E marte, 16.04.2024, 01:57 PM (GMT+1)

Mendime

Albert Gjoka: Pse të mos e legalizojmë hashashin?!

E enjte, 10.07.2008, 07:30 PM


Pse të mos e legalizojmë hashashin?!

Nga Albert Gjoka

Në periudhën e regjimit komunist eksportet që çanin bllokadën ishin mineralet dhe perimet e arave pjellore të kooperativave bujqësore. Ndërsa sot, pas rreth 20 vitesh, besoj se produkti më i importuar është Cannabis sativa. Kjo ka shumë arsye, pasi fushat janë djerrë dhe për pasojë nuk kemi as ç’të prodhojmë dhe as ç’të shesim në tregjet e huaja. U harrua edhe trangulli i Sukthit, edhe shalqiri i Vrinës. Shitjet e mineraleve sapo kanë filluar të gjallërohen disi, për shkak të rritjes së tyre në bursë. Por ajo që mbetet gjithnjë e kërkuar në bursën informale të rrjeteve të zeza, pa dyshim, është Cannabisi, i cili rezulton të jetë produkti importues më fitimprurës, dhe vendi ynë konkurron denjësisht me çdo vend tjetër europian. Në çdo raport apo listim të bërë nga ekspertët e organizmave dhe institucioneve të specializuara ndërkombëtare, renditemi ndër 2 apo 3 vendet e para në Europë përsa i përket kultivimit të hashashit. Rëndom thuhet se jemi pagëzuar si “Republika e Cannabisit”, duke krijuar imazhin para botës së zhvilluar, sikur të jemi ndonjë cep i Kolumbisë, apo Tora Boras së Afganistanit.
Gjasme për të ruajtur imazhin e vendit, sikur po luftohet ky aktivitet i paligjshëm, strukturat e rendit po përpiqen për të luftuar ndaj fshatarëve, kultivues të lëndëve narkotike. Operacionet “Asgjësimi”, Discover”, “Gjethja”, “Mullaga”, “Vesa e mëngjesit”, “E kapi s’e kapi” apo të tjera sish, me emra nga më të çuditshmit, mobilizojnë me dhjetëra e dhjetëra forca policie, me kosa, hanxharë dhe sëpata nëpër duar, duke rikthyer në mendje skenat e dikurshme të punonjësve të Pyjores apo të kooperativave bujqësore të kohës së xhaxhit, që iu qepeshin pyjeve për të hequr tejat nga pishat. Çdo aksion finalizohet me suksese të njëpasnjëshme; “malli sekuestrohet apo asgjësohet, ndërsa pronarët ikin në drejtim të paditur”. Mbase nuk figurojnë as në regjistrat e gjendjes civile. Teksa merresh çdo ditë me rreshtat e pafundme të njoftimeve zyrtare të Policisë, nëpër qarqet e ndryshme të vendit kupton se fenomeni është aq i përhapur, saqë të duket se bujqit kanë lënë shkretë fushat pjellore dhe u janë gjepur maleve të larta dhe të thepisura, për t’i bërë pjellore. Diku, në një fshat të thellë malor, në veri të vendit, një grua dështoi sepse fqinji i tij kishte mbjellë hashash dhe aroma e rëndë që kundërmonte gjithandej zonës, në fazën e harlisjes, solli komplikime të rënda shëndetësore për nënën që mezi priste fëmijën e saj. Ndërsa në një nga katundet e Gjirokastrës, një burrë e bënte gjumin rëndë dhe shihte ëndrra me para, brenda në një dhomë, ku në vend të aromës së këndshme të luleve, ai dehej nga era e rëndë që vinte nga rrënjët e hashashit, të mbjella nëpër kubikë dhe vazo në çdo qoshe të dhomës 27 metra kub. Thonë se ai i nxirrte bimët gjatë ditës në diell dhe në mbrëmje i fuste sërish brenda në shtëpi. Kujdesej më shumë se për gjithçka, pasi ato i siguronin mbijetesën. Ndërsa natën ai flinte i qetë dhe pa makthet e përditshmërisë.
Teksa sheh morinë e zonave të listuara si vende kultivuese të bimëve narkotike, kupton se fenomeni është tejet i përhapur dhe kjo nuk është më çështje thjesht e strukturave të rendit. Tashmë ky është një shqetësim që na takon të gjithëve. Përpjekja dashamirëse e qeverisë, e cila ndonëse ra ndesh edhe me ligjin, duke miratuar dy vjet më parë ligjin “Anti-Cannabis”, rezultoi me një bilanc dështak. Pasi nëse do të zbatohej thjesht ligji, burgjet do të mbusheshin plot me hashashrritës. Por, nëse do të ndëshkoheshin edhe kryepleqtë, kryekomunarët, kryebashkiakët, apo edhe kryeinspektorët, nuk do të mjaftonin për qeli as zyrat e tyre.
Me dhjetëra vendime gjykate presin ekzekutimet në policitë e Vlorës, Fierit, Tepelenës, Gjirokastrës, apo Shkodrës. Dje u arrestua një gjyshe, pasi iu gjetën 20 rrënjë në bahçe. Tri ditë më parë edhe një nënë me 3 fëmijë. Para 1 muaji edhe një vejushë. Po aq edhe burra. Aha. Duket se kosa e policit, prangat dhe ndëshkimet e rrepta të ligjit sërish nuk na e zgjidhkan problemin. “Rroftë Republika e Hashashit!”. Ky sistem i ri është më i fortë sesa skema e kafshatës, pasi listat e borxheve nëpër dyqanet dhe furrat e bukës së katundeve të Shqipërisë janë të pafundme. Puna e ndershme me gjak dhe me djersë nuk të bën dot as skllav. Dhe për të mbijetuar do të të duhet të mbjellësh pakëz hashash në bahçen pranë shtëpisë, apo nahijen që ke, tej në kullota. Kjo falë faktit se nuk ka as pyje, pasi ato të shkretat u prenë gjatë viteve të tranzicionit rrënues.
Por, do të ishte krejt ndryshe nëse në ato bajraqe ku valëvitet flamuri i gjethes së Cannabisit, të mbilleshin plantacione me gështenja, me arra, me hardhi rrushi, me ullinj, me mollë, me portokaj apo limona; mund të kultivoheshin shumë bimë dhe pemë në këtë klimë që na është dhënë pa dashje nga Zoti. Dhe fitimi do të ishte mbase po aq sa të mbjellësh dhe rritësh vjedhurazi apo sheshit bimën e ndaluar. Kjo mund të bëhej shumë thjesht, nëse miliona euro të destinuara për zhvillimin e bujqësisë nuk do të shkonin për të blerë benza apo për të ndërtuar pallate; nuk do të shkonin nëpër kros-table, të shtruar dënga nëpër hotelet dhe komplekset e kushtueshme luksoze të kryeqytetit, ku llahën të babëziturit me apo pa kollare; nuk do të shkonin në xhepat e pazarxhinjve dhe bastardxhinjve të projekteve dështake. Këto para duhet të shkojnë atje, në male, ku bujqit dhe blegtorët, tani për tani, kanë të vetmen zgjidhje kultivimin e hashashit. Sikur vetëm ato para të shkonin atje, në formë grantesh apo kredish të buta, dhe t’u jepeshin fshatarëve të pashpresë, situata do të ishte ndryshe nëpër bajraqet e Cannabisit. Por kjo nuk është thjesht çështje dëshire. As strategjish boshe. Kjo nuk është vetëm çështje e Nishanit. Mbi të gjitha, kjo është çështje politike. Dhe fajin për këtë e ka kjo qeveri dhe ato të mëparshmet.
Në mungesë të kësaj politike, pra, kur mungon vullneti i hekurt që ky vend të hiqet nga lista e zezë e Cannabis-rritjes, do të ishte më mirë që këtë aktivitet ta ligjërojmë. Mbase kjo do të ishte më fitimprurëse për shumëkënd në këtë “Republikë hashashi”, ku të gjithë drogohemi pak e nga pak prej saj!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora