E hene, 27.09.2021, 02:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Lart

E enjte, 08.01.2015, 08:02 PM


LART

 

QAZIM D. SHEHU

 

POEZI

 

Dashuria na mban lart,

Në ajër,në qiell, në yje,

Tërthoren  e saj prej rrezesh të ngrohta

Dehim me buzëqeshje.

Asnjëherë s`e dimë ç`do qe ajo pa ëndrrën,

Pa atë trill qielli dhe reje,

Pa të ardhmen që e josh me dredhi;

Se po t` i mbanim vetëm brengën

Të rëndomtën e mishtë po t` i mbanim,

Pa atë që është lart,

Dashurinë si urrejtjen do shanim…

 

 

VEGIM

 

Si me shaminë e nënës

U mbështolla me hijen e lisit.

Kujtimi sytë m`i rrëmbush

Duart e kujtimit, krahët e shpresës

Këtë shami s`e ngrenë dot,

Në një udhëkryq të kujtesës

Ku nëna thahet si një pikë lot…

Megjithatë vetëm një çast

U shtri hije e lisit si shami,

Zgjata dorën ta marr , lisi u drodh

Hija u fshi…

 

 

PEIZAZH

 

Me grinë nën mjekër u ngritën përpjetë

Thikat e shkrepave,

Për të çarë boshësinë e një qielli të etur.

Ka shekuj e kohë që thërmon qelnajën

E këtij qielli të tharë nga ftohtësia,

E mbi shkrepa s`bie

Asnjë thërrime prej xhami,

Asnjë dënesë e penduar,

Asnjë vringëllimë,

Vetëm kjo ngërdheshje thikash gris rroben e heshtjes,

Heshtja lakuriq mbërdhin…

 

 

PA QENË TAT TANUSH

 

Se si  shkova në fund të mëkatit

Pa qenë Tat Tanush,

Ia pashë gjëmën të ngratit

Kur arsyen ma zbrazi në prush.

Desha të bëhem fillestar

Të largoj dashurinë,

Mëkatin s`e dua të më thotë:udhë e mbarë,

Ai fshehtas,  përpara, në të, prin….

 

 

SHKËNDIJA MIGJENIANE

 

Shkëndijen migjeniane të gjithë e urojnë

Por shumica  zjarrit i tremben;

Flakët e tij të pafajshmin  shkrumbojnë

Pastaj me keqardhje ngrohin duart

Të mbeturit…

 

 

MENDO

 

Kur mali shkrihet me qiellin në mbrëmje

Mbrëmja humb në lehtësim të ajrit joshës,

Ne të dy hyjmë tek njëri tjetri,

Si në misteret e botës.

 

Sërish kërkojmë atë që humbet me nge,

Dhe kaq e lehtë s`paska qenë,

Të kthehemi, shtigjet drithëruese na trembin,

Pa sjellë gjë të re;

Mendo sa  mund të lodhen,

Mali me qiellin

Dhe mbrëmja tre…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora