E enjte, 18.04.2024, 10:34 AM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: A po vetëzhdukemi si komb?!

E marte, 06.01.2015, 09:00 PM


A PO VETËZHDUKEMI SI POPULL E SI KOMB SHQIPTAR?!

Nga populli më i madh në Ballkan, u bëmë populli më i vogël

Nga Adil FETAHU

Gjeografi i njohur Ami Bout, në analizën e tij për vendet dhe popujt e Ballkanit, thoshte se në gjysmën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë në Ballkan kishte më pak se 900 mijë serbë, kurse shqiptarë ishin mbi 1,6 milionë, të cilët shtriheshin në 180 mijë km/katrore hapësirë etnikisht të pastër shqiptare (Elena Kocaqi: “Planet për zhdukjen e shqiptarëve”, fq.174).

Shkrimtari e politikani Ben Blushi, në librin e tij “Hëna e Shqipërisë”, shkruan se në vitin 1800, popullsia  serbe në Ballkan kishte 180 mijë banorë, ajo greke 630 mijë, kurse shqiptarë ishin afro 700 mijë. Në vitin 1900 kishte 3 milionë serbë, 2,6 milionë grekë dhe mbi 1,5 milionë shqiptarë. Blushi parashikon se në vitin 2100, Shqipëria do të ketë një milion banorë më pak se që ka sot (fq.7-11). Parashikime aspak optimiste.

Gjatë një ndeje me shokët e mi të gjeneratës së ish-normalistëve të diplomuar në vitin 1961, disa prej të cilëve kanë punuar mbi 40 vjet në arsim, u bisedua me brengosje për rënien rapide të numrit të nxënësve të cilët regjistrohen në klasën e parë të shkollës fillore, që është tregues real i rënies së shtimit të popullsisë, dhe shprehëm habinë se si asnjë institucion shkencor a shtetëror, madje as mediat apo shoqëria civile nuk merren me analizën e shkaqeve dhe  masave që duhet të merren në politikën popullative për ndaljen e këtij trendi negativ.

Rënia e natalitetit në Kosovë e në Shqipëri

Është një keqkuptim i termit natalitet, madje edhe prej shumëkujt që nuk duhet ta keqkuptonte. Nataliteti ka lidhje të drejtpërdrejt me shtimin natyror të popullsisë, por ai vetvetiu nuk është shtimi. Nataliateti (fr.natalite – lindshmëri) tregon numrin e foshnjave të lindura gjallë në një shtet, krahinë, qytet, gjatë një periudhe të caktuar. Zakonisht llogariten lindjet që kanë ndodhur gjatë një viti, apo periudhe më të shkurtër apo më të gjatë, dhe krahasimet behën sa lindje (apo vdekje) kanë ndodhur në 1000 banorë (promila). Por, në shtimin e popullsisë  ndikon edhe mortaliteti (vdekshmëria), dhe vetëm kur nataliteti është më i madh se mortaliteti, ka shtim të popullsisë dhe ai shtim është për aq sa është norma e natalitetit më e lartë se ajo e mortalitetit. Sot në shumë vende të zhvilluara të Evropës, mortaliteti është më i lartë se nataliteti, prandaj ato vende nuk ka në shtim të popullsisë. Organizata “Human Life”, në raportin e vitit 2011, shkruante se në botë po vdesin 79 kombe, prej të cilave 35 në Evropë, dhe se vetëm Shqipëria dhe Malta kanë normën mbi nivelin e reproduksionit. Fakti se në Evropën e zhvilluar ka rënë nataliteti, e demanton teorinë e cila arsyeton se gjendja e varfër ekonomike po ndikon në rënien e natalitetit te ne, gjë që s’është aspak e vërtetë. Sepse, përkundrazi, është e ditur se mu në vendet më të pa zhvilluara e të varfra të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine, nataliteti është më i lartë. Mos e kishim gjendjen ekonomike më të mirë, kur te ne ishte nataliteti më i lartë? Dikush do thoshte, se është krijuar vetëdija e popullsisë, që planifikimin e familjes ta bëjnë në pajtim me kushtet ekonomike; të kenë sa më pak fëmijë që të mund t’i rrisin e shkollojnë me standarde sa më të larta. Mua kjo vetëdije më duket e çoroditur, derisa nga ana tjetër mungon vetëdija për rrezikun e vetëzhdukjes së kombit.

Për të vërtetuar problemin e rënies së shtimit të popullsisë në Kosovë e në Shqipëri, po analizojmë të dhënat e statistikave zyrtare të lindjeve e vdekjeve të dy vendeve. Rezultati është dëshprues. Ndonëse statistikës nuk mund t’i besohet krejtësisht, sepse ajo është vetëm “mbledhje e saktë e numrave (të dhënave) jo të sakta”, megjithatë çdo analizë e fenomeneve shoqërore bazohet në statistikë. Dhe, në qoftë se për numrin e lindjeve e të vdekjeve mund të shprehet dyshim në të dhënat e statistikës, për numrin e nxënësve të regjistruar në klasën e parë apo në klasat e tjera të arsimit bazë,  nuk duhet të dyshohet. Dhe ja se çfarë të dhëna na jep statistika për numrin e lindjeve e të vdekjeve dhe natalitetin në Kosovë e në Shqipëri, në periudhën 2002-2013.

K o s o v a

Vitet                Lindje              Vdekje             Shtimi

2002                36.136             5.654               30.482

2003                31.994             6.417               25.577

2004               35.063             6.399               28.664

2005                37.218             7.207               30.011

2006                34.187             7.479               26.708

2007                33.112              6.681               26.431

2008                34.399             6.852               27.547

2009                34.240                        7.030               27.210

2010                33.751             7.234               26.517

2011                34.262             7.556               26.706

2012                34.532             7.839               26.693

2013                29.459             7.681               21.768

Nga norma vjetore e shtimit natyror të popullsisë së Kosovës prej 30.482 që ishte në vitin 2002, ka rënë në 21.768 në vitin 2013, dmth. se norma e shtimit  është 1/3 më pak se para vetëm një dekade.  Në projeksionet dhjetëvjeçare të popullsisë së Kosovës që e ka botuar Agjensia e Statistikave të Kosovës, trendi i variantit të mesëm të atij projeksioni parasheh, se në vitin 2061, dmth pas një gjysmë shekulli, Kosova do të ketë 1.743.470 banorë, apo 36.543 banorë më pak se që i kishte sipas regjistrimit të popullsisë në mars të vitit 2011 (1.780.021, duke mos llogaritur edhe nja 40.000 banorë serbë nga veriu i Mitrovicës).

Sh q i p ë r i a

1990                82.125             18.193              63.932

1991                 77.361             17.743             59.618

1992                75.425             18.026             57.399

1993                67.730             17.920             49.810

1994                72.179             18.342             53.837

1995                72.081             18.060             54.021

1996                68.358             17.600             50.758

1997                61.739             18.237             43.502

1998                60.139             18.250             41.889

1999                57.948             16.720             41.228

2000               51.242             16.421             34.820

2001                53.205             19.013             34.192

2002                42.527             19.187              23.340

2003                45.313             21.294             24.019

2004               40.989             20.269             20.720

2005                38.898             20.430                        18.468

2006                35.891             20.852             15.039

2007                34.448                        20.886             13.562

2008                33.445             20.749             12.696

2009                34.114             20.428             13.686

2010                34.061             20.107             13.954

2011                34.285             20.012             14.273

2012                35.473             20.870             14.603

2013                35.750             20.442                        15.308

Siç shihet nga tabela, shtimi natyror i popullsisë së Shqipërisë, në vitin 2013 ka rënë për afro pesë herë  më i vogël në krahasim me vitin 1990 (63.932 : 15.308). A s’është kjo alarmuese?! Gjithsesi në rënien e shtimit të popullsisë ndikojnë shumë faktorë, jo vetëm natyrorë (lindjet, vdekjet, martesat), por edhe ata “mekanikë”, siç janë luftërat, emigrimi, shpërnguljet, asimilimi, etj, të cilat gjithmonë e kanë goditur në përmasa më të mëdha popullin shqiptar. Elena Kocaqi, në librin e përmendur, thotë se sikur të mos i kishin ndodhur këto tragjedia popullit shqiptar, me një shtim normal të popullsisë, sot do kishim 30 milionë shqiptarë në Ballkan.

Në natalitetin ndikojnë edhe numri dhe mosha e të martuarve, që kohëve të fundit për shkaqe të ndryshme po shkon në tendencë negative: gjithnjë e më pak martesa dhe më të vonshme, ndërsa martesat e mëvonshme janë më pak produktive. Ja tabela e numrit të kurorëzimeve e shkurorëzimeve në Kosovë në periudhën 2004-2013:

V i t i   Kurorëzime     Shkurorëzime

2004   16.2989           1293

2005    15.732             1445

2006    15.825             1.480

2007    16.824             1.558

2008    17.950             1.026

2009    20.209             1.555

2010    18.289             1.453

2011    17.343             1.469

2012    18.174             1.328

2013    15.436             1.040

Gjithnjë e më pak nxënës në klasën e parë të shkollës fillore

Një indikator tjetër i rënies së shtimit të popullsisë në Kosovë dhe në Shqipëri, është numri gjithnjë më i vogël i nxënësve të regjistruar në klasën e parë të arsimit bazë, shkollës fillore. Nënkuptohet se në rënien e numrit të nxënësve në përgjithësi po ndikon edhe emigrimi i popullatës, por gjithashtu po ndikon edhe nataliteti (numri i lindjeve). Kështu, në Kosovë në vitin shkollor 2006/2007, në klasën e parë të shkollës fillore ishin të regjistruar 38.187 nxënës; në vitin 2011/2012 ishin 28.481, e në vitin 2012/2013 ishin regjistruar 28.285 nxënës. Kjo tendencë vazhdohet edhe në klasat e larta. Për shembull, në klasën e nëntë (IX) në vitin shkollor 2008/2009 ishin regjistruar 40.271 nxënës; në vitin shkollor 2009/2010  ishin 35.400; në vitin shkollor 2010/2011 ishin 34.935; në vitin 2011/2012 ishin 34.379, dhe në vitin 2012/2013 ishin 33.684 nxënës.

Kjo rënie e numrit të nxënësve në arsimin bazë në Shqipëri është edhe më e madhe. Ja të dhënat nga publikimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të RSh, për numrin e nxënësve të regjistruar në klasën e parë në serinë kohore 2004-2012:

Viti shkollor    Numri i nxënësve

2004/5                        54.542

2005/6                        50.571

2006/7                        49.743

2007/8                        48.331

2008/9                        39.466

2009/10          42.043

2010/11           39.360

2011/12           38.425

Absurdi: “Ekspansioni demografik” dhe rënia e shtimit të popullsisë

Të dhënat e më sipërme jo vetëm se i demantojnë teoritë raciste të demografëve, sociologëve, shkencëtarëve e politikanëve serbë e maqedonas për natalitetin e lartë dhe ekspansionin demografik të shqiptarëve (në Kosovë, në Maqedoni e gjetiu), por janë e kundërta e atyre teorive, dhe janë për analiza të mirëfillta shkencore dhe për projeksionet e politikës popullative të institucioneve kompetente shkencore e shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë.

Derisa fqinjët tanë në të gjitha institucionet e shtetit, kishës, mediave e shoqërisë civile, alarmojnë për rënien e natalitetit (“mortajen e bardhë”, siç e quajnë ata), dhe nevojën e shtimit të popullsisë së tyre, propozojnë dhe zbatojnë masa e forma të ndryshme të stimulimit për natalitet më të lartë, ne sillemi me një komoditet të paarsyeshëm për këtë fenomen brengosës, madje në mënyrë të tërthortë destimulohet nataliteti: kufizimi i pushimit të nënave, rrezikimi i vendit të punës, mosstimulimi i lindjeve, nuk ka shtesa fëminore as ndihma tjera për fëmijët dhe nënat, nuk ka kapacitete të nevojshme në qerdhet e fëmijëve, çmimet e shtrenjta në to etj.etj. Sektori privat i ekonomisë nuk dëshiron të punësojë femra, për shkak të pushimeve të lehonisë dhe amësisë. Por, nga ana tjetër, në rininë tonë është bërë modë të kenë sa më pak fëmijë, të kenë sa më pak obligime e sa më shumë komoditet për jetën dhe avancimin e vet. Këtë e argumenton fakti, se ato bashkëshortët që kanë gjendjen më të mirë material, kanë një, dy ose asnjë fëmijë.  Sipas të dhënave statistikore, derisa në vitin 1960 në Shqipëri kishte mesatarisht 5 fëmijë për një nënë, në vitin 2005 mesatarisht kishte 1,6 fëmijë për një nënë. Kështu është edhe në Kosovë. Fatkeqësisht!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora