| E premte, 02.01.2015, 02:47 PM |
KRISTAQ TURTULLI
DASHURIA E PARË
Në degë të mimozës prehej ëndrra,
Kur të pashë.
Si shteg i ngushtë dredhonte rrugica,
Puthjen e parë kur ta dhashë.
Në duar mblodhëm stinë,
U veshe me lulëbardha.
Të gjenim pranverë,
Por kishte më shumë dimër se verë.
Vitet shkundeshin një nga një,
Na magjepste vjeshta.
Qyteti përgjonte në cep të një brenge.
Edhe pse ishte në formë zemre...
MONOLOG ME VETEN
Të shurdhëtën pëshpërimë e dëgjova që fëmijë,
Këmbadoras zvarritesha në oborr t’ shtëpisë,
Shtambat i thyheshin nënës te çezma e bronztë,
Nga skërmitja e dimrit dhe sherret e grarisë.
Stërkala e parë u tret te fleta e një luleje,
Si lotës e brishtë i vesës mëngjesore.
U zbardh
nëna s’
Vera e nxehtë nga etja kruante gjoksin e thatë.
Oshtimën e ndjeva sa preka rininë,
Kur luaja kukamçefshi me fantazinë,
U kërrus nëna së zbrazur torbën e halleve,
S’u lodh mëhalla së hedhur mjegullën e llafeve.
Gjëmimin e dëgjova kur preka burrërinë,
Shtigje kërkova, rrugë hapa të prurja ujë,
Por s’ ishte nëna të mblidhte kristale,
Të thoshte urata, të thurte kurorën e yjeve...
GRUAS
Duart mbështetëm në sqetullën e viteve
Sytë e tu reze drite.
Brez lëshuar, fjala mbeti breznive.
Shalli i nënës, shtëllungë reje,
ishte përshëndetje.
Deti kishte dallgë, qielli qe me re
Serenatën: ‘Dua më shumë Shqipërinë,’ morëm me vete.
Pyes ty dhe veten time:
Në cilën breg, aeroport pritëm,
dhe cilën varkë, avion hipëm.
Ishte natë apo ditë?
Më thua, hipëm, zbritëm, përsëri hipëm...
Të pështjelluar lundruam detin e paanë?
Ultas më thua, u grindën,
kush është kapiteni, thamë.
Unë të përkëdhel dorën lehtë,
Të them, s’ është e vërtetë.
Sytë e fëmijëve shtigje shprese.
Kolombi na bënte me dorë prej një reje.
Indianët tymosnin ndanë një xhadeje.
Vitet e mërgimit vërtiten si gurët në tespihe
Shpesh harrojmë,
Në mbrëmje, themi ç’je ti ç’jam unë,
Në mëngjes duhemi më shumë.