E enjte, 18.04.2024, 12:16 PM (GMT+1)

Faleminderit

Artur Vrekaj: Noli - kryeshenjtor i gjallë

E diele, 04.01.2015, 06:39 PM


NOLI - KRYESHENJTOR I GJALLË I SHQIPTARISË NË TË DY BOTËT

Nga Artur Vrekaj

2015-a është viti i njëqind e tridhjetë e tretë i lindjes që nga 6 Janar 1882 dhe i pesëdhjeti i përkujtimit të nderit të kombit Shqiptar Fan Noli, që nga 13 Mars 1965.

Lypset të mirëorganizohemi, të përzgjojmë ndërgjegjen kombëtare, se zëri i Nolit është përthirrës, që të ruajmë sot më shumë se kurrë me dinjitet kombëtarinë dhe të folurit Shqip në kultet e shenjta Shqiptare, që qartazi sot përbaltohen nga Janullatos, fronzëni i KOASH dhe priftërinjtë Grekë në Tiranë dhe në kultet fetare të Shqipërisë Jugore.

U bënë 23 vjet që është cënuar pavarësimi i Kishës Ortodokse Shqiptare nga Janullatos duke e vënë edhe në shërbim të ministrisë së Jashtme Greke apo edhe të segmentëve politikë të Athinës dhe Tiranës apo edhe të deputetëve që janë pro Janullatos në Tiranë. Janullatos u soll në Tiranë nga Athina në bashkëpunim me Tiranën dhe pastaj u pajtuan dhe u rehatuan me të, të gjithë këta Shqiptarët tanë me statusin e shtetarit dhe përfaqësuesit të popullit në Kuvënd dhe institucione  në Tiranë përmbi dy dekada.

Janë me dhjetëra incidentet që ka shkaktuar rrjeta Janullatos në Shqipërinë e Jugut bashkë me Agimartët e Athinës dhe vendorët- vegla të qarkut të Gjirokastrës, por vepra e Nolit është rrufe në qiell të pastër për ta, se Noli u bë kryepeshkop për të mbretëruar Shqiptaria! Këtë Shqiptari, që bën sikur nuk e kupton as pas 23 vjetësh koloneli Janullatos.

Priftërinjtë e Ortdoksisë Shqiptare në periudhën e Rilindjes dhe të Pavarësisë së Shqipërisë ishin nga më mëndjendriturit në Europë dhe Amerikë, të fjalës, penës dhe pushkës, që shkëputën nga thonjtë e Kishës Greke Shqiptarët me arsyen madhore që Zoti të përcillej Shqip, të këndohej Shqip ndër Shqiptarë, se fara jonë kombëtare është e vetmja farë shpëtimtare e origjinës Pellazge.

Ndaj Noli, kryepeshkopi i pavarësimit të Kishës Ortodokse Shqiptare ka përmasat e kryeshenjtorit fetar dhe kombëtar.

Shqipëria me Nolin bashkon dy botët, të vjetrën - Europën dhe të renë - Amerikën me Zot e shpresë, që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë para ligjit dhe zotit dhe të hiqet dorë përfundimisht nga sundimi i shërbëtorëve të huaj në tokën Shqiptare qoftë edhe me veladon të zi e mjekërr të bardhë, që helmojnë kombëtarinë Shqiptare kudoqofshin të maskuar me librat e fesë.

Më shumë nga populli Shqiptar, që më 1992, kur bëri ceremoninë Janullatos ka kundërshtime të hapura për largimin e tij nga Shqipëria edhe nga akademikë dhe gazetarë apo dhe veprimtarë të mërgatës në Amerikës, që e shohin si plagë të ringjallur të kombit tonë që nga koha e Kozma Etolit.

Unë  e pyes Janullatos sa herë e ka dëgjuar në ëndërr këngën "Për mëmëdhenë", që ja kënduan në ceremoninë vetshpallëse më 1992 në Tiranë ?

Do të ishte në nderin e zotit që ta kuptosh qirie Janullatos, se ka përfunduar koha  e helmit Helenistik ndër Shqiptarë.

Ngjarjet në kishën e Himarës me Agimartët dhe të Durrësit me shërbëtorët tuaj ku ju heshtët e u fshehët, se nuk doni që të respektohet e nderohet Noli me statujë në Durrës, sepse e kini afër dhe ju trëmb Noli që mbërriti në Shqipëri në një kohë kur ushtria Greke kishte zaptuar Shqipërinë dhe e digjte  e therte Shqiptarët për vdekje!

Noli ka tundur Athinën që nga Vjena, nga Londra, nga Boston për mëmëdheun e tij! Kurse ju tundni Dulet e Bollanot dhe ndonjë deputet me gjak Shqiptari edhe si Çami Papulias në Athinë që ende kujdeset për ju në Tiranë kur vrapon tju urojë ditëlindjet e plakura. Por dhe kjo mënxyrë e ka një fund! Ju mundoheni të na tregoni mirësitë Tuaja, por tradhëtitë janë sheshit!

Çfarë zoti predikon ti, o Janullatos, kur ke varrosur eshtra Shqiptare të Kosinës për Greke në Këlcyrë, në ato varre pushtuesish Grekë që kujdesesh ende zotrote  ?

Çfarë zoti predikon ti, o Janullatos që të trëmb në gjumë emri i Petro Nini Luarasit dhe i At Stath Melanit, që nuk guxon ti përmëndësh këta e të tjerë martirë të Ortodoksisë dhe kombëtarisë që ishin ajka e Shqiptarisë në Amerikë dhe në Shqipëri?

Ja pra, Janullatos, del zbuluar në Shqipëri edhe me modelet e ndërtimit të Kishave Greke në Shqipëri në Korçë dhe Tiranë dhe me qeshjet ironike për gjuhën Greke që përdor në meshat e të dielave dhe meshat zyrtare. Nuk po zë në gojë që Serbët të hëngrën në besë se tundën flamurin Serb në kishën me model Grek të të bënin qejfin se janë në krahun tënd!

A nuk më thua Janullatos përse nuk vajte një herë në kishën e AjoDhimës në Hormovë të vijë një lule të paktën për 217 martirët që therën e kryqëzuan legjionarët Grekë gjer sa dhe Krishti shqeu sytë më 1914-ën?

Nuk po të them në pusin e Peshtanit apo në kishën e Kosinës! Apo edhe në Delvinë ! Je i pavënd në Shqipëri o Janullatos dhe pse dukesh me shumë mënd, por nuk je për në Shqipëri.Nuk jemi Afrikë, ne jo ! Dhe kulmi i durimit të durimit e ka një fund!

Duam që largimi yt, Janullatos të ndodhë paqësisht dhe që të mos kesh merak për kujdesin e Varrezave Greke në Shqipëri puno që sot me Dulen e Bollanon e Çamin Papulias se u plakët dhe ti shpërngulni me dinjitet, duke i vënë shkelmin marrëveshjes tradhëtare Athinë-Tiranë edhe për këtë veprim antikombëtar e kundër sovranitetit të Shqipërisë.

Unë dhe miliona Shqiptarë jemi të bindur se Noli po të ishte gjallë kurrë nuk do të lejonte tradhëti të tilla! Turp kombëtar që ka mbetur edhe në historinë e kishës Ortodokse Shqiptare kjo përkujdesje për varrezat e pushtuesve Grekë në Shqipëri. Por njerëzit nuk janë të përjetshëm në detyra, qofshin edhe priftërinj të huaj në Shqipëri.

Të përjetshëm janë heronjtë e kombit tonë që mbijetoi edhe nga helmi helenistik, janë njerëzit e zotit, që u bënë martirë për Shqipërinë nga vrasjet, helmimet dhe tehrjet e paguara nga  Kisha Greke, se e luftuan ballë për ballë copëtimin e Shqipërisë së Jugut ku fuste hundët Kisha Greke me helmin e Helenizmit dhe tradhëtinë e fuqive Europiane.

Ja përse Noli është kaq i mirëseardhur për kombin tonë, për Çështjen Shqiptare, për qëndresën e pashoqe në shërbim të Shqipërisë me zot që flet Shqip :

Fan Noli u lind për mëmëdhenë e të parëve të tij - Shqipërinë Natyrale. Që në moshë të re ai ra në kontakt me mëmëdhetarë që punonin për Shqipërinë dhe Shqiptarët e të katër vilajeteve nën sundimin Turk.

Ardhja e Nolit në Amerikë me pasaportën e Petro Nini Luarasit ishte një nga fatet më të mëdha të kombit, të çështjes Shqiptare në Ballkan dhe të kolonisë Shqiptare në Amerikë. Noli do të ushqehej edhe më shumë me Shqiptari nga patrioti e mësuesi i Gjuhës Shqipe Petro Nini Luarasi, që themeloi shoqërinë e parë patriotike Malli i Mëmëdheut në New York më 1905 dhe u bë pjesë e saj më 1906 kur edhe erdhi. Pas kësaj kemi shoqërinë tjetër patriotike në Boston, Besa-Besën të themeluar nga Noli më 1907.

Ngjarja më kulmore, që unë vërtet e shoh si pikë kthese në zgjimin përfundimtar të ndjenjës së pavarësimit kombëtarisht të besimtarëve Ortodoksë Shqiptarë nga Kisha Greke në Amerikë dhe të rritjes së nevojës për përbashkim të të gjithë Shqiptarëve të kolonisë në shtetin e Massachusetts është refuzimi më 1907 nga kisha Greke e Worcester, Massachusetts e ceremonisë së varrimit së djaloshit Shqiptar Kristaq Dishnica, sepse ky anonte nga Shqiptaria.

Kjo ngjarje shërbeu edhe si një shkëndijë organizimi për nevojën e themelimit të një shoqërie kishtare Shqiptare ku në krye të saj midis Ninit dhe Nolit Shqiptarët zgjodhën Nolin.

Në Mars 1908 bashkë me Sotir Pecin dhe Spiridon Ilon, Noli do të merrte rrugën e dorëzimit prift në New York, por duket qartë se misionari i Shqiptarëve të Amerikës fe të parë kishte Shqiptarinë edhe për arsyen se ai kishte pranë ndihmën e pakursyer edhe të patriotëve të shoqërisë Bashkimi të Bukureshtit.

Noli shërbeu edhe si mësues i Gjuhës së folur Shqipe për dekada të tëra po të kemi parasysh se librat fetarë që përktheu në gjuhën Shqipe ua lexonte e përkëndonte besimtarëve Shqiptarë edhe pse ata nuk lexonin në masë apo edhe të shkruanin Gjuhën Shqipe. Pra, ai bërë një punë të dyanshme edhe fetare, edhe kombëtare duke e kthyer kishën e shën Gjergjit në Boston në selinë qëndrore të Shqiptarisë me zot.

Shteti i Massachusetts në SHBA, që me daljen e gazetës KOMBI, themelimin e shoqërisë patriotike Besa-Besën dhe të themelimit të kishës Shqiptare në Boston, botimit të gazetës Dielli, e më pastaj të çeljes së kishës në Worcester u kthye në shtetin ku Shqiptarët u bënë të vetëdijshëm se duke qënë të organizuar e të bashkuar me shoqëri patriotike dhe kisha Shqiptare do të jenë më të integruar së bashku, por dhe një bazë e shëndoshë për të ndihmuar veprimtarinë për Çështjen Shqiptare.

Dhe pa dyshim Noli është bashkëudhëheqës i gjithë këtyre organizimeve strukturore e veprimtarive fetare e patriotike në koloninë Shqiptare. Në këto vite të para të organizimit pas 1908-ës burrat Shqiptarë të Massachusetts me Nolin në krye në gjithë vijën Boston, Natick, Framingham, Worcester, Southbridge dhe Springfield hapën kisha dhe shkolla shqipe dhe filloi kështu një erë e re e përcjelljes në Shqip të ceremonive fetare, por edhe kthimin e tyre në qëndra të gjalla të veprimtarisë komunitare.

Takimi i drejtuesve të shoqërive Shqiptare në Krishtlindjet e vitit 1911 dhe besëdhënia në pranverë të 1912-ës për themelimin e VATRA, përfundimisht pozicionuan në ballë të kësaj lëvizjeje panshqiptare Nolin dhe Konicën, me zë, me fjalë të shkruar dhe veprim diplomatik. Bashkë me Kristo Dakon dhe dy vëllezrit Konica, Noli vepronte diplomatikisht të shpëtonin Shqipërinë nga copëtimi ndër fqinjët grabitqarë Grekë, Serbë dhe Malazezë në vitin 1913 dhe 1914.

Noli është zyrtarisht lobisti i parë Shqiptar pranë qeverisë Amerikane . Ai nuk rreshti të lobonte për Shqipërinë me çdo mënyrë. Takimi me presidentin Willson më 1918 si përfaqësues i kolonisë me kombësi Shqiptare do ti jepte një mbështetje më të madhe shpëtimit të Pavarësisë së Shqipërisë së copëtuar ndër fqinjë me ndihmën e fuqive Europiane dhe Rusisë.

Ai u bë model i përbashkimit të Shqiptarëve të çdo lloj feje, në çdo koloni mërgimtarësh ku shkoi në Europën Lindore e më së shumti në Shqipëri ku edhe hodhi themelet e pavarësimit të kishës Ortodokse.

Noli është për ne kryeshenjtor i gjallë i Shqiptarisë edhe si një diplomat i ditur, i shkolluar në Amerikë, i brumësuar me kulturë Amerikane dhe Europiane, një dijetar e filozof që u bë fat i kombit shqiptar, jo vetëm për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, por edhe për një përfaqësim dinjitoz në tryezat e bisedimeve të fuqive Europiane dhe Amerikane.

Tek Noli ne shohim modelin e kombëtaristit që shërbeu edhe më shumë me punën e tij në afrimin e shumë Shqiptarëve, që do ti përkushtoheshin me mish e me shpirt Shqiptarisë. Ai ishte një shkollë e vërtetë Shqiptarie me mënyrën e komunikimit e të veprimit atdhetar.

Noli ishte gazetar i talentuar pasi punoi si redaktor në KOMBI, editor në Dielli dhe botues i Republika ;  poet i poezisë kushtrimtare dhe përkthyes i autorëve të huaj si Shekspiri, Khajami, Hygo dhe Poe, si dhe dëgjues e vlerësues i perlave botërore të muzikës. Në disa fusha njëherësh ai jepte kontributin e tij, krijonte e frymëzonte brezat e rinj Shqiptarë të integruar në Amerikë.

Duke qënë një nga studjuesit më të spikatur të Shekspirit bashkë me Britanikët dhe Amerikanët Noli mori një ftesë nga presidenti Amerikan Lyndon Johnson për ceremoninë e përvjetorit të 400-të të lindjes së gjigandit të letrave ku Amerikanët mësuan më shumë për punën me pasion që kishte bërë Noli, që Shekspiri të njihej edhe në gjuhën Shqipe.

Me Nolin e patën problem kancelaritë Europiane se ai ishte Anglishfolës, Frëngjishtfolës dhe Greqishtfolës. Kështu që ai fliste krenar për dramën e një kombi që i mbijetoi shfarosjes Turko-Greko-Serbo-Malazezo-Bullgare.

Noli i bëri jehonë edhe heroit tonë kombëtar Skënderbeu duke ju përkushtuar shkrimeve për të si një model i Rilindjes Europiane dhe të Ringjalljes së Krishtërimit. Një Shpatë-Kryq që e ka në zemër sot edhe Europa si simbol të qëndresës Shqiptare për liri a vdekje në truallin Pellazgo-Ilir të Shqipërisë së sotme londineze.

Ai është nga të rrallët poetë kushtrimtarë të asaj kohe, që i këndoi flamurit kombëtar, një varg që bënte thirrje për bashkim dhe vëllazërim, një zë i shpresës me zot, një lajmëtar i lirisë së munguar në Trojet Shqiptare dhe një denoncues i së keqes së shoqërisë Shqiptare ballë për ballë si dhe i pangopësisë së fqinjëve grabitqarë apo edhe Shqiptarëve tradhëtarë që bashkëpunonin me armiqtë e huaj të kombit dhe të Shqipërisë.

Noli është i gjallë edhe sot. Me emrin e punën e tij ai na bën krenarë jo vetëm ne, Shqiptarët e Amerikës.Duke përmëndur emrin e tij në Boston, Worcester, New York , Jacksonville e kudo ne kthjellohemi të kuptojmë punën vetëmohuese  që bëri Noli në udhëheqje të Shqiptarëve të Amerikës për Çështjen Shqiptare.

Ne jemi të ndërgjegjshëm se mundësitë sot në Amerikë për të ecur Shqiptarisht në rrugën e Nolit janë shumë më të mëdha se në kohën e Nolit, sepse Noli nuk na mëson as të lëvdojmë politikën e dështuar në Shqipëri , as të biem pre e një pune këtu, që nuk i japim dot tonin e duhur për një bashkim programor.

Duke ecur vërtetë në gjurmët e Nolit, duke njësuar programet dhe vetëveprimin atdhetar ne, Shqiptarët e Amerikës do të jemi më afër përbashkimit e ndihmesës për Çështjen Shqiptare.

Noli është i gjallë ndër ne, sepse na ndihmon sot me veprën e tij edhe më shumë të mos rreshtim për Shqiptarinë kur na e zbehin shërbëtorët e Kishës Greke në Shqipëri, fronzënët e votuar nga deputetët tradhëtarë të Tiranës. Shqiptarët e Ballkanit vërtetë janë shëmbull botëror i tolerancës fetare, por jo të heshtim përpara gjithë asaj pune pavarësimi të Nolit për Kishën Ortodokse Shqiptare, që ishte edhe pararendëse e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ne, Mërgata dhe shteti Shqiptar i Tiranës të paktën, jemi borxhlinj karshi Nolit për pesë dekada, sepse nuk e kemi nderuar si duhet as në Shqipëri dhe as edhe në Amerikë. Ne duhet të vetëveprojmë të organizuar e të bashkuar ti ngremë një statujë në Boston dhe në Tiranë.

Akoma më shumë të mendojmë të kthejmë në muze shtëpinë e tij në Fort Lauderdale, Florida apo edhe të kërkojmë pranë bashkive ti vëmë emrin një rruge a një sheshi në Amerikë.

Vëmëndje duhet të tregojmë edhe që vepra letrare e Nolit të jetë sa më afër lexuesve në bibliotekat e qëndrave Shqiptare, Kishave Shqiptare në Shqipëri dhe Amerikë apo edhe në bibliotekat e kolegjeve Europiane dhe Amerikane ku studjojnë studentët Shqiptarë.

Prandaj, mbetet të shohim më larg edhe për këto përkujdesje, që ta kemi të gjallë Nolin. Nëse vërtetë themi se jemi në gjurmët e tij.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora