E merkure, 24.04.2024, 08:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Gjëma

E enjte, 08.01.2015, 08:23 PM


GJËMA

TREGIM NGA RESMI OSMANI

Vranisht i Vlorësm 18 dhjetor 1943.

Dimër të egër si ai i Shëndreut të vitit 1943, që kishte pllakosur tërë krahinën, të moçmit nuk mbanin mend. Si të mos mjaftonte lufta dhe gjermani, shiu, bora dhe sqolla, lloha, mjegulla e cingërima, erërat e çakërdisura dhe furtuna me vrunduj ere të harbuar s’kishin të rreshtur. Bora vuri shtresë,qilimi I saj I bardhë mbuloi sheshet, plloçat e çative, dhe kororat e pishave mbi fshat. Thepat e ashpër të shkëmbinjve borëveshur në malin mbi fshat dukeshin si ca dhëmbë të rralluar që kafshonin mjegullnajën dhe qiellin e vrërët e të zymtë. Erërat frymëmarrje e babadimrit, të ftohta, të akullta që zbrisnin nga majëmalet, rrihnin si me kamzhik fshatin dhe pastaj zbrisnin në luginë drejt detit.Egërsirat, ujqërit dhe arinjtë e uritur kishin dalë nga strofullat. Njerëzia ishin mbyllur brenda dhe oxhakët tymosnin me shtëllunga të përhinjta.

Gjermanët kishin shpërthyer operacionin e dimrit. Objektivi ishin fshatrat e krahinës malore, ku gjendeshin çerdhet partizane, prandaj operacionin e kishin quajtur me emrin e koduar”Bergkessel”, kazani malor. Kishin vendosur që forcat partizane dhe fshatrat që i strehonin dhe i mbështesnin,  në këtë të ftohtë dimëror, t’i zienin në këtë kazan të skëterrshëm, me zjarr e hekur dhe më të mos dëgjohej për to. Partizan kaput!

Ishte 18 dhjetor 1943. Pararoja gjermane ra në pritë në perëndim të fshatit, në prruan e keq. Njësiti territorial me një pjesë të forcave të batalionit partizan, vranë njëmbëdhjetë ushtarë të pararojës, shpëtoi vetëm një pas aksionit u tërhoqën në pyje. Trupat gjermane në marshim, mësuan për humbjen e pararojës dhe e rrethuan fshatin me një çark të hekurt, që në të të mos hynte apo dilte as miza! Një pjesë e trupave, me flakëhedhëse dhe qenujq hynë në qendër të fshatit dhe nisën kërkimin e banorëve..

Urdhëri: të bëhet masakër, të vriten pa dallim gra, burra, pleq e plaka, fëmijë e të rinj! Të digjen shtëpitë, të bëhet e tillë gjakderdhje që të dridhet foshnja në bark të së ëmës! Hail Hitler!

Krisën armët, britmat dhe kuja u ngjitën në kupë të qiellit. Lulëkuqet e gjakuit mbinë mbi borë.

U vra Fatimeja, teksa përpiqej të dilte nga fshati, me një ngarkesë për partizanët; trupin e saj të pëegjakur e tëpajetë e tërhoqën osh nëpër borë ushtarët gjermanë  deri te sheshi duke lënë pas një vazhdë gjaku..

U vra Trëndelina Hasani me të kunatën Nazon, te dera e shtëpisë me nga një plumb në kokë. Vdiqën menjëherë. Shtëpisë i kallën flakën.

U grinë e u bënë shosh nga plumbat e automatikut Rubia dhe Sherifeja; kur po ktheheshin nga çesma me enët e mbushura me ujë.

Burrat pleq Sadedini e Hamiti, që dolën nga shtëpitë për të parë se çfarë po bëhej, u vranë te sheshi pranë shkollës.

Dy të rinj, Yzeiri e Tahiri, që u përpoqën të dilnin nga rrethimi u gjuajtën me qen dhe u mitraluan me breshëri plumbash.

U plagosën dhe u mbytën në gjak Rukia dhe Harzikua teksa po ktheheshin në shtëpi nga stani.

Flakëhedhësit u kallën zjarrin shtëpive dhe nga çatitë shpërtheu flaka dhe retë e tymit u përzien me retë e borës.

Ah ai tetëmbëdhjetë dhjetor! Ditë e zezë, e ftohtë , me borë,  të ftohtë e suferinë,  me zjarr e flakë, që dogji edhe gurët. E përgjakur me të vrarë të pafajshëm që dergjeshin të shtrirë në pragjet e shtëpive të tyre, në rrugicat dhe sheshin e fshatit, me të qara të lebetitura. Gjermanët, të egërsuar e çakërdisur fytyrë ngurtësuar nga dhembja, i sollën të vrarët e tyre dhe i renditën krah njëri-tjetrit te shkolla: gjithë skuadrën, në krye nënoficeri, pastaj të tjerët, sipas moshës. Trupat e pajetë ua mbuluan me pelerina dhe në kokë u lanë bustinat, pas tyre helmetat. Nën strehën e portës së shkollës nuk i zinte bora. Dukej sikur flinin.

Kapiteni gjerman,dha urdhër që edhe banditët e vrarë të fshatit bandit, të silleshin në sheshin e fshatit.

Nën tytat e armëve dhe bajonetave, bashkfshatarët, të afërmit,motrat e vëllezërit, duke lotuar e rënkuar, të dërrmuar nga pesha e dhimbjes që rëndonte si pesha e malit, i mbartën të vrarët dhe i vendosën te rrapi i moçëm degëshumë që e kishte veshur argjendi i borës.

Të vrarët u vendosën ballas. Vrasësit dhe të vrarët, xhelatët dhe viktimat, të fajshmit dhe të pafajshmit. I ndante një rrip toke i kobshëm, i zbardhur nga bora dhe gjaklyer. Në atë hapësirë të kufizuar krye e fund nga vdekja, të zbardhur e kallkanosur nga bora, pikëzonin dy figura: ajo e kapitenit gjerman,me ushtarët e tij, që me revolver në dorë , sillej në atë hapësirë vrastare si bisha e tërbuar në kafaz, dhe bënte akullin të kërciste nën çismet e tij të reënda. Pas i shkonte  përkthyesi , që e ndiqte si hije. Ishte një avokat nga qyteti, gjermanishtfolës, që e kishin marrë nga zyra e tij me përdhunë. Veshur me një mallotë të zezë e të  gjatë gjer te këmbët, e me borsalinë gjith me atë ngjyrë të rrasur gjer në vetulla, ngjante si një korb që kishte zbritur ne sheshin e kufomave. Dridhej i tëri, nga lemeria dhe të ftohtit, por edhe nga frika për jetën e tij, ku ta dish, gjermani ndoshta s’donte dëshmitar të gjallë të asj ploje.

Kapiteni i numuroi  të vrarët nga fshati. Bëheshin tetë. Pesë gra e tre burra. Njerzit e gjallë u kthyen ne numra te vdekur.

-Janë pak,- u tha ushtarëve dhe nënoficerëve- Pushkatoni dhe të tjerët, dhe pas tyre edhe të tjerë!” Fjalët e tij kishin tingull të ashpër, grykor, metalik, si vërshëllima e gjarprit, që shponte heshtjen si maje bajonete. Ai u kthye nga përkthyesi:

-Zoti avokat, ligjet e luftës janë të hekurta. Për një, dhjetë! Një ditë terror, një vit qetësi! Malësorëve të këtyre anëve, po nuk e dinë, po ua mësojmë, që tu neveriten armët dhe të lemerisen e tmerrohen nga ushtria e rajhut.

Ushtarët e skuadrës së pushkatimit i lidhën viktimat e tyre me litar, dorë për dorë, pastaj u tërhoqën disa hapa, gati për të hapur zjarr. Para grykëve të pushkëve ishin shtatëmbëdhjetë burra e gra, të moshave të ndryshme, midis tyre edhe nje grua e re me femijë në gji.

-Armë mbush! – Dha komandën nënoficeri.

Kërcitën shulet e armëve, fishekët vrastarë shkuan në fole.

-Nën shenjë!

Ushtarët, si të ishin ca mekanizma automatike, ngritën njëhershe armët dhe shënuan .

Kur pritej komanda “Zjarr”, në shesh si ta kishte pjellë dheu u faneps një grua e veshur me të zeza, e cila me hap të shpejtë, u nis drejt kapitenit. Njëri nga ushtarët e ndali dhe i vuri bajonetën në gjoks.

-Hiqe atë syngji, djalo, se me këtë gjoks kam mëndur me gji djemtë e mi, ashtu si të ka dhënë për  të pirë edhe ty nëna jote, atje në allemanjë.Pastaj ajo iu drejtua  dhe I foli kapitenit.

Kapiteni desh të dinte se çfarë tha dhe çfarë kërkonte kjo grua. Avokati përktheu:

Ajo tha se per të vrarët e fshatit, do benin gjëmë e vaj njerzit e tyre. Asaj nuk i kishin vrarë njeri te sajin. Donte të bënte gjëmë për gjermanët e vrarë, ashtu si e donte zakoni i vëndit, se ata ishin të huaj, ne dhe të huaj, nënëzezat e tyre, nuset dhe motrat,  ishin larg dhe s’kishte kush t’i qante dhe i vdekuri nuk bën të përcillet e të kallet në varr, pa u qarë e vajtuar! Ajo ishte vetë nënë.

-Ç’farë është gjëma?

-Vajtimi me ligje i të vdekurve. Përcjellja e tyre me këngë vajtimi. Si ta them, është pjesë e kodit të të vdekurve.

Kapiteni kur dëgjoi përkthimin nuk e fshehu habinë. Ajo grua fshatare, do të qante për ushtarët gjermanë, armiqtë e vendit të saj?! E pa me dyshim e vëmendje: shtatvogël, e veshur krejt me të zeza, përveç lahurit të bardhë që kish lidhur flokët, por mbi të kish të hedhur një shall leshi të rëndë gjith po të zi. Kishte tipare të fisme, fytyra e saj e zbehtë , e ravijëzuar nga rrudhat dukej si e gdhendur në mermer. Kapitenit iu duk si ëngjëlli i vdekjes, si e dalë nga tragjeditë e lashta ballkanase. Ky vend, ky popull, kishte kodin e tij të vdekjes dhe kjo grua sillte kumtin e lashtë të këtij kodi. Çudi, pa ta shihte!

-Lereni të shkojë,- tha ai, pastaj urdhëroi skuadrën e pushkatimit të kalonin në qëndrim “Qetësohu” ata ulën armët në pritje të një urdhëri të ri.

Gruaja shkoi te njëmbëdhjetë gjermanët e vrarë të shtrirë në hyrje të shkollës. Kapiteni me përkthyesin i vajtën  pas. Qëndroi e heshtur dhe si e shtangur para tyre, pastaj u çapit në krye. I vrari ishte i ri, i hijshëm, leshverdhë, shtatgjatë fytyra e zbehtë e lyer ne gjak nga plaga e plumbit, kishte nisur të murrëtohej nga e ftohta. Sytë I kishte të hapur, si të qelqtë , dukej që kishin qenëbojëqielli, gojën paksa të hapur, si të donte të fliste për vdekjen e tij. Gruaja hoqi nga supi paguren dhe i lau gjakun e fytyrës. Pastaj hoqi lahurin e bardhë nga kryet e thinjur dhe e bëri  kinda – kinda, i lidhi mjekrën për ti mbyllur buzët . Me kujdes, si duke pasur frikë se mos e zgjonte, i uli kapakët e syve që akoma s’kishin ngrirë. I mori duart dhe ia kryqëzoi mbi gjoks. Këtë ritual ua bëri të gjithëve. Para të fundit, qëndroi drejt, ktheu kokën nga kapiteni dhe i tha:

-Të vdekurit duhet ti dorzohen zotit të pastër e të bukur, sepse ashtu shpirti do të prehet më i qetë.

Avokati përktheu. Kapitenit nuk I shpëtoi pamja e saj e dëshpëruar dhe sytë e veshur nga një cipë e avullt lotësh.

Gruaja doli në pjesën e sipërme, mbi kryet e të vrarëve u ul në gjunjë dhe hoqi shallin nga koka, zbertheu komçat e polkës dhe zbuloi gjoksin e rreshkur, pastaj pa pritur shpërtheu në një thirrmë rrënqethëse: “Oiiii, oiii o djemtë e nënave!” Klithma e mprehtë njerzore, ulëritëse e tronditëse, u shkëput nga toka, pushtoi hapësirën dhe u ngjit në qiell, atje ku duhet të ishte i gjithfuqishmi, krijuesi, që përcaktonte fatet njerzore. Jehona e saj u kthye nga shpatet e malit sipër dhe mori luginën tatëpjetë. Pastaj erdhën rënkimet, të thella  si të dilnin nga dhimbja përvëluese  e shpirtit:  ”Oh, oh, e mjera, të mjerat nëna, oh,oh…” Ndërkaq ajo lëshoi flokët e shpleksura dhe filloi t’i shkulte, duart ju mbushën me tufa flokësh të thinjura. Pa rreshtur së rënkuari, nisi të rrihte gjoksin me grushte, me të dy duart, pastaj, duke gulçuar, frymëmarrë, e ngriti kokën drejt qiellit, nisi të çirrte fytyrën ngaku plasi gjaku ne ca rrëkeza të holla. Po i fliste e po i lutej Zotit që s’dinte se ku ishte, por me siguri atje lart.

Kapiteni s’po u besonte syve. Si ishte e mundur? Ai kërkoi nga avokati ti përkthente  çdo fjalë që thoshta gjëmëtarja.

Përmes gulçimave e rënkimit, fjalët mezi merreshin vesh dhe ai nisi ti përkthente fjalitë të fragmentuara e si palidhje.

-Po thotë: djem o djem, që u përkundën nënat në djep, e u kënduan ninullatë bukura, u mëkuan me gjirin e tyre që të rriteshit, të burrëroheshit, të martoheshit e t’I gëzonit me nipa e mbesa. ….. Ju ishit gëzimi i syve të tyre dhe shpresa e pleqërisë… Ikët, ato s’do tu shohin më…. Derëzezave do tu shkojë mandata, një copëz kartë me zi të rëndë….Do qajnë për ju, pa kurmet tuaj, para fotografive dhe kujtimeve….Por në vend të tyre po u qaj unë, se edhe mua më është tharë e më vajton zemra e shpirti….Do qajnë motrat, vëllezërit dhe fëmijët e mbetur jetimë… Arat, fushat, lëndinat e stanet që s’do t’ju shohin më…..Do të nxihen pragjet dhe muret e shtëpive…..Rënko o tokë, vajto o qiell për djemtë e nënave……Djem o djem që vdiqët larg…. Në këtë luftë të mallkuar,(Avokati nuk e tha fjalën e mallkuar)  e do të varroseni këtu mes maleve në vend të huaj, në tokë të Shqipërisë……Edhe këtu shpirtrat tuaj, do të gjejnë prehje e paqe, se toka është bujare, krijesë e Zotit, i rëndet kur e shkelim, por jo kur na varrosin….. Se edhe ne zoti nga balta na stisi dhe aty është vendi i robit jetësosur…..Oiii, oiiii, o bij të nënave, e ç’tu qaj më parë….

Kupa e qiellit si kambanë e plumbtë,  derdhte teposht puplat e bardha të borës. Bënte ftohtë. Nga fshati që digjej vinte era e shkrumbit dhe tymi i shtyrë nga era zvarritej mbi kurorat e pemeve të zhveshura. Bashkë me të vinte jehu i vajtimeve dhe rënkimeve.

Kapiteni dëgjonte fjalitë e fragmentuara të vajit, që avokati mezi gjente fjalët e duhura gjermanisht dhe pyeste veten: a ishte e vërtetë kjo që po shihte, a ishin të vërteta ato që dëgjonte? Për cilët bënte gjëmë  kjo grua, për të vrarët e saj, apo ushtarët e rajhut? Asaj nuk i ishte vrarë ndonjë familjar. Mos vallë po aktronte, vetsugjestionohej? Tek e fundit, kujt i duhej kjo shfaqje tragjike? Jo. Ajo ishte një fshatare e thjeshtë, një malësore e pashkollë, e veshur me opinga llastiku dhe çorape te ashpra leshi, por ishte nënë dhe ndjenja e mëmësisë është e fortë dhe instiktive. Sido qoftë, për të ky ishte një mister.

Po mendohej. Ai ishte ushtar, gjendej në luftë dhe duhet të bënte detyrën. Pas tij ishin shtatëmbëdhjetë njerëz që duhet t’i pushkatonte, pas tyre do të kishte dhe të tjerë. Gjaku lahej me gjak. Pastaj në shtëpitë e tyre do të kishte gjëmë, sipas këtij kodi të vdekjes si në tragjeditë dhe  baladat e vjetra.

Teksa ai ishte duke përsjellë në mendje këto, gruaja heshti dhe ra përmbys mbi trupat e ushtarëve. Ai priti që ajo të ngrihej por nuk po lëvizte. I kishte rënë të fikët.Kapiteni dha urdhër të zgjidhnin nga rreshti dy gra të reja. Ato erdhën sakaq dhe ashtu të alivanosur e ngritën, I lagën  dhe fërkuan me borë tëmthat dhe ballin, i fshinë e pastruan gjakun e të grricurave të fytyrës. Ajo u përmënd dhe u ngrit ngadalë, e mpirë e pafuqi. Mezi mbahej në këmbë

-Unë, si nënë e bëra timen-tha ajo zëshuar dhe e verdhë si meit, duke iu drejtuar kapitenit- të takon ty të bësh tënden.

Kapiteni nxori nga çanta një bllok-ditar dhe bashkë me lapsin ia dha avokatit.

-Shkruaje këtu emërin e kësaj gruaje.

Me hap të ngadaltë si me përtesë dhe i dyzuar para një vendimi që tashmë e kishte marrë, qëndroi para  ushtarëve.

-Zgjidhini dhe lirojini pengjet. Mjaft për sot. Kjo grua i shpëtoi, por ky fshat ka borxh gjaku për të paguar. Ne vonojmë por nuk harrojmë,  do të kthehemi sërish nje herë tjetër për ta marrë.

Gjermanët u larguan bashkë me të vrarët e tyre. Nuk dëgjoheshin më krismat e armëve të vdekjes, por zërat e ngrohtë dhe mirënjohës të grave që kishin vënë në mes atë nënë trimëreshë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora