E marte, 23.04.2024, 03:31 PM (GMT+1)

Sport » Sporti

Eusebio Haliti ngjitet në majë të Evropës

E enjte, 10.07.2008, 12:06 AM


Eusebio Haliti
18-vjeçari nga Shkodra regjistron kohën më të mirë kontinentale në vitin 2008

Ylli i Eusebio Halitit vazhdon të shkëlqejë. Të dielën e kaluar, atleti shqiptar që jeton dhe stërvitet në Itali ka regjistruar kohën më të mirë në Evropë për vitin 2008 në kategorinë Under-18 (nën 18 vjeç). Në kampionatin rajonal që u mbajt në Bari, Haliti e frenoi kronometrin në kohën 52 sekonda e 72 të qindtat në garën e 400 metrave me pengesa. Lajmi nuk ka kaluar pa u vënë re, madje përtej Adriatikut shpresojnë se shumë shpejt djaloshi i lindur në Shkodër do të pajiset me pasaportën italiane, për të përfaqësuar flamurin trengjyrësh. "Të dielën e kaluar në Bari, gjatë kampionatit rajonal për klube, Eusebio Haliti ka vendosur kohën më të mirë italiane dhe evropiane të vitit 2008 në kategorinë Under-18 me kohën 52"72 në garën e 400 metrave me pengesa, ku pengesa ishte 91 centimetra e gjatë", citonte "tranisport.it". "Kujtojmë se atleti është rezident në Bisçelje dhe pret, shpresojmë sa më shpejt, që të pajiset me pasaportën italiane. Ai ka lindur në Shkodër, por mund të themi se është italian, pasi prej 8 vjetësh jeton, studion dhe stërvitet në qytetin e krahinës së Puljas", vazhdonte më tej sajti elektronik.

Paraqitjet e jashtëzakonshme gjatë këtyre dy viteve të fundit kalendarik e kanë vendosur me të drejtë Eusebio Halitin në vëmendjen e specialistëve sportivë dhe mediave. Gjatë këtij sezoni, 18-vjeçari nga Shqipëria ka kryesuar në Itali dhe në Evropë në moshën e tij, me pengesa 84 centimetra të lartë me kohën 51"73. Gjatë vitit 2008, ai ka thyer dy rekorde kombëtare në Itali: në garën e 400 metrave indorë, ku fitoi titullin italian për U-18 dhe në 500 metra. Këto dy rekorde nuk thyheshin prej 23 dhe 27 vjetësh. Më 14 janar 2008, në Garat Kombëtare Indor për Italinë të zhvilluara në Ankona, shkodrani që garon për skuadrën "Pol. Roko Skotelaro di Matera" i habiti të gjithë, duke vendosur rekordin e ri italian për të rinj, me kohën 48"86, ku koha më e mirë e mëparshme (që nuk thyhej prej vitit 1985) është ulur me 26 të qindtat.

Edhe pse është vetëm 18-vjeçar, shpejtësia dhe talenti i tij e klasifikojnë Eusebio Halitin mes atletëve premtues për të ardhmen e afërt. Me kohën 52"72, ai mund të bënte një paraqitje të mirë edhe në Kampionatin e Botës Under-20 të Kategorisë Superiore që fillojnë sot në Poloni. Fakti që nuk ka pasaportën italiane dhe nuk është i regjistruar pranë Federatës së Atletikës në Itali apo në Shqipëri e kanë detyruar që për arsye burokratike ta humbasë këtë aktivitet. Por, djaloshi kërkon të vrapojë dhe të prezantohet në evenimente të mëdha ndërkombëtare e pikërisht këtu mund të përfitojë vendi ynë. Vetëm pak kohë më parë, Haliti kishte bërë të ditur se dëshiron të marrë pjesë me çdo kusht në Olimpiadën 2008 dhe nëse nuk udhëton drejt Kinës si pjesë e Italisë, atëherë shpreson që të marrë pjesë si anëtar i delegacionit shqiptar. Megjithatë, deri më tani, përveç disa joshjeve të vogla financiare, që gjithsesi nuk janë asgjë në krahasim të të ardhurave në Itali, atletika shqiptare dhe KOKSH nuk kanë bërë asgjë më shumë për talentin shkodran. Askush prej tyre nuk është kujtuar të "kursejë" një ftesë nga organizatorët kinezë të Lojërave Olimpike, ku të shkruanin emrin e Labinot Halilit dhe të rimerrnin talentin 18-vjeçar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora