Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: ''Ballë për ballë'' me Kol Mirakaj

| E merkure, 31.12.2014, 05:57 PM |


“BÁLLË PËR BÁLLË”...

ME KOLË MIRAKAJ...TEK LIBRI “VETVRASJA E NJË KOMBI”

Nga Fritz RADOVANI

Një mik nga Belgjika më dergoi me lexue një material historik...

Kam pasë rasë me lexue pak libra që thonë të vërtetën për Historinë e Shqipnisë.

Ndoshta, kjo asht arsyeja që sot lexoj me andje për atë fushë ku, asht gjithshka e shkelun, e nëpërkamun, e fallsifikueme dhe ma shpesh e shkrryeme përtokë...

Ndër tjerë miqë të Nikollës në Bruksel..., u lidha edhe me z. Lekë Mirakaj.

Ishte bash i biri i Kolë Bib Mirakaj, Ministrit Mbrendshëm të qeverisë fashiste Shqiptare, në vitin 1942. Nga pleqtë e mij kishe dëgjue se At Mati Prennushi asht kenë njohë kur ishte në Iballe të Pukës famullitar me Kolë Mirakaj, ku Ai shërbente si mësues ... Dhe, mandej, ajo miqësi ishte vazhdue nga nipat e At Matisë, e prej tyne lidhja e asaj kohë u pasue me Babën tim, Kolë Radovani. Ma vonë, koha solli nga vitët 1950 që unë me njohë motren e Nderueme të Kolës, Elena Mirakaj (Luli), zonja e Atdhetarit të Madh kapiten Gjelosh Luli, i vramë dhe i masakruem për sëvdekuni nga komunistët në Vrith, nga fundi i vitit 1947... Daja Paulin Prennushi fliste me respekt për Ministrin Kolë Biba, për atë kohë kur ky ishte kenë sekretar i zyrës së Tij në Tiranë, në vitin 1942.

Nga z. Leka, mora letren e Kolë Bibës që i kishte shkrue në mergim në vitet 1967 kryetarit të Ballit Kombtar Abaz Ermenji, e cila edhe u pat botue në vitin 2012.

Papritmas u ndodha para një Parathanje që vet Autori Kolë Mirakaj i kishte ba një librit të vet, kur ishte në mërgim në Sh.B.A., dhe e mbyllte atë Parathanje me një dëshirë që, po u botue ndonjëherë Libri, mendonte se titulli ma i pershtatshëm do t’ ishte për té: “VETVRASJA E NJË KOMBI”...

Fillova me e lexue me kurreshtje të madhe, mbasi nuk kishe fare njohuni për atë kohë, që gjithmonë asht quejtë “koha e robnisë fashiste” dhe mbyllej gjithmonë biseda me “okupacionin e Italisë...”, e cila, “na solli të gjitha të këqijat, pa asgja të mirë...”!

Aq asht e vertetë kjo, sa kur duem me tregue tmerret e kohës së komunizmit, sot perdorët një thanje: “fashistët e kuq”, ose kur disa “intelektualë” kosovarë tregojnë një nga episodet e randa të jetës së vet aty nga vitët 1970, thonë: “Këte, na e sollën fashistët e Beogradit”.., edhe mirë bajnë, se nga komunizmi, pothuej...“nuk patne pasoja!!”

Lexuesi Shqiptar sot po merr në duertë e veta një Liber të shkruem me makinë shkrimi, të pandryshuem fare nga gjuha Gegënishte e Autorit Kolë Mirakaj... Aty asht jeta personale “fashiste” e Kolë Bibës, pikrisht, atëherë, kur né i madh e i vogël dinim vetëm se “ky dhe shokët e tij, ishin vue në shërbim të fashistave italianë...”, po se, ku mendonin me e çue Atdheun, até e “plotsonin akademikët e prof...” e Enver Hoxhës!

Jam i sigurtë se, sikur, unë të kishe ba sot komente rreth Librit Kolë Mirakaj, dhe të fillojshe me tregue se cila asht vlera e këtij Libri unik në Historinë Shqiptare, pa perfundue me e lexue do të fillonin akuzat prej stergjyshave të mij, e deri tek Baba im, që asnjëherë nuk asht kenë as fashist as simpatizues i tyne, per të vetmin fakt: “Okupacioni italian, vertetë bashkoi Trojet Tona, po nuk u donte kurrë me lanë me u rritë fara e keqe e komunizmit, që bijti nga rregjimi i Zogut dhe shovenistët sllavë dashakëqijtë tanë!”

Tek Libri do të gjeni historinë, protagonistët e saj, idhujt dhe mashtruesit, ata që i vune zjarrin Atdheut “me këmishat e zeza” dhe “ata, që ua shuen dritën” Shqiptarëve, me “yjët e kuq”, ata që e “vorfnuen” dhe ata, që e “ringjallën” tue i rjepë persëgjalli me ua nxjerrë napolonat ar nga hundët! Aty janë “tradhëtarët” përballë “Atdhetarëve”...

Studjuesit e Historisë, mos të merren me “ë” – pazane, po të mësojnë si duhen shkrue datat, ngjarjet e faktet... me dhimbje, per këto 70 vjetë mashtrime e fallsifikime.

Aty janë edhe “dy fjalë për lexuesit e nderuem” nga ana ime. Një nderim shumë i madh dhe i pamerituem per mue, ndaj Vepres së çmueshme të Autorit papersëritshëm.

Po, Ju lutem, mos u ngutni me lexue shpejtë, se nuk do të kuptoni asnjëherë se: Kush e shiti Atdheun tonë të shtrenjtë tek shovenistët sllavë, dhe kush ua vuni thikën mu në zemer Shqiptarëve, ashtusi, nuk jeni tue kuptue tash 70 vjet Permbytje të Shqipnisë Europjane, pasojat nga “çlirimtarët” e Mëdhej të Botës së Luftës së Dytë Botnore...

Autori tue mos dijtë me u krenue, nuk do as me fye! Jo pse nuk di, po brengat e mëdha në zemer, heshtat e nguluna me vrasjen e të Birit, humbjet e gropave ku i asht varrosë Nana, vllau, kushrinjtë...e besa, edhe bashkfshatarët e Iballës, ku lindi dhe piu qumështin e Asaj Nanë, që e kalbi dheu i Tepelenës... E “rikthejnë” tek Vatra e lanun shkret nga të gjithë far’ e fisi që u rrit, u shtue, vdiqën dhe u plakën nga 15 Maji 1945 e deri në vitin 1990 nder të gjitha burgjet e kampet e interrnimit të Shqipnisë “socialiste”.

Libri i Kolë Mirakaj “VETVRASJA E NJË KOMBI”, asht Historia e Shqipnisë së pashkrueme, ku Autori, na tregon sesi shkruhet Historia e Një Populli Martir, po edhe sesi duhet të qendrojmë “Ballë për ballë” me miqtë dhe anmiqtë e së Vertetës, qendrim i cili, e ban Figuren e Tij Atdhetare të Nderueme dhe të Pavdekshme nder shekuj...

Ju falemnderës për nderimin dhe respektin!  F. Radovani.

Melbourne, Dhjetor 2014.