Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Përparim Hysi

| E merkure, 07.01.2015, 02:57 PM |


Përparim Hysi

 

Mbyllur brenda

 

Mbyllur brenda se është dimër

Por me mendje vij tek ti

Që më ishe aq e çiltër

Moj e bukura, dashuri!

 

Shumë gjatë jetës unë kam dashur

E veçanta ke qenë ti

Të kujtoj me zemërplasur

Të harroj? Nuk ka se si?!

 

Tek shoh dimrin fryn e shfryn

Dhe rigon,pandalur, shi

Zë dhe shpirti më mbërdhin

Po ku je, moj mike, ti?

 

Vite kemi pa u parë

Humbur pa nam e nishan

Ende- ende unë  kam mall

Po ti "ison" vallë ma mban?!

 

 

Tek shoh  fshatin *

 

Jam ngjitur lart mbi kodër

Vështrimin hedh mbi timin fshat!

Bobo! Sa qenka bërë i vogël!

Dhe mbushem me inat.

 

Dikur ka patur mbi tridhjetë shtëpi

Tani kanë mbetur veç tre!

A s'është për t'ia marrë me oi?

A s'është për të pyetur:-Pse?

 

Kjo pyetje e  ka dhe një përgjigje

Dhe kujen unë nuk e vë kot

NJerëzit janë vënë  në ikje

"Arratinë" kanë marrë nëpër botë.

 

Kjo ikje nga fshati nuk më pëlqen

Sikur:"Ik të ikim,se na zunë?!!!"

Nga mendja bëhem krejt ujem

Nga   shpirti, më zë si me shkumë.

 

* Petova e  re në Fier që nuk ekziston më.

 

 

Ninull për vete*

 

Mbrëmë, në mesnatë, shpëtova në fill

M'u shfaq një luvgat (mos qe xhebarai?)

Mend më iku gjuha, aq zura të dridhem

Epo, u pa puna:- Të iki, të pirdhem!

 

Doja që të flisja. Të linte "luvgati?!"

Dhe po përpëlitesha,sikur erdhi sahati!!!

Kokën vija nga këmbët dhe këmbët nga koka

Dhe më dridheshin dhëmbët, nga dridhje të forta.

 

Po ç'qe ky "kusur" që befas më gjeti?

Dhe bëj  unë sikur, nuk trembem laneti.

Mirëpo nuk qe e lehtë (kishin marrë vendim:

-Rrojte sa dsh vet, pra:- Mbathja, Përparim!

 

Zura të ngul këmbë, nuk doja të ikja

Vete ha me dhëmbë,se mos zgjohej Sika?! **

Pa ndeza dhe dritën. Llamburiti drita

"Luvgati" me vrap ikën. -Ç'bën, më pyeti Sika.

 

As i dhashë shpjegim, ngrihem nga krevati

Tani jam bërë trim,se iku "luvgati"

Vij tutej-t'hu (ja shpëtova prapë)

Mos ju ndodhtë ju! Eh, ç'natë e praptë!

 

* më ka ndodhur në dhjetor 2011 dhe u përsërit këtë javë.

** Imeshoqe

 

"Xixa" në dimër

 

Mu si vadhëz e zbardhëlluar

Para sysh: portreti yt!

Sa  e shoh! Më ke mrekulluar

Them me vete:- Ku je, shpirt?

 

Vij si zog e mbrrij tek ti

Dhe trokas me sqep mbi xham

Opopo! Ç'mrekulli!

Shpirt! O shpirt! Si nuk bën bam?!

 

Hapet dera dhe pastaj

Ç'janë këto britma lemerie?!!!

Përjetoj dhe s'e kam kollaj

Më mpive, mike! Më mpive!

 

Tiranë,  25 -30 dhjetor 2014

 

 

Kjo natë *

 

Kjo natë me fanfara e me fishekëzjarre

M'u duk iluzive dhe krejt gënjeshtare

Kjo natë qe pompoze për "derrat e kënaqur"

Po sa nervoze për "Sokratët e vuajtur"

 

"Sokratët e vuajtur?" a nuk janë  shumica?

Po si mund të gëzohem kur shpirtin ma pushton ngrica...

* nata e vitit të ri

 

 

Dy barbonë

 

Një barbone e një barbon

Natën e gëdhin jashtë

Se për ta s'ka një dhomë

I shoh dhe sa s'më zënë djajtë.

 

Dhe gjetën njëri-tjetrin

I bashkoi ata mjerimi

Unë inat vë me pushtetin

Që s'gjen një qoshk strehimi.

 

Ngjitur me Policinë Bashkiake

Që të dy në moshë të vonë

S'mbylla sy kësaj nate

Ah, të shkretët barbonë!

 

Unë i shoh që nga brenda

Nata! Opopo, sa ftoht!

Për ta po më dridhet zemra

Për pushtetin më vjen ndot.

 

Do gëdhihen, s'do gëdhihen

Tërë natës jap e marrë

Ja tek hidhen e përdridhen

Në mes ngricës... ftoht... acar.

 

 

A nuk jam "Luli i vocërr?"  *

 

Kam dalë në diell porsi zhapili

Si zhapili lëkurën dua  ta ngroh

Të ftohtët e hidhur të këtij dimri

Dhe shpirtin brenda sikur ma ftoh.

 

Rri në ballkon dhe hedh vështrimin

Sa në një kodër aq dhe në mal

Nuk ka më keq se ta kalosh dimrin

Pa një fill dru a  pa ndezur zjarr.

 

Zë e vështroj diellin në sy

NJësoj siç bënte Luli i vocërr

Po valllë, sa ndryshoi unë nga ai

Kur s'ndez dot zjarr në timen votër?!!!

 

Dhe mos kujtoni se shkruaj çapraz

Për zjarr s'bëhet fjalë... lëre për korent

Në shkruaj kështu, s'është veç një rast

Ku mungesa e zjarrit është permanent.

 

Dhe zë  e mblidhesh,e bëhesh si i "vogël"

Në përdor korent, "Çeçua" ka biçak

Pa vjen e të ravijëzohet "Luli i vocërr"

Kur thoshte Mjeda:- Struku, struku, i shkreti plak!

* personazh i Migjenit

Tiranë, 1- 3  janar   2015