Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Liridon Disha: Halucinimet perandorake

| E premte, 02.01.2015, 05:05 PM |


HALUCINIMET PERANDORAKE

Nga Liridon DISHA

Mendimi për përpilimin e këtij teksti më lindi pasi dola nga një klinikë private ku shkova për një kontrollë rutinore në Shkup. Pasi që mbarova kontrollën, mjeku sllavisht-folës kujdestar më pyet se nga isha dhe unë me automatizëm i përgjigjem se jam nga Dibra e madhe. Pa menduar shumë ai fillon të më tregojë se sa pak banorë na paska Dibra. T’ju them të drejtën mua mu kujtuan librat e historisë që lexoja se para 200 viteve Dibra numëronte gati 60.000 banorë dhe ishte njëri nga qytetet më të banuara në rajon. Pasi që mjeku mbaroi propagandën nacionaliste mu dha rasti që ti tregoja se Dibra e madhe (me shtatë minare) dikur kishte qenë kryeqendër e shqiptarëve me gati 60.000 banorë. Por, mjeku me cinizëm më ndërpret duke me thënë:” po, po e di… ka pasë dhe ende ka shumë turq në Dibër”. Me këtë po mundohet të më bindë se Dibra nuk banoheshka dhe kurrë nuk qenka banuar me 60.000 shqiptarë, por me turq. Për një moment u stepa dhe po ndjeja veprimin e adrenalinës në gjoksin tim. U mundova ta mbaj veten dhe mos i kundërpërgjigjem injorancës dhe paditurisë. Ia arrita qëllimit. Ndoshta këto fjalë u ngujuan në ndërdijen time. Këtë mllef nuk munda ta nxjerri tek mjeku sllavisht-folës, por pa dyshim se do ta hap zemrën dhe do të rëfehem me ju bashkëkombasit e mi.

Dy ditë para se të shkoja te mjeku, tek sa po mundohesha të kap lidhjen në telefon për të caktuar terminin për kontrollë, po lexoja gazetën dhe rastësisht hasa në një titull interesant. Ishte ky një artikull që thoshte “Do ta ripërtrijmë perandorinë Otomane”. Fillimisht mendova se ndonjë kokëlajthitur si unë po tallet me ndonjë tekst të ndonjë injoranti. Por, e verteta ishte dikund tjetër. Ky njeri nuk ishte i lajthitur. Së paku, sa kuptova unë ishte ministri i punëve të jashtme të Turqisë Ahmet Davutogllu. Zotëria në fjalë, në një ligjeratë të mbajtur në Sarajevë me titullin “Trashëgimia Osmane dhe bashkësitë muslimane në Ballkan”, haptazi flet për njëfarë ripërtrirje të “Perandorisë Otomane” duke aluduar në një pjesë të madhe të ballkanit. Për fat të keq zotëria në fjalë harroi se në këto pjesë gjenden edhe shqiptarët e Skënderbeut qe dikur ja shkulën epshin perandorak sulltanit të Stambollit. Po më shkon buza në gaz kur lexoj se një turk aziatik në shekullin 21 po halucinon shumë rrezikshëm. Më poshtë lexoj fjalinë:”Në turqi ka më shumë boshnjakë se sa në Bosnjë, më shumë shqiptarë se sa në Shqipëri dhe më shumë çeçenë se sa në çeçeni.”. Automatikisht më lindën shumë pyetje në kokë!? A thua vallë erdhi koha kur turku pranon kombësi tjera në teritor të vet?! Ky zotëri e bën këtë për interesin tonë apo për interesin e tij kombëtar? Po mirë, pasi që në Turqi paska më shumë shqiptarë se sa në Shqipëri, duheshte të kalojë më se 1 shekull që Turqia ta thotë oficialisht këtë? Pasi ata oficialisht pranohen si të tillë, sa të drejta dhe liri gëzojnë ata atje? Përgjigje për fat të mirë kam, por për fat të keq është shumë e hidhur.

Pikë së pari në çfarë trashëgimie kulturore thirret zotëriu Davutogllu? Si merr guximin një ministër të mohojë identitetin kombëtar të një populli të tërë?! Trashëgimi turke qenkan xhamitë, tyrbet, hamamet, kalatë, shtëpitë dhe pazaret e vjetra? Po të ishte ashtu, pse kjo far perandorie OSMANE u tërhoq nga Ballkani në shekullin XX dhe i la ato të vetmuara? Po të ishin këto “saraje” trashëgimi kulturore turke, pse kjo far perandorie nuk mbeti këtu ti mbrojë ato nga “të pafetë”, “kaurët”, “qafirët”? Kjo një përgjigje ka, zotëri Davutogllu. Ju na e rrjepët mishin dhe në fund i latë kockat tona që ti lëpinin sllavët. Na çveshët nga trashëgimia jonë e hershme Ilire, objektet fetare dhe ato historike ia latë sllavit, qytetet dhe katundet na detyruat ti shndërrojmë në pashallëqe me ndikime orientale dhe tani deklaroni se ne nuk kemi aset në këtë trashëgimi. Ne nuk qenkemi trashëgimtarë të kësaj kulture që e ndërtuam vetë si rezultat i miqësisë me “Portën e lartë”. Këto trashëgimi kulturore zotëria juaj, janë prona të feudalëve shqiptarë dhe si të tilla u mbrojtën nga po të njejtit me gjak. Ishin shqiptarët ata që i lanë në dorëzim të perandorisë dhe ishin po ata që dolën në mbrojtje të këtyre pronave kur atyre iu kanos rreziku nga sllavët, pasi që ju (perandorakët) u larguat me bishtin nën shalë. Pyes shkëlqesinë tuaj, pasi që para 100 viteve u larguat dhe shqiptarët i latë të paarmatosur, të pambrojtur dhe të paarsimuar, ç’kërkoni tani në këto troje?! Sa kohë që perandoria juaj shtriheshte në këto vise, shqiptarëve nuk iu lejua shkollimi, feja, armëmbajtja, e drejta e pronës, e drejta e praktikimit të ritualeve dhe traditave kombëtare etj. Mos flasim për haraçin në gjak. Dhe tani në shëkullin XXI shkëlqesia juaj në vend që të kërkojë falje për krimet e bëra ndaj popullit tim, krijon iluzione dhe mendon se do të mund që të bind shqiptarët se ju jeni i vetmi shpëtim! Përderi sa stërgjyshërit tuaj zotëri Davutogllu në atë kohë ndoshta studionin në universitetet e Stambollit, stërgjyshërit tanë korrnin fushat e Dibrës që produktet e tokës së tyre në kundërvlerë të lirave të atëhershme t’ia mundësonin shkollimin stërgjyshërve tuaj. Jepnin njërin djalë për Jeniçer dhe djemtë tjerë ua vriste uria. Dhe ju në shekullin XXI flisni sikur të gjitha këto mos të kishin ndodhur kurrë. Ju harroni zotëri se shqiptarit iu desh të mbijetojë 2000 vjet i dhunuar që në fund të mund të shkollohet dhe të quhet njeri. Ju harroni se përderi sa ju (perandorakët), jepnit leje që sërbët të hapin shkolla në gjuhën e tyre, shqiptarëve të ngratë ua merrnit bukën e gojës, ua përdhunonit gratë dhe ua vrisnit fëmijët. I caktonit shqiptarët si pashallarë simbas lojalitetit ndaj jush dhe kur ata bëheshin të padëgjueshëm ua prisnit kokat në stamboll. Ju falemnderit shumë zotëri Davutogllu. Një kohë ishim “miq” dhe e pamë ç’na gjeti. Sot e kësaj dite ne nuk po mundemi të jemi bashk si komb për shkak të të kaluarës sonë “të përbashkët” me perandorakët si ju. Ne e kuptojmë “ndihmën” tuaj dhe “gatishmërinë” tuaj për ndihmë. Por, mjerisht ju nuk po e kuptoni se po vazhdoni të na dëmtoni si komb me deklarata të tilla. Po të doni të jemi dy kombe miq zotëri i nderuar, pikë së pari duhet kërkuar falje për 500 vjet robëri. Menjëherë pas kësaj, të gjithë trashëgiminë historike e kulturore të shqiptarëve në Maqedoni dhe gjetiu ta pranoni si shqiptare. Të pranoni se shqiptarët janë komb dhe pakicën shqiptare prej 5 miljon në Turqi ta pranoni si të tillë. Në fund ti falenderoheni popullit shqiptar për të gjitha personalitetet shqiptare që i dha në shërbim të kombit tuaj. Po ju rikujtoj zotëri Davutogllu, po të mos ekzistonin shqiptarët ju sot e kësaj dite do të shkruanit në ato germat e pakuptueshme arabe. Nuk do të kishit hymnin tuaj dhe do të humbisnit shansën për të pasë një lider reformues që perandorinë tuaj anadollake e shndërroi në një shtet modern e demokratik.

Dal prej dhomës së mjekut me një dëshpërim të thellë. Jo se e kuptova se jam pakëz i sëmurë , por se dikush në të njëjtën mënyrë po më mohon kombin tim. Paradoksi më i madh vjen nga fakti se edhe ky kokëbosh po mundohet që të më shndërrojë në turk. A thua vallë këta të dy kishin pirë kafe dikur diku?! Apo, ndoshta ishte miqësia e vjetër dhe hartimi i planeve të përbashkëta afatëgjate për zhdukjen e shqiptarëve nga këto troje, e vetmja pikë takuese e logjikës së dy individëve që nuk ishin takuar kurrë. Shtrëngoja grushtat dhe kërcëlloja dhëmbët. Më vinte të bërtas nga hidhërimi. I kujtova në moment bashkëkombasit e mi që sot bredhin rrugëve si argatë. Fëmijët që lypin rrugës për një kafshore bukë. Filloristët e klasës së parë që u imponohet gjuha sllave. Shqiptarët e mi të përvuajtur që rrinë çajtoreve dhe parqeve të xhamive për ti diskutuar problemet që në fakt duhet ti zgjidhnin institucionet shtetorore. Familjet e bijëve më të mirë të këtij kombi që ranë me një qëllim, mbrojtjen e identitetit kombëtar. Në të njejtën kohë, banditizmat (anadollake) universitare të bashkëkombasve të mi. Gjaku i derdhur i shokëve të mi në vitin 2001 për tu shkolluar në gjuhën shqipe. Të them të drejtën, mu mbushën sytë me lotë, por prap e mbajta veten. Mu kujtua një shprehje e vjetër popullore që në moment më ngushëlloi, “Loti është robëri, gjaku liri”.