E enjte, 28.03.2024, 01:59 PM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Loja e fashizmit me ndjenjat kombëtare

E hene, 29.12.2014, 04:12 PM


LOJA E FASHIZMIT ITALIAN ME NDJENJAT KOMBËTARE TË SHQIPTARËVE

Donato Martucci: TOKAT E ÇLIRUARA SHQIPTARE, II – ÇAMËRIA (Botues: ICEBERG – Instituti i Studimeve për Çamërinë,  Tiranë, 2013, fq.240; përkthyese: Anila Omari)

Nga Adil FETAHU

Aspiratat për një shtet të bashkuar shqiptar

Shekulli i njëzet ishte fatal për kombin shqiptar, sepse me themelimin e shtetit të vogël shqiptar (1912), nga trungu i tij iu ndanë shumica e trojeve dhe e popullit: Kosova, Çamëria e vise tjera nën pushtimin e Serbisë, Greqisë e Malit Zi. Shqiptarët kurrë nuk u pajtuan me këto pushtime, veçse në kushte e rrethana të ndryshme luftuan në mënyra, me metoda e mjete të ndryshme për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Aspiratat dhe lufta e pandërprerë për çlirimin dhe bashkimin kombëtar  nuk dhanë rezultatin e dëshiruar, për shkak se shqiptarët nuk kishin një fuqi botërore për t’i përkrahur e ndihmuar në realizimin e qëllimit. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë (1912), e sidomos Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913/14), pastaj Konferencat e Paqes në Paris (1919/20 e 1946)  nuk i morën parasysh aspiratat  dhe të drejtën tonë kombëtare, pasiqë shumica e trojeve dhe e popullsisë shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit të shpallur, të ndarë në disa shtete të Ballkanit, armike të përbetuara të popullit shqiptar. Mbijetesa e shqiptarëve të ndarë në disa shtete, është një histori e dhembshme, përplot krime e gjenocid. Në çdo ndryshim të rrethanave historike ndërkombëtare (Lufta e I dhe II Botërore), shqiptarët u orvatën të arrijnë çlirimin e bashkimin kombëtar, por diplomacia ndërkombëtare i tradhtoi interesat dhe të drejtën legjitime të shqiptarëve për të jetuar të lirë e të bashkuar në një shtet.

Bashkimi i Kosovës dhe Çamërisë nën pushtimin fashist, ishte një iluzion

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste (7 prill 1939), dhe bashkimi i Kosovës e Çamërisë me shtetin amë (të pushtuar!), ishte një storie e shkurtër historike e iluzionit për arritjen e qëllimit madhor të bashkimit kombëtar. Në të vërtetë, Shqipëria  ishte viktima e parë e fashizmit italian në Evropë, dhe fuqitë e mëdha nuk e lëvizën bishtin për mbrojtjen e Shqipërisë, ndonëse Italia kishte shkelur parimet e Konferencës së Paqes e të Lidhjes së Kombeve. Shqipëria u pushtua pa ndonjë rezistencë të madhe, me përjashtim që Abaz Kupi me xhandarmeri dhe Mujo Ulqinaku me ushtrinë e marinës,  i bllokuan për një kohë dy divizione italiane në Durrës, derisa mbreti Zog iku në Greqi. Forcat patriotike e përparimtare nuk u pajtuan me pushtimin, organizuan demonstrata (në Shkodër, Korçë, e gjetkë), pati protesta, rezistencë pasive, sulme e akte sabotazhi, që dëshmuan se shqiptarët të parët e kundërshtuan fashizmin. Bile, në Tiranë u bë një atentat i pasuksesshëm mbi mbretin Victore Emanuele (maj 1941). Këtë pushtim Italia e trumbetoi si bashkim të Shqipërisë me Italinë, ndërsa në tetor 1940, e sulmoi Greqinë nga territori i Shqipërisë, por ai sulm pësoi humbje. Në ushtrinë italiane kishte edhe shumë shqiptarë (disa të dhëna flasin për 20.000 sish), por sipas një raporti gjerman (dhjetor 1941), shumë ushtarë shqiptarë kaluan në anën e grekëve. Para pushtimit të Greqisë nga Italia, qeveria greke e diktatorit Metaxa i mblodhi 5000 meshkuj çamër, i dërgoi në ishujt e Egjeut, prej të cilëve 350 veta i masakroi, ndërsa 400 tjerë vdiqën  nga torturat dhe uria. Dymijë rekrutë çamër që ndodheshin në ushtrinë greke (1939/40), nuk iu dhanë armë, por i detyruan të punojnë për hapje të rrugëve, sikur të ishin rob lufte!

Nga dëshmitë, deklaratat dhe dokumentet e proceduara në procesin e Nynbergut (gusht 1945), shihet se Gjermania nuk parapëlqente as pushtimin e Shqipërisë as të Greqisë, sepse nuk ishte e interesuar të shpërndaj forcat e luftës në Ballkan përderisa këto shtete qëndronin neutrale, dhe derisa ishte orientuar në luftë me Bashkimin Sovjetik.  Bile, Qeveria e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene, në mars 1941 në Vjenë lidhi traktat/pakt për t’iu bashkuar boshtit fashist: Gjermani-Itali-Japoni, mirëpo në Beograd u  bë grushtshtet dhe u prish pakti, prandaj Gjermania përnjëherësh sulmoi dhe pushtoi Jugosllavinë dhe Greqinë, në prill 1941; pasi që edhe Musolini i kishte kërkuar ndihmë Gjermanisë për ta pushtuar  Greqinë. Pas pushtimit të Jugosllavisë e Greqisë, në Vjenë u bë ndarja territoriale-administrative midis shteteve pushtuese. Italisë iu dhanë shumica e territoreve të banuara me shqiptarë, të cilat kishin qenë nën pushtimin e Jugosllavisë, Malit Zi e Greqisë; Kosova, Çamëria, e pjesë tjera, u inkorporuan në shtetin e Shqipërisë, që shtrihej në 42.469 km/katrore, por që ishte i pushtuar dhe konsiderohej pjesë e Perandorisë së Italisë, me njëfarë statusi shtetëror të kufizuar e një qeverie kuislinge. Pas kapitullimit të Italisë (shtator 1943),  organizohet Komiteti Nacional Shqiptar, kryesuar nga Xhafer Deva, shpallet pavarësia e Shqipërisë “së bashkuar”, bëhen zgjedhjet, formohet parlamenti dhe qeveria (kryeministër Rexhep Mitrovica, e ministër i brendshëm Xhafer Deva). Por, pas kapitullimit të Italisë në Çamëri nuk ndihej era e çlirimit, ndërsa prej fillimit të vitit 1944, Kosova u bë arenë betejash e luftërash të përgjakshme midis grupeve të ndryshme: forcat kombëtare  shqiptare kundër forcave çetnike-serbe, forcave të përziera partizane-jugosllave dhe  atyre bullgare.

Studimet (librat) e fashizmit për “Tokat e çliruara shqiptare”: Kosova (I),  Çamëria (II)

Pasi Itali pushtoi Shqipërinë, pranë Akademisë Mbretërore të Italisë u themelua Qendra e Studimeve për Shqipërinë. Qendra angazhoi studiuesit më të njohur të çështjeve shqiptare, si nga radhët e studiuesve italianë, poashtu edhe studiues shqiptarë, në mesin e të cilëve ishin edhe Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Eqrem Çabej, etj. Në ftesën që u ishte dërguar studiuesve thuhej: “Për të festuar denjësisht fitoren e armëve tona që vendosi kthimin e shqiptarëve të shkëputur nga Atdheu mëmë, Kryesia e Qendrës së studimeve për Shqipërinë ka qëllim të botojë në dy vëllime, kushtuar Çamërisë, përkatësisht Kosovës, punime të studiuesve më autoritativë për problemet albanologjike. Secila nga dy pjesët do të përmbledhë studime historike, letrare, gjuhësore, etnografike, shkencore...”.

Pas grumbullimit dhe redaktimit të materialeve, Këshilli i Qendrës (më 21 mars 1942) u njoftua se “përkundër vështirësive në mbledhjen e materialeve, falë aftësisë dhe përkushtimit të studiuesve, të dy vëllimet janë gati, dhe se do të mirëpriten në botën kulturore italiane dhe shqiptare. Vëllimi për Kosovën është gati, ndërsa ai për Çamërinë do të dalë pak kohë pas të parit. Botimet do të mbajnë titullin: “Tokat e çliruara shqiptare” (it. “Le terre albanesi redente”). Kështu, vëllimi për Kosovën u botua në fillim të korrikut 1942, kurse ai për Çamërinë kurrë nuk doli në dritë, për shkaqe politike e të marrëdhënieve midis Italisë e Greqisë dhe Shqipërisë e Greqisë,  veçmas pas një bisede që kishte pasur Musolini me kryeministrin grek Colakoglunë, definitisht ishte  hequr nga plani i botimit vëllimit për Çamërinë. Ngjarjet që  rrodhën pas rënies së fashizmit italian (8 shtator 1943), e bënë të padobishme për propagandën fashiste dhe e groposën për gjithmonë atë vëllim, ndonëse materiali kishte qenë i gatshëm për botim, i radhitur në pllakat e plumbit të shtypshkronjës. Disa punime që nuk implikonin shumë politikën ndërkombëtare  u botuan në revista, ndërsa të tjerat nuk e panë dritën kurrë.

Donato Martucci e ribëri dhe botoi vëllimin për Çamërinë

Donato Martucci është profesor i antropologjisë kulturore në Universitetin e Salentos (Itali). Thotë se pas vitit 1991 ka njohur shumë shqiptarë të shpërngulur në Itali, bile librin ia ka kushtuar një mikut të tij, profesor Halil Myrtës. Falë takimeve me shumë shqiptarë, filloi interesimi i tij për kulturën dhe të kaluarën shqiptare, të cilën e ka trajtuar në tezën e tij të doktoratës mbi “Të drejtën zakonore shqiptare”.

Materialet për librin “tokat e çliruara shqiptare, II – Çamëria”, Martucci i ka marrë nga arkivat historike të Akademia dei Lincei – Roma, ku i ka gjetur materialet e pabotuara për Çamërinë, të studiuesve të huaj të gjysmës së parë të shekullit njëzet. Nga ato materiale dhe shumë letra të gjetura, ka ndërtuar librin, ashtu siç ishte menduar të botohej në vitin 1942.  Në Parathënien e gjatë (36 faqe), ka shpjeguar tërë ecurinë e përgatitjes së materialeve për të dy vëllimet, rrethanat politike dhe shkaqet përse nuk u botua vëllimi për Çamërinë, duke dhënë edhe emrat e studiuesve të angazhuar, dhe shumë çështje tjera lidhur me ato vëllime. Disa punime të përgatitura për vëllimin për Çamërinë, të cilat nuk kishin konotacion politik, janë botuar në revista të asaj kohe, ashtu që Martucci i ka marrë prej revistave, ndërsa ato që nuk ishin botuar, i ka marrë nga bocat e korrigjuara e të ruajtura në arkiva. Libri përmban gjashtë punime autoriale të studiuesve italianë, të përgatitura për vëllimin Çamëria, të renditura në kapituj të veçantë:  1) “Vijimësia dhe ruajtja e gjuhës shqipe në Epir dhe zhvillimi i letërsisë në Çamëri” (Gaetano Petrota); 2) “Ilirët në Epir” (Domenico Mustilli); 3) “Mite, kulte dhe legjenda me prejardhje ilirojugore në Itali” (Francesko Ribezzo); 4) “Zotimet mesjetare italiane në Çamëri” (Genaro Maria Monti); 5) Arti në krahinën e Çamërisë” (Sergio Bettini); 6) “Për njohjen dhe shfrytëzimin e florës së ngjyrosur shqiptare” (Antonio Baltaci). Libri përmban edhe tetëmbëdhjetë fotografi të objekteve dhe vendeve të ndryshme, por ato janë të dobëta, të nxjerra nga fotokopjet. Përmban edhe një skemë për një hartë të zonave periferike të Shqipërisë.

Për të analizuar e vlerësuar përmbajtjen e punimeve të studiuesve për vëllimin e Çamërisë, do të duhej shkruar një libër të tërë me kritikë shkencore, letrare e politike në raport me kohën. Këtu po japim vetëm një pasazh nga punimi i Gaetano Petrota-s: “Duke kufizuar kërkimet për Epirin dhe duke mbledhur me kujdes e me durim pak shënime nga ato që historianët, gjeografët, etnografët, gjuhëtarët kanë thënë rreth popullsive dhe gjuhës së kësaj krahine të rëndësishme të Shqipërisë, besojmë se na del e qartë: a) që Epiri nuk ka qenë kurrë grek, as etnikisht as politikisht; b) që në Epir është folur gjithmonë një gjuhë jo helene që i përgjigjet gjuhës së sotme shqipe; c) që Epiri në njëfarë mënyre mund të konsiderohet si djepi i letërsisë shqipe” (f.41). Nga këto konkludime të studiuesit italian, mund të dihet shkaku përse vëllimi për Çamërinë nuk u botua, që të mos prishë punët politike e të mos acarojë më tepër marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë dhe  Italisë e Greqisë, e cila ndonëse u pushtua nga Gjermania, gëzonte një simpati e përkrahje ndërkombëtare sidomos nga Anglia, por edhe nga Gjermania. Madje, pas kapitullimit të Italisë, libri nuk do ishte i dobishëm as aktual, pasi Italia nuk ishte në gjendje të garantonte “tokat e çliruara shqiptare”. Të dy vëllimet, edhe ai i botuar për Kosovën, edhe ai i pabotuar për Çamërinë, mbetën vetëm si një iluzion shqiptar i propagandës fashiste për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin me shtetin amë. Është një thënie popullore “Dora e huaj nuk të kruan, por të qorron”. Prandaj shqiptarët e Kosovës është dashur të rrokin armët e të çlirohen vet nga Serbia, me ndihmën e NATO-s. Populli i Çamërisë dhe Epirit të Jugut (shqiptar), duhet të zgjedhin rrugë tjetër për të realizimin e të drejtave politike, ekonomike e kombëtare, pasi tanimë nuk janë në gjendje të çlirohen me armë nga fashizmi i egër grekë, ndërsa diplomacia ndërkombëtare nuk udhëhiqet nga parimet e drejtësisë, por nga interesi i konjukturave dhe fuqive të mëdha. Kjo nuk do të thotë se ata dhe të gjithë shqiptarët duhet të pajtohen me pushtimin, kurrën e kurrës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora