E enjte, 28.03.2024, 10:02 PM (GMT)

Kulturë

Rozi Hysuka: Qyteti pa mend

E premte, 02.01.2015, 06:23 PM


Qyteti pa mend

Nga Rozi Hysuka

Ngahera kam tentuar të bëj shkrime të gjata me pendën hyrëse të shkrimit klasik që jo rrallë herë kemi hasur. Stili klasik me të gjithë logjikën nuk ka përtuar të na paraqesë tablonë e masës apo të kolektivitetit. Ideja e të qenit masë apo koletivitet si një epitet i ndërgjegjeve kolektive të vendit tim, me gjasë na kanë përmendur se na kanë bërë një nder të madh që na kanë mbledhur në të njëjtin kazan ndjesish të së kaluarës së përbashkët. Nuk ndërtohet e ardhmja kështu bashkëshkruesit e mi! Unë guxoj ta them këtë! Guxoj të them se nuk ka të ardhme me mënyrën sesi do mbetemi në kujtesën kolektive në të ardhmen që do jetë dëftuesja e një të shkuare ku do shkruhen emrat e gjithësecilit. Ndërgjegjia e një vendi apo një kombi nuk shkruhet me mëndjemadhësi neoligjizmash, ajo jetësohet dhe kurohet brenda çdo të tashme dhe ndjesish, me dëshirën e mirë për të lartësuar vlerën e të qënit sëbashku për ta trashëguar!

Dashuria apo ndërgjegjia është si një dritë e llamapdarëve nëpër rrugët e qytetit në të pagdhirë, që të ndërzen drejt përhumbjes së mendjes në mendime të freskëta, pa u përtypur me çështje historike dhe debatet që gumëzhijnë si në arenë gladiatorësh për të uruar fitoftë mendja! Kur në anën tjetër ne zgërdhihemi për lypësit tanë, bijtë e atyre nënave, femrave, grave që i has mëngjeseve pa gdhirë me flokët e ngjeshur nga pisllëku, me mendjen e mbytur në injorancën e tyre sepse nuk mund ti shohim ndryshe. Në fund të fundit një bisedë e hijshme me një grua çfarëdo që nuk i vjen turp nga rreckat e saj, nga mendja e humbur ndërvite, me veset e saj që të fton në dhimbje më ngjan me qytetin pa mend. Mendja e të cilit varet nga një kokë që tundet, që lëviz këmbët në padurim nervash dhe në fund të hedh si palaço buzëqeshjen që vjen jashtë çdo funksioni normal njerëzor.

Do kisha mbetur aty për një copë herë të mirë, duke soditur trupin e zhveshur të një qënie që lebetitja është ndërgjegjia e saj, masë mishi që nuk bën dot pjesë në ndërgjegjen kolektive. Ajo më sheh mua si një çudi të botës së saj të mbushur me uri dhe dhimbje. Unë nuk i dhimbsem asaj dhe me nurin e egër e të ashpër më afrohet këmbadorazi por nuk rrëzohet. Më thotë që i vjen për të qeshur për rrobat e mia, jam një karikaturë e zakonshme qytetarie, një zvarranik që i zë rrugën e mbase i ndërpres mendimet dhe i ngjall neveri, më pas afrohet dhe me shumë mirësjellje më thotë  se: “Dua të kaloj në anën tjetër, më ndihmon dot”?

E sigurtë që ajo nuk e vret mendjen për të kaluarën, për masën, për kolektivitetin e bashkëshkruesëve të mi. Ajo qan dhe trishtohet për qytetin që nuk e njeh, për rrugët që kanë humbur, për vetveten… ajo më jetësohet si Gijviku i P.Elyar “ Di për se flas. Zemërimi im është i drejtë. Qielli u shkel, mishi njeriut u bë copë e çikë, ka ngrirë, është mposhtur, hapërdarë. Drejtësia të bëhet drejtësi pa mëshirë, sundimtarëve pa rrënjë midis nesh grushti tu bjerë në fytyrë”.

Iki, sepse mëngjesi në fytyrën e saj zhvishet dhe qyteti mbushet me kalimtarë që nuk e shohin dot, e injorojnë në ekzistencën e saj lakuriqe dhe të pistë dhe dritat e llampadarëve shuhen një nga një mbi siluetën e saj dhe mbi hapësirën e çmendurisë që na ftojnë gjithësecilin në përditshmërinë tonë të verbër. Verbëri në kthjelltësinë e ndërgjegjes pa moral, verbëri e handikapëve që pajtojnë me veten çështje të masës kolektive me pëdhosjen ndaj vlerave të përbashkëta. Ne nuk mund të jetësojmë ideale kështu, as nuk mund të ndërtojmë të ardhme kështu. Ne duhet ta dimë ku e kemi njëri-tjetrin, ku dergjet realiteti që çdo mbrëmje ngryset si një grua që mungon në radhët e masës, një grua që nuk kujtohemi ta lindim si një fëmijë nga e para. Një grua që ngjan me diellin i cili zgjatet mbi karvan në perëndimin e vet.

Kështu ta lëmë të kalojë koha që përmbi tokë na është dhënë?

Çdo mëngjes fytyra e saj më këndon vargjet e Pol Elyar ”kudo ka barqe të butë për të shpikur njerëz si mua. Krenaria ime është me vend. Botë e vjetër s`më bëri dot për vete, jam i lirë”!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora