Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rrustem Geci: Kosovë, dashuria ime e parë

| E diele, 11.01.2015, 06:22 PM |


KOSOVË, DASHURIA IME E PARË

Lexim i 38 veprave letrare dhe shkencore të Prof. Dr. Sabile Keçmezi - Basha

Nga Rrustem GeciDortmund

Letërsia i përket atij që krijon, ndërsa historia atij që jeton. Jeta njerëzore përherë ka nevojë të çlirohet, të ndërtoj, dhe me çaste të dehet. Polibi historinë e quan shkollë të së vërtetës, shkollë që parapërgatit dhe përgatit shtetin. Krijimtaria poetike, dhe ajo historike e Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha, është e gjerë dhe e thellë. Në poezi Sabilja rrëmon të bukurën, të magjishmen, shpirtin e përgjakur të dhimbjes, ndërsa në histori, ajo mëton kuptimin e luftave dhe të betejave, dhe hapin e pandalshëm të kohërave.

Është lëngu i thellësive që i pjek drithërat, që i lulëzon pemët, që zambakët i bënë me lule, dhe gurin e shndërron në trëndëfil. Gjaku i shkruar i poetëve dhe shkencëtarëve vete tek gjithsecili njeri, i heshtur dhe mizor. Edhe njeriut, edhe historisë, jo rrallë i shkyhen këpucët, i vjetrohen rrobat, e kaplon trishtimi. Udhët në jetë janë të pafund, por mbërritjet herë-herë vonohen, lexoj në një petale të lagur peme. Historia s´ guxon të harron, shprehet Sabilja. Janë shumë pikat e gjakut që na thërrasin t´i lexojmë, ti trajtojmë dhe ti vejmë në libra. Harresa bën dëm si vërshimet, edhepse ne me të jemi të afërm.

Sabile Keçmezi – Basha, është autore e 17 veprave shkencore. 21 veprave letrare, dhe 300 publikimeve në gjini të ndryshme, 34 fejtone, dhe gjithë vepra e saj mund të përmbledhet në në 38 libra, me rreth 10 mijë faqe tekst të shkruar. Sabile Keçmezi-Basha u lind në vitin 1954, në Koretin të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Dardanë.

Shkrimtarja, Shkencëtarja dhe publicistja Sabile Keçmezi-Basha, Fakultetin e Shkencave Politike e kreu në Beograd, ndërsa Magjistroi dhe Doktoroi në Shkencat Historike, të Universitetit të Prishtinës. Sabile Keçmezi – Basha, është Shkencëtarja, dhe Shkrimtarja më prodhimtare në Kosovë.

Veprat shkencore dhe letrare të Sabiles, janë kreshta të një shpirti krijues, dhe me shumë talent. Në peisazhin e veprave të Sabile Keçmezit Bashës, lexuesi has në të gjitha ngjyrat e ylberit. Vreshta poetike e Sabile Keçmezit-Basha, është përplotë veshul të të gjitha kohërave. Ah, kjo ëndërr e çastit / në mungesë të letrës / ngeli dhe pa bar / ngeli dhe pa fushë të blertë ...Poezia e Sabile Keçmezit-Basha, është e ardhë nga terrinat e shpirtit, dhe nga dallgët shpërthyese të përroit të jetës.

Në këtë fillim shekulli, shprehet poetja Keçmezi- Basha, mbërritja mbërriti e munduar dhe në fytyrë na erdhi pak me ca pikëla. Rruste, poezisë jo rralë sytë i mbushen me lot e revoltë të paparë. Bota poetike por edhe ajo shkencore e Sabile Keçmezit-Basha, është e gjerë dhe e thellë. Dy botët e saj, poetikja, dhe historikja, rendin në një qerre, historia tek betejat, dhe poezia tek e bukura, sublimja dhe shpirtërorja.

S´dua të jem peng i së tashmes së shkaparderdhur, Poezia dhe historia janë në ADN e gjakut tim, shprehet Sabile Keçmezi-Basha. Në kraharorin tim ( shprehet shkrimtarja ) , bëhet luftë e madhe, luftë për lulen që s´dinë ta mbajnë veten, dhe luftë për lulet që vyshken përpara se të lulëzojë. Unë rrëfen Sabilja, detin e shikoj edhe nga bregu i detit, por, bregun e shikoj edhe nga thellësia e detit. Në këtë mynyrë, poezia tek unë hapur i ka të gjitha dritaret. Me poezinë shprehet shkrimtarja Basha, unë jam e vet-përgjakura e vargjeve të mia. Ndryshe bima poetike, bima që e krijoj unë s´do kishte as rrënjë, as trung dhe as degë.

Rruste, me historinë mua më bashkon qëndresa, qëllimi, kryengritjet, burrrëria e luftave dhe betejat të pareshtura të popullit tim. Letrat e pabotuar të kryengritjeve, të luftave dhe të aspiratave të popullit tonë për mbijetesë, ( që flejnë ende nëpër arkiva të ndryshme të botës) janë drama që zhvillohen në kraharorin tim. I nderuar, edhe historisë i shkyhen këpucët, i vjetërohen rrobat, dhe paqja herë- herë, atë e bën të mërzitet. Historia shprehet Sabile Keçmezi – Basha, vazhdimisht armatoset, dhe vet-armatoset, duke marr në dorë vet flamurin në luftat globale.

Ajrgjaku i jetës sime është poetik. Njëherë në kopsht ( kur isha moshë e re ) desha ta prek një zog, por zogu u tremb, duke më thënë, mos m´prek, prekja jote më le gjurmë. Unë e habitur, u skuqa nga përgjigjja e zogut krah shkruar. Prandaj, që nga ai çast rinor, natyra mbetet poetika ime. Lulet femra dhe lulet meshkuj unë i pëlqej shumë. Motivet me ushtarë të  historisë, dhe me prijës të saj, më stërngarkojnë të rrëshqas Kutia e Pandorës nga anija e dhimbjes, dhe nga hamaj të hamallosur.

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha është veprimtare e palodhur e çështjes kombëtare. Deputete në legjislacionin e parë të Parlamentit të Kosovës. Ambasadore e Paqes, dhe anëtare e Akademisë Evropiane të Arteve. Anëtare e Këshillit të Shkencës në MASHT, anëtare e kryesive të shumë shoqatave shkencore e letrare, anëtare e disa redaksive dhe  revistave. .

Prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha, është e vlerësuar me shumë çmime të para dhe mirënjohje nga institucione e shoqata të ndryshme. Sabilje Keçmezi- Basha, është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve në Itali. Ajo deri më tani ka marrë pjesë në mbi 70 tubime shkencore në vend dhe jashtë vendit. Shumë vepra të Prof. dr. Sabile Keçmezit – Basha, janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Figura krijuese e Prof. dr. Sabile Keçmezi Basha me 38 vepra, 300 publikime, 38 fejtone të botuara, dhe me rreth 10 mijë faqe tekst të shkruar, Prof Sabile Keçmezi-Basha, lirisht mund të quhet, krijuesja, Nder i Kombit.

Kontributi letrar dhe shkencor i Prof. dr. Sabile Keçmezit- Basha është kreshtë vullkanore. Autorja e 38 veprave letrare dhe shkencore është sukses i talentit dhe pasionit të saj për artin dhe shkencën. Unë kujtoj se nuk ka një të parë në Kosovë, që të mos krenohet me krijimtarinë poetike dhe shkencore, të Prof.dr. Sabile Keçmezit – Basha. Veprat e Sabiles, „Këmishë e Atdheut“, „Metafora“, „Kujtesën e ka kapur skleroza“, „Natyra pa kornizë“, „Malli për Itakën“, „Kodi i pritjes“, „Lëkura e grisur“,…dhe dhjetra vepra të tjera, janë kështjella të palëkundura përballë erërave të kohës. Mungesa e disa pjesëve të mohuar dhe të pashkruara të historisë sonë, shprehet shkrimtarja dhe shkencëtaraja Sabile Keçmezi-Basha, kraharorin ma bën të digjet dhe të tymojë. Itakë, gërsheti im i përgjakur, më le të dua, më le të përqafoj, tek ti kam një pik të gjakut tim, të stërgjyshërve të mi të mohuar. Suksese, dhe jetë të gjatë autores!