E marte, 16.04.2024, 09:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Foleja e Gjeraqinës

E merkure, 31.12.2014, 02:32 PM


FOLEJA E GJERAQINËS

E keqja vjen duke vrapuar,

e mira duke çaluar.

Proverb spanjoll

Nga Resmi Osmani

Katundi ynë i largët e i harruar i Gurrës, me nja tridhjet shtëpi, gjendet në rrëzë të shpatit jugor ku ze fill e lartohet mali i Velës. Në mes të fshatit bie në sy kambanarja e bardhë e kishës së Shënkollit. Ka plot burime ngaku gurgullon uji i pastër si loti dhe akull I ftohtë, që nuk mehin dimër–verë, prandaj thonin se katundi kishte atë emër. Fshati në verë është i zhytur në gjelbërimin e pemëve, por në dimër bora ve shtresë dhe vendi zbardhet.  Toka buke,kemi pak, ca ara si shami xhepi, që të mos vidhisen mbahein me mure guri. Po ka mjaftueshëm kullota dhe pyje me dushqe e gështenja. Gështenjat i kemi ndarë dhe familjes sonë i kanë rënë ca drurë në pjesë. Në majë të malit,përmbi kullotat, ngrihen shkrepat e gurtë ku bën folene gjeraqina. Edhe katundi ynë ngjan si një çerdhe gjeraqinash.Pleqtë e katundit thonë se atje ku bën folenë gjeraqina, rrojtja për robin është e zorshme. Ka kohë që fshati është pa gjallëri dhe si i shkretë.  Të rinjte ka vite që kanë marrë  udhet e kurbetit dhe shume familje kanë zbritur ne qytete. Një rrugë e pa mirëmbajtur,tërë leqe e dredha, na lidh me fshatrat e tjerë deri sa zbret ne udhën e madhe. Ky është katundi ynë. Këtu jetojmë. Baba , Pjetër Marka Ndoi, tok me ne dy fëmijët e tij, mua Marën dhe vëllain Mirashin. Para dy vjetësh, nana u nda nga jeta. U shua ngadal e me vuajtje. Na la   ende të parritur. Shtëpia jonë është e vogël përdhese, e ndërtuar me gurë. Oborri është i thurur me pahi petavrash lisi, brenda tij kemi ca peme,mana , arra dhe qershi. Rëzë gardhit shkon rruga që I bie mespërmes katundit.

*    *    *

Ishte ditë e diel, mes tetori, po afrohej mesdita dhe nuk po dija nga ta nisja. Babai ishte ulur në qoshen e vet pranë oxhakut. E kishte zënë ajo kolla e keqe, që i shkallmoi gjoksin dhe i dolën lote zori nga sytë. Mbusha me ujë një sapllake alumini dhe ia dhashë ta pinte. Kolla iu pakësua po s’iu nda. Babai kishte dit që nuk ishte mirë. Pas vdekjes së nënës,ai e kishte lëshuar shumë veten. Dukej i dërrmuar dhe si i përhumbur. Rruhej e qethej rrallë, ksulën se hiqte nga koka as brenda në shtëpi dhe mua , nuk e di pse, nga flokët e paqethur dhe driza e mjekrës, më ngjante si i pistë dhe i palarë edhe pse e dija që nuk ishte ashtu. Babai ishte mbyllur brenda dhe delte vetëm deri në oborr.

Në qoshen tjetër, në një vënd që binte drita, ishte ulur im vëlla, Mirashi, që sapo i kishte mbushur tetë vjeç , por që ne s’ja festuam ditlindjen se s’kishim me se. Mirashi, po bënte detyrat e shtëpisë. Kishte vënë mbi gjunjë një tepsi alumini dhe aty kishte mbështetur fletoren për të shkruar. Më therte në shpirt për të. Ishte dobësuar dhe zbehur, aq sa llapat e veshëve ia përshkonte drita, qafa i ishe holluar sa dukej sikur do ti këputej.

Në murin përballë, në një vend ku binte më shumë dritë, në një kornizë të praruar kemi vënë fotografinë e nanës. Ka dalë e buzëqeshur e me sy rrëzëllitës, plot dritë. Ishte  fotografuar më parë se ta zinte ajo sëmundja e keqe që i mori jetën para dy vjetëve. Sa herë që e shihja më   dukej sikur nga ajo fotografi, nana si të ishte e gjallë, s’ma ndante atë shikimin e ëmbël e të buzëqeshur. Atëhere më zinte një gulç dhe rënkoja duke psherëtirë: ” Oh moj nënë, ku më le?” dhe sytë më mjegulloheshin nga perdja e lotëve, por bëja kujdes që Mirashi të mos më shihte

Mu desh të kujdesem për zjarrin. Drutë ishin të njoma e  nuk digjeshin mirë, ngaqë frynte erë oxhaku nuk tërhiqte  dhe dhoma u mbush me tym e nisën të na digjnin sytë, aq sa u detyrova të hapja derën dhe dritaret. Përpusha prushin me mashë, e ushqeva me dru të tjera dhe i fryva. Flaka u gjallërua dhe gjuhëzat e saj të ndritshme bënë përpjetë. Në  kusinë e  bakërtë të humbosur e të  nxirë nga bloza kisha vënë    ziente gjellën e drekës: një grusht fasule larushe, që i kishin dhënë lëngut ngjyrë kafe të shpëlarë e si të pështirë.  I përzieja herë pas here me lugën e drunjtë se më dukej që do të zienin më shpejt. Që gjella të bëhej e shijshme,kavurdisa qepën, me domate dhe speca, shtova kripën dhe ia hodha brenda. Duhet të ngutesha, isha e vonuar. Brumi i bukës kishte ardhur. E ndava në pjesë të vogla, i lyeva me miell pastaj i punva me duar që të merrnin formë. Lyeva tepsinë me pak vaj dhe i vendosa për tu pjekur. Saçin e kisha vënë që më parë mbi zjarr në oborr. Ishte i rëndë.  E kapa me paçavure nga doreza, e ngrita me të dy duart dhe e vendosa mbi tepsi.

Dëgjova kakarisien e pulave në qymez. U hapi derën dhe mblodha vezët në përparëse. I mblidhnim për t’i shitur. Pulat, të mësuara që u hidhja ushqim më ndoqën pas , por ajo i tremba  dhe i zbova, s’kisha ç’tu hidhja, misri ishte mbaruar. Nga kasollja u dëgjua vërritja e dhisë. Më  kujtonte që  duhej mjelur dhe  ushqyer. Gjiri i Shytës, i rënduar nga qumështi ishte fryrë dhe thimthat ishin zmadhuar.  Nisa t’i shtrydhë shpejt e ritmikisht me të dy duart. Currilat e vakët të qumshtit, zhurmëronin e shkumonin në kusi. Hundët mi guduliste  ermirimi i tij i avullt dhe befas  ndjeva uri, një boshllëk në lukth e shuarje të lehtë, që më ndodhte shpesh, që e dija nga më vinte,  por që ishte e durueshme. Mora një krah sanë nga mullari dhe ia hodha Shytës, që nisi të përtypej si e babëzitur.

Jashtë dere,  ishte kanistra me ndrresat e palara. Ndava veçë ato me ngjyrë dhe veçë të bardhat dhe i hodha  në dy legena plastikë. Duheshin larë përsa koha ishte e mirë e me diell, që t’i nderja e të thaheshin shpejt, se s’kishin me se të ndërroheshin. Pasi të mbaroja këto punë,  pas drekës duhet të bënja mësimet me ditë, se po të binte muzgu, drita e bishtukut ishte e pakët. Dritat na i kishin prerë ngaqë kishim muaj që s’kishim mundësi t’i  paguanim.

Kishte ardhur koha e drekës. Mirashi po ankohej se e kishte marrë uria si edhe ne të tjerët, por që nuk ankoheshim. Shtrova sofrën. Buka dhe gjella ishin të ngrohta. Vura re se ,Mirashi, teksa përçapej ngadalë, tringëllinte lugën në tasin e tij të alumintë.  E pashë vëngër, por ai i doli  qortimit para:

-Gjellë koti. Duhet që luga të bëjë not në lëng, pa të gjejë një kokërr grosh!

-Pa ha aty, se e ke shumë dhe aq, e mos bëj llafe!

-Buka po, që është e shijshme, sa e ngrohtë mund të hahet edhe thatë.

Babai kokëulur, mbllaçitej dhe s’bzante. Kushedi ku gjetkë e kishte mendjen.

Kur sapo kisha ngritur sofrën dhe po gatitesha të laja enët, në portë u dëgjuan ca të trokitura të lehta e si të drojtura.

-Mirash,shko hape portën, dikush po vjen.

Por ai nuk mu bind;

-Shko vetë,- tha ai- mund të jenë të panjohur dhe unë s’po di ç’të bëj

me ‘ta.

Kur hapa portën e ronitur, që mezi mbahej në mentesha,  u gjenda para dy grave, të veshura me rrobe të përhinjta dhe kryet të lidhur me një shami trekëndore po me ate ngjyrë. Në qafë u varej  kryqi dhe në këmbë kishin të veshura sandale shualltrasha. Në krahë varur nga një çantë me rrip të gjatë. Ato më buzëqeshën. Nga veshja e kuptova që Ishin Murgesha. Njëra ishte e re, fytyrëhijshme, pamjeqeshur. Tjetra mesogrua. Poshtë syzeve xhamtrasha sytë i ngjanin të vegjël e si padritë. Fytyrën e pikëlluar e të zbehtë ia vijëzonin rrudha të imta. Dukej si të kishte hequr shumë në jetë.

-Pranoni miq?

-Mirë se të vini.- I ftova.

-Më parë le të njihemi.-Tha e reja.- Mua më quajnë Roza. Bashkë me motër Luçien, jemi të urdhërit te shen Françeskut. Vimë nga qendra kristiane e bamirësisë, Karitasi. Ke njeri brenda?

-Po. Babai dhe vëllai. Urdhëroni- u thashë- dhe u  hoqa rrugën që  të hynin  brenda.

Kur hynë brenda në dhomën e mugët, kuptova që motër Luçies i ra në sy varfëria e pajisjeve. Vështroi me kujdes  sergjenet në mure ku ishin serënditur enët,  sepetin e vjetër me stivën e rrobeve te fjetjes, mbuluar me një çarçaf të vjetër. Ajri ishte rënduar nga tymi dhe era e duhanit. Por ato nuk e dhanë veten. Siç duket, kishin parë keq e më keq.

Babai dhe Mirashi u ngritën  për të nderuar mysafiret.

Kisha mbetur pa fjalë e rrija si mbi gjemba, por fundja,të jesh I varfër nuk është ndonjë turp. E mblodha veten dhe  i ftova të uleshin te divani anës murit, shtruar me minderë e postiqe leshi. Motër Luçia u ul, kurse motër Roza qëndroi më këmbë.

- Si të quajnë?- më pyeti ajo.

- Marë.

- Marë, si virgjeresha Marie, zoja jonë e lumnueme, që bekuar qoftë emri I saj. Po vëllain?

- Mirash.

-Sa vjeçe je ti Marë?

-Njëmbëdhjetë. Vëllai tetë.

Isha e ndrojtur e si me turp, kryet e mbaja ulur, e besoj se isha skuqur nga fytyra dhe zëri më delte i ultë e si i shuar. Motra Roza, më vuri dy gishta nën mjekër dhe më  ngriti pak kryet.

-Çelu dhe buzëqesh pak.

-Qyshkur na la nana, para dy vitesh, në këtë shtëpi askush nuk buzëqesh, bashkë me të iku dhe gëzimi- I thashë dhe zëri më doli me ngashërim.

Motër Roza, u duk se e pati të vështire të gjente  fjalë ngushëllimi për dëshpërimin tim  dhe iu drejtua babës , që ishte ulur në qoshen e vet dhe pamjezymtë, me atë kollën e thatë, që si ndahej, tymoste çibukun.

-Vëlla Pjetër. Për ju dhe familjen tuaj na foli dom Frani, i kishës së Shënkollit. Tok me motër Luçien erdhëm tu shohim si rroni. Është pjesë e detyrës sonë misionare. Ne shkojmë atje ku ka hidhërim që të zbusim zemrat, ku ka dëshpërim të sjellim fjalën e Zotit, atje ku kanë humbur shpresën për të ngjallur besimin, ku ka varfëri  besimin se më pas do të vijnë të mirat. Me besim te ati ynë i shenjtë, te e lumnueshmja Mari, nanë e tënzoti  dhe Jezu Krishtit që u martirizua për mëkatet tona, do të vinë ditë më të mira. Në emër të atit, birit dhe shpirtit të shenjtë, lutuni përherë, që në shtëpinë tuaj të hyjë  mëshira,  bekimi dhe mirësia e Tënëzoti. Mos harroni edhe te shkoni ne Kishë  që të merrni sakramentin e shenjtë, trupin dhe gjakun e Jezu Krishtit.

-Amen. - Pëshpëriti babai, që mbase u ndje fajtor që kishte kohë pa shkuar në meshat e dom Franit

-Ç’të ardhura keni, me se i shkoni vaktet?

-Asnjë të ardhur. Varfëria është ulur këmbëkryq në vatrën tonë. Shitëm këto kohë dy kecat e shytës, një shinik me arra e një thes me gështenja. Pagova librat e fëmijëve dhe blemë një thes miell, për ilaçet e mia nuk tepruan. Kam punuar shumë vite në minierë. Prej andej kam peshqesh  sëmundjen e  silikozës, i kam mushkëritë copë. Kërkova statusin e invalidit, por komisioni ma refuzoi. Nuk ma dha. Në atë komision, siç kanë ardhur kohët, që të marrësh duhet të japësh, por merret vesh moj motra, unë s’kisha çtë jepja. Që të më dalë pension i parakohshën duhen edhe dy vjet. Siç e dëgjoni, e shtyjmë me të keq, herë ngrënë e herë pa ngrënë. Bëra letrat dhe kërkova ndihmë ekonomike në Komunë. Ka tre muaj që e heqin zvarrë dhe nuk e di sesi do ta mbyllin. Ja kështu moj motra. Unë po s’jam i zoti për asgjë. E shkreta cucë, që është ende ferishte robtohet e mundohet. O Zot, mos më keq. Kohë të vështira. Përditë zi e më zi! Thonë që vdekja e nënës të le jetim, e babajt fukara, por fëmijët e mi janë fukarenj me babanë gjallë. Ky paska qenë fati ynë të heqim e të vuajmë.

Këto u tha im atë, pastaj ra heshtja, një heshtje e rëndë si vetë varfëria. Dëgjohej vetëm gërvima e frymëmarrjes së lalës dhe kolla e tij e thatë; këh, këh…

-Eja këtu, bija ime, -  kërkoi motër Luçia. Më mori të dy duart në të sajat. Ndjeu që ishin të ashpra, pa atë butësinë dhe njomësinë e moshës- duart të janë ashpërsuar nga puna. Kush t’i lan rrobet? Shoh që s’keni makinë larëse.

-Vetë, me dorë.

-Me këto duar të vogla? Po ato bukët në tepsi kush i gatoi?

-Unë, e kush tjetër? Lala është i sëmurë e Mirashi hala i vogël. Që kur na la nana, barra e shtëpisë më mbeti mua.

-Shpirti im, o zemër e vogël, -  më tha me ngashërim motër Roza dhe më rroku në gjoks me dhimbsuri prindërore.

Me fytyrën mbështetur në parzën të saj, ndjeva ermirimin si prej temjami të rrobeve dhe ngrohtësinë e gjoksit të nënës që  më kishte munguar prej kohësh. Mu kujtua   ime ëmë dhe ashtu me fytyren zhytur ne gjirin e murgeshës, u shkreha  në vaj, mbyrurazi e pa zë.

Motrat u ngritën. Luçia nxori nga çanta një libër që duhet të ishte bibla e shenjtë  dhe një palë rruzare me një kryq të vogël dhe ja zgjati lalës.

-Merri. Biblën e shenjtë me fjalën e Zotit dhe rruzaret që ti shkosh e numurosh  kur të bësh lutjet.  Zoti asnjëherë s’i harron ata të grigjës së vet, që e kujtojnë dhe luten për të.

Lala i mori dhe i falnderoi. Ai besonte dhe kishte shpressë te mëshira dhe mirësia e Zotit.

Kur po ndaheshin me ne , i thanë lalës se do të përpiqeshin të bënin diçka për ne. Mua dhe Mirashit na dhanë bekimin, bënë kryq, pëshpëritën një lutje dhe dolën. I përcolla deri në rrugë, tek vendi që kishin lënë makinën e vogël, që e ngiste motër Roza.

*       *      *

Pas ca ditësh, paradreke, në oborrin e shtëpisë hyri një furgon. Prej tij zbritën dy djem. Bashkë me  Mirashin u gjendëm në çast aty.

-Këtu është shtëpia e Pjetër Marka Ndoit?

-Kjo. Jemi fëmijët e tij.

-Na ka dërguar motër Luçia nga qendra e bamirësisë, Karitasit, u kemi sjellë ndihma- tha ai që duhet të ishte shoferi.

Hapi derën e furgonit dhe nisi të shkarkojë ngarkesën: Kuti kartoni, thasë me miell, me patate dhe koli me shishe plastike të mbushura me lëngje.  Firmosa në një bllok dhe djemtë uruan:

-U bëfshin mirë e me shëndet. Hipën në furgon dhe u larguan.

Lala doli në oborr. Vuri dorën si strehë mbi ballë se dielli i vrau sytë. Për të ishte si të kishte ndodhur një mrekulli. Motrat e urdhrit të françeskanëve ishin kujtuar të na e zbusnin dhimbjen dhe varfërinë.

Pasi e futëm brenda dërgesën, të dy me Mirashin, me ngut e të paduruar  hapëm kutitë. Në dy prej tyre kishte veshje, për ta por edhe për lalën: triko, këmisha, bluza, çorape, veshje të brendshme, pantallona, atlete, sapun dhe disa pako me pluhur larës……Në kutitë e tjera kishte ushqime të gjithfarllojshme e të paketuara: shishe me vaj, sheqer, oriz, makarona, fasule, biskota deri te kripa dhe salca. Nuk kishin harruar edhe kafen për lalën, çokokrem, paketa me puding, shishe me kokakola, amita, kuti kartoni me lëngje frutash…..dy thasë me miell për bukë.

Raftet u mbushën plot.

-Sot kemi festë,- gëzoi  Mirashi dhe nisi të hidhej pupthi. Mara do të na bëjë petulla. Ohoho, petulla me reçel!

I pashë edhe njëherë ushqimet me synë e amvisës.

-Po të harxhojmë me ekonomi, mund të na mjaftojnë deri në kërshëndella, -u thashë, pastaj  pyeta lalën:  Po pastaj, të nesërmen, kur të sosen, çfarë do të bëjmë o lalë? Hë, më thuaj çfarë do të bëjmë?

Ai po mendohej,  pyetja ime e kishte zënë papritur.   E dija që përgjigjen e kësaj pyetje ai e kishte të zorshme, në mos të pamundur.  Përgjigjen e mora nga im vëlla. Se asaj pyetjeje vetëm një si meci mund ti jepte përgjigje. Mirashi, që kishte hapur një pako me biskota e që po i shijonin shumë, rrahu gjoksin u krekos dhe më tha:

-Unë moj motra ime, sa hap e mbyll sytë do të rritem dhe do të gjej një punë. Lalës do ti dalë pensioni, kurse ty, moj Hirushe,  do të martojmë me një djalë të pasur në qytet, si princi i kaltër i përrallës, që mos të të dhembë koka kurrë! Kështu mbarojnë edhe hallet tona.

- Ah mor marroku i motrës! Sa mirë të bëheshin petullat me ujë e të binin të mirat nga qielli. Sido qoftë, shkoftë ëngjëlli i Zotit e të dëgjoftë. U bëftë si thua ti.

Pasi bëra mësimet për të nesërmen, u nisa të shkoja te Gjelina për të marrë librin e historisë që nuk e kisha.  Kur hodha vështrimin në udhën e madhe, pata një vegim: dy gra kishin marrë rrugën drejt meje. E para një shëmtirë shtrigane ecte duke vrapuar, e dyta e bukur si ëngjëll kishte mbetur pas dhe ecte duke çaluar.  Shkunda  kryet dhe shkrapulita sytë. Vegimi u tret sikur e përthithi udha, siç përthith rëra e shkretetirës pikat e ujit.

Lart në qiell, mbi krye tim, si të isha preja e saj, me krahë të shtrirë, bënte rrathë një gjeraqinë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora