E premte, 26.04.2024, 12:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhim Morrison është gjallë

E enjte, 10.07.2008, 07:44 PM


Thashethem apo e vertete? Me pare fjale te tilla kishin dale edhe per Elvisin

Shoku i grupit: Jeton në ishujt Sejshelles

Historia përsëritet. Xhim Morrison, njëlloj si Elvis Presly? Lideri i "The Doors", për disa nuk ka vdekur, njëlloj si mbreti i rokut. Ndoshta sepse vdekja, për ata që kanë lënë gjurmë në histori, është e vështirë të pranohet. Sipas shokut të tij të grupit dhe një prej miqve të tij më të mirë, Manzarek, Morrison e kishte stimuluar vdekjen e tij në vitin 1971 dhe sot jeton nën një identitet të rremë në ishujt Sejshelles. Ray Manzarek, ish- tastjeristi i grupit rok amerikan, e ka pohuar këtë për tabloidin britanik, "Daily Mail". 37 vjet më parë, këngëtari legjendar u gjet i vdekur në vaskën e banjës në apartamentin e tij në Paris. E, në fakt, thashethemet e një vdekjeje të rreme nuk kanë ndaluar kurrë: zyrtarisht vdekja e këngëtarit ishte shkaktuar nga një pushim zemre, ndërsa në mënyrë jozyrtare, për shkak të një overdoze heroine. Manzarek nuk mendon kështu. Madje ia ka treguar "teorinë" e tij të përditshmes britanike: "Xhim ishte një shpirt jo i qetë, ishte gjithmonë në kërkim të diçkaje ndryshe në jetë, madje edhe 6 vitet e suksesit të madh me ‘Doors‘-at nuk ishin të mjaftueshme për të". Një vit para se të vdiste, Morrison u tregoi shokëve të grupit një broshurë të ishujve Sejshelles dhe u tha: "Nuk do të ishte një vend i mrekullueshëm për t‘u arratisur, ndërsa të gjithë mendojnë se ke vdekur"? Në atë kohë, Manzarek nuk i kushtoi shumë rëndësi kësaj fjalie. "Xhim ishte një njeri i ‘egër‘ dhe kishte gjithmonë ide të çmendura. Por, mbi të gjitha ai ishte shumë i zgjuar". Kur mori vesh për vdekjen e mikut të tij, Manzarek ishte në Kaliforni, dhe nuk e mori seriozisht telefonatën e menaxherit të "The Doors"-ave, Bill Sidons. "Isha në Kaliforni dhe ne sapo kishim nxjerrë këngën "L.A Woman" dhe ndërkohë që po përgatiteshim për turin tjetër, Xhim po bënte ca pushime. Reagimi i parë ishte se vdekja e tij ishte një tjetër thashethem në botën e rokut. Mendja më shkoi te festat që bëheshin në Hollivud, të cilat i pëlqenin aq shumë, mes marijuanës dhe verës. Madje më kujtohet se si shpesh njerëzit në këto festa thoshin se Xhimi ka vdekur në një aksident automobilist, ndërkohë që ne ishim të gjithë shëndoshë e mirë dhe gati për festë". Sidons shkoi personalisht në Paris për të zbuluar të vërtetën, por ishte shumë vonë, sepse Morrison ishte varrosur prej katër ditësh në varrezën parisiane të "Pere Lachaise"-s. "Ishte një goditje e rëndë. Sigurisht, ai e jetoi jetën me ritme të shpejta, por ishte vetëm 27 vjeç", tregon Manzarek, që është tani 69 vjeç. Xhim dhe Ray u takuan për herë të parë në vitin 1965, në "Venice Beach" në Kaliforni. "Po shëtiste i vetëm dhe dukej shumë mirë me xhinset e ngushta dhe këmbët zbathur. Nisëm të bisedonim. Zbuluam se të dy ishim studentë dramaturgjie në universitetin ‘Kollixh‘ në Los Anxhelos, dhe kishim të njëjtin interes për muzikën. Ai këndoi ‘Moonlight Drive‘ posaçërisht për mua në plazh. Aty vendosëm të krijonim një grup muzikor rroku". Doroti Fuxhikava, që atëherë ishte e dashura e Ray-t dhe më vonë u bë gruaja e tij, i mbështeti financiarisht, ndërsa punonin për të nxjerrë në treg këngët e tyre. Emrin e grupit e morën nga libri i Aldous Huxley, "The Doors of Perception". Më vonë u bënë pjesëtarët e grupit më të famshëm, duke shitur plot 75 milionë albume në të gjithë botën. "Xhimi nisi të identifikohej me anën rebele të muzikës rok të fundit të viteve ‘60 dhe fillimet e ‘70-ës. Ishte i këndshëm, por edhe "i rrezikshëm". Kur po përpiqeshim të pushonim dhe kishim pak lekë, shkonim në supermarket. Xhim fshehu poshtë xhaketës tre biftekë dhe ndërsa ne të tjerët nxituam për të ikur, ai i kërkoi vajzës së kontrollit për të dalë në një takim me të. Një herë në një mbrëmje çmimesh Xhim porositi gjashtë shishe vere. Nisi t‘i pinte shishet një nga një. Kur prezantuesja e thirri për t‘i dhënë çmimin, Xhimi i dha asaj çelësin e dhomës. Kur fluturuam në Arizonë për të parë koncertin e "Rolling Stones", kishte pirë aq shumë sa dhe masat e sigurisë nuk i vendosi. Kjo sjellje e detyroi policinë që ta arrestonte kur zbritëm në tokë". U përfshi edhe në shumë telashe në Majami, ku u detyrua të bënte tetë muaj punë vullnetare dhe të paguante një shumë prej 500$. Më pas Manzarek shton: "E dinim se ky ishte çmimi i të punuarit me një gjeni si ai. Ishte një maniak në këtë drejtim, por edhe bujar. Nuk kishte asnjë pasuri, përveçse një kartë krediti dhe një patente". Por, Morrisoni kishte gjithmonë një temë të veçantë bisede me Manzarekun dhe kjo ishte "vdekja". "Kur po ecnim rreth bregut të detit, më pyeti se sa vjeç do të doja të vdisja. Ndoshta 78, iu përgjigja, ndërsa ai më tha: ‘Jo, unë jo. Nuk mund të jetoj kaq gjatë. E shoh veten si një yll në rënie, si ata kur natën i sheh papritur në një shpërthim në qiell dhe pastaj largohet menjëherë". Dhe kjo ndodhi 3 korrikun e vitit 1971, kur ylli i shndritshëm ishte shuar.

Sipas fakteve, askush nuk e ekzaminoi kufomën e këngëtarit të "Light my fire" dhe "Riders on the Storm", sepse arkivoli u mbyll menjëherë pas vdekjes së këngëtarit. "Pyes veten gjithmonë nëse vdekja e tij ka qenë një gënjeshtër e përkryer", ka përfunduar ish-tastieristi.

Teoritë mbi vdekjen

Vdiq nga një atak në zemër, apo nga një overdozë në vaskën e shtëpisë së tij, ku u gjet nga e dashura e tij? Gjithmonë vdekja e drejtuesit të grupit "The Doors" është mbuluar nga shumë thashetheme dhe mistere dhe 37 vjet më vonë një ish-menaxher i një klubi nate në Paris tregon një histori tjetër. Në librin e tij të ri, Sem Bernet shkruan se ai vdiq në banjën e klubit të tij të natës, nga një overdozë heroine. Sem Bernet pretendon se Morrison vdiq në banjën e klubit të tij të natës, pas marrjes së një mbidoze heroine. Ai nuk nguron të shkruajë për tronditjen që pati kur u gjet trupi i Morrisonit: "Këngëtari legjendar i ‘The Doors‘, djaloshi simpatik kalifornian, ishte bërë një shuk në banjën e një klubi nate". Bernet, libri i të cilit në frëngjisht titullohet: "Fundi: Xhim Morrison", shkruan se dy shitës droge e nxorën trupin e Morrisonit nga klubi i natës, ndoshta për ta çuar në apartamentin e tij. Bernet, i cili ishte rreth të njëzetave kur vdiq Morrison në 1971, vazhdoi karrierën duke u bërë një personalitet i shquar radioje, biograf rroku dhe zëvendëspresident i "Disneyland" në Paris. Edhe pse u bezdis nga reporterët për vite me radhë për thashethemet që rrethonin vdekjen e Morrisonit, ai e mbajti historinë të fshehtë derisa bashkëshortja, një vit më parë, i sugjeroi të shkruante një libër. "Për mua është një kujtim shumë i hidhur", u shpreh Bernet. Një zyrtar i prokurorisë në Paris tha se kishte shumë pak gjasa të rihapej çështja e vdekjes së Morrisonit, ose që ndonjë të paditej në gjyq sepse ka skaduar kufiri i rihapjes së dosjes.

Kanë qarkulluar thashetheme se Morrison vdiq nga një mbidozë dhe se ai u sëmur në klubin e natës, por pas vdekjes së tij nuk doli asnjë dëshmitar, sepse kishin frikë të përfshiheshin në çështje ligjore. Stivën Dejvis (Stephen Davis), autori i "Xhim Morrison: Jeta, Vdekja, Legjenda", thotë se ai nuk është gati të rishkruajë historinë për shkak të të dhënave të reja. Sipas autorit, ai mendon se Morrison mori mbidozë në klub dhe kjo ndodhi shumë pak kohë para vdekjes së tij - jo në të njëjtën natë - dhe se ai i mbijetoi asaj eksperience. "Nëse ai vdiq në banjën e një klubi nate, ka shumë mundësi që ky fakt të merrej vesh shumë kohë më parë", thotë Dejvis. Morrison erdhi në Paris në mars të vitit 1971, kohë kjo e turbullt në jetën e tij. Në një koncert të vitit 1969 në Florida, ai u akuzua se kishte nxjerrë organet gjenitale para audiencës. U dënua për sjellje të pahijshme dhe profanacion (mosrespektimin e gjërave të shenjta). Ky incident bëri që shumë promovues të anulonin koncertet dhe grupi të fitonte famë negative.

Morrison u largua për në Paris, në pritje të apelimit. Atje ai banoi në një apartament në "Right Bank" me të dashurën e tij, Pamela Kurson (Pamela Courson), duke u endur rrugëve me një çantë plastike ku mbante përshkrimet e tij. Në Paris ai shtoi kaq shumë kile, saqë nuk njihej dhe filloi të kishte edhe probleme shëndetësore. Filloi të frekuentonte shumë festa. Morrison e kalonte "praktikisht çdo mbrëmje" në një klub nate që quhej "Rock and Roll Circus" në bregun e majtë, i cili menaxhohej nga Bernet dhe yje si Roman Polanski dhe Marianë Feithfull ishin frekuentues të rregullt, thotë Bernet. Rreth orës një të mëngjesit, më 3 korrik 1971, Morrison erdhi në klub dhe u ul me dy burra, tregtarë droge, të cilët i shisnin drogë për të dashurën, thotë Bernet. Në një moment Bernet vuri re se Morrison ishte zhdukur. Më vonë, roja i klubit shpërtheu derën e kyçur të banjës dhe e gjetën Morrisonin pa ndjenja. Bernet tha se thirrën një doktor, i cili ishte klient i klubit, për të vizituar këngëtarin.

"Kur e gjetëm të vdekur, ai kishte pak shkumë në hundë dhe pak gjak, dhe doktori tha se kjo duhet të ishte një mbidozë heroine", pohon Bernet. Gjithashtu ai shton se atë natë nuk e pa këngëtarin të merrte heroinë, por dihej se Morrison e nuhaste drogën, sepse kishte frikë nga injeksionet.

Bernet shprehet se dy shitësit e drogës këmbëngulën që Morrison vetëm sa kishte humbur ndjenjat dhe e nxorën nga klubi. Megjithëse Bernet pohon se donte të kërkonte ndihmën mjekësore dhe të lajmëronte autoritetet, pronari i klubit e urdhëroi të heshtte, për të shmangur skandalin.

Bernet beson se dy drogaxhinjtë e kanë çuar trupin e Morrisonit në shtëpi dhe e kanë futur në vaskë, në një përpjekje të fundit për ta ringjallur. E dashura e Morrisonit, e cila vdiq tri vite më pas nga një mbidozë, i ka treguar policisë një histori tjetër. Kurson ka pohuar se çifti vajti në kinema atë natë, darkuan jashtë, dëgjuan muzikë dhe ranë për të fjetur. Sipas dëshmisë së saj në dokumentet e policisë, Morrisonit i doli gjumi se ndihej keq dhe bëri një banjë të nxehtë. Kurson ka pohuar se e gjeti të vdekur në vaskë. Morrison u varros në Paris me një ceremoni të vogël, më 7 korrik 1971. Trupit nuk iu bë autopsi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora