E merkure, 24.04.2024, 07:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Të përbashkëta dhe dallime lirike

E diele, 11.01.2015, 03:29 PM


TË PËRBAKËTA DHE DALLIME LIRIKE

(Disa raporte poetike mes Frederik Reshpës dhe Nikolla Spatharit)

Nga Vladimir Muça

1-KORSI TE VECANTA ESTETIKE

Në gjurmët migjeniane të poezisë Shkodra riafirmoi, në fundshekulin XX dhe fillimet e shekullit XXI, si produkte të trashëgimisë poetike, dy poetë, sa të afërt në stilistikë aq dhe të veçanë ne estetikë. Frederik Reshpja dhe Nikolla Spathari në produktet e tyre poetike vinë si krijues të së njëjtës shkollë poetike. Afërsia shoqërore dhe privacionet ishin bashkëudhëtarët e një bashkpunimi letrar, në kushtet e një soc-surrealizmi dogmatik, mbisundues në letërsinë shqipe: Por siç është thënë “ nga kufizimet shoqërore lind dhe arti i vërtetë“.

Të dy ndjeksit më të denjë të artit poetik të Migjenit të Madh, ndonëse me privacione shoqërore nga më të ndryshmet, ecën përkrah në këtë rrugë të sigurtë  të poezisë moderne..

Krahas përbashkësive stilistike  dhe mjeshtrisë poetike që i përafron në shijet krijuese, në këtë rrugë ata ecën në korsi të veçanta, në dallime estetike, gjë e cila flet për personalitetin krijues të secilit. Për të evidentuar disa përbashkësi dhe veçansi të këtyre poetëve post migjenianë, shtysën ma dhanë dy vëllimet e fundit të tyre: “Vetmi” e Frederik Reshpes, botim i shtëpisë botuese “Medaur” në vitin 2004, dhe “S’iki dot nga kjo vjeshtë” i Nikolla Spatharit, botim i “Millenium” i vitit  2014. Veçoria e merr tonin e sajë poetik që në konceptimin metaforik të ballinës, si amalgamë e të gjitha sharmëve e trilleve poetike, që do të bulonin nëpër vargje e nëpër strofa. “Vetmi” e Reshpes, si e një murgu, që qerthullohet në dhimbjen e vet, monumentalizohet në atë supstancën e vet të kohës krono, duke zier në vetë-vete si një vullkan gati në shpërthim: “ Hënë s’ka, yje s’ka/ Ecën vetmia me bijtë e saj “. Në kërkim të epikës, miteve dhe legjendave. Reshpja e arrin brumëzimin e vargut gjer në pikën e vlimit, duke e ftuar lexuesin të bëhet bashkëvuajtës, ta trazojë këtë botë të egër, ta ndjejë thellë në shpirt këtë dhimbje të poetit, të bëhet bashkëshpërthyes i një erupsioni shoqëror. Caku poetik reshpjan është gjer në këtë shpërthim të së keqes shoqërore, me atë agresivitetin e sajë, duke e gjetur të bukurën poetike tek e keqja si një Bodler Shqiptar.

Ndërsa “S’iki dot nga kjo vjeshtë” e Nikolla Spatharit vjen si një univers metaforik, ku edhe vetmisë i këndohet ndryshe, nga pozitat e poetit që don të ndreq gjithçka: “ Mirëmbetëshi kafene/ Dhe ju sheshe gjysëm të çmendur/ Sa shumë kohë për

  arritur deri te vetmia/ Mirëmbetëshi dhe ju salla ku çirrën mediokrit/ Ku ndahën tituj dhe çmime me mijra “. Vjeshta, te Spathari, nuk është simbol i zymtësisë, përkundrazi është simbol i ngjyrave, i zogjve që ikin duke marrë me vete folklorirn më të lashtë te pyjeve. Por ajo është edhe simbol i vjeljes, i bollëkut. me atë larminë e ngjyrave dhe me regëtimën e gjethes që nuk don të shkëputet nga dega amë. Shirat nuk i len të kyçura  si  Reshpja, jo ai i vë me mjeshtri poetike në funksionin e dobishëm të ripërtritjes: Retë e brigjeve/ Mbetur nëpër pirgje, i arriti veriu/ Në fushat anës Drinit pritej të mbusheshin pellgjet/ Dhe njerëzit  këndonin : “Sa i mirë është shiu!”. Gjithçka te Spathari vjen si një veçori estetike. Një univers lirik që shfaqet në këtë botë të luzme vjeshtore, që nga ajo  shtëpia  e vogël e dallandyshes në “plepin me gjethe të rëna”, te pik e vesës mbi gjethe, ku përthyhet rrezja e diellit, te ai kroi rrezë korijes ku ngrihen ylbere. Kjo është bota poetike, ku Spathari përshfaq vetëm atë dhimbjen e embël që: “S’iki dot nga kjo vjeshtë” të cilën ai e ka ujdisur aq bukur në bahçen e tij poetike.

Reshpja dhe Spathari vinë si dy kalorës templarë poetikë. Reshpja më konservator në vehten e tij, ndaj dhe ato që ka marrë nga stili dhe estetika migjeniane e “shpirtrave të ndrydhun” vlojnë në supkoshiencë shumë ndjesi gjer në pikën kritike, ndërsa Spathari evolon në turbulenca diellore jashtë asaj bote  të Reshpes”: “ Që vizatuan egërsisht errësirat “. Ai shkruan : “ Sot i bëra një vizitë pranverës/ Në rrugicat mes luleve takova diellin “.

 

Frederiku, bukur, shumë bukur operon me luftrat dhe eposet e vjetra. Ai mediton në mënyrë interesante, por meditimin nuk e bjen më këtej, e len atje, pa e ndërlidhur me të sotmën: “ Jemi puthur nëpër iliadat e vjetra/”, thot ai.  Në ndryshim Nikolla e plotëson universin poetik edhe brenda një poezie, duke kaluar natyrshëm nga e kaluara e largët te aktualja: Në Kaçanikun ku linde,/ Idriz Seferi/ Ndezi flakë çdo gur e çdo përrua.../ Të jetë bërë vallë gjithë ajo luftë e madhe/ Që të vinin kaq ëmbël buzët e tua?”/ Për një palë sy”.

Spathari jo vetëm e rrezaton ndjenjën me çiltërsi por, në tërësinë poetike ka më transparencë, ku për hirë të kësaj ndjenje e çon veten gjer në sakrificë sublime. Ai e kërkon ndjenjën e dashurisë universale dhe përtej botës jetësore duke njerëzuar dhe mitet. Ndjenja në poezitë “Vdekja e nënës”, “Në varrimin tënd” i ngjajn një vullkani që pasi ka kaluar erupsionin poetik, përmes fjalës dhe figuracionit artistik, me dhjetra herë, krijon turbulencat e diellit poetik në sytë e mëndjet e lexuesve, duke ngrohur shpirtrat e tyre në çastet më të dhimbëshme njerëzore, siç është varrimi. Ai thot: “Unë të kujtoj tek rrinim nën një hënë të kuqe / Si në këngën e Klaudio Vilës”, kurse Frederiku tek “Kënga e parë” shkruan: “Shtëpia e vjetër kulmrrezuar si fati im, / shtegmbushur me lule harrese. / Shkoi dhe Bardi plak me lahutë / Me sytë prej mermeri të verbër”.

Edhe  me disa nga këto citime poetike, dallimi mes tyre në estetikë, është i dukshëm. Njëri lufton , në një betejë shpirtërore, brenda bedenave të shpirtit në tufan ndjenjash, në tornado, ndërsa tjetri kapet si pegasi pas turbulencave që dalin nga erupsioni ndjenjësor, ku “ Dielli vjen nëpër degët e një ferre” . Jetësorja në poezinë e Spatharit mposht vdekjen. Ai i  thotë motrës së vdekur” “ Unë po ti ndrroj qeparisat dhe kryqet/ Me hijen e një lisi “.  Qielloren me toksoren i ndërlidh në mënyr të beftë. Murgeshës që tashmë ka zënë qiejt i drejtohet: “ Më prit/ Dhe luti për mua perënditë/ U thuaj se jam ai djali/ Që i këndonim bashkë latinitë “.

2-  DUKURI TË BALADËS NE POEZINE MODERNE

Ndjenjat dhe në konceptin filozofik nuk vdesin bashkë me materien, por rrezatohen, tjetërsohen në palimpsestet e jetës së poetit dhe të personazheve poetikë. Gjithçka varet nga raportet estetike që krijon poeti me këto “materie shpirtërore”.

Me poezitë “Kapaku i pjanos mbeti i hapur”, “Manastiri i Gracanicës”, “Dhimbja e fundit”, “Mermeri është i ftohtë” , nga libri “S’iki dot nga kjo vjeshtë” i Nikolla Spatharit  dhe “Prelud”, “Pres”, “Kënga e parë”, “Nënës”, “Shi hëne”, “Omeri”, “Trendafilat e feminisë” nga vëllimi “Vetmi” i Ftederik Reshpes duket qartë projeksioni drejt një tendence të futjes të nocioneve baladike në strukturën e një poezie moderrne, në një ndërthurje inteligjente me elementë mitikë dhe legjendarë.

Të dy autorët kanë tendencën të mos heroizojnë thjesht njerëzit, siç ndodh rëndomë ngahera, por të njerëzojnë herojtë duke u dhënë më shumë frymë. Dhe ato personazhe poetikë që vinë nga thellësia e miteve dhe legjendave si Ajkuna, Homeri, Priami, Akili, Simonida, Idriz Seferi, Beatriçja, çmitizohen poetikisht në realitetet e sotme,u jepet jetë e frymëmarrje, duke i jetësuar si bashkëjetues.

Në të tilla raste, autorët kryejnë një akt të madhërishëm estetik, duke bërë dhe deheroizimin e letërsisë, si një imperativ i domosdoshëm në letërsi, lënë peng nga dogmatizmi letrar i soc-sueralizmit. Elementet balaidikë, të shkrira në këto lirika moderrne, vinë si struktura vizionare, aktualizuese, profetike, universale, unikale në një trajtim të tillë. Kjo është dhe risia që ka sjellë përpunimi e futja e elementëve të baladës në poezinë e sotme moderrne.

Elementetet e baladës  kanë dalë nga qerthulli i dhimbjes së mbrendëshme, nga ngurtësimi si një “Rozafë”. Ato, rrezatojnë në gjithësinë e hapsirave njerëzore duke promovuar vazhdimësinë e një jete të prerë në një çast të dhimbëshëm për njerëzimin sic është vdekja. Në këtë koncept të ri poetik, çdo gjë gjen strehë tek ligjet e jetës, të cilët të udhëzojnë poetikisht se jeta vazhdon. Siç shihet, dhe nga një lexim i shpejtë i Reshpjes dhe Spatharit, edhe pse vinë nga e njëjta shkollë poetike, ajo migjeniane, janë paralele të ndryshme, të dyja ekselente në veçantitë e veta. Ajo e  Reshpjes me shumë alibi të këndëshme,  por disi më hermetike në atë konvertin e vet ndjenjësor dhe me shumë mesazhe nënkuptimore. Dhe paralelja tjetër e Spatharit më një peshë ndjenje të madhe, që çuditërisht ka dritë edhe kur i këndon dhimbjes.

Nga ky këndvështrim vjen dhe koncepti i ndryshëm poetik që kanë këta dy poetë ndaj së bukurës. Reshpja e kërkon dhe e gjen të bukurën më shumë tek e vrazhda, tek e keqja që e ka ndjekur në jetë sikundër Sharl Bodleri që e gjeti të bukurën tek “Lulet e së keqes”, ndërsa Spathari e kërkon dhe e gjen të bukurën “te metafora që akoma s’janë shpikur “ “te fustani i së dashurës ku ka mbetur pak diell”, te hëna që nuk gjen dot rrugën e qiellit te “ zogu i vogël që në degën e pishës ngrinë. Ky këndvështrim mbi të bukurën, sigurisht ka sjellë edhe estetika të ndryshme te këta dy poetë, në konceptin e ndryshëm në futjen e dukurive  në poezinë moderrne. Të dy  janë moderrn,  të dy janë fjalëpakë, të dy janë befasues dhe të pa parashikueshëm, por të dallueshëm terësisht në esencat artistike.

Reshpja e mbarështron poezinë në një shtratifikim epik, ku “egërsia” e figuracionit artistik është më e pranishme. Gjithçka vjen si ato statujat e lashta gjigande të Ishullit të Pashkeve, me atë shikim nga hapsirat e pamata të detit shpirtëror, me shumë legjione ndjenjash, por të futur në kuadratin epik.

Spathari operon me lirizmin në një shtrat më romantik, ku ndjenjat janë të lira, fluroshente, sa te një degë plepi, sa te një burim ku “banojnë gjithë natën yjet”, sa te  kulla “Me diellin e madh mbi çati”, sa në Gërdec “ku erërat vijnë çdo mbremje te drurët / Dhe lënë psheretimat tek  fletën”. Ndjenja e Spatharit duke qenë e mbarështruar në këtë shtrat liriko-romantik është boheme, më trazovaçe, nuk njeh kufij në rrugëtimin e sajë, pushon e gjen prehje si në botën tokësore dhe në atë hyjnore duke reflektuar një universalitet ndjenjësor.

Nga një ballafaqim i tillë në estetikë edhe në këndvështrimin e tërësisë figurative, del e  qartë edhe ndryshueshmeria brenda së bukurës në përdorimin e mjeteve aetistikke të marra me mjeshtri nga mitologjia dhe bota e vjetër e baladave. Reshpja shkruan : “ Atëherë Dedali u shtri mbi një re/ Mallkoi Zeusin dhe qau “.  Spathari  thotë: “Hyra në muze/  Dhe u përzieva me perënditë.../ Tani që u bëra dhe unë Perëndi/  Nga Olimpi, nga Dodona/ Dhe nga të gjithë tempujt/ Thashë se do prisni mirësi”.Dy lirika të ngritura me mjete miitologjike, por aq të dallueshme në konceptim.

3-VECORI NE STRUKTURAT POETIKE

Veçoritë në strukturën  e poezisë kanë diktuar dhe një dallueshmëri në stilet e tyre. Frederik Reshpja e Nikolla Spathari erdhën në poezinë shqipe si zëra të veçantë në lirikën shqiptare, por dhe në këtë kontekst stilistik ata ecën në rrugëtime jo të përbashkëta. Reshpja ka një varg të lirë të konsoliduar , disi të veçantë në asimetrinë poetike, mbushur me klithma e dhimbje, një varg apostrofik ku erërat e shpirtit gjurmojnë si tornado brenda strofave që burbullojnë në muret e akullta të grinatave që e ngrysin poetin në jetësimin e tij. Herë-herë, Reshpja turbullohet si ajo stuhija në syrin e sajë. Atij i pëlqen të mbetet në atë syrin e ciklonit shoqëror, të luftojë me atë dufin e tij, sepse siç deklaron dhe vetë : “Po shkoj dhe shirat po i lë të kyçura”, ndërsa Spathari tek poezia “Zemërim Deti”shprehet : “Retë i ndezi një rrëmujë rrufeshë / Kodrat mblodhën supet në pelerina shiu” .Kjo frymë lirike është përftuar, sepse siç thotë në pasthënie shkrimtari dhe studiuesi Sazan Goliku ndodh nga që: Lirizmi në poezinë e Spatharit gërshetohet me meditimin, po deri në atë shkallë që nuk i prish raportet mes tyre, çka e ka ruajtur  për të mos rënë në cerebralitetin që ngrin ndjenjën dhe shuan imazhin poetik..

Le të shohim se si i këndojnë dhimbjes për nënën të dy poetët: “ Ah, ku ke rënë kështu, ku  je tretut/  Nënë, nënë, do të vinë borërat/ Do të bien mbi barin që ka mbirë nga zëri yt…”

shkruan Reshpja.  Ndërsa Spathari e koncepton ndryshe:

E ç’i duhet mungesës tënde/ Çelja e trendafilave?/Po metaforat çfarë duhën/ Kur ti te varret ke ikur ?!/ Mbase duhet një florë tjetër, që ekziston diku/, Dhe ca metafora që ende s’janë shpikur

Poezia e Reshpes, duke u mbarshtruar në shtratin epik është paksa halucinante, me rrëfim si në një mjegullnajë, herë-herë duke inteferuar me supstancialen kohore, një përqasje kjo me fantazinë e Borhesit nga që Frederiku rronte më shumë me fantazmagorinë në pakufi. Atij i pëlqente të kuvendonte me vdekëtarët e mëdhenj, të “vidhte” gjithcka estetike prej tyre e ta sillte ne natyralitetin shqiptar.

Të dy poetët, si gjurmëtarë migjenianë, rendin pas përsosmërisë së vargut, pas figuracionit të freskët, pas spontanes lirike. Sejcili në origjinalitetin e vet.. Për të dy bashkëkohësit krijues, poezia nuk vjen si akses personal, por si fat i të gjithëve.

Frederiku shprehet: “ Këndoj për terë ata që ikin/ Dhe që nuk do të kthehen kurrë më/  Dhe për tërë të braktisurit/ Dinjitozë deri në dhëmbje “. Dhe Nikolla u drejtohet njerëzve: “Pa ju jam si një inkas i vdekur/ Shoh orën mos po vjen mëngjesi/ Por edhe ajo ka mbetur “.

Kjo poezi kultivon një lirizëm shumëdimensional, hapë tek lexuesi një shumësi dritaresh në komunikimin artistik. Ajo vjen pa komplekset e pos moderrnitetit filo-hermetik siç është etiketuar Reshpja në social-dogmatizëm, inklementon vargun duke e bërë më pragmatik, të mirëkontrolluar nga ana mendimore e ndjenjësore.

Ky lirizëm përfton në koncept botën e pacak, duke e dekoduar me jetën social-kulturore artin e të shkruarit në vite të pakohë, duke krijuar një interferim ndërmjet tyre si në rrafshin kombëtar por, dhe në atë global. Spathari thotë: “ Ja dhe Toka e Premtuar/ Me pejzazhe të verdha me mijëra vjet “ .Ndërsa për Reshpen : “ Në qiell retë formojnë perenditë e Egjiptit”.

Në poezinë e Nikollës raportet e reja të futura në poezinë lirike janë në atë shkallë meditimi, saqë të mos prishë raportet ndjenjë-mendim, duke shmangur celebralitetin hermetik. Thelbësorja, mendoj unë, që e veçon poezinë e Reshpjes nga ajo e Spatharit është se dramaciteti që kalon në ashpërsi, si në majën e një shpate, mbi të cilën kaloi jeta e poetit Frederik Reshpja, te Spathari edhe pranë vrazhdësisë është gjithmonë ëmbëlsia lirike.:

4- RAPORTET POETIKE ME NATYREN

Të dy poetët që po shqyrtojmë,në qendër të vizionit të tyre poetik, kanë natyrën. Spathari e gatuan poezinë në magjinë natyrore që e rrethon ku i eremojnë ndjenjat me erëmime nga më të ndryshmet. Ai i qëndron besnik kësaj natyre, nuk e “tradhton” dhe në çastet më të vështira shpirtëtore por, përkundrazi e thirrmon më tepër atë. Reshpja natyrën e kërkon dhe përtej sajë, më thellë, në “birat e dheut” në atë mitiken e tij e cila vjen si ekujvalente me të sotmen.

Raportet e Nikollës me të sotmen janë gjithnjë në favor  të sajë. E sotmja sjellë të nesërmen, meton Spathari në shumë poezi, si në lirikën dashurore, atdhetare, natyrore, patriotike. Këtu e gjen dhe shpirtëzimin lirizmi i tijë, në vorbullën e atyre ndjenjave të cilat “përceptohen si një amalgamë në lëvizje, të ndezur nga pasioni” (Sazan Goliku pasthënia)

Edhe kur “Ne e  kishim plot oazin e dhimbjes, / Po erdhët dhe ju dhimbja e fundit” (Dhimbja e fundit). Por mbi këtë dhimbje të madhe shohim se “Afërdita digjte/ Si një kasolle mbi zjarrin e shuar”. Në vazdhdimësi poetike këto mjete arrtistike  të marra nga  natyra suportohen në mënyrë përfekte si përmasa moderniteti te poezia.  Spathari ka aftësinë lirike të ngrihet mbi vdekjen : “Fjalën e verdhë vdekje/ Po e nisë në ekzil/ Dhe po bëj për ty një pranverë/ Plot me lulevila dhe një trendafil ”. Autori e kërkon me ngulm jetësimin dhe në vdekjen e hidhur. Kurse Reshpja siç thotë tek poezia (Pres): “Unë do të jemë tretur nëpër kështjellat e ftohta / Që vizatuan egërsisht errësirat.”

Kjo ndodhë nga që siç e deklamon poetikisht autori “Unë jam pagan i vjetër”. Sikundër besimin dhe origjinën e metaforave Reshpja i mbështet në idhuj amorfë pagane, se idhujt e kohës janë për të “pa krena” ndaj tek këta idhuj amorfë ai kërkon frymëmarrjen e munguar, atje në: “fund të kopshtit ku banonte mitologjia.” apo te trëndafilat e humbur “Si perënditë e rrëzuar ilire” . Për poetin Reshpja  çdo gjë: “loton mbi fytyrën e fjetur të legjendës” (shi hëne). Në të kundërt, Spathari sjellë ëmbëlsinë, jetën me muzikalitetin e natyrës së bukur : “Më mirë që u rrita / Në një shoqëri trëndafilash / Me fluturime dallandyshesh / E zukatje bletësh te zgjoi”. Hymni i vazhdimësisë të jetës është paradigma e trilleve poetike të Spatharit, e cila vjen si një ngulmim poetik në vazhdimësinë e jetës dhe përtej kësaj bote.

5- GJUHA DHE INTERPRETIMI POETIK

Një sasi valencash dalluese ndërmjet dy poetëve vihet re dhe tek gjuha poetike, përpunimi i sajë në nivele artistike.

Gjuha poetike e të dy këtyre poetëve dallohet për gradentë të lartë artistikë, por dhe nga dallueshmëri ndërmjet tyre .Ajo është e mbushur me ngarkesa protonike që  induktojnë shumë tharm poetik, por mënyra e interpretimit leksikor, këndi fonetik i të parit është ai që e bën dhe dallimin, që flet shumë se sa i janë përkushtuar punës me fjalën si zanafillën e trillit poetik. Kjo përcakton dhe personalitetin gjuhësor të secilit.

Gjuha e Reshpjes e marrë në kontekstin figurativ i ngjan një skulpture moderrne, në konture madhore, pa rifinitura, por që të jep ndjesinë e madhështisë. Mesazhi i një gjuhe të tillë është globalist. Ajo vjen me potencën e masës nga e cila bubullon ndjesia fonetike, me ëmbëlsinë por dhe me gjumërimën e ashpërsinë e vargut. Ka një shkujdesje, tamam si ajo puna e skulptorit që e merr një copë mermer e formaton në dukuritë e kontureve dhe i lodhur thotë: mjaft me kaq! C’kisha për të bërë e bëra.

Ndërsa gjuha poetike e Spatharit vjen si në kantilena, më e embël, më e përpunuar nga që ai si një “çirak” mjedian, e punon fjalën gjer në rifinitura, duke nxjerrë në pah arin leksikor e fonetik.Transparenca poetike që poeti reflekton ndaj gjuhës, në suazat e një lirizmi universal, gjer në imtësira jetësore në të gjithë qeniet frymore dhe amorfe ndjehet kudo. Punimi i fjalës me atë përkushtim mjedjan, të kujton atë artizanen, që me masurkën e sajë, kalon fillin shumngjyrësh në tezgjah,, gjersa formaton në qylym lulen e bukur. Kjo kërkon një punë të

përkushtuar  prej demiurgu. Nikolla e ka normë punën me limë në të tërë krijimtarinë e tij.: “Vendi yt është atje, te nimfat e krojeve / Ku zbret nëpër diell një burim.”

Në vëllimet “Vetmi” i Frederik Reshpes dhe “S’iki dot nga kjo vjeshtë” i Nikolla Spatharit, në tërësinë e tyre,  ndjehet dukshëm një rritje në risi estetiko-stilistike, të cilat e largojnë poezinë nga provincializmi që shpesh lëngon. Poezia e këtyre dy poetëve është elitare. Secila në shtratin e vet poetik, sa e ngjashme aq edhe e ndryshme. .Kur lexuesi merr në duar këto dy libra poetikë përfton një ndjenjë përsosmërie suportuar nga pasuria e fjalorit, trajtat e sakta sintaksore, eleganca në kontilenat ritmike si të një Pasto Dokloje, spanjolle, nga ku ndjehet magjia e një muzikaliteti që rrjedh prej tyre. Në këto dy vëllime nuk të sheh syri zhvillime të thata filozofike,  politikë apo rrëfenja të rëndomta. Në to ka vetëm poezi ku nuk heq dot asnjë varg. Gjithçka vjen si magji, me një ton të fuqishëm, me një luks letrar që i jep  lexuesit kënaqësi estetike të pa provuara.

Vladimir Muca

Shkrimtar Studiues

Email:vladimir_muca@yahoo.com



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora