia përshkoi tërë trupin një drithërimë dhe brofi, sikur të kishte ndjerë dhëmbje fizike nga një pickim i fortë. Ajo ia ndërpreu ligjëratën gjykatësit:

-Jo i pandershëm, zoti gjykatës, pasi nuk më cënoi aspak në nderin e dinjitetin tim.

-Si nuk e cënoi nderin tënd, kur të mashtroi, duke t’u paraqitur si djali i dashuruar prej teje!

-Kjo mbetet një mister për mua. Por kurrësesi, nuk mund ta quaj i pandershëm. Ai nuk abuzoi me mua. Gjë që e kishte shumë lehtë për ta bërë, kur unë, duke e konsideruar djalin që dashuroja më fort se gjithçka në botë, i isha dorëzuar tërësisht. Ndërsa ky djalosh i largohej çdo kontakti me mua sikur unë të isha me lebrozë.

Të pranishmit tendoseshin të dëgjonin çdo fjalë të studentes, të munduar nga ajo kureshtja, që qëndron gjithmonë thellë në shpirtrat më të pvuajtur. Ata që shanin e mallkonin të pandehurin, filluan të inatoseshin me vajzën, duke e etiketuar nëpër dhëmbë: naive, budallaçkë, e pa turp, harram buka e atyre prindërve që të ushqejnë…

-Po familja juaj e nderuar a kishte dijeni për lidhjet tuaja me këta dy djem? –e ndërpreu kryetari i trupit gjykues.

-Më duhet t’ju korrigjoj, zoti kryetar. Me një djalë, jo me dy, -ndërhyri vajza.

-Kërkoj ndjesë, se të dytin e konsideroje të parin, -u përgjigj kryetari i trupit gjykues, duke e bërë çorap ligjëratën, aq sa të pranishmëve u ngjau si sofizmë.

-Jo. As sot ata nuk dinë gjë nga unë, -u përgjigj preraz vajza.

Anëtarët e trupit gjykues u mblodhën kokë më kokë dhe pëshpërisnin me njëri-tjetrin. Por gjestikulacionet e tyre tregonin për një bisedë serioze dhe konfuze.

-Po a ke menduar se mund të shkelje në dërrasë të kalbur dhe se ke përgjegjësi për jetën tënde dhe dinjitetin e familjes? -E vijoi fjalën i njëjti anëtar i trupit gjykues.

-Lidhjen me një njeri që e dua e më do me gjithë zemër, nuk e quaj shkelje në dërrasë të kalbur, zoti gjykatës, -u përgjigj vajza.

-Edhe kur ai person është me probleme? –tha kryetari i trupit gjykues me një farë shpotie.

-Varet nga problemi. Me gjithë atë për çdo problem ka një zgjidhje. Çelësi më i mirë i zgjidhjes është dashuria e vërtetë, -zoti kryetar i trupit gjykues.

-Mos nxitoni, dëshmitare e nderuar, se po bini në kurthe ideologjike, himnizoni dashurinë e lirë, mbiklasore.

Vajza heshti. Salla filloi të gumëzhinte. Të pranishmit prisnin me padurim misterin e kësaj lidhjeje, po aq sa paraimagjinonin një duel të ashpër midis të pandehurit dhe studentes, gjë që nuk ndodhi. Ndërkohë, kryetari i trupit gjykues, disi i penduar për ato që i tha studentes, iu drejtua të pandehurit:

-I pandehuri, Kastriot Çapari, a mund të na thuash të vërtetën, e cila të lehtëson, në se je vetëdijësuar që ke mashtruar e abuzuar me dëshmitaren, duke mos iu prezantuar me idenditetin e vërtetë dhe nuk i ke treguar batakun në të cilin ishte zhytur djali që ajo dashuronte?

-Jo, nuk ndihem i penduar, pasi unë e bëja për dashurinë e lumtur të tyre. Unë kisha bindje se studenti i arteve të bukura do të kthehej pranë saj shumë shpejt. Kur e pashë se do të vononte të vërtetohej pafajësia e tij, u afrova me vajzën, që ta mbaja gjallë dashurinë e pastër të tyre…

-Domethënë ti dyshon se vendimet e gjykatë janë të padrejta, i pandehur? –E ndërpreu, duke i mëshuar zërit kryetari i trupit gjykues.

-Në rastin konkret po, zoti kryetar. Ai djalë është dënuar padrejtësisht, vetëm për dy fjalë: “Tirana e tiranëve”. Ato i dëgjoi në një fshat të Peshkopisë, ku kishte shkuar për të njohur traditat e zakonet e personazhit të dramës. Në familjet e asaj zone dëgjohej vetëm Radio-Prishtina, e cila, sa herë përmendëte kryeqytetin tonë të dashur, thoshte “Tirana e tiranëve”. Ai vetëm sa e përmendi në rrethin e shokëve të tij këtë togëfjalësh si detaj mediatik. Dikush e spiunoi me shpifje të ulëta dhe për qëllime të pandershme, I imponuar nga njerëz të fuqishëm dhe kaq.

-Mjaft, i pandehur. Të morëm vesh. Ti vazhdon me këmbëngulje, që, nga banka e të akuzuarit të përhapësh agjitacion e propagandë armiqësore. Trego pse nuk ia tregove të vërtetën studentes qëkur bandilli mori dënimin e merituar?

-Jua thashë seancën e parë, zoti kryetar i trupit gjykues. Atë ditë do t’i tregoja, por nuk arrita, se përfundova në polici. E parapërgatita disa ditë për lajmin e hidhur që do t’i jepja. Bile përpiqesha të ftohej vetë gradualisht me të dashurin e vet, deri sa ta harronte e t’u kthehej detyrimeve studentore.

Vajza nuk po kuptonte përse ishte fjala.

-Zoti kryetar i trupit gjykues. Ju po dialogoni për mua dhe unë s’po marr vesh përse flisni. Sidomos fjalët e të pandehurit po më pështjellojnë shumë, -foli pa leje studentja.

-Tani, dëshmitare duhet ta kuptosh thelbin e mashtrimit, abuzimit dhe dhunimit të pafajsisë e dinjitetit tuaj. Fjala është për të pandehurin, i cili ju ka mashtruar, ka dhunuar privatësinë tuaj. Dhe ju duhet të reagoni fort e me pjekuri.

-Më ka mashtruar vetëm me idenditetin, por nuk ka dashur apo nuk ka mundur të cënonte aspak dinjitetin tim. Përsa i përket pafajsisë, mos më konsideroni naive, zoti kryetar i trupit gjykues.

-Mjafton mashtrimi me idenditetin. Atje është dhe cënimi i privatësisë e pasojave që rrjedhin, -iu përgjigj kryetari i trupit gjykues.

-Zoti kryetar i trupit gjykues, që të kthjellohem disi, do dëshiroja, në se i dini, të mësoja diçka për ndonjë lidhje fisnore a shoqërore të dy personave, mes të cilëve unë kam ndarë me vetëdije e pavetëdije dashurinë time të pastër…

Kryetari i trupit gjykues e priti me kënaqësi kërkesën e dëshmitares.

-Kanë lidhje gjaku, vajzë(term që në gjyq tregon afinitet). Janë vëllezër binjakë. Prandaj ngjajnë si dy pika ujë.

Studentes i iku gjaku nga fytyra. Lëkura iu zbardh si bora e malit, sytë iu zbehën, bukuria iu venit edhe më shumë dhe e lëshuan fuqitë. Një polic bëri ta kapte, por vajza erdhi në vete dhe ia shtyu dorën. Gradualisht iu kthye ngjyra e fytyrës, bukuria dhe kaltërsia e syve iu çel tej të zakonshmes… Pastaj shikoi nga djaloshi dhe, pa lejen e trupit gjykues, me një nur të rilindur, e tronditur nga emocioni, nga angushtia, nuk e di nga ç’ndjenjë e turbullt, e fortë dhe e shenjtë, nuk e di ç’nevojë e shtynte të tregonte, t’i thoshte të gjitha, të fliste për ato gjëra, që i mbante të mbyllura deri atëherë thellë në zemrën e saj, filloi të fliste me atë zërin e ulët që ndjell kujtimet:

-Tani e kuptova. Njëri është i dashuri im. Tjetri është “ëngjëlli im mbrojtës”. Domethënë Besniku im nuk më ka tradhëtuar. Tani e kuptova gjithçka. Edhe sjelljen e binjakut të tij…

-Kthjellohu për ato që thua, dëshmitare. Personi në fjalë ka tradhëtuar popullin e Atdheun. Ç’do të thotë nuk të ka tradhëtuar ty! Ka tradhëti më të lartë se kjo? -ndërhyri kryetari i trupit gjykues. – Kthjellohu, dëshmitare dhe na thuaj fare shkurt, si ndihej tani që more vesh se i ashtuquajturi “i dashuri yt” është armik i popullit.

-Domethënë ai nuk vinte tek unë se ishte i burgosur. Domethënë ai duhet të më dojë akoma. Edhe djaloshi i pandehur luftonte për ne të dy si luan. Sa i ndershëm, sa i moralshëm e sa fisnik ishte ky djalosh me mua!

-Mos folë marrëzira dhe aq më tepër pa leje, dëshmitare. Reflekto dhe merr vendimin e duhur për veten, për familjen tuaj të respektuar, -ulëriu kryetari i trupit gjykues.

-Po, zoti kryetar i trupit gjykues. Unë tani ndihem e lehtësuar dhe po reflektoj me qetësi. Njeriu një herë dashuron në jetë me shpirt e me zemër. Nuk shikoj ndonjë vepër armiqësore te njeriu im i dashur. Njeriu duhet të jetë i lirë të mendojë e të shprehë ato që ndien dhe gjykon me ndërgjegjen e tij. Jeta dhe liria e njeriut nuk barazpeshohet me dy fjalë.

Kryetari i trupit gjykues, sikur u zgjua nga një ëndërr e keqe, goditi me çekiç tavolinën dhe, i turbulluar pa masë, iu drejtua dëshmitares:

-Studente e respektuar(prapë terma intimiteti), kontrolloni shprehjet tuaja, pasi më duket se edhe ju rrëshqitët në shinat e të pandehurit. Flet për dashurinë e lirë, mbiklasore. Flet për ide të lira, pavarësisht nga përmbajtja ideologjike… Shprehu vetëm për atë që akuzohet i pandehuri, Kastriot Çapari!

-Po, zoti kryetar. “I pandehuri” juaj, i lirë apo i dënuar, është vëllai im, sepse është binjaku i të dashurit tim, se e ka merituar me ndershmërinë, dhimshurinë, përkushtimin dhe përkujdesjen tejet njerëzore për mua. Vëlla të bëhet ai që respekton mendimet dhe ndjenjat e tua, ai që të gjëndet në çastet e vështira. I pandehuri nuk më ka mashtruar, por më ka ndihmuar dhe respektuar. Unë nuk kam paditur asnjeri për mashtrim apo ushtrim dhune ndaj meje. Kush ka denoncuar, le t’ju përgjigjet, zoti kryetar. Përsa i përket vëllait të tij, ai mbetet i dashuri im i përjetshëm. Dashuria është pjesë e gjenialitetit të njeriut. Njeriu dashuron me të vërtetë vetëm një here në jetë.

Salla gumëzhiu përsëri. Si në ata filmat që presim me padurim përfundimin, gjëndja emocionale e shumicës ishte për një përfundim të lumtur.

Kryetari i trupit gjykues urdhëroi ta përcillnin studenten dëshmitare. Pastaj anëtarët e trupit gjykues u tërhoqën,  për të marrë vendimin. Pas plot dy orësh, nën ndikimin e familjes së panjollosur të studentes, kryetari dha vendimin: Kastriot Çapari dënohet me 7 vjet burg. Po aq ishte dënuar edhe binjaku tjetër, i dashuri i studentes.

Studentja u sul me lot në sy të përqafonte të pandehurin Kastriot Çapari, por policët nuk e lanë.

* * * * * *

Disa të moshuar e vështronin vajzën me sy të pikëlluar, të çuditur, të mahnitur nga forca e dashurisë. Ajo vajzë braktiste të mirat e një familjeje nga hierarkia e lartë e pushtetit, sikur s’kishte nevojë për asgjë, veç për atë.

Një grup studentësh po debatonin.

-Ajo ka një ideal të thjeshtë, nevoja primitive dhe kërkesa shumë të thjeshta. S’do mend se është budallaçkë, si ato studentet fshataret që, kur vijnë në Tiranë, s’pyesin për mësimet dhe pasojat, mjaftohen të kenë një të dashur, -tha njëri.

Një tjetër tha me zë të qetë:

-Sidoqoftë ajo ndihet e lumtur.

Dhe një e tretë tha:

-Gjithkush prej neve do të ndihej e përkëdhelur nga një ngjarje e tillë, kaq e bujshme, që na hoqi trurin.