Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vilson Culaj: Libër i një fundamenti të thellë

| E diele, 04.01.2015, 06:34 PM |


LIBËR I NJË FUNDAMENTI TË THELLË SHKENCOR PËR POLITIKAT E REJA NDËRSHQIPTARE

(Refleksione për librin shkencor të prof. DR.Veton Latifi ''SHEKULLI I RI I POLITIKËS SHQIPTARE'' Botoi Toena 2014, Tiranë

Nga Mr. Vilson Culaj

Libri autorial dhe shkencor i prof dr.Veton Latifi, aktualisht dekan i fakultetit “Fama” në Prishtinë dhe ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare i ofrohet lexuesit shqiptar dhe botës akademike si një Kaleidoskopi shkencore  dhe studimore dhe si një relikt e bërthamë e zbërthimeve të thella analitike si në aspektin politik, poashtu edhe etnik, kulturor, diplomatik dhe të integrimeve moderne të botës shqiptare. Ky libër studimor dhe shkencor është i ndarë në 9 kaptina, që paraqesin në fakt një tërësi unike, studimore, të teorizimeve, shqyrtimeve, analizave e koncepteve dhe vizionesh moderne dhe integruese të spektrit politik shqiptar, ku theks i veçantë sipas autorit Latifi duhet të zë parimi i vlerave. Vend të veçantë në këtë libër studimor zë parimi ‘’i ruajtjes së vlerave autoktone të politikës shqiptare’’, por pa anashkaluar parimin e orientimit të kësaj politike drejt vlerave të politikave integruese evropiane. Është, pra, Gama një shekullore e politikëbërjes shqiptare e shqyrtuar në këtë libër që nga 1912-ta, ku sipas autorit Latifi zë fill edhe rrugëtimi i politikës moderne shqiptare duke vënë theksin studimor në fillet e kësaj lëvizjeje, që i gjejmë tek faza iluministe e rilindjes kombëtare. Është ky artikulimi studimor dhe ideor i prof. Latifit, i cili hedh idenë ndoshta edhe e para se : ‘’krijimi i shkencave politike tek shqiptarët fillon vetëm pas rënies së komunizmit’’ . Autori me këtë paraqet sfidën më të re të shekullit për politikën shqiptare dhe funksionimin e demokracisë, ku joreformimet e plota gjenerojnë, jo vetëm krizë politike, por edhe shoqërore. Përçarjet politike ndër shqiptarë, autori Latifi i parodizon, prezanton, dhe i aktualizon si një lloj të krizës të mendimit politik dhe ideologjik’’. Autori i këtij libri hedh idenë lidhur me modelet e reja të qeverisjes dhe krijimit të politikave të reja shqiptare, të cilat janë bazamenti kryesor i integrimeve evropiane, ku elemente potencialisht do të ndihmonin kombin për unifikim dhe planifikimin e fazës së ardhshme të procesit politik shqiptar në shekullin e ri. Studiuesi Latifi na del si një observues i zoti i fenomenologjive politike brenda botës shqiptare siç është sfida e shkëputjes së njerëzve nga faza komuniste e qeverisjes e deri tek ajo pluraliste, por me të njëjtit akter politik duke mos anashkaluar edhe fenomenin e përçarjeve ndërpartiake në kuptimin e gjerë të politikave shqiptare. Sfidë e politikëbërjes shqiptare, sipas autorit, është artikulimi dhe instalimi i social-demokracisë, e cila është për momentin e shoqëruar nga apatia dhe mungesa e ofertës së mirëfilltë, ku na paraqitet si një esencë imediate e modernizimit politik shqiptar. ,, Në pjesën e librit, filozofia politike shqiptare, ‘’autori Latifi ngreh idenë se ’’idetë e rilindasve shqiptare ishin bazamenti i mendimit politik shoqëruar nga një zë e filozofi humane me taban kombëtar si një element integrues dhe afirmues i botës shqiptare, ku liria nacionale na del si kauzë qendrore e kësaj filozofie shtetformuese dhe shtetndërtuese. Në pjesën e librit ‘’Përmasat e Kulturës politike shqiptare ‘’ theks i veçantë i kushtohet fenomenit të përçarjes dhe dhunës politike, të cilat në opinionin e jashtëm paraqesin një flash-imazh të tranzicionit  të politikave shqiptare, ku autori hedh idenë e një pajtimi dhe reflektimi pozitiv  i kulturës politike, por jo si prototip i ish-sistemit të kaluar monist, i cili kishte gjeneruar një situatë politike e ashtuquajtura ‘’kontrollli mbi masat’’. Është ky pra një libër, i cili nxjerr në pah ide dhe analiza të reja shkencore, programore të një koncepti të ri politik shqiptar me synim që këto reflektime të jenë edhe bazë e integrimit evropian, ku autori Latifi si element kyq e pandeh  elementet e kulturizimit politik dhe sensit integrues, me ç’rast  autoritarizmin e merr si damkën më të rëndë të kësaj ngecjeje pa anashkaluar edhe fenomenin e përçarjes dhe klientalizmit politik, ku varet edhe  stabiliteti i një shteti dhe gjallërimi kombëtar. Ai hedh idenë dhe ngre zërin për një rivalitet normal politik,  ku dialogu paraqitet si një element bazë i kësaj dukurie, përderisa në sferën ballkanike veshi ynë është mësuar me diskurse anti teorike, abstrakte, fobike, fyese, denigruese, jo intelektuale, por më së shumti jo përmbajtësore, ku për fatin e mirë sipas autorit Latifi, elementi politik shqiptar i ka ikur dhunës apo ndonjë shpërthimi radikal, edhe pse i veshur me petkun e makiavelizmit dhe besimeve fetare dhe nderit e deri te kulti i  njeriut në anën tjetër. Autori ngreh zërin teorik, por edhe analitik të të gjitha ndikimeve reale dhe kapitale të politikëbërjes shqiptare, e cila gjatë shekujve nuk u kursye edhe nga kulturat e regjimet e huaja. ,, Për studiuesin e këtij libri fundamendalizmi fetar për shqiptarët është një shpikje jo racionale, e cila kurrë nuk ka dimensionuar ndonjërën prej përmasave të kulturës politike në veçanti ‘’. Nuk lihet pa theksuar në këtë libër studimor edhe fenomeni i lobimit shqiptar , i cili sipas prof.Latifit ‘’ na del si element unik përbërës i kulturës politike shqiptare’’, të cilët në fakt janë edhe si ‘’balancë midis atyre elementeve të kulturës politike dhe modernitetit të saj’’. Kjo thembër e Akilit, sipas autorit, duhet të përflakej e thandrrohej nëse do të hiqej dorë nga bindjet dhe qëndrimet autoritare të vetë liderëve politikë, lojalitetit dhe krijimit të kultit të liderit politik. Në pjesën studimore ,, Kriza e ‘’elitave politike’’ lënda mbarështrohet si rezultat i shumë rrethanave historike dhe ideologjike që nga despotizmi, monarkia, diktatura, klanet, baraktarizmi, sistemi fisnor e deri tek liberalizmi e demokracia, ku kjo e fundit na shpërfaqet si produkt i ri qeverisës,  jo vetëm tek shqiptarët, por edhe në Evropën juglindore si rezultat edhe i revolucionit shkencor, teknologjik e deri tek globalizmi si një faktor shumë i rëndësishëm. Sipas autorit Latifi, mileniumi i ri kërkon tek lidershipi i sotëm  të kontribuojë për funksionalizmin e demokracisë reale dhe lirisë politike të qëndrueshme si model i një modernizimi politik dhe integrues. Nga këto shqyrtime dhe analiza ngrihet zëri teorik dhe artikulues se lidershipi shqiptar duhet të ushqehet nga substrakti i politikave afatgjate e jo i atyre ditore dhe klientiliste, të cilat janë ngulfatje e ardhmërisë. Autori ngre zërin kundër politikave të ngjizura në logjikën hipokrite dhe megalomane, ku dramatizimi i situatave na del si shkaku kryesor i stagnimit politik, diplomatik dhe integrues tek shqiptarët, ku kulti i liderit na del si një sindrom, i cili  na  ka shoqëruar me shekuj, të cilët lider, në fakt na dalin edhe si mohues të kulturës politike shqiptare që sipas autorit Latifi, gjithmonë ishte politikë me bazement të lashtë të demokracisë, por edhe me sens evropian. Nuk anashkalohet as zëri kritik se, në mungesë të demokracisë të brendshme, brenda vetë spektrit politik shqiptar, proceset politike nuk dallohen shumë nga praktikat e mëparshme komuniste. Pjesa studimore ,,parimet dhe vlerat e politikës shqiptare’’ reflektohet për orientimet ideologjike të politikave shqiptare ndër shekuj, ku bazuar në idetë iluministe të rilindasve, në esencë burimi filozofik dhe demokratik i shqiptarëve ishte i lidhur me konceptet reformuese dhe revolucionare të Evropës perëndimore, ku si koncept bazë na del koncepti i lirisë nacionale, edhe pse shpesh si popull i anashkaluar në vendimet e konferencave të ndryshme ndërkombëtare dhe i lënë jashta prioriteteve gjeostrategjike të kontinentit të vjetër. Pas konceptit të lirisë, i cili tanimë na del si fakt i kryer dhe i jetësuar brenda botësh shqiptare, autori Latifi ngre zërin përmes këtij shqyrtimi studimor se njëra ndër sfidat më të mëdha të këtij mileniumi për shqiptarët është koncepti i tolerancës ndërshqiptare. Pjesa studimore ,,tradita demokratike dhe paradokset e demokracisë’’....jepen shqyrtime lidhur me demokracinë e brishtë shqiptare edhe pse e brumosur me një shekull përvojë qeverisëse dhe sfidat e kësaj tradite qeverisëse përballë kërkesave dhe kushteve të integrimeve evropiane dhe sfidave për partneritet në NATO. Nuk lë pa u theksuar edhe ngecjet e demokracisë së brendshme sa i përket praktikimit dhe jetësimit të saj përbrenda elementit shqiptar, ku rivalitetet e tensionuara kanë shkaktuar ndarje e përçarje të thella shoqërore deri te niveli kombëtar. Është abuzuar me nocionin demokraci (del fakti nga ky nëntekst për të arritur deri tek stadi i abuzimit edhe me vetë demokracinë) . Mbetet shumë për t’u bërë, sipas autorit Latifi, lidhur me instalimin  e një demokracie të mirëfilltë ndërshqiptare, e cila ka derivuar nga lidhjet kolaterale ballkanike dhe ndikimet historike në vazhdën e shekujve, duke mos anashkaluar e vënë theksin edhe mbi paragjykimet ballkanike, të cilat falë këtyre fiksioneve, shpeshherë ishin bërë edhe vatër e tensioneve ndëretnike dhe konflikteve dhe gjenezës së luftërave në nivel edhe evropian e botëror. Në pjesën e librit ‘’politikat inovative dhe shqiptarët” shqyrtohet dhe analizohet botëkuptimi qeverisës ende despotik brenda elementit shqiptar si - derivat i një akretipi tipik të politikë-bërjes shqiptare, ku autori Latifi ngreh zërin që në shek.XXI duhet hequr dorë nga ky model dhe duhet vepruar në përputhje me sfidat e reja të epokës së integrimeve moderne. Kjo, sipas Latifit, i mundëson qytetarëve që të kontrollonin pushtetin dhe me vullnetin e lirë të vendosnin për liderin e tyre. Centralizimi dhe fuqizimi i pushtetit dhe fuqisë së partive politike, sipas tij, nuk mund të priten kreativitete dhe përmirësime qeverisëse të stilit të një lidershipi modern. Subjektet politike duhet të zhveshen  nga kalkulimet dhe sëmundjet për popullaritet dhe ata duhet fokusuar në një demokraci efikase dhe në shërbim të qytetarit. Kjo politikë inovative, sipas Latifit, duhet të drejtohet përmes mekanizmave, të cilat do ta modernizonin shoqërinë politike shqiptare, e cila do të paraqiste si një avantazh të tyre brenda gjeopolitikës aktuale që do t’ua mundësonte shqiptarëve një pozitë më të favorshme në Ballkan si faktor politik dhe etnik. Kjo do të arrihej përmes reformimit të mënyrës së qeverisjes dhe udhëheqjes liberale dhe demokratike, ku do të vinte në shprehje kultura qytetare. Në pjesën e librit ‘’integrimet evropiane’’ shqiptarët dhe Ballkani’’ hidhet ideja e mos ngathtësisë ballkanike dhe asaj shqiptare përballë kërkesave integruese dhe evropiane, ku duhet përdorur instrumentet evropiane për stabilizim pas konflikteve të njëpasnjëshme brenda popujve ballkanike. Theks i veçantë i kushtohet reformës institucionale, politikave të zgjerimit në BE dhe qasjes më toleruese mes fqinjëve ballkanikë, të cilët me çdo mjet tentojnë ta izolojnë njëra-tjetrën drejt këtyre integrimeve. Autori Latifi ngreh zërin edhe lidhur me reforma kozmetike dhe mungesës së një stabiliteti dhe vizioni të qëndrueshëm që po prodhojnë situata, të cilat po i vetë izolojnë disa popuj ballkanikë,duke mos anashkaluar edhe retorikën e thatë ballkanike dhe diskursin politik ballkanik, e cila ditë e më shumë po e hamendëson botën evropiane lidhur me seriozitetin e tyre për t’u integruar në këtë bashkësi, ku liria dhe demokracia e popujve janë elementi bazë. Nuk lëmë pa u shkoqitur dhe analizuar edhe fenomeni i mitit ballkanik  dhe fenomeni vetëshkatërrues e izolues dhe principeve rixhide ballkanike, ku rol të rëndësishëm luan edhe diversiteti kulturor, etnik dhe nacionalizmi, i cili fatkeqësisht nuk mund të shkëputet nga dimensioni i shovenizmit dhe thirrjes për luftë. Në pjesën e fundit të librit modernizimi politik në vazhdimësi autori dhe studiuesi Latifi lanson karakteristikat përcaktuese të këtij modernizimi politik, ku Shqipërinë politike e paraqet si të denjë dhe të përgatitur përballë këtyre sfidave integruese duke  u bazuar edhe në elementet teorike të Tajar Zavalanit. Bazuar në këtë koncept, demokracia dhe sistemi politik e zgjeron edhe mundësinë e individit. Sipas autorit, modernizimi i politikës shqiptare në shekullin e ri kërkon një cikël pandërprerje të ndryshimeve për ta arritur dhe më vonë mbajtjen në jetë politikat publike inovative. Kjo mund të arrihet, sipas tij, me ndryshimin e sistemit politik duke fituar funksione dhe veçori të reja, varësisht nga situatat konkrete, shoqërore dhe ndërkombëtare. Mbetet në dorën e shqiptarëve që ta përqafojnë këtë rrjedhë të re politike për të ikur nga frazat boshe që nuk përkojnë as me traditën e as me kulturën e politikës shqiptare.