Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rexhepi: Gjëmat dhe plagët e Feniksit shqiptar

| E marte, 30.12.2014, 02:56 PM |


Gjëmat dhe plagët e Feniksit shqiptar

(Shefik Shkodra “Qëndresa në mbrojtjen e Shqipërisë Verilindore dhe Lam Hasan Shahiqit”) Era, 2014

Nga Mehmetali Rexhepi

Ky libër ka një titullim të dyfishtë, ngase të dyfishta janë interesimet brenda tij. Autori, Shefik Shkodra, poet, studiues i trashëgimisë kulturore, letrare- artistike, satirik, polemizues, intelektual i qasjeve kritike, i angazhuar për vlera të kulluara kombëtare, për cilësi, kriter e parimësi; e përmbylli vitin 2014, me këtë vepër të kujtesës sonë të tri përmasave: të dhimbjes, të trishtimit e gjëmës kombëtare dhe të atdhedashurisë së pashuar në breza.

Përmasa e gjëmës shqiptare

Si u strukturuan tri përmasat madhore në hapësirën e këtij libri, duke pasur një krye-personazh si Lam Hasan Shahiqi?

Ngadhënjyese e kësaj trinie është përmasa e natyrshme e një atdhedashurie, e bijve luftëtarë brezash, dhe njëri nga ta ishte Lam Shahiqi.

Librit i prijnë tri faqet motivuese, thurima grishëse e pamjeve, e relievit të madhërishëm të Malësisë së Gallapit, me enigma e gjëmë të heshtura për fatin e jetës tragjike të etnisë autoktone, të pambrojtur, përballë mësymjeve të zhbërjes nga serbët, prore të pandalshme dje, sot madje gjëmë- ndjellëse dhe për të nesërmen.

Para se t`i shpërpushte faktet djegëse që sollën të huajt, madje dhe serbët nga shkëputje të dhënash, dëshmitë e përjetuara, mjerisht pak të plasuar për sakrificat e Trojeve Etnike, Shefik Shkodra tërheq kursivin e etnisë përtej të cilit nuk ka ku shkon: “Muranë Mbrojtjeje e Kala e Shenjtë”.

Gjithsesi ky pohim, ky vijëzim i trashë është bërthama më e dendësuar e të gjitha fijeve të trasha e të holla, të dukshme e të/padukshme, të ndjeshme e të pandjeshme e kujtesës sonë etnike tejet tragjike.

Këtu është shtjelluar në pesë kapituj drama ekzistenciale e shqiptarëve, me stil e gjuhë të pa rrëmbyer. Pse stili e gjuha e këtij shkrimi-libri merituan të cilësohen të pa rrëmbyer? Ngase krimet e bëmat rrëqethëse të Serbisë nga vitet 1875-1878, përzënia, likuidimi i shqiptarëve prej vatrave të tyre, vendimet e pa favorshme dhe mohuese të Traktatit të Shën Stefanit për shqiptarët, mizoria e Luftërave Ballkanike për copëtimin e trojeve shqiptare para, dhe sidomos pas shporrjes së Turqisë; Lufta e Parë Botërore, zbatimet e programeve shfarosëse të monarkive serbe mes dy luftërave botërore, Lufta e Dytë Botërore dhe avazet vrastare serbe-çetnike me yllin pesë rrembash “antifashist”, gjenocidi në Gjilan e në Luginë të Moravës: dhjetor 1944, janar 1945, të vrarë e të zhdukur 7.854 shqiptarë! Qoftë i huaj ose serb, po të jetë njeri, indiferenca njerëzore nuk do t`ia shuante flakën impulseve për ndezje të urrejtjes, ose për mbajtje ndezur të saj në shkallën më të paparashikuar!

Feniksi i shekujve

Gjatë shtjellimit të motiveve të këtilla, autori admirueshëm e ruan masën e të së njerëzishmes, është frenues i ndjenjave, shkrimit nuk i jep kahe urrejtjeje. Pamjet janë  për rrëqethje, trishtuese, mizore, ndotëse... Ngjarjet e Muhaxhirëve shqiptarë të bëjnë të ndjehesh aq i dëshpëruar, sa të dyshosh thellësisht në racën e “homo sapiens-it”.

Cilësia e Shkrim-kërkimtarit tonë, bir i kësaj treve të martirizuar, dëshmoi se thellë në ndërdyme i vjen forca, që ia ruan etikën e guximin njerëzor, si dëshmi e mbijetesës, si Feniksi i shekujve...

Shkrim-qëmtuesi ynë identifikohet shpirtërisht në një tematikë ngjethëse, në personazhet, në përpjekjet e tyre, në motivimet për përmbushje të fatit vetjak e të përgjithshëm, është i ndjeshëm sikurse pararendësit për gjëmën e dhunës, për ngufatjen e saj. Ai shtjelloi, duke ruajtur ndjeshmërinë dhe prekshmërinë e arsyes, për të drejtën e të vërtetën.

Në ato male të andej e këtej Gallapit, në ato bjeshkë, në ato lugje, përreth krojesh, Shkrim-kërkimtarin seç e fton një zë i mekur tume, një varrezë e gurit të epuar, një krismë maje mali, prapa shkëmbi, një zgot lisi i mbetur drejtë në vertikalen e tij, një muranë vatre, një jatak i përfytyruar, një lehje e blegërimë në mjegull, një kor nëmësh të ngufatur, një vajë fëmije, fantazma të shpërfytyruara të dëshpërimit, klithjet pa jehonë dhe shikimet kah qielli...

Historia na përbuzi e na mallkoi, por është po ajo histori që do të vijë në trajta të paparashikuara, në qoftë se kategoritë njerëzore: e vërteta dhe e drejta, e ndodhura dhe mbetja e së ndodhurës si troje, si etni, si toponime, si murana, si patronime, si faltore, si gurë varresh, si plojë turmash, si ditë të përgjakura dhe net të përflakura, si kënga vaji i burrit, si këlthitje foshnjash hedhur udhës së borës, si mbetje djepash, pleq kaptimeve luginash, përrenjsh, kodrash, fushash të ndjekjes së gjatë...

Të tëra këto: të mos i rikthehen kujtesës sonë të rralluar?! Të tëra këto: të mos i rimerren kujtesës së shkrimit?!...Të tëra këto: të mos hynë shiritave filmik dhe të ekranit?! Të tëra këto: t`i mungojnë argumentit tonë politik?! Të tëra të thënat e të pa thënat të fshihen nga vetëdija e brezave?!

Pikërisht ky është motivimi parësor i Shefik Shkodrës, pjesërisht i përmbushur në librin “Qëndresa në mbrojtjen e Shqipërisë Verilindore dhe Lam Hasan Shahiqi”.

Lexues i çmuar!

Shprehja e motivimit pjesërisht i përmbushur, i kalon caqet e librit që po e përurojmë. Kjo shprehje nuk është përcaktuese e modestisë, as e madhështisë së këtij libri. Jo vetëm Malësisë së Gallapit, ngjarjeve në të, për të e jashtë tij, periudhave të shënuara, por të pazbardhura të Shqipërisë Verilindore, ende i mungojnë qasje të këtilla, duke mos anashkaluar fakt-sjellës, si: Hakif Bajrami, Skender Rizaj, Sabit Uka, Sadullah Brestoci, Muhamet Pirraku, Bislim Pireva, Aliriza Selmani, Reshat Avdiu...

Sprovimet historike të etnisë sonë, meritojnë vëllime me një gamë të gjerë përfshirjeje, trajtimesh me kompetencë, përputhje faktesh me të ndodhurat, kërkim burimesh të shumanshme për pa luhatshmërinë e argumentimit, përdorim literature botimesh të veçanta, paraqitjesh subjektive e objektive, revista, autorë me peshë shkencore, shtetërore, politike, diplomatike; dokumente arkivore, dëshmi të drejtpërdrejta e të tërthorta, libra kujtimesh, e tjera.

Paragjykimet serbe

Përgjatë  kapitullit të parë, të dytit dhe te “Zyrtarizimi i kufirit në mes tokave shqiptare më 1879 deri më 1912”, në kapitullin e tretë të këtij publikimi, pohohen rrethanat ogurzeza të zbrazjes së etnisë shqiptare. Atëbotë,  Prokupla dhe qarku i saj, ishte qytezë e pastër shqiptare, po ashtu Pllana e Madhe, si dhe Nishi e lokalitetet tjera, kishin popullatë të përzier! Megjithatë, Shkodra konstatoi shkaqet dhe gjendjen e predispozitave, denjësinë e padenjësisë së shqiptarëve për tu përmbushur si komb. Nuk kishin arsimimin në gjuhën amtare, as alfabet të vetin për të shkruar gjuhën e historinë e vet, ndonëse ishin popull i hershëm në Ballkan.

Qarqet shoviniste të Serbisë ia paraqitnin shqiptarët Evropës, gjithnjë si kategori e shëmtuar estetike. Paragjykimet serbe janë dhe mbeten po ato, përhapen qoftë përmes ministrash, botimesh akademike, teologjike, e tjera. Autori shkëput paragjykimin e shfaqur në një revistë të karakterit ortodoks: “1. Shqiptarët janë të egër. 2. Shqiptarët nuk ekzistojnë, ata janë të imagjinuar nga Austria për t`i mërzitur serbët, bullgarët dhe malazezët. 3. Shqiptarët s`kanë histori. Pirro, Genci, Gjin Spata dhe baronët e Moresë, Skenderbeu ishin emisarët austriakë. 4. Askush nuk do të mund të thotë asnjë shembull të kryengritjes shqiptare kundër turqve.”é

Sipas Shkodrës, kundërvëniet këtij diskursi paragjykues e tejet përbuzës, ishin të pakta, “Vetëm një zë. Dhe këtë e bënte revista “Albaniaé                                                                        Shembuj markant të shëmtisë, si kundërpeshë e shpifjeve dhe paragjykimeve,shfaqen pikërisht tek serbët... “Albania e Vogël” nëpërmjet shtypit evropian,zbardhi krimin e vrasjes makabre të mbretit Aleksandër Obrenoviq e të mbretëreshës Draga.Citoj: “Mbi pesëdhjetë herë, thuhet se është therë Draga. Janë bërë copë-copë, duke i hedhur për dritare edhe pjesët më intime të trupit, të identifikuara veç e veç. Shumë brutale! Pamje shumë e errët në Ballkan! Egërsira! Të pa ngopur më gjak”.Më tej, vijon kursivin Shkodra: “Shtypi evropian e quante këtë veprim “Kasapllëku i Beligradit”, dhe është mjaft tronditëse e aziatike.”                                                                                                        Krimet e tilla të serbëve janë shekullore dhe të programuara. Le të shpalohen faqet e trishtimit të “Elaborateve për Çështjen Arnaute...”, të akademikëve namkëqinj: Andriq e Çubrilloviq! “Kështu kanë bërë edhe me shqiptarët sa herë në luftëra, deri edhe në këtë të fundit, më 1999é

Plagët e pambyllura

Plaga e Muhaxhirëve të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit dhe viset tjera në Serbinë Jugore, e ngritur në diskursin e autorit, është plagë e hapur dhe ende kullon... Ky publikim mëton të zgjojë reflektime aktuale për plagën e pa mbyllur, madje as pak të zbutur. Së paku të shtrohej në forumet ndërkombëtare të ndikimit... Heshtja e kësaj plage shekullore i ka yshtur shtresimet politike e shtetërore çetnike të Serbisë, që hegjemonia e saj në asnjë mënyrë të mos pushojë.

éSh.Shkodra”Qëndresa në mbrojtjen e Shqipërisë Verilindore dhe Lam Hasan Shahiqi”, Era, 2014; f.42,cituar nga “ Albania

éPo aty, f.42

éPo aty, f.43

Po, është me interes të përmend, me këtë rast, që prej asaj kohe e deri më tash, nuk dihet që dikush ka kërkuar dëmshpërblim për pronën. Apo edhe kthimin e kësaj popullate në vende të veta, në mënyrë individuale apo edhe nëpërmes të ndonjë shoqate a institucioni, të bëj kërkesë për forumet ndërkombëtareé

Apostrofimi i tragjikes së Muhaxhirëve shqiptarë është përmasë e skajshme e gjenocidit, heshtjen e të cilit nuk e bartë dot vetëm ndërdymja jonë, pa e vënë në spikamë para vetvetes dhe të tjerëve. “Sa tragjikja nga barbarizmi, që është provuar në kurrizin e tyre nga ushtria dhe grupet serbe-çetnike, nuk ka letër as ngjyrë, ndoshta, për të gjithaé

Nëse në asnjë mënyrë nuk është arritur katarza kombëtare, gjithsesi arrihet një trajtë e zbrazjes shpirtërore, e katarzës së Shkrim-kërkuesit në letër, në faqe libri. Faqet e këtilla shpalojnë kujtesën e dhimbjes, që mos ta kaplojë skleroza. Pothuajse në çdo faqe të rrotulluar shpalojmë dhimbje e pafajësi viktimash, gjëmë ngufatjeje, guxim e trimëri të admirueshme lamësh...

E madhërishmja e padjegur e kësaj etnie, aty, këtu qet krye... Trashëgimia e gjenit heroik nga Lam Shahiqi te një Lam Metush Krasniqi, ose Lam Metush Rexhep Mala... Pas shtatë dekadash, Lam Shahiqi po i kthehet shqip-shkrimit e shqip-leximit! Pas shtatëdhjetë vjetarësh ri-zgjohen drithërimat e përziera... Pas shtatëdhjetë vitesh, përmes penës së Shkodrës dhe evokimit të familjarëve, vjen Lam Shahiqi jo si leckaman, por i veshur me petka të reja të krenarisë, me petkat që i kishte qepur vet! Ai nuk do të vijë fillikat. Ai do të vijë te ne me vullnetarët e kufirit!

Dhe më thoni: a nuk është kjo mrekullia e Feniksit shqiptar?!

Në kapitullin e tretë, të katërt dhe në të pestin, shkrimtari nis qasjen nga gjeografia, toponimia, patronimit, nga areali popullor, duke vijëzuar fshatin kufitar Shahiq, i shndërruar në patronim; mandej radhazi vijojnë: pasardhësit e Hasan Huruglicës-Shahiqit, mënyra e jetesës: bujqësia, blegtoria, tregtia; vatra e lindjes së Lamit, fëmijëria, djalëria, martesa, formësimi...“Në odë ai përveç, që kishte dëgjuar rrëfime atdhedashurie, aforizma, anekdota e në përgjithësi, letërsi gojore, por kishte dëgjuar edhe histori të popujve të Ballkanit. Sigurisht, kishte dëgjuar edhe për atë kombëtarené

Faqe të spikatura të Lam Shahiqit

Kush dhe çfarë ishte Lam Hasan Shahiqi?

Të dhënat për Lam Shahiqin janë të pakta. Për aq sa mund të vilte Shkrim-kërkuesi, lexuesit i jepet përfytyrimi i dukjes djaloshare e burrërore të malësorit, i gatshëm për ta kapur  ekzistencën në atë mjedis të ashpër të malësisë. Ashpërsia e bjeshkëve e kishte kushtëzuar të kalitej, të përshtatej për të gjallëruar për vete dhe për të tjerët. Tërësia e vatrës së zgjeruar të  Shahiqëve, gjallëronte si bashkësi blegtorësh, tregtarësh e zejtarësh. Ata e gjallëruan Malësinë e Gallapit me blegtori, tregti e zejtari. Gjallëria e tyre në bujqësi, si pronarë tokash, kafshësh e kultivues të lashtash, vijoi dhe në Gjilan.

Jeta e Lamit u përmbush mes dy skajesh antitetike: ashpërsisë e butësisë. Ashpërsia gllabëruese i vinte si lukunitë e pushtuesve. Lukunitë vinin si egërsirat pas viktimës. Ai ishte pikërisht aty, në kufi. Në kufirin që ndante jetën nga e papritura e vdekjes.                  éPo aty, f.20

éPo aty, f.21 éPo aty, f.103

Dhe Atij, Lamit butësia i buronte nga brendia, nga një shpirt-çiltërsi e paepur.

Rrethana madhore e Luftës së Dytë Botërore me tragjizmin dhe amullinë, pagjeturin e radhitjes, mashtrimet e shqiptarëve pas “miqve” të papërcaktuar; vullneti i tyre për qëndresë jashtë ngjyrave ideologjike, përqendrimi për Shqipërinë Etnike e shpërqendrimi ideologjik i partizanëve të Shqipërisë londineze... Kjo ishte katrahura e radhës... Gjenocidi i rreth tetë mijë shqiptarëve (8000), të vrarë e të zhdukur në Gjilan e rrethinave të Anamoravës, zbatuar nga brigadat ndëshkuese çetnike-malazeze-maqedonase, të kamufluar në partizanë “çlirimtarë!”

Në betejat burrërore, ferr e ballë për ballë të vullnetarëve, për mbrojtjen e kufirit të Shqipërisë Verilindore nga serbët, spikaten dy epope: Lufta e Velegllavës dhe Epopeja e Kikës.

Në këto epope, Lam Shahiqi përfaqësoi me devotshmëri luftëtarin, komandantin e njësisë vullnetare të Lidhjes së Prizrenit e shtrirë në degë, me kryekomandant Idriz Hajrullahu ose Mulla Idriz Gjilani. Lami ishte përcaktuar preras, pa dy mendje, se “kurrë nuk do të lejoja për të gjallë... të na sundojë sërish Serbia...é

Ajo pak liri, e ardhur përmes asaj Shqipëri-Itali-Fashiste, ishte përvetësuar si diçka e pa përjetuar... Lami nuk e merrte me mend jetën nën Serbinë gjakatare. Vendimi i tij i prerë, u dëshmua në përballjen e shikimeve nëpërmjet gryka pushkësh me çetnikët majës së Velegllavës, mandej në Epopenë e Kikës.

Kahja për vendimin e prerë është emërues i përbashkët i akteve heroike të heronjve. Të ngjashme kanë qenë edhe vendimet për mësymje në beteja të Rexhep Malës. Të gjitha anët tjera të jetës, sado të ëmbla, janë minore, nuk e lëvizin dot llozin e baraspeshës... Sytë e kthjelltë të Lamit nuk turbulloheshin para zjarrit të tytave e bombave në pozicione. Autori, Sh.Shkodra citoi Profesor Pirrakun: “Këtu e kërkon vendi të spikatim shëmbëlltyrën e komandantit të Njësive Kreshnike, 32 vjeçarin Islam (Lam) Hasani të Shahiqit të Gjyryshecit, një skifter sogjetarë, një trim e burrë, i njohur me emrin Lam Shahiqi, legjendë për besnikëri ndaj Atdheut. Kur e pa se njësia e tij do të pësojë breshëri të plumbave të armikut, hipi në një qershi, te Kroni i Lakut, mbi Poliçkë, dhe me një armë automatike të rëndë, vrau rreth 50 ushtarë të armikut. Nga qershia do të lëshohet i bërë copë-copë nga mina e një murtaje kundër tankeve!é

E nderuara familje e gjerë Shahiqi!

Në Luftën e Gjilanit, në të vërtetë, pas luftës, në dhjetor të vitit 1947, dora e krimit serb, me ligësinë e karakterizuar, për hakmarrje vrau në Gjilan, në Lagjen e Balecit, në shtëpi të tyre, dy gratë me të cilat lidhej intimja jetësore e Lamit: nënën Salihe dhe Zelihen, nusen e Lamit.

Me gjithë traumën e kësaj vrasjeje të llahtarshme e të shëmtuar, krimi shekullor i serbëve edhe “pas çlirimit” të Gjilanit, nuk e mposhti familjen Shahiqi. Shahiqët nuk u dorëzuan. Ata mbijetuan me kultin e kultivuar të punës, dhe me gjenin e pa nënshtruar në gjakun e trashëguar prej Lamit.

Hajdini, mësues, Muharremi aktor prijatar dhe shkrimtar, Aliu, poet i talentuar e i këndshëm për fëmijë e të rinj: hije të dytë në ditët me diell dhe netët me hënë, kishin censurën e shtetit sllav-komunist.

éPo aty,  f.118

éPo aty, f.122

Trungut familjar i rriteshin degët, se rrënjët i kishte thellë në dheun e këtij trualli: Sabedini, Jashari, Hakiu, Kujtimi, Luani, Sefedini... Familja e gjerë Shahiqi u pasqyrua nga Shkrim-kërkimtari ynë, Shkodra. Secili në fushën e prirjes së vet, begatuan dhe fisnikëruan vlerat qytetare, artistike dhe kombëtare të Gjilanit e gjithandej shqip-jetës.

Qofshi të nderuar për jetë e mot!

Frëngjishtja dritare e shqipes

Publikimin historik “Qëndresa në mbrojtjen e Shqipërisë Verilindore dhe Lam Hasan Shahiqi”, penë-shkruesi Shefik Shkodra e ngjeshi dhe dendësoi me aparaturë të stilit shkencor, ndonëse ka përsëritje të dhënash, të cilat presin studiuesit për t`i rifreskuar me të tjera, të pa vjela.

Këtu, në këtë vëllim, citohen ose parafrazohen 115 njësi bibliografike në shqip, serbisht, kroatisht, frëngjisht. 29 foto, pamje qytetesh, tablo të topikës së trojeve shqiptare, shtrirje vatrash përmes tri hartash, fotot e krye-personazhit, si individ, mes luftëtarëve vullnetarë, të bijtë, pasardhësit...

Pesha e kësaj vepre shtohet, sepse përmbledhja e lëndës në frëngjisht komunikon me opinionin evropian, pastaj në tetëmbëdhjetë faqe jepen shënime për plotësimin e konteksteve të ngjarjeve, të personaliteteve të identifikuara me historinë, me politikën, me shtetet, me diplomacinë, me kronikën e kohës përkatëse...

Përmbyllje

Kërkimet, gjetjet, argumentimi, renditja dhe sistemimi, ilustruan vërtetësinë e pohimeve, të thënieve të tekstit, të karakterit historik në periudhat e grabitjes së tokave shqiptare, të tjetërsuara nga fqinjët sllav me gjenocid të pa ndëshkuar, por në pajtim me interesat e Rusisë për rivendosjen e sferës së interesit në Evropë dhe në Ilirikun e ballkanizuar.

Vepra si e këtillë reflekton të djeshmen dhe të sotmen tonë.

Përgëzime autorit e lexuesve!

Gjilan, dhjetor 2014