E shtune, 20.04.2024, 12:22 PM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Le ta mbjellim farën e mirë

E hene, 05.01.2015, 09:04 PM


Le ta mbjellim farën e mirë

“Shpirti ynë është plot nostalgji për diçka më të lartë dhe më të ndritur.” - J. W. Goethe

Nga Ndue Ukaj

I.

Pesha e fjalës, ushtron një pushtet te vazhdueshëm dhe të pamatshëm në shoqëri. Fjala, pa dyshim, është forca më e madhe e njerëzimit, nëpërmjet së cilës, krijohen të gjitha marrëdhëniet tona me botën: të mirat dhe të këqijat. Filozofi M. Hajdegeri, thotë se gjuha është shtëpia e qenies. Duke krijuar, shkruar dhe shfaqur mendimet për njeriun, shoqërinë, realitetin dhe të vërtetën, në krijojmë të vërteta të reja. Fjalët janë veshja jonë, identiteti njerëzor. Andaj kërkohet përgjegjësi- jo çfarëdo përgjegjësi-por e nivelit të lart, sepse me fjalë mund të përhapim helmin e gjuhës, dhe po ashtu, me fjalë mund të injektojmë shoqërinë me të mirën dhe të dobishmen.  Përballë universit, me shumë të panjohura, qenia jone, e kërkon kuptimin vetëm me fjalë. Është fjala, kjo vatër ku banon qenia jonë dhe na ndihmon të notojmë nëpër të kaluarën dhe të projektojmë të ardhmen. Po ashtu, e tashmja ku jetojmë, merr kuptim vetëm nëpërmjet fjalës.  Paradigma e njohur biblike ”në fillim ishte fjala” dhe pastaj vepra, është një formulë magjike, mbi të cilën ngrihet qytetërimi i përgjegjësisë ndaj fjalës.

II.

Pushtetin dhe peshën e fjalës, mund ta shpjegojmë edhe nëpërmjet shprehjes popullore: “Çka të mbjellësh, korrë.”

Meqë prapa nesh lamë një vit të zymtë dhe para nesh po ashtu është një vit me shumë të panjohura, metafora e të korrave sigurisht mund të na hyjë në punë për të bërë një përsiatje rreth vitit që e lamë pas, dhe më shumë, atij që na pret.

Pa asnjë ekzagjerim, viti që e lamë pas, ishte viti më i rëndë në Kosovën e pas luftës. Mirëpo, përtej këtij konstatimi të klishetizuar, shtrohet pyetja tjetër, në fund të tunelit, a mund të ketë shkëndija shprese? Për ma tepër, a mund të presim të korra tjera në fund të vitit, kur do të bëjmë bilancin tjetër? Kjo sigurisht varet nga ajo çka mbjellim dhe çfarë lejojmë të mbillet para syve tanë dhe në tokën tonë.

Me ngulm, duhet të përpiqemi ta mbjellim farën e mirë, në mënyrë që të llogarisim në të korra të begatshme.

Deri me tani, s’kemi treguar ndonjë kujdes ndaj fjalës dhe pushtetit të saj. Kemi lejuar të mbjellim helm, për këtë arsye të korrat i kemi pasur të liga, shpeshherë plot helm.

Është fakt i mirënjohur, shoqëria bëhet nga fjala, e cila, sipas përvojës njerëzore, rezulton të ishte mu në fillim, sepse nga ajo u bë çdo gjë, e pa të s’u bë asgjë.

Vitin që sapo lamë pas, “korrëm” frytet e gjuhës helmuese, që përfshiu furishëm jetën tonë; diskursin publik e politik, epidemia e së cilës u shpërnda rrufeshëm e furishëm në sferat e religjionit, dijes, e kudo tjetër.

Vitin e kaluar, qytetarët e Kosovës, përjetuan peshën e helmit të gjuhës; përgjatë një kalvar të rëndë politik, pisllëku i së cilit, bëri që ata ta prekin zhgënjimin, si kurrë më parë. Për pasojë, turma njerëzish ia mësynë perëndimit, një tokë tjetër të premtuar, duke kërkuar të iknin nga atdheu i tyre i pashpresë, që i kishte katandisur në zhgënjim dhe depresion.

Ky s’ishte ferri dantian, por një ferr në tokën e Kosovës, të topitur e pashpresa, ku kundërmonte pisllëku i një politike pa vizione, pa nder e moral, dhe ku parimet ishin bërë lecka për ta fshirë prapanicën.

Në fakt, panorama është shumë ma e zymtë se ç’mund ta përshkruaj një tekst si ky.

Ishte vit i mbrapsht apo i humbur për Kosovën, tanimë kjo çështje mbetet pjesë e diskursit të së shkuarës. E një gjë është shumë e sigurt: pasojat e këtij viti, do t’i mbartim gjatë mbi supet tona të njoma.

Mirëpo, për qytetarët e këtij vendi, më e rëndësishme se e djeshmja, sigurisht është ajo që na pret: e nesërmja.

Ndaj, përpara kemi një vit tjetër dhe mu për këtë arsye, duhet ta mbjellim farën e mirë, që të presim të korra të mira; t’i fashitim polarizimet dhe ta gjejmë koncensuesin e domosdoshëm për ta qartësuar brenda nesh idenë: çfarë shteti duam të ndërtojmë, dhe mbi çfarë baze e parimesh morale duam ta ndërtojmë të ardhmen e vendit tonë? Për këtë, lypset të shikojmë lart, të shtegtojmë në të kaluarën dhe të marrim nektarin e saj; të lartësohemi, siç na porositi vitin e kaluar Papa Françesku gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri.  Dhe assesi të përulemi.

Ka shumë mënyra për t’i ndihmuar vendit, por një nga ma të e mirat, sipas meje, është të shtohet kujdesi për fjalën, ngase pesha e saj është e pamatshme. Ndaj, kujdesi ndaj fjalës, mundëson reduktimin e helmit të gjuhës dhe krijon antitrupa të nevojshëm për imunitet kombëtar e shtetëror. Kujdesi ndaj fjalës, ndihmon formimin e kohezionit shoqëror; kujdesi ndaj fjalës prodhon ligjërimi human, që është forcë drejtpeshuese e një vendi, që ndihmon në fashitjen ekstremeve dhe polarizimeve. Për më tepër, kujdesi ndaj falës, e çarmatosë shoqërinë nga e keqja.

Në këtë sens, maksima e njohur, nga fjalët te veprat, duhet t’na shërbej po ashtu si mësim e pikënisje për një qasje të re; sepse fjala dhe gjuha helmuese, sjellin vepra që e helmojnë shoqërinë; sjellin mosbesim, pasiguri, moszhvillim, dhunë dhe mosdurim.

Viti i kaluar u karakterizua nga një gjuhë e pështirë, urryese, helmuese, përjashtuese, të shtrirë në politikë, media, muzikë, në domenin e religjionit, e kudo tjetër. Për pasojë, besimi i qytetarëve për një të ardhmen ma të mirë të vendit të tyre, u fashit dhe ra në pikën kritike.

Dihet, në këtë amulli, shumë vështirë vijnë në shprehje idetë e shëndosha, (edhe pse ato ndër ne janë shumë të pakta), të tilla që priren nga e mira, drejtësia dhe përparimi. Më së paku dëgjohen intelektualët, sepse në sipërfaqe dalin ata që e mundojnë gurmazin e jo mendjen.

Deri me tani, përballë kësaj dukurie, pra helmit të gjuhës, shoqëria jonë e plogështuar, inteligjencia e molepsur, politika e djallëzuar, mediat e kontrolluara, qëndruan shumë indiferente. Edhe ma keq, me këtë gjuhë, një pjesë e shoqërisë u mësua dhe bashkëjetoi tinëzisht.

III.

Gjuha dhe ligjërimi publik i përdorur vitin e fundit në Kosovë, ka ndikuar që shoqëria jonë të armatoset me helmin e gjuhës, si kurrë më parë.

Tash, nëse e aspirojmë një të ardhme si krejt Europa e qytetëruar, e cila beson në fjalën, duhet ta forcojmë qytetarinë me diskursin human dhe gjuhën e mirëbërsisë. Ai duhet promovohet në shkolla, media dhe kudo tjetër.

Mes një viti të mbrapsht që e lamë dhe një viti të panjohur që na pret, duhet ta hedhim shikim përpara. Kurimi i plagëve është i rëndë, por i mundur. Më shumë se çdo gjë, lypset ta rikthejmë besimin e humbur në njerëzit tanë, në të ardhmen dhe në shtetin tonë.

Qytetarët e Kosovës, pa kompromis, duhet ta luftojnë të keqen, ta mposhtin dhe ta flakin atë. Gjer me tani, e keqja, me vetëdije apo pa të, është mbuluar apo ka banuar mes nesh. Tani është koha për një kamp kundër saj. Vetëm kështu krijohet toka e pëlleshme për të mbjell farën e mirë, prej se cilës mund të priten frute të mira, të korra të begatshme, për çka qytetarët tanë gjakojnë tash e sa kohë.

Faik Konica, shqiptari i iluminua, në novelën Dr. Gjilpëra shkruante: "Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, por me ferra; ai që arrin në kulm, arrin i grisur, i përgjakur, i djersitur e i lodhur."

Qytetarët e Kosovës ishin ata që vitin e kaluar, sakrifikuan shumë. Ata u grisën, u përgjakën, ndaj duhet ta presin lirinë, që t’i shijojnë frytet e saj në plotëni.

Ata duhet ta imponojnë kristalizimin e një ide tjetër për vitin që sapo hyjmë: të mësojmë nga gabimet e së kaluarës,  ta forcojmë humanizmin dhe të përpiqemi gjithsecili për të mirën, drejtësinë dhe lirinë, këto postulate të panegociueshme, prej të cilave varen mirëqenia dhe kultura e të mirave të përbashkëta.

Gjuha e urrejtës, përbaltjes- përbuzja ndaj së kaluarës, tallje me heronjtë tanë, përbuzja e historisë kombëtare, në favor të pushtuesve të dikurshëm osman, linçimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe, yryshi në lufta absurde nëpër vende tjetra, assesi s’duhet të banoj në Kosovë.

Le ta mbjellim farën e mirë, nëpërmjet gjuhës, prej së cilës varet çdo gjë. Këtë nëse s’e bëjmë tash dhe menjëherë, në vjeshtën e ardhshme, kur duhet të korrim, sërish do t’i shohim pamjet e shqiptarëve që ja mësyjnë tokës së premtuar, larg Kosovës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora