E marte, 16.04.2024, 07:18 PM (GMT+1)

Mendime

Anton Berisha: Atentati në katedrale...

E merkure, 31.12.2014, 04:41 PM


Atentatin në katedrale ka kohë që e kemi bërë të mundshëm!

Nga Anton Berisha

Kush do ta kishte besuar 15 vjet më parë, që ëndrrën e shtetit, lirisë dhe përparimit do ta tregtojmë me robëruesit shekullor?!

A është ëndërr kjo? Këtë dilemë e shtron Kadare në lajmet e pabesueshme që i vinin si era. Nuk mund të besonte të kishte shqiptarë me flamuj arabë. Nuk mund të besonte që një deputet në Kuvendin e Kosovës, do ta shpallte Gjergj Kastriotin tradhtar të kombit. Mbase, nuk besonte entuziazmin e mikpritjes deri në vëllazëri të kryeministrit turk, i cili, hiq më pak se aty, në një xhami të Kosovës, lëshonte thirrjen: “Kosova është Turqi” për të vazhduar me lajmet për shqiptarët e rekrutuar nga qendrat terroriste për të luftuar si xhihadistë në Siri.

Në një rit varrimi, të një anëtari të familjes së një zyrtari shtetëror, derisa flitej për kontributin dhe jetën e tij si mësues, veprimtar dhe pjesëmarrës në UÇK, edhe unë pyesja veten: a jam në ëndërr, përderisa shihja mbulimin e trupit të tij me flamur arab, dhe më pas, gjithë ritin në gjuhën arabe të një njeriu që jetën ia kishte kushtuar arsimit shqip. A jam në ëndërr - çka po ndodh kështu - pyesja veten - derisa me të njëjtit njerëz, nga vitet 90-ta shkoja në të “pamet tona”, kur dëgjoja prej tyre kalimin prej gjuhës shqipe “Zoti ju laftë shnosh” në “Allahu…”. Çfarë po ndodh? Në universitetin publik, studentët presin në korridor, provimi është shtyrë, ngase asistentët kanë orarin e faljes në xhami. Nxënësit, marrin leje apo lirohen nga mësimi për të njëjtin motiv. Në institutin albanologjik promovohen libra kundër Katedrales. Në biblioteka të shtetit leximi shpesh duhet të përshtatet me itineraret e faljes.

Në shekullin e dytë të robërisë nga otomanët, kishte nisur mbulimi i grave, kuptohet me dhunë, kërcënime e joshje . Fillon edhe tash, 500 vjet më vonë, në Kosovën e pavarur, në emër të të drejtave të njeriut. Kodi mijëvjeçar shqiptar që nuk njeh mbulimin e femrës , duke i njohur asaj veshjen e hijeshinë duhet të zëvendësohet me mbulimin e saj për t’i shndërruar dhe kufizuar me të zezën. Myslimanët e rrezikuar dhe të kufizuar në të drejtat e tyre, na doli si platformë për të imponuar mësimin e fesë në shkolla, ndërsa Qeveria nisi procesin e formimit të komisioneve për rishikimin e historisë me kërkesën e palës turke. Tashmë, pikërisht ashtu siç e thoshte Kadareja, “nga shqiptarë të sunduar” po gdhiheshin në “myslimanë të çliruar”.

Ngjarjet historike e aktuale shqiptare ranë nën hijen e ndodhive e debateve fetare. A kishte gjë më të mirë e të përshtatshme për Serbinë të dialogonte me Kosovën “myslimane”. Në atë duzinë zyrtaresh, jo që nuk ndodhej asnjë shqiptar katolikë, por vet ata deri tek ministri i jashtëm, do të lajkatonin kolegët e tyre në Europë “ne jemi europianë”, e në shtetet myslimane “ne jemi myslimanë”. E, Serbia, atë që kishte kontribuar me shekuj, e nuk ia kishte arritur, tash “habitej” që shqiptarët me dorën vet, po i kryenin punën atyre.

Në jetën publike dhe në qeverisje, me politikanë që fushatën e bënin nëpër xhami dhe me platform të hapur islamike, u akomoduan në pozita kyçe shtetërore, njëkohësisht duke larguar një nga një shqiptarët katolikë, duke i margjinalizuar skajshmëritë në të gjitha veprimtaritë politike, qeverisëse, diplomatike, arsimore dhe administrative. Paralelisht me këtë margjinalizim, fryma fetare u bë dominuese. Kryetarë komunash një nga një organizonin iftare, pa folur asnjë fjalë ta themi për ditën e alfabetit, e lëre më për ta kujtuar me ndonjë veprimtari.

Përderisa, në Tiranë e Durrës, festa e Bajramit nënkuptohej dhe shfaqej si një ditë feste për besimtaret dhe qyteti vazhdonte jetën, në Prishtinë e Pejë, festa dominonte shtetin. Njëkohësisht, derisa në Tiranë e Durrës, qyteti ishte ndriçuar e zbukuruar për festat e fundvitit, Kërshëndella e Vitin e Ri, Prishtina e Peja ishin “terr i zi”. Kështu, kur kryetari i kryeqytetit, në stilin e një turkoshaku demagog e mashtrues na fliste për kursimet, Prishtina e udhëhequr prej tij tashmë ishte i vetmi kryeqytet evropian në terr, një dele e zezë e saj. Kryetari i kryeqytetit i bënte “konkurrencë” qeverisë së re, të zgjeruar për ti akomoduar të gjithë dhe njëkohësisht për të mos lejuar asnjë shqiptar katolikë. Natyrisht, që qëllimi, përveç, siç do të shprehej ipeshkvi Doda, neglizhencës dhe përbuzjes ishte edhe më i thellë, më dinak – vazhdimi i dobësimit të substancës shqiptare.

Dhe, a kishte lajm më të mirë për aleancën shekullore antishqiptare, otomano-komuniste sesa një qeveri me njerëz të mentalitetit produkt i tyre, që Kosovën nga një çështje shqiptare ta shndërrojnë në ideologjike e fetare?! Nuk munden ta trajtonin e ta bindin Perëndimin në ’99-tën. se kërkesa për liri e shtet të shqiptarëve janë mbulesë për shtetin islamik; e pësuan, por ja tash, 15 vjet më vonë, terrenin po krijohej më mirë se asnjëherë. Dhe, në këtë terren, për të pamundësuar kthimin në Europën mëmë, një atentat nga serbët apo të tjerët, në Katedralen e Prishtinës ishte një mundësi që mund të realizohej. Nuk është vështirë për t’ia qëlluar se si erdhi deri te zbulimi pavarësisht prej krekosjes lavdëruese të ministrit të brendshëm por nuk është moment i detajeve tani. Me rëndësi është, se rruga e trasuar nga vetë ne, e bënte të mundshëm dhe të besueshëm mundësinë e tillë. Kush do ta kishte besuar 15 vjet më parë, që ëndrrën e shtetit, lirisë dhe përparimit do ta tregtojmë me robëruesit shekullor?!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora