E hene, 27.09.2021, 01:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Gëzim Llojdia: Ringjallet raca e poetëve

E premte, 09.01.2015, 09:07 PM


RACA E POETËVE PO ZHDUKET NË BOTË, RINGJALLET  NË SHQIPËRI E KOSOVË

Nga Gëzim Llojdia

1.

Hoteli ku bujtën poetet,  një ngrehinë    përkarshi detit në Ujë të Ftohtë .Deti-pasqyra ku tejqyrët fytyra:mërmërima dimërore.  Valët këtë natë hepohen. Lëkundje sizmike.

Llaftari dimërore. Copëra,  rrëzimi. Dhimbje, lotësh. Harrimi. Poetët  të menduar nëpër karrige. Bustet-Trëndafila të drurëve të harruar.

Jemi në ditën  e fundit të takimit poetik. Poetët. Të bëhen një shpirt, një trup e të jenë të pajtuar ?Kurrsesi. Dje u grindën me Nasen. Kanë mugulluar kohët. Nëpër akullime. Sythe-buavitur. Trajta  habitore thellësisht të habitur. Eh Nase mik im!Nasja vë duart në zjarr.

-Aliu,  thotë është liriku  më i zëshëm.

-Jo them unë. Lasgushi është.

Poetët ndizen dhe  mërmërisin vargimin e lirikut Ali.

...................

Një vështrim i arratisur/Nga qepallat e qendisur/Ku është shpirti im skalisur,

Nga dy syt’ e zez të tu/Vjen me thotë ashtu-kështu!Më thot’ jo edhe më ndez

Më thot’ po edhe më vdes/Nata zgjatet edhe zgjatet/Ah kjo nat’ me or’ nuk matet!E un’ mbetem duke lutur/Lutem yjeve të këputur.

...................

do të thot' një fjal' në veshë:/do të them në veshë një fjalë.../nuk është fjal' por është valë, /që nga shpirti del e vjen/dhe në zemër vjen e zjen, /me rrëmbim e me tërmete, /e më bënë që s'jam në vete..

Myrteza M. :Kur Aliu në udhë , gratë dhe vashat  thërrisnin prapa qelqeve të penxhereve:Hej shikoni po del Ali Asllani...Zhurmë poetësh,  elipse fjalësh. Sërish   lirikat e Aliut.

...................

Ti përherë në shtëpi/dhe përhera puth e pi/Pi e puth/si një zog i zën' në kurth/përpëlite nëpër odë, /mbush një godë e zbraz një godë/dhe me fletë për poezi/Përgëzohem or'e ças, /nga një bot' në tjetrën shkas/rreth për ty me zotin flas!/Syri puthet,  gota pihet, /numri tyre s'mund të dihet, /kurse zemrat dashurohen, /gotat puthjet s'numërohen!/Un' kam vjershën edhe pijen/po je ti që u jep shijen/pija ime,  shija jote un'i gjithë hija jote!

...................

Unë :Një bust dhe emri i poetit dhe pushtetarit Ali Asllani u vendos në një shkollë të mesme në një qytezë të vogël të Labërisë buzë lumit Shushicë. Ali Asllani qëndron 10 km larg vendlindjes së tij, fshatit Vajzë ku lindi i ati. Gjithmonë përpara Bashkisë,  ai kishte urdhëruar që të punonte një lustraxhi, kurse brenda në korridor, të vendosej një gardërobë me disa xhaketa e bluza. Dhe kushdo që do të shkonte për ta takuar Kryetarin e Bashkisë, duhet ti fshinte këpucët dhe ti lyente me bojë, aq sa ato mbanin. N.q.s qytetari nuk kish mundësi të paguante llustraxhinë, atë e paguante Bashkia nga fondi i saj, dhe pastaj sipas kohës dhe nevojës vishte dhe një xhaketë, e shkonte për të takuar Kryetarin, Ali Efendinë. Dalë nga dalë,  qytetarët filluan ta kuptojnë dhe në takim me të shkonin më të pastër dhe të veshur më mirë, sipas edhe mundësive që kishin. Ali Asllani i vendosi këto kushte, jo vetëm se ato ndikonin në rritjen e kulturës qytetare, që atëherë ishte shumë e nevojshme, por edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët, se në ato zyra të shtetit, që iu zgjidheshin problemet dhe hallet, që iu mbrohej prona dhe iu garantohej dhe jeta, të shkoje i rregullt, ti doje e respektoje ata nëpunës e pushtetar, sepse doje dhe respektoje shtetin tënd që ahere ndihej shumë nevoja e tij. Ishte ky qëndrim dhe ky preokupim i Ali Asllanit që institucionet në qytetin e Vlorës, të funksionin normalisht,  e të ecnin në rrugë të mbarë, duke i zgjidhur më së miri, hallet e problemet që kishin në atë kohë, Vlora dhe qytetarët e saj. Prandaj ishin të shumtë e përditë jo vetëm banorët e qytetit të Vlorës,  por edhe banorët të fshatarëve të rrethit, që përherë shkonin të takonin Ali Asllanin, Kryetarin e tyre.

Kaq për poetin, lirik dhe pushtetarin e diplomatin Ali. Fryrje sythymesh. Shpërthim sizmik lulërish. Ngazëllim masiv. Ethe. Ehe plot     zhaurimë.   Lot, poezi.

I.Mborja:Kur  pyesnin Lasgushin çfarë je :përgjigjej- jam poet.

Mirëpo cila është poezia  Lasgushit:

Mi zall të pyllit vjeshtarak /Dremit liqeri pa kufi,  /Ay ndaj fundesh u përflak /Posi me zjarr e me flori /posi me flake u ndes e kroj,  /E vetëtiti plot magji, /E ylli i ditës perëndoj /Në qetësi dhe dashuri /Tashi po shuhet nën mal/Qytet'i ngrysur ne zi. /Po ndizen yjtë dal-nga-dal /Plot bukuri! plot fshehtësi!/Në këtë çast perëndimor,  /Ndaj po më dehen sytë e mi,  /Kuptoj si shpirtin vjershëtor /M'a frymëzon nja mall i ri.

Unë them se këto: Elipse rrathësh, agojnë shenja fjalësh.  Pjesët e ngrira, do të shkrihen. Prej mahisë. Ari qelqor, ndrinë nëpër   lëfyte. E bukurisë. Lasgushi Hyjnor.

2.

Hoteli ku bujtën poetët në stinë dimri. Dimri ka , zgjatimet e tij. Krahët,  trupi , këmbët . Pushteti i ftohtësisë , që shtrihen në hapësirën gjithkund. Zbritur prej hapësirës, si rrathët, që shtohen në sipërfaqe uji. Frymëmarrja e ngadaltë e shtruar, e qetuar.

Dimri. Në mos është, ka pjesë nga lugati. Ky zemërkeq me piskama uluritëse si lukuni ujqish të xhindosur, që hënën në mos vërtetë, copë-copë do ta bënin. E kërrusur nata. Shira tërbimi. Stërbimi. Dëborë,  akullim, cingërimë. Dimri maskarallëk, por si sinonim i afrohet fjala fukarallëk. Ftohtë  tej hapësira. Ne jemi shtruar rreth tryezës për vaktin  e darkës. Pyesim krijuesit Sabiti, Ganiu, Haziri  sa orë u duhet për tu kthyer në Mitrovicë?Rreth 6 orë shtonë Sabiti.Nga udha  e kombit.Poetet e tjerë mblidhen rreth tryezës. Samiu është avokat- poet , Xhelal Tosku vetëm  poet. Beatrice Ballici mësuese –poete, Iliri nga Elbasani piktor, një ese e tij lexohet këndshëm, bënë llaf  për tradita dhe folklorin lab. Bardhyli fabulist .Virgjili ka shkruar edhe vargje poetike.”Kryqtari i fundit” ia ka dedikuar Skënderbeut, është shitur në Kanada, SHBA, Evropë. Në vitet viteve ’80, pra shekulli i kaluar  lajmet tek i vetmi stacion  që emetonte lajme i ndiqnin përmes zërit të këtij artisti të mrekullueshëm.

Nëse do të pyesje Xhelalin:Çfarë je. Përgjigja është e lexueshme.

-Jam poet. Aty nga mesi i viteve ’80, një brez i ri poetësh  u shfaqën  nëpër faqet e periodikëve letrarë. Mes tyre tek ‘Gazeta” Zëri i rinisë”  kujtoj edhe  emrin e një poeti  .Ai vinte nga qyteti i vogël kur këmbeheshin trenat për në  destinacionet e jugut  dhe në juglindje të vendit. Xhelal Tosku është poet i formuar. Ai do të jetojë  vetëm me poezinë. I përkushtuar asaj magjie qiellore. Nga ajo strehë shkon e vjen përherë shpirti  i tij. Si gurët e rrallë të smeraldit, që shkëlqejnë në errësirë, dritëza e poetit ndriçoi vende,    nën mjegull bënin jetën  me shpirtin në errësirë.”Minierat e shpirti , prodhojnë diamante  të rrallë”.  

Në perëndim,  i quajnë të marrosur sigurisht pas fletëve, të hutuar gjithë kohës dhe të  tjetër soji njerëzor .Një studiues kosovar thotë se ky: Parisi i madh ka fare pak dyqane libri, tregues  poezia po zhduket vetëm në Shqipëri e Kosovë po lulëzon vrullshëm. Aq i fuqishëm është potenciali i tyre shpirtëror  dhe pjellja e tyre shpirtërore, pra poezia e atij soji saqë  shpesh quhet si produkt i frymës hyjnore. Në oborrin e krijuesve poezia  është lulja erëmirë, lulja erëmirë nxori polenin e artë, por era i nxori shenjtoret nga kahu i lindjes në perëndim, herë me era jugore të bardha, herë me shtegtarë të hutuar, që  në thelb  përbënin shenjtorët e ndërlikuar, që si fundmi  u thërrasin shkurt poetë.

Poezi nga Xhelal Tosku- Gjeneza në Pijetore/në fillim ishte fjala/tha ai/pas fjalës një kokërr mollë/thashë unë/pas mollës Adami dhe Eva/tha ai/pas Adamit dhe Evës kjo botë shkërdhat/thashë unë/dhe botën e kthyem që të dy me fund.

3.

Ditët poetike janë dëshmi e manifestimit poetik. Pas tri ditëve poetët bëjnë gati bagazhet. Nesër hoteli   ku bujtën poetët buzë këtij deti jugor do të jetë boshë .Poetët largohen nesër. Nuk ka agjenci udhëtimi  si dikur por gjithsecili në hesap të vet. Çfarë do të bëjë deti, paskëtaj sigurisht do të vajtonte kohën e shkuar. Ujërat dallgëzonin. Ikën poetët, kurrkush nuk i pa, si ikën. Pika e lotit mbeti mbi hapësirën pa skaj të  këtij deti.

4.

Raca e Poetëve  po rrallohet. Në vitet e fundit poetët, shkrimtarët e  qytetit jugor Ferhat Çakërri,  Anastas Bita,  Fadil Zeqiri,  Miliano Stefa shkuan  definitivisht në  qytetin e   heshtur të varrezave publike .Në ftohtësinë e tokës   së Babicës   shkuan këtë fund vere në botën e parajsës,  poetët  Petrit Qejvani dhe Jonida Osmani. Rrallohen poetët,  rrallohen shitoret e librave  në botë. Mirëpo dihet,  poezia është bijë e parë e bukurisë hyjnore, a do të na lërë vërtetë  Zoti pa të?



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora