E premte, 29.03.2024, 12:58 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Ura Tiranë - Stamboll dhe ''trampolini''

E diele, 11.01.2015, 06:59 PM


URA  TIRANË – STAMBOLL  DHE  “TRAMPOLINI”..!!

Me rastin e vizitës së Davutoglu në Shkup...

Nga Fritz RADOVANI

Kjo nuk asht shpikja ime!..As s’ kam pasë fatin as rrezikun me u marrë me këto “ura”, që po shohim dhe po dëgjojmë në vitet e fundit tue rindertue Shqipnia.

I pari që ka pasë këte idé në Shqipni për lidhjen e urës së Tiranës me Stambollin asht kënë fshatari i Zadrimës, prej Fishtet...I Ati ka hy në dhé me brakesha me ushkur, mbasi nuk kishin ardhë endè muhaxhirët me vehabistë me sjellë të mbathmet me lastikë...e kam fjalen për ata brakeshat moderne që jepen tashti bashkë me 25 dollarë mbasi bahen synet djelmët e turkoshakëve në Shkoder, që i paguejnë “vllaznit e gjakut të qeveritarëve tanë” turq, arabë e aziatikë, që janë tue sjellë qytetnimin e tyne “modern”, si dikur në shekullin e XV, e që na lanë edhe pesë shekuj mbas tjerëve.

Në vitin 1923, Ai thonte pa pikë turpit mjedis Shkodre:

“Kryeministrit veç po i tham

Se Shqipnia do t’ shkojë dam,

Q’ se dikush – se kush s’ e di:

Nieri, a klikë, a se “Parti” –

Po don zot me u ba n’ Shqipni,

Për me lanë Shqipninë Turki.” (“Gomari i Babatasit” 1923).

E si ka mujtë me e dijtë para 92 vjetëve se çka po bajnë jo vetem kryeministri ynë, po edhe i Kosovës...për pa kenë fallxhi, a vehabist i shkolluem, se ma që për prift apo hoxhë Shqipnije, haje dreq se i shkon mendja kujt!?

– Vetem Zoti e di çka gjen tek disa koka!!

Po, a po ia ven veshin kush? – Edhe do t’ ia kishte vue, po të mos i kishin veshët e zanun me vathë...që gjithë ditën u duhet me kenë të lidhun me “boten” për me marrë vesh a po vijnë nga Prishtina apo nga Selaniku...dikush thotë nga Shkupi e dikush nga Bosnja, po edhe Beogradi, po në fund e randësishme asht të shkarkohen për Durrës...Shinat po shtrohen çdo ditë... Edhe turq’ e serb po na ndihmojnë...

Ka shumë randësi që mos të kemi telashe kur derdhet betoni i kambëve të urave, mbasi ato janë që do të kenë edhe emnat në to. A ju kujtohet në Shkoder dikur emni i urës “Dervish Begut”...edhe ura e Prishtinës do të kenë emnin e Hashim Begut. Ajo e Matit...nuk ka nevojë me e ndryshue...asht e “mbretit”...me Pashiqin.

Ka kenë edhe një urë që lidhte Gjinokastren me Pekinin...po, se ku i ka pasë vue kambët ai sulltani i viteve 1967...nuk e dij! Ramizi vdiq pa tregue!

Ajo e Lanës do të prishet dhe ura e ujnave të zeza që derdhen ndër tunelet e  Presidencës, do t’i vihet emni i “qoftë largut”, ndërsa kambës së urës së Tropojës, që lidhë Xhaminë e Prizrenit me të Tiranës, i vihet emni e Sali Agës...

Antenat e Tiranës të drejtueme nga Lindja janë “xham”...as në pasqyrë nuk e sheh veten ma kjartë se “boten” e dollarit dhe euros në stacionet arabe. Universitetet dhe qendrat e kulturës së bankave të Prishtinës dhe Tiranës shperndajnë tingujt e sazeve e lodrave, si dikur...napolonat ar në kohen e Zogut. E vetmja zonë ku nuk lejohet kalimi me telefon celular apo radio transmetuese asht zona e thesarit mbas Bankës së Hoxha Enverit, mbasi do të ngatrronte valët e vazhdueshme dhe të panderpreme me firmat otomane “Ramë – Nexhi” në Bosnje – Diber – Arabi...

As Ali Baba me 40 hajdutët nuk ishte aq i pasun sa biljonërët e urës së njohun të Tiranë – Stamboll – Beograd – Athinë të shekullit XXI... Ne kemi kujtue se Sulltanët e Stambollit janë ma të pasunit e botës, mbasi kapitalet e tyne nuk u preken nga Lufta e Dytë...Po, më duket nuk paskemi dijtë kurrgja! Ku maten ata me pashallarë e sulltan të Tiranës..?! – Asnjëherë! As persëgjalli as persëvdekuni...

E vetmja gja që nuk ka aspak nevojë me u prekë në Tiranë dhe në Prishtinë janë monumentet e mëdhej që mendohet me u rivendosë një personi edhe Ai i bamë synet ... Mund të modifikohen pak në gjoks me nga një “yll’ e hanë”...të verdhë ari, si i ka pasë edhe dikur dekoratat e Titos, kur shiti Trojet Shqiptare. Prandej, edhe asht sot “hero” e rikujtohet edhe në Berat, Tiranë, Kosovë bashkë me të shoqen!..

Kryeministri mbushet plot... me lot nder sy, kur e kujton si pionjer...

I sillet fotoja e tij rrumbullak kokës, kudo që ky ven kambën. Akademikët e shkretë boll po rreken me i gjet një vend emnit tij ndër objektet që po ndertohen...

“Çlirimtarët e qeveritarët” boll po përqyrren kur kujtojnë “heroizmat” e tij.

Poshtë asht mirë me i vue kater “asqer” turqë ase vehabistë, të veshun me rrobat e tyne karakteristike...që tregojnë se i bajnë roje nderi. Emni edhe mund t’i ndrrohet lehtë porsa të ndrrohet edhe Historia nga “akademikët” tanë. Nuk mund të parashikohet çka po mendojnë Rexhep Qosja me shokët akademikë...mbasi ata janë truni (kam kenë tue thanë “turpi”) i Kombit. Kjo jo, se po më ngatrrohen mendimet, por ka i kanë ra trûtë poshtë... edhe mund t’i shkojnë përjashta me zarzavadet e kopshtit të “lulëzuar të socializmit” të vitëve të paharruara... Kam kenë tue harrue dishka me randësi: Asnjë monument nuk duhet lanë pa ia shkrue emnin në pllakë metalike dhe me shkronja turke e cirilike, se gjuhët tjera nuk kuptohen asnjë mbas dhjetë vjetësh. Unë po them dhjetë, po me hovin kulturor turko – islamik në Trojet tona, ndoshta, edhe pervjetori i “tradhëtisë” së Ismail Qemalit, Imz. Nikoll Kaçorrit me Isa Boletinin e Ata të “dishmit” e 1912, ma vonë mund të festohet nën kambët e urave ku flejnë zakonisht muhaxhirët. Luigj Gurakuqin nuk ua permenda se Ai nuk ka pasë ide fare per këto punë, prandej ia “prishëm” edhe shtëpinë...

“Modernistët” islamikë, po merren me Gjergj Kastriotin në Shqipni, ndersa ata të Prishtinës, kanë “probleme” me Nanë Terezen e Ibrahim Rrugoven! A duhet me i tregue Botës sesa të “perkushtuem” jemi në “Konferencen Islamike”?!

Për “Hymnin e Flamurit” mos u trazoni! Ai do të ekzekutohet tek shatrivanat e Tiranës, ku grupet e Rinisë së vehabistëve dhe muhaxhirëve me ibrikë në dorë, edhe shperlahen e këndojnë në gjuhen turke shoqnue me dajre tingujt e tij...

Muzika vjen nga Prishtina ase Shkupi...Edhe muzika sllave ka bukurinë e vet.

Porsa, të përfundohen urat tashti që kaloi data e 28 Nandorit...me daten 29 nandor, ku filloi “festimi i madh” per festen 70 vjetorit  të ardhjes së sulltanëve të vitit 1944, sivjet populli tashti nga fillimi i 2015 do të drejtohet nga Durrësi...

Aty do të bahet festa e “lamjes gjynaheve” në detin Adriatik...

Asht mendue nga kryeministri socialist që në Durrës, me u ndertue një “trampolin”...sigurisht “simbolik”!

Gjoja, se menden e kemi me u zhytë n’ Europë! Haje dreq, nuk po na duhet gja as Europa e as Strasburgu, “na rrofshin dekoratat e bankat”... Trampolini po!

Ai do të jetë pak ma i naltë se Torre Ejfel...rreth 100 kambë burri i zbathun...

Ditët e festave prej nalt do të hidhen disa gra kamikaze të ardhuna nga rrethet e ndryshme dhe që do të shperthejnë në hapsinë në vend të fishekzareve...po, njëkohsisht, do t’i tregojnë edhe Europës që asht tue ndihmue ardhjen e tyne tash sa vjet se: “Turqia nga ky trampolin asht gati me kercye...me shpernda kulturen!”

Se ku, “até” e dijnë qeveritarët tanë... Europa dhe Amerika...

***

Edhe Ai tallalli i Zadrimës... ka dijtë dishka...

“Kshtu ndër mend, edhe, na e kém’,

Një urë n’ Mat me lshue, e një n’ Cém,

Dy n’ Shkumbin e tri n’ Devollë.

Edhe një Tiranë – Stambollë...” (“Gomari i Babatasit” 1923)



(Vota: 11 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora