E premte, 19.04.2024, 03:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Frika e shprehjes së revoltës

E diele, 04.01.2015, 07:11 PM


Frika e shprehjes së revoltës

Nga Dr. Ilir Muharremi

Arti sot në Kosovë është revoltë, revoltë metafizike, për arsye se njeriu mohon qëllimet dhe krijimet e veta. Artistët janë shndërruar në skllav. “Skllavi proteston kundër fatit që i është caktuar përbrenda gjendjes së tij” thotë Kamy. Artisti i  revoltuar ngjan me skllavin proteston kundër fatit njeri, kjo është papajtueshmëria e parë. Këta artistë janë skllav “rebel” dhe nuk e shprehin mënyrën e trajtuarit nga shoqëria dhe shtetit, dhe në një mënyrë të vërtetë refuzimi ndodh kundër fatit. Revolta e artistëve kosovar shuhet në heshtje, rebelimi është peng i frikës ndaj padrejtësive, andaj arti strehohet në estetikën dhe të pëlqyerit të zotit të vet, nënshtruesit – artistit. Nëse revolta shkrihet në art, padrejtësitë që i bëhen popullit mohohen jo si qenie drejtë shtypësit, por zotërimit të padrejtë të tij. Njerëzit rrallë herë referohen vlerave të përbashkëta, andaj sipas Kamysë janë të pakuptueshëm. Artisti i revoltuar tenton që vlera brenda tij të pranohet, sepse krimi, padrejtësia shkatërrimi do të valëviten në botë. Derisa te artisti i revoltuar shpërfaqet kërkesa për drejtësi dhe unitet, te artistët kosovar ngec rebelimi, shtohet  frika, përshtatshmëria ndaj padrejtësive flenë në shtratin unik. Nëpër kafe llomotitin kundër padrejtësive dhe peshojnë drejtësinë, por publikisht dhe ne vepër arti mjegulla zapton kërkesën për drejtësi. Te revolta gjendet parimi i drejtësisë, dhe artisti i revoltuar këtë ia kundërvë padrejtësisë që e sheh. Përse tek ne ekziston frika e shprehjes së drejtësisë në vepër? Arti heq pluhurin e shtetit, ndërsa tek ne shton pluhurin apo është i lumtur me këtë pluhur. Frika është ngulitë me shekuj, jeton nën shumimin dhe trashëgimin gjenetike të individit, i cili përshtatet me padrejtësinë. Gjithnjë artistët tonë janë krijuar me besimin e thellë ndaj të zotit dhe nëse rastësisht njëri distancohet në shenjë revolte për të rregulluar drejtësinë, atëherë si në mesjetë, shpallet heretikë, digjen veprat e tij, shpartallohet nga kolektivi si fuqi kundër individët. Individët në këtë rast u shpikën vetëm për të bërë gjëra. Individi i revoltuar mbante nën hije pushtetin zotëruesit dhe propozonte pushtetin e vet si diçka superlative të dominuar. Opozita e artistit mbretëron në të përkohshmen me qëllim të integrimit të drejtësisë. Nëse gjithçka shkon mirë dhe ka drejtësi, prapë artisti kërkon padrejtësinë. Ai jeton me dy forca: padrejtësinë dhe drejtësinë. Vetëm se arti arsyetohet me të bukurën absolute e cila fuqizon revoltën. Arsyeja përse artin në Kosovë e quaj revoltë metafizike është se i revoltuari nuk e mohon të padrejtin por tenton të flet me të si me të barabartin, dhe ky dialog nuk është mirësjellje, por polemikë me dëshirën e sfidimit. Artisti integron drejtësinë dhe arti mbaron duke kërkuar pushtimin. Herë do kur  t’i vije radha, e natyrshme është të dominojë. E dyta pse e quaj metafizik është se ky i revoltuar sëpari duhet ta shpronësojë hyjnoren, pastaj me duart e veta ta kontrolloj jetën dhe vetvetiu pengesa nga padrejtësitë do të kërkoj pozicionimin. Në një farë mënyre arti sfidon, mohon dhe rregullon. Forca e kryengritjes në thelb ka tërheqjen e përbashkët njerëzore – të bukurën. Revolta e artistit nuk është egoiste, ndoshta tek përcaktimi strehohet egoizmi, aq shumë revoltohemi kundër gënjeshtrës njëjtë sikurse shtypjes që na bëhet. Një artist i revoltuar, kur del haptas në media, nuk mbron asgjë sepse gjithçka fut në lojë, nuk i mungon respekti ndaj vetvetes.

Në shtetin tonë artisti është miratues i padrejtësive nga frika ekzistenciale mbijetuese, ai është viktimë, por edhe tërheq mbrapa drejtësinë. Në botë arti gjithnjë ishte dhe është revolucionar, njëherë niset nga vetja, pastaj korrigjon globalizmin. Nëse një shkrimtar shkruan për globalizmin mohon vendin e vet, atëherë si do ta kuptoj të vërtetën jashtë tij. Njëherë i referohemi gjendjes tonë, pastaj revoltohemi kolektivisht.

Artistët apo shkencëtarët duhet të vdesin për shkak argumenteve ontologjike. Galileu provoj revoltën, por e mohoi me shumë lehtësi sapo iu vu jeta në rrezik. “Në një farë kuptimi ai bëri mirë” thotë Kamy. Humbja e jetës për një të vërtetë pa interes, është e kotë. Toka apo dielli rrotullohet rreth njëri-tjetrit. Por, edhe më kot do të ishte ta linte të pashpjegueshme të vërtetën.

Nëse analizojmë Pikason qëllimet e tija nuk qenë politike. Kjo ishte vetëm përpara bombardimeve. Më pas ai duket të ketë ndërruar mendje. Vetë figurat e shpërfytyruara të mëdha të Guernikës nxitnin fuqishëm ndikim. Revolta këtu përjashton estetikën dhe arti nuk është vetëm ndijim por kryengritje. Nëpër botë artistët përdornin dhe përdorin artin për të sulmuar qeveritë dhe për të demaskuar problemet sociale, ndonjëherë me shumë sukses sa veprat e tyre janë ndaluar. Në vitet 20 disa artistë gjermanë, filluan të bëjnë vepra që kritikonin me forcë vendin e tyre. Satira të cilën e bënte artisti Groszi, nxjerrte në pah ligësinë e këtij vendi. Nëse flasin për artistët kosovar asnjëherë nuk patën guxim të sulmojnë padrejtësinë, ndoshta për shkak se revoltohen në heshtje. Këtë e bëjnë vetëm disa aktivistë politikë që përdorin artin për ekzagjerim dhe luftim të problemit. Artistët të cilët kanë për detyrë të futen në shtet: ekonomi, politikë, drejtësi, mjekësi, nuk i vërejnë, apo ndoshta i vërejnë, por ju mungon forca e guximit. Në Kosovë dy fenomene janë reale: papunësia dhe korrupsioni. Artistët nuk depërtojnë këtu. Arti ynë nuk është revolucionar dhe do duhet të vdiste. Artistët duhet të dinë të krijojnë, por nuk mund të vrasin. Pushtuesit përpiqen që tërë botën ta vënë nën ligjin e tyre, atëherë kjo botë është ferr. Në këtë ferr koincidenca artistike me atë të revoltës do të bashkëjetojë me verbëri , zbrazëtirë dhe dëshpërim.

Piktura e artistit Francisko Goya “Ekzekutimi” (1814-15) tregon trupat franceze duke pushkatuar civilët spanjollë të paarmatosur. Piktura ishte porosi e mbretit të Spanjës dhe përkujton ngjarje të vërtetë që ka ndodhur në luftën mes Francës dhe Spanjës në vitet 1808-14. Qëllimi i pikturës është të na tronditë dhe të na bëjë ta dënojmë pushkatimin. Ajo simbolizon tmerret e çdo lufte. Ndryshe nga Davidi, ku  lufta dhe sakrifica janë fisnike dhe heroike, Goya nuk heziton të na japë realitetin e hidhur të vrasjeve. Në përgjithësi dëshirohet humanitet dhe revoltë përmes penelit dhe ngjyrës, vetëm se e vërteta tejkalon. Nëse analizojnë padrejtësitë që i bëhen një individi në Kosovë, qoftë në vend pune, konkurse, shfrytëzim për nevoja personale, dhe mënjanim të menjëhershëm, ekspozeja i tejkalon kufijtë e normales, dhe ata e dinë, secili e vëren, frikësohen ta shtjellojnë në vepër arti, sepse vetëm arti me revoltën mund të drejtojë rrugë të shtrembra. Po analizojmë gjatë studimeve ku individi ende nuk është i pjekur plotësisht. Në mesin e turmës, fuqia e të shprehurit dhe mendimit personal, gjykohet nga i zoti, i cili domosdo imponon botën e tij si të përbashkët. Kjo botë e tija është e kufizuar dhe e varur nga edhe një zotë tjetër. Nëse i riu vëren , atëherë në vete reagon, por reagimi reduktohet në vetvete nëse nuk kalon në revoltë. Edhe historia e sotme na mëson dhe na shtyn të themi se revolta është dimension esencial i njeriut. Në këtë rast kemi individë të reduktuar të tmerruar nga i zoti. Atëherë, heshtja na mëson të besojmë se nuk gjykohet as nuk dëshirohet asgjë, por dëshpërimi gjykon dhe dëshiron gjithçka në përgjithësi. Dëshpërimi i tepërt me padrejtësinë që i bëhet individit, nxjerr nga ai revoltën dhe pas studimeve, ky artist heshturazi, fshehurazi reagon me telajo, me libër, vetëm se i referohet simbolit, metaforës dhe mjegullës në përgjithësi. Forca krijuese është hendikep i frikës së komunizmit aktiv ndaj pushtuesit. Arti është i lirë plot guxim dhe nuk bënë prapakthim, dhe e vërejmë te piktura e Goyas llambën tek këmbët e ushtarëve. Ai përdorë dritën për ta fokusuar vëmendjen tek fytyrat e tmerruara të viktimave, tek linjat e ashpra të pushkëve të ushtarëve dhe pellgu i gjakut në tokë. Arti ekzagjeron, dhe sipas Flaubert-i ekzagjerimi duhet të jetë konstant, proporcional me vetveten dhe nuk mjegullon, ndjenja e frikës përhumbet në realen, drita është më e fortë, me qëllim të vëmendjes më të thellë.

Nëse shteti është i ftohtë dhe zvarrit thënien “Jam shteti dhe populli’, e na del e kundërta “Jam i padrejti përfituesi mbi barrën e popullit”, artisti menjëherë shpreh revoltën mbi atë se ku ekziston populli pak kuptohet shteti sepse nuk e duron shkeljen, dhunimin e zakoneve dhe padrejtësinë. Këtu robi-artisti duhet të ngre zërin për të gjitha ekzistenca sepse diçka që mohohet te ai nuk i takon vetëm atij, por është vend i përbashkët edhe për shtypësin, poshtëruesin, të drejtin, është hapësirë solidare për të gjithë. Arti dhe revolta nuk kanë përcaktime egoiste, por janë në shërbim të vetes dhe popullit. Revolta prodhon universin me kërkesë estetike. A është arti i shekullit XXI revolucionar? Ky revolucion beson në një botë të re, realisht jeton me të vjetrën.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora