Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arben Idrizi: Dy akte të së keqes

| E premte, 09.01.2015, 08:00 PM |


Dy akte të së keqes

Nga Arben Idrizi

Duke e parë një djalë të ri me gjithë atë talent ta glorifikojë dhe adhurojë një person injorant dhe pa kurrfarë virtytytesh, e sidomos kur i shoh gjitha ato veta këndej pari që i gëzohen një masakre dhe luten për shumë të tjera të tilla, atëherë kuptohet se mizoria është bërë pasion i përbashkët. Është vetëm një hap i vockël për të kaluar nga adhurimi dhe mbështetja morale te veprimet. Ndonjëherë nuk ka nevojë as për “shkas”, mjafton vetëm mizoria në vetvete

Akti i parë

Dëshiroj të shkruaj shkurt për nja dy personazhe reale, njërin tashmë që e ka marrë lumi dhe s’ka dreq as zot ta shpëtojë dhe tjetrin, një djalë të ri, që megjithëse në rrugë të mbrapshtë – nuk po flas si moralist gdhe – mund të shpëtohet.

Nuk do t’i përmend emrat tyre për arsye se s’dua ta përmend emrin e të riut; e mund të më bëhet vërejtje po ashtu mua se po e përjashtoj në mënyrë krejtësisht të pahijshme nga qortimi “të vjetrin”. S’dua ta përmend emrin e të riut, sepse këtë vërejtje të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë do të mund ta merrte për sulm dashakeq, do të mund të ndihej i fyer e i poshtëruar dhe në vend se ta pranojë vërejtjen dhe t’i rishikojë qëndrimet e veta, do të mund “të fundosej”, i ndihur, ndoshta, nga inati dhe, më tepër, nga sedra e prekur. Shpesh, mendoj, nuk është aspak humane që në emër të ndonjë vlere a parimi të lëndohet shpirti i një të riu, gabimet e të cilit, edhe nëse nuk mund të falen, kushedi, mund të jenë krejt të rastësishtme dhe të mos përsëriten.

Në rast se e lexon këtë që po shkruaj dhe duke lexuar për personazhin “e panjohur” ndërmendet, atëherë “qëllimi” im do të jetë arritur.

Personazhi i vjetër, ‘A’, është i prekur nga injoranca, skandaloz, palaço, muskulor (problemet i zgjidh me grushte, në vend se me mendje), por është i kamur, bukur i kamur. Në shtyp zë vend të rëndësishëm në faqet e verdha.

Personazhi i ri, ‘B’, është i prekur, do të thoshte Platoni, nga frymëzimi hyjnor; nga ajo që deri më tani ka dëshmuar, një ditë mund të bëhet një nga artistët më të mëdhenj të vendit.

Por, në punën e fundit, ‘A’ ka shpalosur një gjë të dhimbshme: Personazhi ‘A’ është idol i tij. Për t’ia shprehur tërë admirimin, i prekuri nga frymëzimi hyjnor ia ka kushtuar të prekurit nga injoranca veprën e tij të fundit, duke e bërë personazh dhe duke e ofruar si model të sjelljes.

Si është e mundur?

Një nga përgjigjet, tek e cila dua të ndalem, është: shoqëria së cilës i përket ai (dhe ne) ofron vetëm këtë edukim dhe arsimim. Edukimi që i është ofruar, nuk e ka bërë ta bëjë dallimin, ta themi thjesht dhe troç, mes të mirës dhe të keqes. Në kulturën tonë, prore burri muskulor, që e përdor grushtin në vend të trurit, ka qenë modeli ideal i sjelljes. Pavarësisht se sa i paskrupullt është, nëse me atë paskrupulltësi ka arritur sukses, atëherë ai është një shembull, në të vërtetë shembulli i duhur për t’u ndjekur. Injranca, arroganca, mosdurimi, përçmimi, gangsterizmi janë vlera. Manipulimi me ndjenjat e turmës dhe përfitimi, e mira më e madhe. Kur del në rrugë nuk e ka asnjë monument shkrimtari për të qenë dhe që t’i ketë kënduar paqes dhe dashurisë – edhe nëse ka ndonjë të tillë, atëherë janë shkrimtarësh mediokër që kanë nxitur urrjetjen dhe kanë glorfikuar të keqen; prej bataçinjve të rëndomtë deri të heronjtë kombëtarë vrasës mizorë. Kur kthehet në shtëpi, natyrisht, nuk e ka asnjë libër në raft as tavolinë, ose – fatkeqësisht – e ka vetëm një, kurrë të lexuar, me të cilin pretendon ta shpjegojë dhe shpëtojë botën dhe mbarë njerëzimin në jetë të jetëve.

***

Akti i dytë

Në Librin VII, Herodoti na rrëfen se si barbarët kishin zënë disa anije greke në det. Barbarët, na thotë autori, i burgosën grekët mandej e çuan te bashi njërin prej tyre, atë më të bukurin, dhe e therën në fyt, duke e kosndieruar si shenjë të mirë faktin se grekun e parë që e kishin kapur ishte më i bukuri.

Të vrasësh më të bukurin, është shenjë e mirë. Të vrasësh më të mirin, është shenjë e mirë. Të vrasësh më të mençurin, është shenjë e mirë.

Këtë e mendonin barbarët.

Këtë e mendojnë edhe terroristët islamikë.

Dhe pikërisht këtë e kanë menduar kur ia kanë mësyrë redaksisë së Charlie Hebdo, duke i thirrur me emër karikaturistët dhe duke i ekzekutuar me gjakftohtësinë e psikopatëve.

Këtë e kanë menduar kur i kanë vrarë shkrimtarët, intelektualët, artistët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut nëpër vendet arabe.

Këtë e kanë menduar kur i kanë vrarë, përndjekur, kërcënuar kritikuesit e Islamit.

Këtë e kanë menduar kur kanë dashur ta vrasin Salman Rushdien dhe kur, tamam, i kanë vrarë përkthyesit e tij.

Pa e harruar kurrë se kanë vrarë, po vrasin e do të vrasin mijëra e mijëra, pothuajse përditë, në vendet e tyre e kudo që janë, të pafajshëm të panjohur për botën.

Në gjithë këtë barbarizëm, te ne ka aq e aq veta që masakrën e Charlie Hebdo e tumirin dhe arsyetojnë. Mund të jetë se frika ime është e ekzagjeruar. Mirëpo, kur unë shoh një që përkrah, arsyeton dhe kërkon të përsëritet një e keqe, prirem, nga arsyeja, ta njoh atë person po ashtu të gatshëm ta bëjë edhe vetë atë të keqe. Ndaj meje, ndaj teje, ndaj atij tjetrit të njohur a të panjohur, vetëm e vetëm sepse nuk jemi ai ai, nuk mendojmë si ai, nuk kemi besimin e tij.

Këtë e mendojnë, pikërisht këtë, edhe ata ndër ne që luten që një sulm i tillë të na ndodh edhe neve në Express. Vetëm pse, thënë me pak fjalë, bëjmë aq sa mundemi në informimin për mizorinë e terrorizmit islamik kudo në botë dhe rrezikun që i vjen edhe vetë vendit tonë.

***

Epilog

Në kapitullin e tretë të Udhëtimit në Kohë, narratori, duke përshkruar një periudhë të njerëzimit, bën një pyetje drithëruese: Po sikur mizoria të ishte bërë një pasion i përbashkët?

Historia ka parë bukur shpesh, në të vërtetë, periudha, ndonjëherë edhe tmerrësisht të gjata, kur mizoria është bërë një pasion i përbashkët.

E po ashtu, duke e parë një djalë të ri me gjithë atë talent ta glorifikojë dhe adhurojë një person injorant dhe pa kurrfarë virtytytesh, e sidomos kur i shoh gjitha ato veta këndej pari që i gëzohen një masakre dhe luten për shumë të tjera të tilla, atëherë, kuptohet, mendja më thotë se njëmend mizoria është bërë, edhe këto ditë, tamam pasion i përbashkët.

Këtë po e them unë: është vetëm një hap i vockël për të kaluar nga adhurimi dhe mbështetja morale te veprimet. Ndonjëherë nuk ka nevojë as për “shkas”, mjafton vetëm mizoria në vetvete.

gazetaexpress.com