Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: 5 kolosët e mendimit Atdhetar

| E diele, 04.01.2015, 07:12 PM |


PESË  PREDIKATARËT  MA    MËDHEJ

  KLERIT  KATOLIK  SHQIPTAR    SHEKULLIN  XX

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...

?1945 – 1950 Pushkatohen dhe zhduken 5 kolosët e mendimit Atdhetar, Fetar...

Nga Fritz RADOVANI

I. At Anton HARAPI O.F.M. (5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946)

?Asht lé me 5 Janar 1888 në Shirokë, pranë Shkodres. Studimet e nalta i ka ndjekë në Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit të Austrisë, ndërsa studimet teologjike i ka krye në Romë. Në vitin 1910 kthehet në Atdhé dhe shugurohet Meshtar tue plotsue kushtet e Urdhrit Françeskan O.F.M., në Shkoder. Besnik i Idealit “Atdhé e Fé”!

?Asht organizator ndër tre bajrakët Hot, Grudë e Triepsh i Memorandumit të përgatitun nga Ai vetë në vitin 1918, që Paria e Maleve i dorzoi komandantit francez në Shkodër. Në bashkëpunim me Luigj Gurakuqin dhe At  Fishtën, harton një peticion të nënshkruem nga 200 përfaqësues të tre Bajrakëve, drejtue përkatësisht Konferencës së Paqës në Paris, ministrave të jashtëm të ShBA, Anglisë, Francës dhe Italisë. Asht nisiator dhe formoi grupimin “Ora e Maleve”. Kjé bashkëpunëtor dhe nismëtar edhe i botimit të fletores me të njëjtin emën. Në vitin 1925, arrestohet pak kohë nga A. Zogu, dhe shkon profesor në Liceun “Illyricum”... Nga vitët 1930-1936 asht drejtor i “Hyllit të Dritës”, si shkruejnë dhe gazetat “Posta e Shqypnisë” e “Zani i Shna Ndout”, ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thâna e thâsha”.. Në vitet pasuese asht predikues i  palodhun i vlerave, parimeve, kulturës së krishtenë dhe Atdhetarisë.

?Edhe mos të angazhohej për Shpëtimin e Atdheut, në vitin 1943 me Rregjencën Shqiptare, At Anton Harapi do të pushkatohej nga komunistët para datës 20 Shkurt 1946.

?Asht orator, mendimtar, dijetar, shkrimtar, organizator, trim dhe parashikues i dalluem në mendimet e Tij, në lidhje me t’ ardhmen e njerzimit mbas Luftës II Botnore:

“SHQIPNIJA U FITUE ME GJAK; ME GJAK EDHE PO MBAHET E ROBNUEME. DO TË VIJ DITA E, ME PAQË E DREJTËSI DO TË FITOHET !” (Shkurt 1946.)

II. Imzot Gaspër THAÇI (23 Janar 1889 – 25 Maji 1946)

?Asht lé në Shkoder me 23 Janar 1889. Studmet e nalta i ka krye në Insbruck të Austrisë dhe shugurohet Meshtar në Shkoder me 21 Shtator 1912.

?Me 8 Dhjetor 1912 ngriti Flamurin Kombtar në Qelzë, ku shërbente si famullitar.

Mbas vdekjes së Imzot Lazër Mjedjës, emnohet Argjipeshkëv metropolitan në Shkoder, ku mbas vitit 1944, përballet me diktaturen komuniste. Në muejn mars 1945, dy javë mbas pushkatimit Don Ndre Zadejës, nuk pranon me pritë Mehmet Shehun. Asht thirrë nga Enver Hoxha bashkë me Imz. Frano Gjinin, atë kohë Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni, për me pré mardhanjet me Vatikanin, po nuk kanë pranue.

?Në kushte izolimi, me 26 Maji 1946, mbyllë sytë nga një smundje e randë.

?Sigurimi komunist  organizon të gjitë agjentat e vetë me pengue me çdo kusht funeralin, pjesmarrjen e qytetarëve e të rinisë shkodrane në vorrim të Argjipeshkvit të paharrueshëm për të gjithë qytetin. Studentët katolik të gjimnazit të Shtetit kërcejnë nga dritarët për me shkue në Kishën Kathedrale, ku do të thohej Mesha solemne me korin e drejtuem nga Prenkë Jakova dhe muzikanti At Filip Mazrreku. Vetë Regjenti Apostolik Imzot Frano Gjini, drejtonte ceremoninë. Vorrimi u ba në Kishen Katedrale. At Konrrad Gjolaj do të shkruejnë se: “Punën e bame deri at’ ditë me rininë, ia prishi një arkivol!”

?Edhe Neroni që ka djegë Romën ka një vorr në Itali. Ndërsa, tek né në Shqipni, në vitin 1967 hapën vorret e Atyne që kanë vue thëmelet e qytetnimit Evropjan dhe komunistët ua tretën Eshtnat e Tyne... Ashtu si u veprue me të gjithë Ata që janë pushkatue, dhe u zhdukën nder hetuesi u veprue edhe me Imz. Gaspër Thaçin...

III. Don Lazër SHANTOJA (7 Korrik 1891 – 5 Mars 1945)

?Asht pinjoll i një familjes së vjetër shkodrane. Studimet e nalta i ka krye në Insbruck t’ Austrisë, dhe në vitin 1915 shugurohet Meshtar. Asht njohës i shumë gjuhëve të hueja, dhe shkelqen si orator, publiçist, stilist i rrallë, filozof dhe politikan, që për hirë të çeshtjes kombtare, gjithmonë në prizmin e bashkimit Trojeve Shqiptare, sakrifikon edhe jeten në moshen 54 vjeçare, mbas një masakrimi të pashoq nga terroristët tue u ngritë në panteonin e Atdhetarëve Shqiptar si “Martir’ i Parë i Klerit Katolik Shqiptar, me 5 Mars 1945... Pushkatimi i Tij ishte një “dëshirë” e Nanës së Tij, e cila kur e pau në një birucë të cunguem kambësh, dhe të zhytun në pisllek iu lut katilëve komunistë: “Aman, ju lutem, ma vritni djalin, mos e leni me vuejtë kështu!...” Ata ia plotsuen “dëshiren”...

?Në 1919 provoi burgun nga italianët. Në 1925 provoi burgun e A. Zogut... Gjithë jeten e kaloi në mërgim, po gjithmonë me mend, zemer dhe veprimtari pranë Atdheut.

?Si orator la mbresa të pashlyeshme ndër të gjitha vendet ku i shkeli kamba, jo vetem në Shkoder apo Tiranë, po edhe në Vlonë e të tjera qytete, ku pat rasen me u folë Shqiptarëve në ditë Feste e morti... Fjala e Don Lazrit në vorrimin e Avni Rustemit, asht një nder perlat letrare të Shantojës, ndonse fanatikët anadollakë mundohen me e harrue.

?Në vitin 1924 mbetë padyshim publiçisti ma i persosun dhe i pakompromis në

veprimtarinë Atdhetare, me artikujt dhe satiren e Tij në gazetën “Ora e Maleve”.

?Don Lazer Shantoja asht ndër letrarët ma modern të letersisë sonë.

?Në 1945, kur u arrestue tha: “As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë, se komunistët janë veç tradhëtarë!..” (D.L.Shantoja, Sheldijë 26 Janar 1945).

?A mundet kush sot, mbas 70 vjetësh me provue të kundertën?

?Yjet e Kombit nuk shuhen me ujë, dhe as, nuk mbulohen me baltë!

IV. Don Ndré ZADÊJA (3 nandor 1891 – 25 Mars 1945)

?Asht lé me 3 Nandor 1891 në Shkoder. Studimet e nalta i kreu në Insbruck të Austrisë. Me 26 Prill 1916 ka thanë Meshen e Parë tek Kisha e Zojës pranë Kalasë.

?Don Ndreu ishte shumë i rij kur pena e Tij filloi me shkelqye jo vetem si klerik, po edhe letrar, dramaturg, prozator dhe poet. Asht i njohun ndër tre letrarët botnor, me letren që i ka dergue At F. Cordignano S.J., jezuit italian që guxoi me fye Shqiptarët.

?Me 16 Gusht 1944, ditën e Shna Rrokut, në Shirokë paralajmon: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju o të rij. Një rê e zezë ngarkue me ideologji të kuqe po dyndet mbi krenat tona. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”. Ishte predikatar që fjala e Tij trokiste në zemrat e rinisë Shqiptare!

?Ja disa thanje të Don Ndreut: “Sot ka edhe nga ata që thonë se nuk e njohin Flamurin Kombtar, nuk ngrihem në kambë për Hymnin e Shqipnisë. Ka pasë edhe në 1912 të tillë – ka pasë që donin përsëri gjysëmhanën e jo, Shkabën tonë madhështore...

Po për fat të mirë ka pasë shumë e ma shumë, ka përsëri sot e do të ketë në jetë të jetëve, nga ata që kanë kenë e janë përsëri gati të flijohen për “Ruben e kuqe”, Flamurin tonë me shkabë.” Dramat e Tij ishin Atdheu, Feja e Gjergj Kastrioti. Prandej, edhe...

?U arrestue... U torturue... I lidhun përdore me Atdhetarin Prek Cali... U gjet tek Muri i Gjakut nën çinar... Askush nuk ndigjoi një fjalë prej “gjyqit” Tij... Ishte i dyti Klerik Katolik Shqiptar që po pushkatohej në Shkodren e Martirizueme. 25 Shkurt 1945.

?Para pushkatimit tha: “Shqipni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty..?!”

V. Don Kolec PRENNUSHI (1 Janar 1902 – 2 Korrik 1950)

?Ishte i pesti klerik katolik i Familjes Prennushi, në Shek. XX. Asht lé në Shkoder me 1 Janar 1902. Studimet e nalta i ka perfundue në Linz të Austrisë, dhe u shugurue në Shkoder Meshtar, me 25 Qershor 1925, Ditën e Zemres së Krishtit...

?Zotnues i disa gjuhëve të hueja, qyshë i rij perkthyes dhe letrar modern.

?Ka shkrue libra me karakter filozofik dhe teologjik: “Zoti Asht”, “Rrimë shtremt e flasim ndrejt”, “Për Krishtin o kunder Krishtit”. Në vitin 1941, zen vend në Letrarët e Antologjisë Shqipe, “Rreze Drite”, me prozen “Të vershuemit”.

?Ka shkrue artikuj edhe me pseudonimin “Mujs Polemi” në revistat: “Zemra e Krishtit”, Hylli i Dritës”, “Cirka”, “LEKA” etj.

?Ishte i vetmi Shqiptar, që ftohej nga Jezuitët e Shqipnisë per leksione fetare me rasën e ushtrimeve shpirtnore në kuvendin e tyne.

?At Zef Valentini S.J., e ka cilësue: “Il futuro Cardinale d’ Albania”.

?Në vitin 1948 arrestohet nga komunistët dhe torturohet per 11 muej në hetuesi.

?Në nandor 1949 Don Koleci, lirohet dhe ngarkohet për me “aprovue” “Projekt Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”. Merr pjesë në dy mbledhjet e përgjithshme të klerit dhe paraqet haptas mendimet e veta në Argjipeshkvinë e Shkodres në dhjetor 1949.

?“Këta do të na kërcnojnë se do të mbyllin kishat tona, në kjoftë se na nuk miratojmë këte projekt- statut kështu si asht këtu. Ky projekt-statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë kishat prap se prap. Jam i sigurt se do të na thonë se do t’ju vrasim, por asht ma mirë me ba shka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lè të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E, na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupë se hupë. Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spajë e kudo. Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë....Këta janë gjithkund njisoj...!” (At K.Gjolaj në librin “Çinarët”, fq.125).

?Don Kolec Prennushi ka vdekë i shkatrruem nga torturat me 2 Korrik 1950.

***

?Me siguri kjo temë në të ardhmen asht një liber në vete. Kjo i perket Rinisë!

?Sot unë, vetem holla një gur si shenjë aty ku duhen hapë e vue thëmelet!

?Këta predikatarë caktoheshin përpara festave të mëdha me folë ndër Kisha, ku rinia vershonte me ndigjue temat filozofike që ata trajtonin me një oratori të rrallë.

?Asht e vërtetë që Enver Hoxha zbatoi me përpikni të gjitha vrasjet që urdhnonin serbo bolshevikët e Titos, dhe zhduku ajken e Klerit Katolik Shqiptar në vitët e para të vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipni, po edhe sikur këta kolosë të mos vriteshin që në ditët e para, në Marsin e 1945 e deri në Korrikun e vitit 1950, koha provoi se mbas vitit 1944, Gjenocidi komunist ishte i pashmangshëm. Ai do të zbatohej pa kushte!

?Etja e Enver Hoxhës për kolltukun e vet në qeverisjen e shtetit Shqiptar, ishte e kombinueme edhe me formimin e tij anadollak familjar, masonizmin francez dhe njëfarë

magallomanije prej injoranti, që kerkonte me zhdukë me rrajë inteligjencën Shqiptare të përgatitun ndër universitetet ma të njohuna të Europës Perëndimore, ku ai vetë nuk arrijti me krye asnjë vit ndër ato qendra kulturore e dije universale.

?E vetmja shkallë e njohjes së tij, në kohën kur ishte rregjistrue në universitetin e Montpellier të Francës, asht ajo që dëshmonte bashkëkohësi i tij atje, Prof. Petro Fundo:

“Kur e pyeta Enverin po ti, çfarë mendon të bëhësh, ai tha: “Terrorist”!

?E sigurisht, ky terrorizëm do të shpërthente atëherë kur tek Enver Hoxha, u kombinue me atë doktrinë barbare të cilën nuk e ka njoh kurrë, doktrinën shkatrrimtare markste – leniniste, që përputhej me interesat shoveniste sllavo – bolshevike të Titos dhe të Stalinit: “Shkombtarizim i Popullit Shqiptar dhe shpartallimi i Shtetit Shqiptar, me kulm e thëmel që asht konsiderue Muri Mbrojtës i qytetnimit Europjan nga invazioni sllav...” (Lord Beaconsfield  (1804-1881), Memorandumi i Kongresit Berlinit 13 qershor 1878).

?Ky “Mur Mbrojtës” nuk rrëzohej... Vazhdonte me qendrue ndër shekuj që nga viti 1444, kur Mbrojtësi i Qytetnimit Europjan, Heroi ynë kombtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kishte ngulë përjetsisht në Krujë Flamurin me Shqipe dykrenare...

?Viti 1913 u kishte lanë një kujtim jo vetem komshijve po, edhe pak ma larg: “Flamuri i Shqipnisë, e ka per nderë me u gjuejte me topa!” (At Gj. Fishta 12 Qershor).

?E ky robnim i yni kishte piksynimin kryesor tek porosia e Titos: “Shkatrroni kulm e thëmel çerdhën e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!”

?Enver Hoxha mbante mend edhe nga mejtepet porosinë e sulltan Mehmetit:

“MOS TË MBESË GJALLË ASNJË SHKODRANË!”

?E ndoshta, ky ishte shkaku kryesor i urrejtjes së Enver Hoxhës, që e “përjetsoi” tiran i Popullit Shqiptar... I renditun nder 100 Tiranët e 3600 vitëve në Histori Botnore!

Melbourne, 2015.