E merkure, 24.04.2024, 12:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Ikja përmes letërsisë

E diele, 11.01.2015, 07:57 PM


Ikja përmes letërsisë

Nga Dr. Ilir Muharremi

Letërsia kontribuon në ikje të diçkaje përmes saj. Nga një realitet i dërmuar, i gjykuar i padurueshëm, strehimi gjen miqësi me personazhet që shtrijnë dorën e të kuptuarit botën më mirë. Letërsia nuk shëron, transformon individin brenda gjendjes së tij. Lexuesi kërkon kuptimin e ngjashëm me të tijin, por letërsia i referohet vetvetes, nxjerr dëshpërimin duke refuzuar botën. Ajo refuzon, por nuk ik nga ajo. Njeriu e do botën, madje çdo gjë është e pamjaftueshme. Mërgojnë në vendin e tyre dhe realiteti është i pakryer. Letrari me ngulm bënë ose kërkon të bëjë unitetin e të qenurit në këtë botë. Por, bota letrare ka më pak peshë se bota e qenieve të gjalla. Vetëm se bota letrare përpiqet të ngjajë me atë reale , atëherë përse të strehomi në letërsi? Kërkimi për personazhe të reja, nxjerrë njohurinë për personazhe të tjerë. Tjetërsimi nga gjendja momentale e padurueshme në një horizont të zgjeruar egoistë, pasuron universin e lexuesit i cili gjatë thelluarit në botën e personazheve kërkon ngjashmërinë. Edhe njerëzit e lumtur preferojnë letërsinë. Në një farë forme është ushtrim ikjeje nga lumturia në palumturi. “Vuajtja ekstreme ia heq shijen leximit”, konstaton Kamy. Kjo sepse vuajtja kërkon nivelin e vet të përvuajturit për të kuptuar shpirtin. Letërsia është realitet ekzistencialë i një gazetarie të ngathtë. Richard Rotry, filozof amerikan, hedh poshtë termet “e vërtetë”, apo “njohje”. Sipas tij vepra letrare shëron mosdijen tonë është një iluzion i vetëmjaftueshmërisë. Pasi vetëmjaftueshmëria gjen identiken apo arrin gjatë rrugës ta merr me vete duke e transformuar, shërimi na shpie në imitim sepse njeriu varet vet nga vetvetja. Të dyja nuk shkojnë paralelisht. Russeau paralajmëron lexuesin si adoleshentin të qëndroj larg librave, apo nëse është fjala ta reduktoj përhumbjen, por prapë lexuesi kërkon imazhin televizivë për t’u përhumbur. Atëherë, Rotry duhet përkrahur në leximin e romaneve që pak i afrohen veprave shkencore, filozofike apo politike. E vërteta këtu bëhet individuale duke mos abstenuar nga e vërteta objektive. A duhet të ekzistojë shija e ikjes nga realja? Sigurisht, letërsia propozon një lloj refuzimi të reales, dhe tërheqje të shpirtit të mirë që lind një botë artificiale letrare. Volteri miraton këtë duke pohuar: “Lumturia s’është veçse një ëndërr, dhimbja është e vërtetë”. Jeta na është dhënë për ta vuajtur, jo për ta shijuar, dhe shprehja jetë e lumtur parakupton jetën e durueshme. Ndodh një ditë që durimi humb kuptimin, shpërfaqet para nesh imazhi artificial letrar shpirtëror, që sipas Hegelit shpirti nga zhgënjimi i vet krijon botën artificiale në të cilin morali mbretëron i vetëm.

Çfarë na japin romanet? “Jo një dije të re” bërtet Todorovi për të vazhduar “ Por, një kapacitet të ri të komunikuarit me qenie të ndryshme nga ne”. Ata më shumë shpalosin moralin sesa shkencën dhe e vërteta qëndron te dashuria e jo te e vërteta shkencore, por prapë ka diç nga shkenca, raporti ndërnjerëzor krijon komunikimin e përbashkët zinxhiror shpirtëror. Atëherë, çka është romani në të  vërtetë? Të vepruarit lartësohet përmes formës së vet, vazhdohet me çdo fjalë të fundit, personazhet u dorëzohen personazheve, çdo shpirt afirmohet me fatin e tij. Në romane strehohemi me besim të korrigjuarit e kësaj bote, sepse tentimi për një fantazi artificiale prapë na kthen në të njëjtën botë. Në romane nuk kërkohet e vërteta objektive, por as nuk eliminohet sepse romancieri ushqehet me ndjenjat e grumbulluara në kokë dhe me zemrën. Ai beson që është njeriu më i zgjedhur dhe që çdo gjë nisë nga ai. Në momentin e të prekurit letërsinë, tendenca për të qenë një person tjetër nuk mungon. Letërsia korrigjon brendësinë e tij nga e cila nuk mund të ik. Kërkesa e parë sipas Sand-it ka të bëjë me të vërtetën e jo të mirën. Në këtë mënyrë ai konkurron ekzistencës njerëzore si korrektim i personazhit dhe të kuptuarit nga lexuesi. Njeriu është objekti kryesor i letërsisë, ai që thithë nektarin letrar bëhet njohës i njeriut, por para se gjithash kupton dhe pëlqen ngjashmërinë, ndjenë mall për zbrazëtirën.

Poeti më parë i beson natyrës sesa vetvetes. Kështu pikërisht mendon Aristoteli. Horaci vazhdon më tutje me pëlqimin e saj nga e cila marrim mësim. Dashuria me botën ndez te poeti njohurinë për realitetet e saj, pastaj shpërfaqet mundësia e të imituarit. Bota nuk kuptohet, por interpretohet sipas mundësisë së poetit. Pak ka të vërtetë aty. Imitimi lind nga vetja, njeriu mbron njeriun. Poeti zgjedh më parë shkatërrimin sesa rregullimin. Rebelohet me vetveten duke shtyrë abstraksionin si batutë të fundit. Evropa e krishterë përdori poezinë si shërbim të doktrinave kryesisht për lavdërim të mosarsyes te e arsyeshmja, apo e pasakta në të saktën, e vërteta ishte propaganda. Lirimi nga kjo katrahurë, prapë e dërgoj poezinë në kohën e vjetër. Rilindja kërkoj nga poezia bukurinë, bukuria arsyetohej me vetveten përmes së vërtetës. “S’ka gjë më të mirë sesa e vërteta” ky varg i Boileausë gjen prehjen me rrethanat, është e vërtetë e pamjaftueshme, kjo e vërtetë e imituar nga vetja apo nga objektet krijon njohurinë për gjërat. Sa më shumë heqim mjegullën, aq më bindëse duket thellësia, sepse kërkon ngjashmërinë e poetit ndaj vetvetes dhe rrethanave objektive që rrjedhin nga subjektivja. Por, nëse i rrekemi poezisë revolucionare, apo artit revolucionar, eliminimi i perspektivës së krijuesit për ta përshtatur te marrësi-lexuesi ndodh  me qëllim të arrihet estetika. Marrësi ikën nga bota reale, strehohet te vargu, dorëzohet dhe gjatë rrugës gjen ngjashmërinë shpirtërore, në esencë çdo shpirt ka ngjashmëri vetëm se poeti momentalisht nënvizon vargun. Përse marrësi ikën përmes poezisë kur nuk dëshiron ta braktisë këtë botë? Ai qëndron në këtë botë dhe e do atë, vetëm se lehtësohet përmes bukurisë e cila nuk e do askënd përtej saj. Bukuria është laike aq sa i afrohet perëndisë. Vetë Augustini në shekullin IV shpërndan ndjenjat e tija kot. Sipas tij, njeriun e përdorim vetëm deri në mbarim, kurse kënaqësinë ndaj Zotit në të shijuarit të mjaftueshëm. A nuk e përdorë Platonin me përfitimin fetar? Vetë Platoni të pavarurin e nënshtron ndaj vetvetes, kjo është mjaftueshmëria më e madhe. I gjalli ka fuqinë e mjaftueshmërisë së përkryer, duhet ta kërkoj. Vetë ky kontakt me Zotin paralajmëron një ikje, por edhe  qëndrim në botë. Platoni përjashton poetët dhe vendos të bukurën mbi botën. Por, revolucionarët e kohëve moderne u ngritën kundër artit duke zgjedh moralin e morali përjashton të bukurën.

Letërsia e di që në botë djersin krimi dhe sëpaku ky krim të merr dukje të shkëlqyer. Letërsia e di shtrëngatën shpirtërore, por e përshkruan si të pabazë dhe jep vetëm lëvizjen, nuk ka shpjegim fjalë për fjalë dhe s’do të ketë, sepse acarohet vetëdija. T’i futësh veprës në mënyrë të përqendruar dhe të kërkosh rrjedhat e saj sekrete, nuk do t’i gjesh. Për letrarin, e ndershme është të pranosh lojën e tij nën regjimin e së bukurës.  Letrari sipas Patrick Modianos duhet të shkrihet me turmën. Çdo bisedë regjistrohet me ëndje pa u dorëzuar në to dhe nëse hapëron, korrigjimi i pyetjeve nuk mungon në heshtje dhe në vetmi të tij. Letrari korrigjon, por kërkon që secili të gjen natyrshmërinë, unin e tij, ngjarja t’i duket sa më e natyrshme, por edhe personazhet që flasin për natyrshmërinë, shpërfaqja e jazakonshme e aventurave të personazheve, që të bëhet i natyrshëm karakteri i tregimit. Në një farë mase zgjidhja përpjesëtohet me natyrshmërinë reale, iket në abstraksion që prapë niset nga e vërteta me mundësinë e korrigjimit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora